Poezi nga Rabije Bytyqi / Shkëputur nga Vëllimi Poetik ” Përmasa e eklipsit”

rabije bytyqi

 

Poezi nga Rabije Bytyqi

 

Shkëputur nga Vëllimi Poetik ” Përmasa e eklipsit” 

 

 

 

Përmasa e eklipsit

 

Për çfarë sot të belbëzoj

Koha e huaj më ka katandisur

Duart të hedhura në ajër

nuk gjejnë ngushëllim

me çka ta shtjelloj detyrën e ditës?

 

 

Me epitafe të zbehta nëpër kujtesë

me eklipsin e zgjatur të diellit

me kaosin e djepave të thyer

me thëngjillin e çative të djegura

apo nga vaj i qyqes

t’i përgjërohem feniksit

për tokën e djegur

dhe trupat e mbjellë gjithandej

që  harresën  refuzojnë…

 

Për çfarë sot të belbëzoj

kur përmasat e jetës një copë buke

e turbullojnë qiellin

dhe lisat flasin jermishëm

të gjunjëzuar nga pesha e kohës..

 

Poezi e shpërblyer me çmimin e tretë në Flaka e Janariot 2014)

 

 

 

 

Prizreni

 

Në Kala prek damarët prej guri

Me mall puthë ca palë flamuri

Tek “Shtëpia e Lidhjes”

Emblemë e besës dhe fjalës së burrit,

për një komb,

tokë e lashtë, truall shqiptarie.

 

 

Këtu gjëmon sot e mot historia

E pena ime ndizet përherë nga lavdia.

 

Më deh e më gëzon ky peisazh, vegim.

Pena ime mbushet me frymëzim…..

 

 

 

 

Kala ulqinake  prej guri

 

U krenova me ty kala prej guri.

Sa bukur !

Bedenave të lartë, të valvitej kuq e zi flamuri ynë.

 

Legjendë Ilirie, o kala e vjetër!

Brezë pas brezi trimërinë e tretur

Në kohët e harresës ruajte lashtësinë

Me bukurinë antike ringre madhështinë.

 

Kur të prek gurët Kala Ulqinake,

sikur shoh

themelet e të lashtës Rozafatë

që ende pikojnë qumështin e gjirit,

për djepin e lindur ndër epe kreshnikësh.

 

 

 

 

Mendjendriturit

 

Rilindin me vepër

Kapërcejnë  shtigjet e kohës

dhe mbeten:

Piedestaleve të arta të kohës.

 

Trashëgimi lënë pas diturinë,

distanca rrugëtimesh përmbushin,

si substanca vlerash të gjalla përjetësohen.

 

 

Secili pllakoset në kohën e tjetrit dhe  ti në të

…, dhe në kohëra të tjera,

më shumë ringrihen,  jetësohen.

 

 

 

 

Në qytetin e ndjenjës

 

Në gjurmët e  rrëfimeve, udhëve të kohës

Rënkon dhimbja e historisë së gjallërimit

Përtej qytetit të mjegulluar harrese në skaj të kujtesës,

rilind

dhe shfaqet qyteti i ndjenjës.

 

 

E lashta antikë, si në përjetësi

Zgjon  shekujt e thinjur, logut epopeve,

me kullat e  ngritura portave të qiellit,

si portrete prej kohësh të shfaqura plot dritë

Bedena madhështorë në rrëfim,

duke thyer thundrat e bajlozëve të zinj.

 

Ja kalaja e ringritur madhështish

Në pirgun kafkave të trimave krenarë,

që ringjallen si feniksi mbi shtresa hiri

dhe fluturojnë trojeve etnike

Për shpatat dhe cicërimat e alfabetit shqip!

 

 

 

 

Lamtumirë atdhe !

 

Turma la pas atdheun,

shtëpitë e djegura,

majin të përvëluar

duke shpaluar lule të vrara nëpër shi…

 

Sirenat e trenit, si kambanat…

Lajmëronin  vdekje të ashpra

vagonët mbingarkoheshin me njerëz fatesh të ndara

dhe  dhimbjen e gjakut mbetur pas atje…

Në mes tyre s’mundem më të udhëtoj

dhe as nuk e di.

A do  mund të kthehem sërish,

tek shtëpia e etërve të vjetër…

 

Lamtumirë atdheu im!

 

Po lë varret e prindërve.

Paçin fat!

T’i shpëtojnë urrejtjes së armikut!

T’i shpëtojnë luftës!

 

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s