Masmedia që nxisin urrejtjen / Nga Shpend Sollaku Noé

Masmedia që nxisin urrejtjen

 

 

shpend-194x300

Nga Shpend Sollaku Noé

 

 

Nuk është rasti i parë që, kur ndodh ndonjë akt terrorist i përmasave botërore, të shohësh se me sa cektësi, mungesë ekuilibri dhe servilizëm sillen ndaj atij që u jep rrogën, masmediat. Këtu nuk e kam fjalën vetëm për ato shqiptare, italiane, amerikane apo franceze që kam ndjekur më shumë kohët e fundit. Kjo për të cilën flas është një epidemi botërore. Në vend që të përpiqen të fikin zjarre e të predikojnë bashkëjetesë midis popujve e besimeve të ndryshme fetare, në televizione, gazeta apo botime on line, këta lloj gazetarësh apo kronistësh arrijnë deri sa të akuzojnë themelet e njërit apo të tjetrit besim fetar si shpërndarës e nxitës të vdekjes; të vënë në bankën e të akuzuarit Kuranin, Biblën, Tanakhun, Shrutin apo Daozangun.

 

Sikur këto të ishin fenomene të veçuara, nuk do tʼia vlente as të humbisje kohën e çmuar me to. Por, këto ditë, pas masakrës së fundit në Paris, kam lexuar faqe e tituj të turpshëm e luftënxitës në ndonjë gazetë franceze, por sidomos në disa italiane. Disa prej tyre janë edhe recidive, kanë mbajtur gjithmonë një qëndrim ekstrem. Shembulli tipik ishte sidomos ai i gazetës «Libero» që, prej presionit jashtë zyrave të saj, u detyrua të ndryshonte faqen e parë, pasi përmbante, me gërma kubitale, një ofezë të rëndë ndaj të gjithë fesë islame.

 

Ndërsa në SHBA, këto lloj gazetash i kanë bllokuar apo detyruar të ndryshojnë, në Evropë kjo nuk ndodh fare, ose rastet e «çensurës» janë të papërfillshme. Gazeta e mësipërme nuk është e vetmja as në Itali dhe as në Evropë. Kur nuk është një rast sporadik, ky lloj shtypi arrin edhe të imponojë linjën politike të vendit apo të kontinentit, për të mos thënë edhe atë botërore, duke qenë se këta lloj botuesish apo gazetarësh punojnë në vendet që praktikisht qeverisin botën, pavarësisht nga dokrrat e ekzistencës së OKB-se apo të organizmave të tjera ndërkombëtare. Si shembull tipik për të ilustruar këtë ide ka qenë qëndrimi i mbajtur nga një pjesë e rëndësishme e mediave perëndimore pas marrëveshjes për paqe midis Arafatit e Rabinit, në vitin 1993, me ndërmjetës Klintonin. Pas këtij takimi, idetë e shprehura nga kjo lloj mediash, që duket se pëlqen vetëm erën e gjakut, shprehën mosbesim, madje edhe e quajtën të kotë atë takim.

 

Në vend që të shprehej edhe mendimi i qytetarëve të të dy popujve, në vend që të merreshin me reagimin pozitiv të bazës, kronikat e atyre ditëve u mbushën vetëm me pamje apo filmime të atentateve të mëparshme.

 

Dukej sikur ishin të shqetësuar nëse do t’u mbaronte e tmerrshmja lëndë e parë e suksesit  të tyre: Gjaku apo gjymtyrë njerëzish të shpërthyera në erë prej eksplozivit të kamikazeve!

 

Nuk ka dyshim se kjo lloj sjelljeje lakejsh i shkon përshtat më së miri edhe Evropës së sotme, jo popujve evropiane, por krerëve të tyre – shprehje tipike e një kontinenti që ka të përbashkët pasurimin e të paktëve, që po jeton eksperiencën e ngushtimit të të drejtave të fituara me sakrifica të mëdha në vitet e pasluftës e sidomos në fundin e viteve gjashtëdhjetë.

 

Klikës së sotme udhëheqëse evropiane nuk ka për t’i interesuar ndonjëherë sheshimi i problemeve  me kundërshtarët e tyre. Lufta për ata është jetike, është lulëzim i mëtejshëm i tregtisë së armëve e karburanteve, është lënia në gjunjë përjetë sidomos të kontinentit afrikan apo të Lindjes së Mesme. Duke u hequr miq të Izraelit, me këtë lloj politike luftënxitëse i bëhet dëm edhe atij vetë.

 

Opinioni i shëndoshë botëror nuk është ai që u përgjigjet fakteve të përgjakshme me një: «Sot na vratë ju, nesër ju vrasim ne». Ai kërkon shkaqet e ndodhjes së gjithçkaje, për t’i eliminuar ato. Pa i bërë vetes pyetjen «Pse ndodhi?» do të vazhdojmë të tjerrim lotë dhe ankime përjetësisht, duke i shërbyer vetëm lobit të vërtetë që sundon botën: atyre që ngrenë fortesën e fitimeve ‘no limits’ prej luftërave, atyre që nuk do t’i dhembë kurrë zemra për vdekjen e të tjerëve, pasi nuk kanë qenë dhe nuk kanë për të qenë asnjëherë bijtë e tyre, por të të thjeshtëve që kanë lindur për të pjellë mish për top.

 

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s