MES MOTEVE ME STINË JARGAVANËSH / Nga Rami Kamberi

MES MOTEVE ME STINË JARGAVANËSH

 

 

rami

Nga Rami Kamberi

 

“Sa i çuditshëm dukesh kështu. Si dordolec i ngrirë mes ordinancës. Sikur të kishe ecur nëpër akullnajë. Edhe flokët kaçurrele të janë ngrirë. Edhe unë i kisha duart akull. Si t’i ngroh ty duart ?

Edhe të ftohtat ma kaplojnë tërë trupin.

– Si paskemi mundur kaq të ngrirë të vijmë deri këtu? Të rritemi, paskemi ditur e ç’paskemi bërë ? Tashti, më thuaj, a ecët më tej në këtë acar? Më thuaj, si mund të ecim? A do të mund të ecim më tej në tërë këtë acar ?!”

Motet me stinë jargavanësh nuk janë vetëm mote të një kthese historike, por dhe thyerjet e brendshme që ndodhin në qenien e njeriut, në kërkim të lirisë së humbur me shekuj, siç na e rikujton shkrimtarja Flora Brovina në romanin “Stinë jargavanësh” , roman që dëshmon se semantika e humbjes dhe shpesës, mbijetesës në gjeografinë shqiptare është tejet e ndërliqshme dhe, e lidhur ngushtë me njeriun shqiptarë, për të cilin nga moti në mot, kjo stinë jargavanësh i dukej sikur xixa stralli që përbëjnë një yjësi, ku siç shprehet autorja nga titulli në titull, që qëndisin këtë roman, kësaj stine edhe toka edhe njerëzit edhe qielli duket sikur komunikojnë ndërmjet, për një qëllim, mbetur mes ngjyrave shpresë.

Kështu që, shikuar me syrin e dhimbjes dhe plagës Kosovë, lirshëm mund të themi se ky roman nuk është thjesht një rrëfim individual, një histori personale, por një roman historik ku ngërthehet bota e njeriut shqiptar dhe, historiku i tij me dhimbjet e fshehta e vuajtjet e thekshme në skenën e hapur të jetës, ku nuk të mbetet shteg tjetër pos krismës për liri ngase gjuha e durimit shteron karshi syve të uritur për tokë dhe gjak, që nuk ndalonin edhe atëherë kur vdekja trishtohej nga masakra që dinë ta bëjnë vetëm ata, që nuk u ngopën as edhe me gjak lehonash, që jetës i duheshin për ardhmëri.

Poqë se i lexojmë me ndjenjën e njeriut titujt: Pritja në dritare, Ruaj sytë, Librat i vodhën kur pikoj tavani, Muret me veshë, Abetarja, Bora e parë, Para grilave, Mollë e kuqe, Zërat në mur, Tashmë jam rritur, Stinë jargavanësh, Ti erdhe me acar, Gjiri i nënës, Kohë helmi, Sarini, Mostrat, Aparteidi, Torturat, Dhembja nën brinjë, Me fat plagët, Krushku i lirisë, Vishu trashë, Aborti, Gjykimi, Shpella, Loti në syrin e kaltër, Lulesa, Do të kthehesh një ditë, Nusja, Balada, Nëpër teh thike, Flakadanët, Pulëbardhat dhe Nositi, do të kuptojmë se shkrimtarja Flora Brovina e zhdrivillon rrëfimin nga perspektiva e ligjërimit të kohë-hapësirës të kaluarës me kohë-hapësirën e sotme, ku duket qartë koherenca shqiptare ndër shekuj e në veçanti ajo e tragjedisë të viteve ’90, një situatë gjithë tensione e kthesash të mëdha dhe përmbysjesh tronditëse historike, shoqërore dhe personale, ku edhe vetë autorja është protagoniste, e cila i përgjigjet thirrjes liri, me gjuhën e ndërgjegjes intelektuale, kombëtare e mbi të gjitha njerëzore edhe pse e vetëdijshme se para stuhisë së krimit edhe vdekja mund t’i mbetej pa shënjim.

Dhe, kur syri të lexon të shkruarën, që në një mënyrë ka cilësi të një ditari personal, por me një gjuhë shkrimi prej një pene me mjeshtri të veçantë, që di të shfaq peshën e rëndë të rrëfimit për kohën edhe pse herë-herë e merr zërin individual, autorja në mënyrë të pa padukshme, në rolin e kryepersonazhes di të mbetet e përgjithësuar, një shqiptare që i takon tokës për të cilën dha më shumë se një lindje.

Ndër këto tregime me një gjuhë më të veçantë hyn në portën e madhe të romanit titulli i tregimit “Stinë jargavanësh”, titull me botën e vet të pasur artistike, me sigurinë e poetikës vetanake, me tematikën, përmbajtjen e strukturën kompozicionale të gjetur, që edhe jo rastësisht mbetet edhe titull i romanit, duke u lidhur me tituj tjerë dhe, me larushinë e personazheve të cilët e bëjnë jetike një kujtesë, që sot të flet mes nesh.

 

 

Flora 2

Flora Brovina

 

Më tej, lirshëm mund të themi se personazhet e këtij romani i zgjerojnë cilësitë e veçoritë e tyre të karakterit, natyrën e tyre psikologjike në përmasa të pakufishme, mu ashtu sikundër begatohet përvoja njerëzore në qenien e tyre shoqërore, historike e shpirtërore, mbi token që rëndohet nga robëria e, hap shtigje kah të ecet rrugës drejtë lirisë.

Edhe pse shikuar me gjuhën e vështrimit kritik, shihet qartë se shkrimtarja Flora Brovina tenton të mban më shumë anë kah tematologjia estetike realiste e vetësore, siç janë: koha, vdekjet, toka, njerëzit etj., duke u munduar me një ndjenjë të përhershme të melankolisë, me vuajtjet, dhembjet, varfërinë e vetminë; me pësim-mësimet e historisë e të jetës, me zhgënjimet që sjellin thyerjet shoqërore të tranzicionit ku bashkëjetojnë ende jehonat e gjëmimet e shpirtit dhe shenjat e rezistencës antike.

Brenda gjeografisë të romanit, ku shihen titujt që i japin formë romanit, nuk do shpjegim të veçantë sepse sipas pirgut të piramidës të romanit shihet qartë arsyeja pse romanin e jetësojnë titujt, që të duket sikur janë ciklike poetike që bëjnë një poezi. Kjo mënyrë e të shkruarit dëshmon se historikisht dhe qenësisht, mu si ajo puna e Sizifit, që e çon vazhdimisht gurin përpjetëzës së malit dhe, pa arritur në maje, vazhdimisht guri bie teposhtë, dëshmon se Sizifiana shqiptare e këtij romani e ka kuptimin e vet, pra edhe shkrimtarja Flora Brovina e ka arsyen e të shkruarit në këtë mënyrë. Sa për të na dëshmuar se protagonistët e këtij romani, sado që e kanë vatrën e tyre të ngrohtë të gjallimit e të ekzistimit, megjithatë, ata sikur jetojnë vazhdimisht nën një tension ngjarjesh, shembjesh tokësore e nëntokësore, shoqërore e historike, kombëtare e personale.

Por, shkrimtarja Flora Brovina nuk do që njeriu i tokës së saj të mbetet tragjik mes tragjedive pafund, ajo me mjeshtri kategorinë e tragjikes e pleks me atë të së bukurës, të madhërishmes, heroikes së jetës dhe, hap jetë ku personazhet e tillë shfaqen shpesh si heronj tragjikë të humbjeve, shpartallimeve, sakrificave, dramave jetësore për një jetë të re. Pra shqiptarët e shkrimtares në këtë roman janë një galeri e tërë ku vdekja ka kuptimin e rilindjes, që dëshmon se shkrimtarja Flora Brovina arrin të krijojë roman artistik për të shënjuar dukuri e situata, pamje e gjendje, si: liri, tokë, njerëz etj, Pra si tërësi romani “Stinë jargavanësh” përbëhet nga një rrjetë e tërë imazhesh jetike ngjyrosur me metaforash të jashtëzakonshme, me një vetëdije ekzistencialiste e spirituale.

Ndaj lirshëm mund të themi se romani në fjalë është një diskurs jetik-lirik-metaforik, optika e të cilit e ngjyros edhe dialogun, edhe rrëfimin, edhe dramatizmin e monologut të brendshëm në dialog. Kurse nga ana tjetër, romani dëshmon se shkrimtarja Flora Brovina ka prirje të një prozatoreje të mirëfilltë moderne, e cila shkruan për të tashmen duke rikujtuar të kaluarën, për t’i mbetur dëshmi të ardhmes.

Kështu që lirshëm mund të themi se: nëse At Gjergj Fishta me “Lahutën e malcisë” na mëson të kuptojmë se si duket fati i popujve të vegjël në duart e fuqive të mëdha, shkrimtarja Flora Brovina me romanin “Stinë jargavanësh” na mëson se nga moti në mot populli i Fishtës, ka një stinë, që di të rilind shqip, mu si burrat që di t’i këndoj vetëm lahuta e malësisë.

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s