Poezi nga Lola Shehu

Laloa shehu

 

Poezi nga Lola Shehu

 

 

 

RIKTHIM

 

Po rikthehem tek ti, e imja poezi,

Po rikthehem sërish, i ëmbli vargu im,

Më ndje, që të largova padashur si një fëmi,

Teksa priste të ushqehej në gjirin tim…!

 

I mblodha fjalët, një nga një i ledhatova,

Pluhurin e viteve, ua fshiva nëpër natë

Pak drit’ e frymë, nga shpirti im u hodha,

Dhe ato nisën të flasin, të rreshtohen varg…

 

Vargje që pa kuptuar, mblidheshin në strofa,

Vargje që zemrën time, e bënë të rrahë fort

Vargje që për dashuritë e mia, gjëmonin si lodra

Dashuri, që nga shpirti im, zbrazeshin në lot!

 

 

 

Veshur të kam

 

Veshur të kam në trupin tim

si këmishë me kopsa këputur ,as të mbërthej, as të zbërthej dot

të sjell rreth trupit me krahë kapërthyer

e ashtu të mbështjell,

të shtrëngoj, të shtrëngoj fort aq fort e s’ngopem

Pastaj dorëzohem…

se ti, e bën qenien time të pafuqi

Trupi yt, si këmishë timin mbështjell

aroma jote m’futet  thellësive të shpirtit

pritja më mposht, më mpin,

s’jam më vetvete,nuk di kush jam…

veshur të kam…

të ndjej thellë, edhe më thellë akoma ,më thellë nën lëkurë

Ndjej inde që përputhen plotësisht, që puthen e përputhen,

që zihen e duhen, që luftojnë e dorëzohen

që dorëzohen ,për t’u dashuruar sërish…

 

 

 

SIME BIJE…

 

Bija ime, ti fllad i ylbertë,

Drit’ e syve, gjak i zemrës time

Kur ti linde, drejt meje u çel

Një agim i mbushur plot dritërime.

 

Ti shpirt i shpirtit tim të brishtë

Ti rrahje zemre , melodi

Ti dashuri, që ndez lumturitë

Ti, më hyjnorja  simfoni…

 

Ti , që netët m’i ke zbardhëlluar

Tek  doçkat e vogla zgjat gjith’gëzim

Ti dritë, mbi qerpikët e mi lëshuar

Ti lot drithërues i lotit tim !

 

Ti ylli që ndrin  ëndrrave të mia

Mirëserdhe në të ëmblin gjirin tim

Ti engjëll i bardhë, ku vallëzon dashuria

Ti ndjenjë sublime, në thellësi të shpirtit Tim!

 

 

 

MOS MË PREMTO…

 

Ti mos më premto për të nesërmen, që as vet se di

Sot, më bëj të ndjehem flutur, të fluturoj në qiell,

Hënës t’i vjedh dritën, diellit t’i marr zjarrin,

Ekuatorin ta marr, në Antarktidë ta sjell…

 

M’i shkri akullnajat me zjarrin e shpirtit

E unë ,si gjethe të dridhem  nga prekja jote,

Me puthjet e zjarrta t’a djegim  këtë vend,

Le të ndjehemi sot, mbretërit e kësaj bote.

 

Më bëj  të ndjehem fllad, të përkëdhel fytyrën,

Më bëj te ndjehem lule, ti çel të gjitha sythet,

Më bëj te ndjehem diell, gjithësinë ta ngroh,

Më dashuro sot, se nesër, ndoshta bota përmbyset!

 

 

 

TI S’E DI Ç’ËSHTË DASHURIA

 

Të  thuash shpesh “të dua”, vallë kjo quhet dashuri?

Të thuash dhe të duash vërtetë, është krejt gjë tjetër.

Dashuria është ndjenjë, është gjak zemre, lot e pafajësi,

Dashuria, nuk është dy firma, në librin e celebrimit të vjetër!

 

Të thuash, “të dua”, janë veç dy fjalë si fije kashte e tharë,

Dashuria është mijëra fije, mijëra ngasje , mijëra ndjesi,

Dashuria është fllad, është flakë, është diell ,rrebesh e acar

Dashuria është puls në lëkurë që rreh në çmenduri

 

Dashuria është  libër i hapur, është gjethe vjeshte,

Që vallëzon edhe kur era me shi e përplas pa mëshirë,

Dashuria është  gjëmim, është furtunë, është tallaz jete,

Dashuria është aroma e trupave që dihasin djersirë…

 

 

 

LAMTUMIRË, DUKE U PUTHUR!

 

Një përqafim, e një puthje lamtumire të nisa

Të lagur, të kripur, të mbytur nga lotët e mi.

Disa vargje dikur shkruar, shiu i lotëve, i fshiu

Disa vargje shpirti, dedikim  mbetur nga ti!

 

Jo nuk  desha , nuk desha  ashtu të prisheshin

Dhe as kujtim të mbeteshin, nuk doja gjithsesi.

Enigmën  e zgjidhen lotët ,diamantët e heshtur

Vargjeve të tua, u thanë lamtumirë sytë e mi!

 

Ti ,ishe ndjenja ime, dashuria ime e humbur

S’e di në ç’gjuhë shkruar, mbetur pa përkthim

Dhe pse lamtumirën, e dhamë duke u puthur

Sot, je thjesht  e shkuar, nesër, thjesht vegim…

 

 

 

Ndarja

 

Sot, u zgjova ndryshe,u zgjova pa ty

E lodhur,si zog i trembur krahëvrar

Trukuar vetiu sytë e trishtë,rrathë  nën sy

Nën lëkurën e zbehtë , dallueshëm ca dammar`

 

Instiktivisht,duart prekën fytyrën, u ndalën në gush

Gishtat  u ngatërruan, në gjerdanin nga ti dhuratë

Me forcën e dhimbjes e tërhoqa , qafa u ndez prush

Kristalet u thërrmuan si shpirtëra të ngratë…

 

Nuk dua të pështillem ndjenjash ,nuk dua të vuaj

Por  ndarja  dhimbka  shumë dreqi ta haj

Trupin që digjet, akulli shpirtit s’po mundet  ta shuaj

Ktë dhimbje mbi supet e brishta, s’po mundem ta mbaj…

 

 

 

 

Karbunarës

 

Ti vendlindja ime rrebele ,vullkan i heshtur

Rrebele dhe ëmbël , ashtu si   dashuria

Me fushat e paana e kodrat kurorë hijeshuar

Ti djepi , që rrite e  përkunde ëndërrat e mia

 

Mbështillem në shpërganjt e tu  endur  në vegjë

Thurur nga duart e rreshkura të Nanës time

Ti Karbunara ime mallë, balt` e gur i nxehtë

Ti vendi im kokfortë,ti krenaria  e fisnikëria ime

 

Në rrugët e tua dua të shkel zbathur,zbathur të shkel

Të  më dhembin gjunjët tek vrapoj e rrëzohem

Të dremis fushave të jeshilta  mes lulëkuqesh plot

Aromës tënde të dehem  e ndjenjës tënde të ngrohem

 

Mos kujto se kam ikur,jo jo kokën  gjithmon`e kam pas

Shpirtin dhe zemrën i kam atje,atje i kam  tek ti

Tek ti kam fëmijërinë ,puthjet,lotët ,përkëdheljet

Në netët e gjata , princesh kalëruar ëndërrash vi …

 

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s