Poezi nga Hamit Taka

Hamit Taka

 

Poezi nga Hamit Taka

 

 

 

BISTRICA

 

Lumë lotësh derdh Syri i Kaltër i sirenës:

Në smeralde ata kthehen, të kaltër e të gjelbër;

 

I mbledhin djemtë e vajzat fushave të Vurgut

Me lulet e limonit, me kallëzat e grurit;

 

Dredhon ajo nazike, Finiqit i shkon përbri

Dikur tunikat lanin nëntë mijë Mari;

 

E gjelbër, e harbuar shkon ajo mes fushash

Me kore bretkosash, që ngrihen mes  gëmushash;

 

Çan bregun shkëmbor e vetme fillikat

Jonit i bashkohet si nusja hyn në shtrat;

 

Hëna copëzohet, shuhen meteorët

Në shatrivane dritash,  në ujvarat e neonit;

 

 

 

I ÇMENDUR PAS NATYRËS

 

I çmendur krejt pas natyrës,
Lumit, kodrave kam rendur
Fshati i qetë buzë rrëpirës
Kavanozi ku jam regjur;

Më zjen në shpirt pa pushuar
Malli për këngën e vjetër,
Ajo hapësirën e ka pushtuar
Eshtë e lirë si askush tjetër;

 

 

 

MBRËMJE VJESHTE

 

Mërguan zogjtë shtegëtarë
Në eter këngët lanë përhapur,
Dielli fshehur brenda pyllit
Kurora pemësh ka përflakur;

Digjet qershia – flakë e kulluar
Nga era jepet e përkulet
Mes bojëkafes të arave lëruar
Dhe blerimit të lëndinës me lule;

Një folezë ka mbetur e braktisur
Altari ku erërat rrëfehen
Dhe malli strehohet i ngrysur
Në pritje të këngëve të kthehen;

Mos vallë një pemë e çveshur
Jam dhe unë në këtë vjeshtë
Ku vetëm një fole ka mbetur
Fole malli që muzat pret!

Vetëm zemra do më gjykojë
Për ndjenjat që mbaj në gji
Vetëm ajo mund ta ndëshkojë
Atë që fsheh në thellësi…
* * *

Përse ka mbetur vallë ky zog
Që shpurpuris në shpirtin tim
Sikur do veç të më thotë
Se është lodhur gjoksi im!

Mos kërkon farat e këngës
T’i çojë larg në vise të tjera
Në Afrikë-viset e zëmrës
Ku gjaku është i ngrohtë si vera!

Çfarë mendon ai, mos o Zot,
Se shpirti s’ka më vlagë e dritë?
Këngës më nuk ia themë dot
Të heq dorë nga poezitë!

Zogu mbjell farën e mallit.
Kur të mbijë me cicërima
Si violina e ciganit
Do kumbojë me drithërima…

 

 

 

MËNGJES DIMRI

 

Me shtambën e kristaltë të shiut  vjen agimi,

Dielli rri fshehur pas reve si fëmija në bark të nënës,

Një trumcak i gjorë në dritare me mua ndan shqetësimin

Dhe unë ia hap fletë më fletë kanatat e zëmrës;

 

Zemra  është pa porta, e hapur për të gjithë,

Për ata që shpresa i ka braktisur, s’kanë një strehë, një fole

Hambar është ajo me këngë e ëndërra, që kthehen në drithë

Gjersa ta gjejnë një vatër, ta rishpikin një Atdhe;

 

 

 

ËNDRRAT

 

Edhe ëndërrat shpejt i harxhova

Si para të lëna trashëgim;

Koha, që aq shumë e dashurova,

Më shket nëpër duar, gaz e pikëllim;

 

Babai ma mësoi drejtpeshimin

Kur gdhëndëte qoshet nëpër gurë,

Nga nëna e mësova këngëzimin

Kur bukët i piqte në furrë;

 

Të shaja, për dreq, s’më mësuan

Dhe sot ul kokën nga fjalët banale;

Sharësit para  me grushta kanë fituar,

Unë sfilitem në kërkim të një fjale;

 

Kërkoj fjalën për vargun e figurshëm

Si gurin e latuar për harqe dhe pragje.

Po prapë mbeta belbacuku i dikurshëm,

Më shumë ëndërra kam thurrur se vargje;

 

 

 

MBROJTJE TRËNDAFILI

 

Endërr është ditë-nata,

Endërr është gjithë jeta

Folenë e shpirtit-zoçkë

Në kurmin tënd e gjeta;

 

M’u pakësua gjumi

Dhe nata m’u shkurtua

Ma mbushën hije-dritat

E hireve të tua;

 

Ti ia veshe zemrës

Këto këpucë të arta

Që rend edhe këndon

Në rrugë e monopate;

 

Me ti jam përherë

Në çastet më sublime,

Të troket dikush në derë-

Ajo është zemra ime;

 

Troket ajo çdo mbrëmje

Me gishtat fllade prilli

Dhe të afron në ëndërr

Mbrojtje trëndafili;

 

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s