«Trilussa mʼTironë» i Maksim Rakipajt – një kryevepër e satirës në një shqipërim kryevepër. / Nga Shpend Sollaku Noé

«Trilussa mʼTironë» i Maksim Rakipajt –
një kryevepër e satirës në një shqipërim kryevepër.

 

 

shpend noe

Nga Shpend Sollaku Noé

 

 

Rallë, shumë rrallë gjenden shembuj të tillë ku përk­thyesi dashurohet si i çmendur me tekstin e një autori. I dashuruari në këtë mes është Maksim Rakipaj dhe teksti në fjalë janë poezitë e mrekullueshme të Trilu­sës. Habitë e lexuesit, ndërsa lexon këtë libër janë të pambarueshme. Ato shfaqen varg pas vargu, poezi pas poezie. Bëjnë të qeshësh me shpirt me të papriturat, pickojnë atje ku dhëmb më shumë, ashtu siç di të bëjë vargu i satirikut të madh roman, ashtu siç personifikohet në të shqipëruesi i talentuar, fenomeni Maksim Rakipaj – një zbulim i vërtetë për nëshkruesin e këtyre shënimeve, një fat i madh për lexuesin shqiptar, të përmbytur nga vërshimi i përkthimeve mediokre të tregut tonë të librit.

 

12208808_1068790109807130_3253559428361140296_n

 

Sa e njeh lexuesi ynë Trilusën? Pak, do të thoja, edhe ata që e njohin, ndoshta nga përkthime sporadike e amatoriale. Njihet pak vargu i tij, njihet në mënyrë të pamjaftueshme aventura e çuditshme e jetës së tij të trazuar.
Ky kollos i satirës italiane lindi në Romë si Carlo Alberto Salustri në vitin 1871 dhe u largua nga kjo botë i famshëm si Trilussa (emri i tij i artit), po në Romë, në 1950-ën. Që nga libri i tij i parë: «Yje të Romës: vargje romane» ra në sy talenti i tij i pazakon­të që do vazhdonte të shprehej në dhjetra libra e libre­te veprash muzikore. Por vepra e tij do të arrinte nive­lin më të lartë në satirat e shkruara sidomos gjatë një­zetvjeçarit fashist.
Gjithmonë diktaturat kanë qenë terren ideal për lind­je satirikësh të mëdhenj. Kështu ndodhi edhe me Tri­lusën. Nuk mori asnjëherë teserën e partisë së Duçes, por nuk u deklarua as edhe antifashist. Dikta­turës ky poet i madh iu kundërvu, si shumë të tjerë para tij, duke përqafuar alegorinë, duke zgjedhur si mjet krye­sor të të shprehurit satirën e mprehtë e të hollë. Duke rrezikuar shpesh, por edhe i mbijetuar prej shiprtit të tij praktik, Trilusa arriti të godisë ash­për e të bëjë qe­sharakë jo vetëm njerëzit e sistemit të egër politik; vargu i tij nuk kurseu as klerin, as edhe hipokrizinë dhe imoralitetin e borgjezisë romane. Ja­shtë shënje­strës së shkrimeve të tij nuk mbetën as ve­set e roma­nëve të thjeshtë. Për forcën e satirës së tij dhe argu­mentat e përshkruar ai arriti të bëhet Bokaço­ja i poetë­ve të fundit të shekullit XIX dhe i gjysmës së parë të atij të XX.
Pjesa dërmuese e krijimtarisë së tij artistike është shkruar në dialektin romanesk. E theksoj këtë fakt pasi është i rëndësishëm për vazhdimin e mëposhtëm të këtyre shënimeve.

 

Maks rakipaj

Maksim Rakipaj

 

E Maksim Rakipaj kush është? Si u ndërthur jeta e tij me atë të Trilusës? Po të nisesh nga autori ai që ka përkthyer këtë herë, nga të qeshurat e shfrenuara që i shkatojnë lexuesit këto përkthime të mrekullueshme, mendon se ke të bësh me një përkthyes të cilit i ka sh­kuar jeta si në vaj, që përkthen pasi i ka zbrazur nja dy shishe alkoli, që e bën atë në praninë e shokëve të mej­hanes, që ua lexon atyre me zë të lartë, që zdërhal­let e qesh me lot së bashku me miqtë e tavolinës.
Rea­liteti, për fat të mirë tonin dhe për fat të keq të autorit, është krejt i ndryshëm.
Për fatin e tij të keq, Rakipaj, si Trilussa, jetoi rininë dhe moshën e pjekurisë nën një diktaturë, madje edhe më të pamshirshme se ajo e poetit roman. Por, nëse Musolini e toleroi deri diku Trilusën, Rakipaj e shumë të tjerë, edhe pa shkruar satira të tilla, përfunduan në­për burgje e kampe internimi.
Për fatin tonë të mirë, ato burgime e internime nuk arritën të azgjësojnë tek Maksim Rakipaj talentin dhe dashurinë e tij për jetën, dëshirën për të qenë i dobi­shëm për shoqërinë shqiptare në mënyrën që atij i vjen më natyrshëm: atë të përkthimit.
Të dy, Trilusa dhe Rakipaj, takohem krejt rastësisht, ashtu si gjithkujt rëndom mund t’i ndodhë: në web. Një tjetër, pas ndonjë leximi të shpejtë dhe po aq të qeshurash të çastit, do të hidhej në kërkim të ndonjë autori tjetër; Maksim Rakipaj jo. Ai qëndron mbi varg­jet e poetit roman gjatë, i ngul sytë e mendjes thellë në karakterin e poezisë trilusiane, dashurohet pas tij dhe i qepet, siç thonim ne dikur, «me bukë në trastë». Nuk i reziston dot tundimit që t’ia bëjë të njo­hur lexuesit shqiptar këtë autor të magjishëm dhe, si i dashuruar që është, kërkon mënyrën më të mirë për ta realizuar.
Por Trilussa, siç shkruajta më sipër, nuk mund të kuptohet siç duhet i përkthyer në një gjuhë letrare. Këtë gabim e kanë bërë edhe përkthyes jo sh­qiptarë me shumë përvojë: Nënqeshjen apo ironinë, përçmimin e shkujdesur apo talljen a matur që ia jep atij dialekti romanesk, i shkruar me dhuntinë që të jetë i kuptuar nga të gjithë, nuk mund t’ia jepte as shqipja letrare. E Rakipaj provon të zgjedhë rrugën më të vësh­tirë, ta përkthejë poetin roman në një dialekt shqiptar. Intuita e talenti e shpien të zgjedhë gegërishten, madje një nëndilalekt të saj: tironçen. Dhe jo vetëm që nuk gabon, por arrin t’i rijapë Trilusës «pasaportizimin» në Tiranë, të një tiranasi të lindur atje, të jetuar nëpër rru­gët e kryeqytetit tonë, të afirmuar si krijues mes nje­rëzve të tij.
E ndjej si detyrim të theksoj gjithashtu që këto nuk janë thjesht përkthime, por shqipërime të mirëfillta, si­pas modelit që solli në jetë shumë kohë më parë për lexuesin shqiptar i madhi Fan Noli. Njëra nga shumica e poezive që mbështet këtë tezë timen është ajo me ti­tullin «Politika». Vargejt e Trilusës: Ner modo de pensà c’è un gran divario: /mi’ padre è democratico cristiano,/ e, siccome è impiegato ar Vaticano,/ tutte le sere recita er rosario; … tek Maksim Rakipaj bë­het: Vetëm politikës s’i bohet jo, dermon, /kina plakun ton qi osht demokristion/ ne qetër gjo s’njef,Vatikonin ka pèr dill/ e për not avazin:-Ati yn qi je m’Qill;…
Pak më poshtë Giggi bëhet Xhiku; Ludovico bëhet Lom; spaghetti traformohet në groshë… Në një poezi tjetër, «La crisi di coscenza-Kriza e ndërgjegjes» po ashtu Checco merr emrin Kiku, ndërsa Monte Mario shndërrohet në Kodra e Kuqe. Diku tjetër arrihet edhe më tej: Pasquale thirret Barom (Bajram). Por Rakipaj asnjëherë nuk mjaftohet vetëm me emrat: gjithë përk­thimet e tij i janë përshtatur ambienteve apo karakte­reve shqiptare, në veçanti atyre tiranas. Shqipërimi, si­doqoftë nuk është qëllim në vetvete tek Maksim Raki­paj: edhe në interpretimet më të guximshme të poetit të dashuruar prej tij, ai i mbetet përgjithësisht besnik i metrikës trilusiane, i melodisë së vargut të tij dhe, si­domos i ideve të autorit. Shkrirja e poetit me perk­thyesin është e natyrshme e totale, ata mundet t’i ideti­fikosh me njeri-tjetrin deri në atë masë, saqë Ra­kipajt duhet t’i ofrohet titulli «Qytetar Nderi i Romës»!
Ashtu si Trilusa, Maksim Rakipaj ia ka arritur me shumë sukses të jetë i pëlqyeshëm dhe lehtësisht i kuptueshëm nga lexuesi mbarëshqiptar, pavarësisht nga dialekti i parazgjeshur në përcjelljen e këtij poeti të madh gjithmonë aktual. Këto vargje mund të lexo­hen gjithkund e nga gjithkush; me ato aktorët më të talentuar shqiptarë mund të organizojnë teatër të poe­zisë satirike pa patur frikë se nuk do t’u mbushen sal­lat e duke qenë të sigurtë që edhe videot e prodhuar prej tyre do të gjejnë shikues të shumtë në mbarë bo­tën.
Së fundi, duke ia lënë radhën lexuesit të përpijë këto vargje të mrekullueshme, mund të them pa dyshim se ky libër është i destinuar të jetë një bestseller i përk­thimeve në shqip.

 

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s