Poezi nga Desantila Qerimaj C

 

Desantila Qerimaj

Poezi nga Desantila Qerimaj C

 

 

Ti nuk din për mue…

 

Ti nuk din për mue

se si une të njoh ndër poret

e pyjeve… trungjet që pjellin

shqetësimin tem mbi krijimin.

Askush nuk din për mue,

cili ajër më vyshk,

cila shtirje më çarmatos.

 

Unë vetë di pak mbi mue,

ma shumë mundem me ndje!

Kshtu… mos ma kerko

me folë mbi historinë intime

të vorreve që si kam takue.

 

Mbas kësaj pa u mundue

kam me të tregue per pemët e reja,

për modelin perfekt

me t’cilin mu mbulue vuejtja

atë natë kur lufta e popujve

ish lufta për dashuninë…

Të ne dyve a të gjithkuj, Zoti e din…

Si erë bore, mitër e nji stine

që ti nuk mundesh me e lindë

por e prek veç me sy,

askush nuk din

si e kam ushqye…

zemrën prej dobsishë

me arë që nuk shndrit!!!

 

 

 

Nji ditë.

 

Nji ditë ka me pasë udhë që mjegulluen vedin

n’thalbin e errsinës të syve, e kushtrimi i shiut

ka me e shkoklue ngërçin që iu përvodh po ditës.

 

Prandaj edhe hapat shpejtojnë në stacionet plot

e në ngjyrën e verdhë të shpresës, hijet janë digë

mbledhë kruspull në nji kujtesë t’pakjartë.

 

Nji ditë ka me kenë dita e pishtarit që pamë në andërr

forma të shtrueme mbi yjet me ndritje që bien

e pritje… Atherë ka me u kujtue kuptimi i asaj jehone

shtri si copë e arnueme mbi ftyren e botës

tue shkrue për degët mbajtë për çkado…

 

 

 

 

Nëse nis e shkruej për depot e viteve

për  ftyrat, e për çdo fjollë të lëvizjeve

lindin mortet ku streha e qetësisë mu pat shkye

sepse un isha zog i nemitun në marren teme

t’paspjegueshme, për t’keqen e botës.

 

Hurmat e qershitë, shpërthenin gjallninë e verës

afër furrnelës me zdrukth, djegë si thamje shpirtnash.

Dhe tash çdo ditë vendos zemrën në duer

për me e shtrydhë, e me nxjerr prej aty

langun përmbledhës të botnave që kërkoj.

 

 

 

M’duhet me pasë shtatqind zemra

për  mos me më mungue ti,

shtatqind lëkura me i harrue dhimbjet

shtatqind frymëmarrje,

me ndje tanë filizat e tokës…

në nji kujtim t’vogël të vetëm.

 

 

 

Heshtje…

 

Ti heshtë si grue e pjekun bukur

në metrotë ku mërzia ka unin e nadjes,

e gjak t’ndrydhun lëshon jetëve,

për t’kaluemen tande

për pyetjet që kurr s’të bana…

 

Por andrra asht aty

mshehë mes të dukshmes

si pyll që fle në vena!

 

Dhe sa përralla

prej nane krijue në barkun tand,

tue kërkue gjallninë e qumështit.

Rrumujë, ngrohje, dritore prej mjalti

Iluzion i kohës, kjo çamje

mespërmes legjendave shpirtnore,

n’supet tueja që mbartin universin,

në nji pritje që mshehet në xhep,

asgja që i perket gjithçkasë, dhe ti,

gjithmonë sfidë e njomë,

tjetër ardhje e tymtë, ndjenjë.

Vjen më mbërthen e ikën si injorante.

Ankth, mbrujtje e në fund,

natë që ther trishtimin me thikat tueja…

 

Por un të njoh, ah un të njoh

burg mjalti ku më lejohet

me pa mbas hekurave…

je dy andrra t’grimcueme përditë,

tërhjekë lumenjsh dhe shtrimje,

shtrimje që shpërthen

deri në vuejtjen e padukshme

të siluetave nën shiun e qetë…

 

 

 

Dikur qielli…

 

Dikur për mue qielli ishte barrë

që toka mban përjetë mbi krye

tue vuejt mallin e takimit…

Tash për mue qielli asht liri

qē s’asht nevoja me e mbërthye

aq sa asht madhështore kur e ndjen

si belbëzimin e derdhjes t’qetë të detit… thellë trupit.

 

 

 

Natyrë…

 

Kam thellue para muzgjeve,

buzët tue luftue si bari nën shkamb

andrrat e sahershme në rrjedhë

që jetën me e lëshue aty, njashtu siç asht.

 

Kam peshue para teje, lot prej gurit,

tue gërmue fmininë n’rrugë-qiejt plot sipare…

… me dëshirën me depërtue,

stinët e zogjve pa emën.

 

Nuk t’gjej emna!

T’gjej gjakplotë,

kopësht i argjendtë që bahesh saora

koracë e bukës mbi trup

e mrendë ndjehem e zbutun… ngrohtë,

tue t’puthë pa prá,

horizontet.

 

 

 

Njerzit hapin dyer e humbin mbas tyne

në dhoma t’vogla prej  malli madhështor,

e kur dalin papritmas si sythi i pranverës prej aty,

s’dihet a e fiksuen, tik takun e përpiktë…

danë tue çá sipërfaqen, e kohës shpërqëndrue

në zgrip të jetë-vdekjes…

 

 

 

 

I jam gëzue…

 

I jam gëzue…

thatsinës t’arave në zheg

blerimit t’kopshteve që andrroj,

poteres t’lotit, përzie me jetë

e dashnisë që kam ça me daltë,

tue marrë frymë,

tej retinave të botës…

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s