NË MËSHIRËN E VALËVE / Nga Adem Zaplluzha

NË MËSHIRËN E VALËVE

 

 

adem

Nga Adem Zaplluzha

 

 

Ky galop që i përngjan erës kush e di se nga cila botë është nisur dhe me gjasa as që di se ku do të ndalet.
Depërton si një shigjetë e helmuar nëpër shpirtin e erës, herë ndjen një dhembje prej bronzi e herë era e kap për dore dhe që të dy së bashku lozin një valle të lashtë pagane prej bryme.
Një furtunë e egër frynë nëpër vrimat e kujtesës dhe depërton përtej mbamendjes deri te portat e mbyllura të mjegullave.
Nuk dihet, por rrënjët i ka diku thellë, përtej parzmës së tokës dhe kur dikush e ngacmon kaun e zi të legjendave qohet në dy këmbët e pasme dhe si dreri i egër vrapon nëpër stuhi.
Nëse nuk mbërrin askund, ndalet në kujtesën e brishtë të ujit shikon majtas, djathtas dhe sërish turret që t’i kapërcej honet e pa kapërcyera.
Ndalet , s’lëviz nga vendi, i duket ky imazh si tejet i përshtatshëm për vrojtim.
Kur del në rrah e vë veshin në tokë dhe si ai veshmadhi i përrallave shqiptare i dëgjon tingujt e një zurnaje dhe shikon me habi se si lehin mjegullat, se si nëpër dhembjen e ditës depërton sërish një shi me shqotë.
Ngjanë që kjo shqotë të shndërrohet në shakullinë nga e cila dalin njerëzit prej balte, po atë që janë shndërruar në baltë para disa qindra viteve.
Sa herë që del para dallgëve, ndjen forcën e ujit dhe bëhet ujë prej lotëve. Shoqërohet me peshqit e sëmurë, kërkon ndihmë nga peshkatarët por askush nuk ja vë veshin, besa edhe qeshin me të.
Shkuma e kripur fillon me e humbë ngjyrën e algave dhe shndërrohet në meduzë e cila i përpinë të gjitha llojet e gjallesave nënujore.
Në këtë delirium i paraqitet fantazma e Hamletit me një shpatë të topitur dhe kalë prej druri.
Një njeri i mirë ulet në dy gjunjë dhe u lutet perëndive si atyre të ujërave po ashtu edhe perëndive tokësore, lutet për një gllënjkë mëshire në këtë urrejtje që askush nuk mund ta definoj formën e saj të ngurtë.
Moli i tëri në djersë ka marrë teposhtën dhe nuk di të ndalet .
Ka etje . Një etje të madhe, sa që ka rënë në dy gjunjë dhe u lutet për falje duke kërkuar pakëz mëshirë nga gota e perëndive pa fron.
Kur pushojnë erërat diku nga zemërimi i valëve dalin peshqit me këmisha të bardha dhe i përshëndesin hijet jeshile që mbinë si kërpudhat pas shiut.
Kripa në grevë urie përgjon shkumën, dhe shikon fanarin që rri në qetësi dhe luan me valët e dyshimta të detit, i cili vetëm pret që kur t’i vij koha t’i ndez kandilat e pa ndezura të yjeve.

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s