Shtëpia Botuese ” ADA” publikon romanin ” Edlira” të autorit Hamdi – Erjon Muça. / Recenca letrare nga Vladimir Muça dhe Fatmir Minguli

12185101_10206563372915747_5388277868425073671_o

 

Shtëpia Botuese ” ADA” publikon romanin ” Edlira” të autorit Hamdi – Erjon Muça.

 

Recenca letrare nga  Vladimir Muça dhe Fatmir Minguli

 

 

DIKTATURA DEMOKRATIKE DHE SUPSTANCA SHOQËRORE E NJË ROMANI

(Një ese në vend të parafjalës)

 

Si në të gjithë romanet, novelat e botuara, në ato që i ka në proçes botimi, edhe në romanin “Edlira”(Hamdi Erjon Muça), vjen i formuar në një krijesë të lindur ndërmjet absurdit dhe ekzistencializmit gjer në limite surreale.
Proza e tijë dëshmon përplasje në drama njerëzore, liri e burgosje shpirtërore, përmbushjesh dëshirash e zhgënjimesh fundo në humbella dështimesh. Në romanin “Edlira”çdo gjë vjen në një kontrast, modeli i të cilëve nuk i ngjan njëri tjetrit në koperturë.
Dramaciteti shoqëror edhe brenda një kapitulli vjen në mënyrë të atillë, ku brenda një drame të madhe pluskojnë si në një vullkan gati në shpërthim drama të vogla, kontraste dhe kundërshti, si rreaksion i vlimit protonik të këtij dramaciteti shoqëror.
Në këto prevalime rrefimtare Erjoni, bëhet vëllai binjak i personazheve, sepse ajo është dhe bota e tijë, ndaj ai e përjeton dhe e vuan në pafundësi.
Për të shpalosur këtë botë Ai përdor forma stilistike nga me të ndryshmet në shtjellimin e rrefimit, të përdorimit të gjuhës; nga gjykimi i drejtpërdrejt gjer shtjellime parabolike e alegorike, ku nënteksti hera-herës është bërthama ku ka ftillesën reaksioni zinxhir i domethënieve dhe mesazheve. Në këtë kontekst dukuritë e një dramaciteti të përçfaqur e të fshehur dëshirash, kryeneçe të autorit dhe të personazheve, intimitetit ndërmjet rrëfimit dhe veprimit nga autori bëhen të kapshme, ndonëse nganjëherë ata nxjerrin krye dhe në forma paradoksesh.

 

 

Erjon Muça

Erjon Hamdi Muça

 

Dramaciteti shoqëror mpleksur me një dramacitet liriko-erotik gjer në honet e një tragjizmi, vjen si një pjellë e një mëndje të lirë krijuese e vetë-vetes, pa komplekset e dogmës të soc-surreales dogmatike, autoçensurës, dhe të një letërsie klienteliste, porositese e të programuar. Me alkiminë e artit të fjalës, autori shpreh lirshëm ndjesitë që i dalin nga shpirti në mënyrë të pakushtëzuar nga askënd.
Ndërmjet vënies në dukje të mangësive e të padrejtësive, krahas operimeve me mendimtari flagmatike, njëkohësisht shpreh dhembshuri, dashuri, nderim duke kaluar dhe vetë autori në përjetime të dhimbëshme, realiste shqiptare por dhe në sfera globale. Erjoni në komplecitetin e formuar si krijues, është imun për të qënë një intelektual produktiv në fushën e letrave, në vjeljen e produkteve shoqërore, jo konformist, me një koncept shumëdimensional të lirisë. Atë, koncepti mbi filozofinë e jetës e vëllazëron me aktivitetin material, në kërkim e njohjen e supstanciales shoqëror, duke zbuluar hullitë nëpër të cilat ecin zemrat e shpirtrat njerëzorë. Në këtë roman autori e realizon duke përdorur gjithë forcën e protonizmit të tijë intelektual, me dashurinë për gjërat që e bën e që shkruan. Erjoni për gjithçka që mendon dhe idetë e pakontestueshme që deshmon, i qëndron besnik e stoik gjatë gjithë romanit.
Ai hap shtigje të reja pa paragjykime, në luftë të papajtueshme me konformizmin që ia ka zënë frymën lirisë mendimit letrarë, duke zgjedhur estetika mes një absurdi sa arkaik aq dhe veshur me xhybe moderrne.
Në lirinë e emigracionit, me një psiko-analize të supstancë shoqërore, autori evidenton burgo-vilat ku farkëtohen prangat dhe persekucionit e burgosjes të lirive në diktaturën demokratike.
Kërkimi i lumturisë dhe ushtrimi i lirisë individit Edlirë, në roman vjen si pjesë fondamentale e qenies njerëzore: pa shpërdorim të lirisë së tjetrit (siç ndodh me hallën dhe kunatin) meton autori si një paradigmë sociale e cila parakalon gjithë kapitujt e romanit.
Në supstrakt, rrëfimtaria e Erion Muçës lind nga kujtesa memorative e një laboratori që ja bluan mendimin si ajo trokashka e mullirit kur bluan drithin, në ato vënde ku i ka shkelur këmba e ku burgosja e lirive nga gardiani i një diktature të re, është më i dhunshëm në absurdin e tijë. Kësisoj, autori noton me bindje të plotë në konceptin stilistiko-estetik, mes një deti popullor borgesian dhe në një nëndallgë të një deti kafkian në bunacë, me një dallim: Në “Kështjellën” e tijë tregimtare nuk ka haluçilacione ëndërrash në boshllëk; por “Kështjella” e Erionit është ndryshe nga ajo e Kafkës. Ajo gjallon nga jeta me gjithë lakuriqsinë e sajë, e cila digjet e mbytet në një apokalips shoqëror. Kjo “Kështjellë” rrëfyese më përngjan me shkallët e ferrit ku Ugolinët e rinjë shqyejnë mëndjet e shpirtrat njerëzor. Në këtë mënyrë autori i kapërcen kufijtë e surreales, kufij të hapur nga mjeshtrit Aragon, Brekart, Borges, Eko, me një konceptim të ri në natyralitetin bio-shqiptar.
Duke bërë përqasjen e vend-lindjes me vendin ku jeton në emigracion, autori e sjell atë të bruajtur artistikisht nëpërmjet nocionëve të një absurdi, si në një ëndërr të keqe, ku fragmente jetësore, me makthe të frikshme, përzihen me çaste surreale lumturie.
Që në faqet e para të romanit “Edlira”, si në një arenë ku ndjehet gongu i një diktature të re, në ndeshjen për jetë a vdekje me një supstancë shoqëror, autori pa rifinitura, por me “mballoma artistike” siç i cilëson Umberto Eko, fjalëurtat e sentenca diturake, na jep përshkrimin e karakterëve, vendeve, familjeve fshatare shqiptare, sa të besueshme, rreale, aq dhe surreale.
Në të tilla përshkrime “balta i fliste këpucës”; përsihatje të bukura të një stili të veçantë në romanin bashkëkohorë, ku këto “mballoma” vinë si ato bizhutë në një kostum, ku e veçanta ndriçon e i jep “nur” të përgjithshmes. Gjithçka në konceptin piktural, merr formë bllamash, si në pikturat kubiste të Pikasos, me ato shpërbërje karakteresh brenda subjektit artistik si dhe në një përjetim tragjik të ngjarjeve dhe fenomenëve, një botë sa ekzistenciale aq dhe surreale në krahasimtari me atë çka meton autori në subkoshiencën e vet. Këto digresione shoqërore, në këtë roman vinë dhe si akt-akuzë e një kohe të shkuar, mbas një diktature ekonomike, morale, shpirtërore, ku të kthehesh nga një botë e lirë, në një vend meton të jetosh lirinë e qënies shpirtërore e metafizike. Në kontrapuntin e tijë artistikë, autori na përqas një botë zhgënjyese, me pemë të prera, çdo gjë të grabitur e shkatërruar, ku kudo mbisundon kundërmimi i mykut e bajgave, një katraurë e vërtetë, një aplikacion i një diktature totalitare, në sfondin e një diktature të re shoqërore. Kjo nuk vjen si nostalgji, por si një dhimbje e thellë shpirtërore i një realiteti të braktisur nga qeveritë. Edhe fundi tragjik i Edlirës është produkt i kësaj braktisjeje totale të supstancës shoqërore. Kjo vjen dhe si thirrje piskamë për brezat e ardhëm, një thirrje për të pasur në shpirt e zemër vendin ku të ka rënë koka, sepse sipas Kazonzaqis: “Njeriu shkëputet dhe rritet, tërhiqet e shkon mbrapsht, tek ai vend nga është shpërngulur, por që nuk ndodhet më aty”. Kjo vjen dhe si një atraksion historik e supstancës në kohën krono e popujve për vendin e tyre.
Ndonëse romani shtrihet në hapësira gjeografike, ai rrëfehet në largësinë e një frymëmarrje: Kjo vjen si një veçori interpretative dhe si një dramacitet linear. Gjithçka autori e mbështet tek përshkrimi i njerëzve gjer në imtësira të supstancës të objektëve, ngarjeve, që zhvillohen si në një teatër të stilit tragjik shekspirian si dhe çështjet e diskutueshme, e cila ve në mëdyshje, duke ja shtuar ankthin lexuesit dhe hapin verdiktin për kuptushmërinë e jetës reale, të asaj që duhet të jetë strumbullari i lëmit njerëzor për një barazi në subkoshiencë e gjykimtari. Kjo është dhe veçoria e nocioneve moderrne të këtij romani: ndriçimtaria e ngjarjeve dhe fenomeneve, mozaika e shtjellimit tekstual, strukturave e kumtëve prozatore, të cilët bashkohen si ato përrejtë e vegjël në një shtrat të lumit romanesk.
Sigurisht, në planin stilistik, këto provojnë mëvehtësinë dhe mendimtarinë origjinale të krijuesve të tillë. Romani përcepton shumë dhimbje shpirtërore. Dhimbja për njerinë (femrën shqiptare) e përshkon si një parabolë gjithë rrjedhën rrëfimtare. Ajo merr funksionet e termoçifteve që masin zjarrmeninë në furrnaltën shpirtërore, jo vetëm të personazheve, por dhe të autorit e lexuesit kur ta lexojnë këtë roman.
Dhimbja për njeriun, zjarri i protestës përtej këtyre padrejtësive shoqërore, dëshira për tu bërë pjestar shpirtërisht, do të jenë bashkëudhëtarët e supstanciales shoqërore për lexuesin gjatë udhëtimit leximor e shpirtëror në kapitujt e këtij romani, ndërtuar mbi amalgamat e paradigmat e jetës të femrës sotme shqiptare.
Nga ky zjarr e nga kjo dhimbje do të lindë lëvizja feminile, si një flamurtare në shoqërinë e sotme.
Kur merresha me redaktimin e konsultimet për romanin “Edlira” me autorin, më bëri përshtypje përkushtimi, dhimbja që përjetonte autori për çdo pasazh, karakter, metaforë, alegori, qendisur me atë dashurinë e qylymbërësve kavajase. Gjithçka m’u njehsua me nënën që ngjiz, lind e rrit fëmininë. Kjo ndodh ngaqë Erjoni është nga ai soj shkrimtarësh që e përjeton shum ndjeshëm krijimin e një vepre letrare nër shterzimet e një dhimbje-lindjeje, me kënaqësinë e dashurinë për frutin e krijuar. Mbas një mundi për gjithçka ka krijuar, në fytyrën e Erjonit si shkrimtarë pashë kënaqësinë dhe dashurinë për gjithçka të përjetuar në botën e këtij romani. Besoj kështu do të ndjehen dhe lexuesit mbasi të lexojnë këtë roman, mbarsur me një social prozadori, dramacitet liriko-shoqëror me novitetet e një romani moderrn bashkëkohorë.

 

 

Vladimir avdula  muca
Vladimir Muça
Poet, prozator, studiues

Durrësn,  Mars 2015

 

 

 

NË MBROJTJE TË NJË SHPIRTI TË DLIRË

 

( Shënime për romanin “Edlira “ të Erjon Muçës )

 
Mbasi e lexon romanin “Edlira” të shkrimtarit Erjon Muça, përpara teje shfaqet subjekti i novel ës së Migjenit,”Një nga ato”. Por nuk ka asnjë lloj paralelizmi në subjektet midis “Edlirës” dhe novelës së Migjenit. Megjithëse kanë një gjë të përbashkët, fatin e femrës, fatin që nuk e kanë në dorë ato por bëhen viktima të së Keqes. Një e Keqe që përsëritet kohë pas kohe dhe godet jo vetëm shpirtrat e grave dhe të vajzave…
Fati i vajzës së thjeshtë nga fshati , Edlira ,është fati i shumë vajzave në kohën e sotme “Ku çdo gjë ndryshon”.Një prolog konçiz në fund të romanit “Edlira”, është një skaner i gjallë dhe i saktë i kësaj kohe që pjell monstra si ata me këpucë të baltosura si dhe ata me kravata “Hermes” apo “ Viktroy”. Prologu i Erjon Muçës ,në se e mbyll romanin e tij , hap një tjetër roman në mendjen e lexuesit.
Histori rrënqethëse , të paskrupullta mbi trupin dhe shpirtin e Edlirës, njerëz që gëlojnë gjirizeve të lokaleve te pista të qytetetit dhe fshatit shqiptar , intersektime të shpirtrave të pastër me ata të ndotur , parabola me kohën e monizmit e difektet e saj; ja ku mediton e përsiatet autori Erjon Muça ,e bashkë me të dhe lexuesit.
Romani përfundon me tragjedi! Edlira nën peshën e kriminelëve e krimeve që bëjnë me të, nën trysninë e përdhosjes së shpirtit dhe të gonxhes së dashurisë së saj të parë e të pastër, vret veten.Sa nuk do ta dëshironim një fund të tillë! Sa keq ndjehet lexuesi në fund te romanit!
Por shkrimtari e ka zgjedhur këtë fund jo për të imprersionuar lexuesin ,por komandohet nga vetë shpirti i heroinës së tij , Edlirës. Kurrsesi nuk do të përfundonte kështu por jeta e të ndershmëve drejtohet nga ligjet e drejtësisë hyjnore.

 

***

Romani “Edlira” të pushton me përshkrimet e fshatit shqiptar, me tabllo të strukturuara artistikisht me skena të fshatit të kohës së monizmit dhe skena të fshatit të sotëm shqiptar.
“Balta i fliste këpucës”, kështu do ti quaja përsiatjet e bukura, me një stil pyetës, kafkian,të Erjon Muçës, ku mbizotëron një art pikturik i përshkrimeve , një mpleksje e faktit dhe e meditimit , na japin jetë origjinale të fshatit dhe njerëzve të saj, deri në vitet e demokracisë dhe pas saj. Mund të them se është e çuditshme njohja e jetës së fshatit kaq hollësishëm nga autori Erjon Muça , ashtu siç jam habitur dhe me njohjet e tij për fshatrat e veriut ,jetën e tyre të përshkruara në romanin e tij të parë “Vrasësi i shpirtrave”.
Autori është “rob i shpirtit” të tij dhe krijesat e tij janë shpirtra të gjallë që lëvizin horizontalisht dhe vertikalisht në vende e kohë të ndryshme.
Ngjarjet e romanit “Edlira” përcillen me dhimbje të pandërprera në fshatrat e Fierit, në Firence të Italisë. Merita e Erjonit është narracioni i thjeshtë , i drejtpërdrejtë , veti që e ka çuar bindshëm në vetmohimin e vajzës së dlirë me emrin Edlirë.
E shprehja “ndodh edhe kështu” të duket tepër banale, tepër dekorative si një lule e vyshkur tek sheh një jetë të këputur në mes.Jetë që ta marrin të tjerët dhe jo Zoti!
Një ekzistencializëm i lehtë përçon tej për tej subjektin origjinal të këtij romani.Vetë Edlira dhe Altini , miku dhe i vluari i zemrës së saj duken si jashtëtokësorë në paralelizëm apo konfrontim me shumë figura të ndyra që enden faqeve të romanit.
Në se Migjeni ndjeu dhëmbje për “Një nga ato” edhe Erjoni ndjen të njëjtën dhimbje, dhëmbje që është disi ndryshe.Por dhëmbja, dhëmbje mbetet!

 

***

Lakonizmi është gjithashtu një tjetër veti e këtij shkrimtari të ri. Kjo ndodh se ai përgatitet shumë paraprakisht duke i diktuar vetes detyrën që të mos e mëzisë lexuesin me retorika të panevojshme.
Ja arrin qëllimit! Na jep këtë libër sa të nevojshëm për shoqërinë e sotme shqiptare, jo vetëm për masën , popullin, por dhe për majat e politikës e çdo ngjyre qoftë ajo.
Romani “Edlira” edhe mund të kritikohet ,sipas meje në dy aspekte të subjektit:
1.Në aktin e vetvrasjes së Edlirës si terminal i jetës ,gjë që nuk duhet ta bënte.Diskutimet mund të jenë nga më të ndryshmet por të mos harrojmë se diskutime të tilla u bënë edhe për Ana Kareninën e Lev Tolstoit.Por Ana Karenina edhe pse i dha fund jetës në rrotat e trenit për arsye krejt ndryshe, mbeti e pavdekshme në mbarë lexuesit e botës. Diskutimi do të ngjallë më shumë interes ,ose do të nxjerrë në pah meritën e autorit për finesë psikologjike, sepse ai merret me të vërtetë me shpirtrat e personazheve të tij.
2. Monstruoziteti i hallës dhe burrit të saj, që shesin te tregtarët e mishit të bardhë ,mbesën e tyre.Me të vërtetë është rast i vështirë për tu besuar,por jo i vështirë për të qenë një fakt i ndodhur dhe jo rrallë.Diskutuesit e këtij “difekti” ndoshta nuk i mbajnë mend tragjeditë e Shekspirit për krimet e grave të mbretërve në luftën për pasuri të pandershme.
Dikush mund të gjejë edhe ndonjë kritikë tjetër por mund që dhe dikush tjetër do ta kërkojë si skenar filmi për një histori shqiptare të ditëve tona.
Tek shkruan këtë libër, Erjonit nuk i pëlqen shprehja latine “Dixi et salvavi animam meam”-“ E thashë dhe shpëtova shpirtin tim-“

 

 

Fatmir-Minguli

Nga Fatmir Minguli

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s