Fragment nga romani “Treni i Jugut ” i autorit Kostandin Vogli

Kostandin Vogli Treni i Jugut 16.9.2015

 

Fragment nga romani “Treni i Jugut” i autorit Kostandin Vogli

 

 

Hëna që ishte ngritur lartë, po e tërhiqte dritën dalngadalë. Për disa çaste qëndroi në dritare, sikur donte të shikonte për herë të fundit Marthën, pastaj rrëshqiti lart nëpër llamarinat e jashtëme të pa bojatisura prej kushedi sa vjetësh, dhe u duk sikur ra në gjumë. Kishte kaluar mesi i natës.  Treni po zhurmonte ngadalë dhe trak-truket dëgjoheshin më të rralla. Ishte gati fundi i muajit Gusht i vitit 1945 dhe megjithëse ndodheshin në Alpet e Austrisë bënte vapë,të cilën e shtonin edhe frymërat e nxehtësia që lëshonin ajo mori njerëzish. Aleatët i kishin veshur të gjithë me rroba ushtarake Angleze të reja. Këpucë, pantallona apo funde e gjimnastorka elegante, sigurisht edhe disa palë të brendëshme. Çantat e shpinës ua dhanë të mbushura me ushqime të thata. Por i kishin pajisur edhe me bileta për të ngrënë dhe për të pirë nëpër restorante dhe klube deri sa të harrinin në destinacionin e tyre.

Megjithëse e mbërthyer nga kthetrat e gjumit, Martha mundohej ti mbante sytë hapur, për të mos humbur atë kënaqësi, ku mbas asaj torture prej më shumë se dy vjetësh,tani po i afrohej kaq e drejtpërdrejtë dhe kaq pranë një burri që ti rrihte zemrën. Dhe jo për pak kohë, por për gjithë natën ngjitur. Po ashtu edhe ditët e netët e ardhshme.  Vagoni tani në këtë orë të natës, nuk gumëzhinte më si blegërimat e deleve, por ajo donte të paktën të mos humbiste asnjë çastë, larg asaj arome burri dhe sidomos aq të pëlqyeshëm. Gjergji e shikonte brenda syve dhe kur i largonte ato,  në sytë e tij projektoheshin për pak kohë dhe i pengonin pamjen. Por nuk mund të rrinte gjatë dhe kthehej prapë te sytë e saj, tek flokët, tek balli, hunda, faqet, buzët si petalet e kthyera të trëndafilit, të pa vëna buzë burri mbi to. Tek gjoksi i ngritur e i paprekur akoma. Për ato që po shikonte, ishte si i dehur, sidomos me këmbën e saj të ngjitur në të tijën. Dehja e nervave të trurit e mundën dhe Martha më në fund u mbështet rëndhshëm në supin e tij. Gjergji u shtriq për ti lehtësuar mbështetjen e kokës.  Por dehja nuk qëndroi vetëm mbrenda Marthës. Më keq dehu Gjergjin dhe ai e mbështolli me krahun e tij. Dora e tij preku atë të sajën dhe të dyja u nxehën. Duke u parë në sy, dalngadalë buzëqeshja e fundit ju vulos në buzët e saj, sepse u mund përfundimisht dhe u lëshua më rëndshëm sikur diçka e shtyu sipër tij. Zemra u dha goditje, por edhe ajo u qetësua. Gjumi bëri luftë me ndjenjat, por më në fund fitoi edhe përmbi Gjergjin. Disa i shikonin me shumë zili, por pas disa çastesh edhe ata u dorëzuan dhe u mbërthyen nga kthetrat, ashtu si edhe të tjerët. Vetëm traka-truket dhe boria e fortë dëgjoheshin shumë qartë.

Në gjum duket sikur koha nuk ecën më, por është ajo rryma e gjakut si rryma e ujit që lëviz në errësirën e përjetëshme dhe vazhdon të eci në të njëjtin ritëm. Por edhe kur rrjedh më me ritëm, prapë e përpinë humbëtira e madhe dhe neve  nuk e shikojmë, sepse zhduket në mënyrë të mistershme mbrenda trupit. Më vonë kur zgjohesh të duket sikur tretet si uji në oqeanin e gjerë, e prap rifillon nga fillimi. Ndofta më me vrull. Tek Martha dhe tek Gjergji ashtu do të ndodhte.

Pas pak çastesh Martha ishte shtrirë në krevatin më të bukur me trëndafila. Ashtu mbështetur kokën mbi një jastëk të jashtëzakonshëm, me aromën më të preferuar, ra në ëndërra. Por nuk vazhdoi shumë. Diçka e ngriti tronditshëm. Hypi mbi dritare dhe u vesh me rroba të lehta, me një fustan e një triko, u hodh, fluturoi. Por dikush e shtyu rëndshëm dhe në vend që të fluturonte, ra shtrirë në një çimento të ftohtë. Duart dikush ja kishte mbërthyer mbrapsh dhe nuk çohej dot. Kur hapi sytë pa me tmerr se kishte rënë në një birrucë. Një birrucë e frikshme, e errët dhe aty u zgjua. U hodh përpjet sepse ju fantazua hetuesi duke rrahur çizmet në çimenton e ftohtë. Të gjithë u shqetësuan. Gjergji e mblodhi në krahët e tij. E trembur dhe e turpëruar u mblodh në qoshen e saj. Pika lotësh iu varën faqeve. “Na e thuaj ëndrrën,”- i tha Gjergji i shqetësuar. Ajo i pa të gjithë sy për sy. Edhe ata tani, të zgjuar, e pyetën. “Pe ndonjë ëndërr të frikëshme? “Aty ku isha tani, mos më shpuftë më Zoti,”- u tha duke fshirë faqet. Pastaj me një shami të hapur në të dy duart, mbuloi sytë duke thithur pikat e lotëve. Pikat e fundit ndoshta, të atij kujtimi të frikshëm edhe si Hebreje që ishte, ku i ishte trembur një fundi të tmershëm. Ju duk sikur iu fry gryka, sepse nuk kalonte dot pështymën dhe kërkoi ujë. Tetë pagure angleze u duk sikur u ngritën për të bërë gëzuar. Por nuk u përplasën si gotat e rakis në dasma. Ato ndaluan të rreshtura para fytyrës së saj. Në çfardo momenti apo vendi, nuk kishe ku gjeje buzëqeshje më të ëmbël. Pështjellimi ishte zgjidhur. Ju fantazua vetja si princeshë në përralla dhe i falenderoi shumë e lumturuar. Tek paguri i fundit që ishte zgjatur më shumë vuri dorën. Piu sikur diçka do të shtynte poshtë duke falenderuar Hajdarin, atë burrë të pakët, por shumë i respektuar. Martha e kishte njohur sa u paraqit disa ditë pas çlirimit në portat e kampit të burrave. Mbasi dorëzoi pagurin i pyeti: “a keni gjumë?” Përgjigja ishte e njëjtë nga të gjithë. “Na iku gjumi, por na trego.” Deri në ato momente të gjithë e dinin që ishte çifute dhe që ishte kapur si antifashiste. Vetëm kaq.

 

*                 *                  *

 

Martha hodhi sytë jashtë dritares përmbi pishat e bredhat, që dalloheshin vetëm si hije. Hëna ishte fshehur mbas tyre dhe duke i mbajtur sytë në errësirë, sepse ashtu e parafytyronte birucën e errët, lëvizi buzët.

“Isha spiunuar si anifashiste dhe më arrestuan papritur në mes të një rrugice përball liqenit të Janinës. Më lidhën dhe ashtu pa mi hequr prangat më shtynë në një birrucë sikur hodhën një deng me rroba të vjetëra. Filluan të më dhimbinin duart sepse i kisha të lidhura nga mbrapa. Vetëm violinën kisha mbajtur në këto duar delikate. Një fshatare ose punëtore do ndryshonte shumë me mua. Ato i kanë duart të argasura. Kisha gati një vit që kisha mbaruar mësimet për muzikë dhe gjatë atij viti isha njohur me disa shoqe antifashiste, ku shumë prej tyre u bashkuan me batalionet partizane. Më lanë disa orë ashtu të lidhur, ndoshta që mua të më tmerronte ajo birucë e ngushtë dhe pak e stërgjatur, vetëm me një dritare si frëngji, disa metra lart nga dyshemeja. E kisha përballë. E shikoja atë sy të stërmadh të errësuar nga shumë pemë që ngriheshin mbrapa saj. I ndjeva duart që filluan të më enjten. Nga tërheqja e shulit dhe kërcitja e borduveleve, e kuptova që më në fund u hap porta. Pra meje nuk qëndronin më ata që më kishin arrestuar, por një njeri i frikshëm, veshur me rroba të frikshme , ku në errësimin e tyre influeconte dhe biruca. Ishte një burrë i gjatë e i thatë. Unë e shikoja që nga dyshemeja ku isha gjysëm e shtrirë dhe koka e tij me kapelen naziste që të tmerronte, më dukej sikur takonte tavanin, i cili në fakt ishte shumë i lart. Kishte një kockë të zhvilluar, të veshur me një lëkurë të kuqerremtë, të mbuluar me lesh të dendur e me aspak mish. Damarët të trashë të duarve, i qarkullonin një gjak të errët. Ashtu si kishte veprimin, edhe zërin e kishte shumë të ashpër. Të linte të mendoje, se për t’iu përshtatur asaj detyre, e kishin gjetur atë ndërmjet dhjetëmijë burrave. Më urdhëroi të ngrihesha në këmbë, por që të çohesha nuk kisha ku të mbështetesha. Më kapi nga krahu dhe më ngriti të shoqëruar edhe me një britmën time. Mu duk se mu këputën të dyja duart. Nuk më pyeti shumë.  Më kërkoi se me kë kisha lidhje. Greqishten e fliste shtembër. “Më ngatëroni, – i thash. Unë nuk kam lidhje me asnjë.” “Po traktet që shkruajnë kundra “Rajhut të tretë”, kush ti dha?” Më trembi se duke folur kërciste dhëmbët. “Ato trakte i gjeta në rrugë dhe i mora ti lexoja,”- i thash, duke menduar se do të më besonte. “Ti bushtër komuniste me kë tallesh!” Dhe xixat e të gjitha ngjyrave mi dhuroi një pëllëmbë, e dhënë nga një dorë e tharë si këmbët e oktapodhit në diell. Koka mu përplas në mur dhe rash pa ndjenja në çimento. Kur iku e si iku, nuk e ndjeva. Por duart mi kishin zgjidhur. Kur u përmenda ndjeva sikur isha hedhur në një kazan të madh me ujë të nxehtë. Rënkoja pa vetëdije dhe përpëlitesha. Më dhimbnin të gjitha mishrat e trupit, sikur i kisha të djegura rripa-rripa. Goditja në kokë më kishte lënë pa ndjenja dhe se si më kishte rrahur, nuk mbaja mend. Më kishte rrahur me kamzhik sa isha pa u përmendur. Kur hapa sytë kërkova të mësoja ku ndodhesha. Por nuk dëgjova zë njeriu. Mu duk sikur kishte shpuar murin një dritë e zbehtë gati tre metra përball meje. Ndërsa në murin ku kisha mbështetur kokën, binte një dritë akoma më e zbehtë. Herë-herë drita më dukej sikur avullonte dhe më largohej si në një mur tjetër të stërmadh shumë larg. Teksa qëndroja ashtu shtrirë, mendoja se do kishte diçka të tmershme, sepse zhurmat dhe erërat që hynin nga ajo dritare si frëngji, nuk ishin të largëta. Një goditje të dhimbshme ndjeva në kokë dhe një zjarr të pakapërcyshëm mu fantazua tek sytë, megjithëse dyshemeja ku isha shtrirë ishte një çimento e lagësht dhe e ftohtë. Disa momente më vonë mu larguan flakët, nxehtësia dhe imazhi i dritave. Ndjeva më shumë dhimbjet e trupit dhe fillova të dridhesha nga ftohtësia e çimentos pa asnjë shtresë. Ishte muaji Prill dhe i ftohti akoma nuk donte të ikte. Nga frëngjia hynte nga një zhurmë e padeshifruar në gjuhë të huaj. Muzikë mu fantazua nga dy duar delikate por mahnitëse nga prekja e butë me përkëdhelje të një violine. Pastaj si një gjëmim bubullime, fërfëritje pemësh nga furtuna  që krijonte muzikë në fërkimet e trarëve të taveneve, mureve të pa suvatuara, tingëllima e kazaneve oborreve. Këngë gjinkallash, e pas pak kanarinat e bilbilat e deri tek guakja e bretkosave të cilat plotësonin pauzat. Pastaj të gjitha njëherësh. Rrokullisje gurësh, blegërima, fërshfëllima e erës, këngët e bretkosave, gjinkallave, kanarinave e bilbilave e deri në kuakje të kukumjaçkave, qyqeve, mjaullitje të maceve, lehje qensh e deri në ulërima ujqish. Të gjitha krijonin një orkestër gjigante qesharake, drejtuar nga një dirigjent çmendurak Por me shkopin e tij e drejtonte bukur, sepse e dinte se ku duhej futur edhe mjaullitja edhe boria e makinave. Mbylla veshët shumë fortë, por zhuzhitja vazhdonte si e mbyllur në një kusi që valonte e mbyllur me një kapak hermetik. Ishte një krijim i trurit.

Imazhin çmëndurak ma largoi zhurma që u krijua nga hapja e kamares së vogël të portës së hekurt, ku që jashtë saj dallova një sy të egër. Pastaj lëvizi shuli dhe mbrenda hynë dy eses. Më rrëmbyen për krahësh me forcë dhe mbasi përshkuam një koridor të frikshëm me shumë dyer me hekura, hypën disa shkallë dhe më çuan në një zyrë lluksoze, ku qëndronin në këmbë dy ushtarakë. Nga ngjyra e rrobave kuptohej që ishin oficer të gestapos. Unë tani isha në duar të tyre. Brenda tavolinës me shpinë nga ana ime, me duar të kapura mbrapa qëndronte një oficer elegant. Para fytyrës kishte një pasqyrë jo shumë të madhe. Noshta aty më pa, se ndjeva një tronditje në gjithë trupin e tij. Duart që kishte të lidhura mbrapa i ranë sikur dikush ja goditi. Ashtu qëndroi për shumë sekonda. Ai më shikonte. Ndërsa unë nuk ia kisha parë fytyrën akoma. Oficeri tjetër ishte thatimi. Gjaku i thar që më kishte zbritur në faqe që nga balli, më shtrëngonte lëkurën. Në fakt nga ajo dhimbje unë kisha qarë. Por para tyre nuk e dhashë veten. Pas pak oficeri që qëndronte mbrapsht, u kthye shumë ngadalë dhe me një palë sy të bardhë, shumë të bukur, por të shqetësuar më hodhën një perde të kaltërt para. Shpejt e ndryshoi pamjen, u ul dhe u mbështet rëndshëm në shpinën e kolltukut prej lëkure, duke më soditur kureshtar nga këmbët tek koka. Thatimi qëndronte gatitu në këmbë. Pastaj oficeri bukurosh filloi të më kundronte me simpati dhe kjo më trembi. Pastaj u çua, doli nga kthina autoritare dhe më erdhi një herë rrotull pranë trupit tim, sikur donte të matej me mua. Ai zgjatej përmbi mesataren. Më qëndroi përballë dhe hapi gojën. Prej saj nxori një greqishte të shtrembër. “Më vjen keq, që ti një vajzë kaq e bukur dhe inteligjente, të merresh me veprimtari antinaziste. Nuk ju takon juve  zonjushë të merreni me këto punë.” E kuptova që ndjeu siklet dhe më pyeti në dija fërngjisht. “Po,”- i thashë, dhe ai ngeli shumë i kënaqur. “Ka të tjerë kokëkrisur që duan të maten me “Rajhun e tretë”, vazhdoi fërngjisht. Përse e ke dënuar me vdekje vetveten. Cili është ai i pashpirt që të ka ngatërruar në këtë rrjet merimangash, ku ke ngecur si ajo miza dhe tani je e pashpresë, sepse merimanga të ka mbështjellë me fijen e saj vdekjeprurëse.” Që me shprehjen e parë e vlerësova për psiokolog. Noshta këta mbarojnë ndonjë shkollë psikologjie. Por prapë, thashë me mend, ndoshta është ky me këto merita, sepse këta edukohen në shkollën e drurit, jo të psokologjisë. “Përse zoti oficer,- mora guximin të përgjigjesha. Vajzat e bukura nuk kanë të drejtë të luftojnë kundra nazismit, domethënë kundër pushtuesit? Meqënëse unë nuk kam marrë pjesë në asnjë luftim.” Ai buzëqeshi. Ndoshta i pëlqeu që i deklarova se unë nuk kam marrë pjesë në asnjë luftim, dhe më pyeti se si quhesha. “Më quajnë Martha.” “Martha,- përsëriti, dhe më pa në sy. Emër shumë i bukur. Kemi edhe në Gjermani vajza të bukura me këtë emër. Por ato janë bjonde.” Pastaj e largoi buzëqeshjen dhe serioz mu prezantua. “Quhem Gerard Obverger me gradën kapiten. Jam shef i gestapos për zonën e Janinës. Kam mbaruar për psikologji.” Unë gjithmonë e shtoja guximin duke përfituar akoma nga butësia e tij. Megjithëse e dija se këta, tani të flasin me buzëqeshje, ndërsa pas pak kur u kundërshton, të shtrojnë në kamzhik, sa ti lutesh Perëndisë e të qash qumështin e nënës. Meqënëse më lehtësoi pak, kur u vërtetua dyshimi im, se ai ishte psikolog. Pas pak kapiten Gerardi e largoi thatimin.”Na lini vetëm.” Nuk e kuptoja përse e gjithë kjo butësi. Buzëqeshi përsëri dhe më tha, ose për të më ngacmuar e të bënte shaka, ose e kishte menduar edhe më parë. “Juve zonjushë Martha mund të kryenit një detyrë më funksionale, më frutdhënëse për kombin tënd. Me bukurinë që keni, për shembull, duhej të dashuroheshit me një oficer të rëndësishëm në detyrë dhe të mundoheshit të nxirrnit prej tij shumë sekrete.” Si mbaroi shprehjen, më pa si pa faj dhe qeshi. Qeshi jo fallco. Prita sa mbaroi dhe në atë kohë që po fshinte buzët me shami për edukatë, e pyeta. “Po të diktohesha me atë veprim, a u shpëtoja torturave dhe sidomos vdekjes, zoti kapiten? Unë jam rrahur për asgjë.” “Të paktën për atë detyrë kardinale ia vlen edhe të vdesësh. Matahari mbahet e do të mbahet mend.” Por sa mbaroi shprehjen qeshi. “Jo, jo nuk ju a këshilloj as këtë.”- dhe qeshi përsëri. Pas pak më pyeti. “Ç’farë shkolle keni bërë?” “Kam mbaruar për violin, zoti kapiten. Shkollë muzike. Kur dëgjoi për violinë, ishte me shpinë dhe u kthye sikur morri ndonjë urdhër. Më pa me buzëqeshje dhe sikur të mos i kishte besuar veshëve, përgjigjen time e përsëriti por me pikëpyetje. “Për violinë?” Mendova se harroi përse më kishte marrë në pyetje, dhe e kënaqur i thashë. “Po.” “Kam marrë shumë mësime për violinë,- ma ktheu. Atë vegël e dashuroj shumë. Për këtë do të flasim më vonë. Tani të vijmë në temë. Ata shokët e tu antifashist, ç’kanë ndërmend të bëjnë? A keni lidhje me ndonjë prej tyre?” “Duhet të më besosh se nuk kam asnjë lidhje as me shok, e as me shoqe. Nuk kam patur afrimitet as me një. Por nuk e mohoj që jam antifashiste. Më gëzoi shumë ai trakti që lexova, sepse fliste për fundin e perandorisë tuaj. E kush nuk e do lirinë, zoti kapiten Gerard. Vetëm mendimin e tij ka fitim njeriu. Mendimin që ai shpreh. Unë atë mendim kam.” Kapiten Gerardi u mvrejt, por nuk tha gjë. Unë prisja ndonjë pëllëmbë apo grusht me ato fjalë të rënda që dëgjoi. Më pa në sy i fyer dhe thirri thatimin. Ishte toger Haufmani që kapiteni diçka i pëshpëriti dhe mua më shoqëroi për në qeli. Nuk më kapi njeri prej krahu, as më shtyu. Urdhëroi të hapej dera dhe hyra brenda. Më porositi të mos ulesha në çimento sa të kthehej ai përsëri. Ashtu bëra. Nuk kaloi shumë dhe u duk lëkurthari me çarçafe e batanije dhe jastëk. Në fund të birucës shtrinë dyshekun. Ngeli vend edhe për dy tre hapa. Nuk duhej të ankohesha, sepse kishte biruca sa të shtrije një dyshek. Por me sa dija nuk kishte asnjë dyshek në ato biruca. Kur pashë çarçafet fillova të dyshoja. Nga këto mendime, nuk kisha kohë as të  mendoja për familjen. Përse nuk u soll egër, siç e kanë zakonë. Ai është shefi më i madh. Mu parafytyrua shikimi i tij simpatizues dhe sidomos provokimi që më bëri, për të dashuruar një oficer, për të marrë informacione luftarake e zbulime të tjera. Ai nuk e përmendi fare kot. Mos ndoshta kërkon të më zgjohen ndjenjat për të? Edhe pas përpëlitjes së gjatë, gjumi nuk më zinte. U mërzita shumë për familjen. Sigurisht që kanë alarmuar gjithë shoqërinë. Ku ndodhesha. Vetëm këtu nuk më gjenin dot. Fillova të mendoja si do ta largoj zymtësinë e kësaj birruce me këtë trishtim. Ajo gjendje më dukej e padurueshme. Ditë të vdekura po më fantazoheshin. Ëndrra të varrosura. Me violinën time unë kam synuar të rendja pas ëndrrave. Dhe në fakt, isha futur midis tyre. Tani ato kujtime dhe ëndrra të ëmbëla janë thyer e prangosur, ku u mungon çdo rreze drite. Dhe tani ajo dritë po më shuhet edhe si ekzistencë. Ku do të përfundoja? Prej këndej, ishte e pamundur të dalësh e lirë. Këtë mendoja. Humba gjumin. Më mirë të më rrihnin, sesa të më bëhej ky presion psikologjik. Kjo ishte torturë. Ndjeja dhimbje të syve në gjysmëerrësirën që në kondita të tjera, do të tereshe në gjumë ditë-natë. Truri i hallakatur po më përplaste nëpër muret e larta dhe nuk më lejonte të ngrihesha në këmbë. Me provën e parë u rrëzova. Më dukej sikur isha rrotulluar në centërfug. Nga rrotullimi i mendjes, nuk e kuptova kur më kishte mbërthyer gjumi me kthetra pa asnjë ëndërr. Ma largoi kërcitja e hekurave. Dy ushtarë hynë mbrenda birrucës. Njëri më solli për të ngrënë, tjetri ishte infermier, i cili më mjekoi plagën në balloren e majtë. Më pastoi fytyrën me ujë të distiluar, alkool e diçka tjetër. Ngela e habitur. Më kujtohet si tani që kisha uri dhe etje. Hëngra, sepse ushqimi nuk ishte si për të burgosurit e tjerë. Një farë shprese fillova të ndieja, por më shtohej shqetësimi për familjen. Ti thosha shefit të gestapos që të njoftonin në familjen time, tmerrohesha edhe ta mendoja, sepse edhe po nuk e dinin do ta mësonin që ishim Hebrej.

Qëndroja shtrirë me sytë mbyllur, si për të mos ekzistuar brenda asaj birruce, por me nënën, babanë, motrat dhe vëllanë. Unë isha më e madhja e fëmijëve. Babai ishte pesëdhjetë vjeç, tregtar stofrash. Nëna gjashtë vjet më e vogël, e ndihmonte në magazinë. Ishin të rinj, të bukur e të mbajtur. Si të gjithë Hebrejtë edhe ne ishim në gjendje të mirë. Jakov e quanin babanë. Ishte burrë me respekt në Janinë. Nënën e quanin Elsa. Ah, sa të mirë ishin. Posht meje, Ana. i kishte ndërprerë studimet për ekonomi. Po ashtu edhe Elisabeta e cila vazhdonte gjimnazin “Zosimea” e cila tani shërbente si burg nga gjermanët. Po ashtu edhe Andrea, i cili i kishte lënë mësimet në vitin e dytë të gjimnazit. Nuk e kuptova si fillova të qaja. Qava me zë. Isha një vajzë që doja disa muaj të mbushja njëzetedy vjetë, e pa dashuruar dhe mendoja vetëm për familjen ku u rrita. Ishte luftë dhe nuk kisha dëshirë të njihesha me asnjë. As Grek, as Hebre që dëshironte edhe familja ime.

Isha e mbytur në lotë kur dëgjova kërcitjen e shulit. Nuk lëviza nga vendi. As sytë nuk i hapa. Prindërit dhe vllezërit mu larguan sikur i trembi një ujk. Asnjë pipëtimë për disa sekonda. Filluan të kërcisnin takat e çizmeve me hapa të shkurtër që po afroheshin drejt meje. Mu duk shumë e gjatë ajo distancë aq e shkurtër. Shumë e gjatë. Si ndodhet njeriu. Sidomos një vajzë në ato momente dhe brenda një gestapoje, ku me këdo, mund të bënin ç’farë të donin. Llogari i jepnin vetvetes. Ata nuk dinë nga Perëndi. Lëkura e çizmeve kërciste trak-trak. Unë nuk e dija kush po afrohej. Sigurisht ndonjë hetus që do të kënaqej duke më goditur të tregoja se me kë kisha lidhje. Para dyshekut dhe gati të preknin dorën time që e kisha të shtrirë dhe më kishte rënë jashtë batanies, qëndroi. Isha e mbuluar. Nuk mu dha asnjë urdhër. Dhe asnjë nuk më kapi me forcë të më çonte në këmbë. Hapa pak sytë. Një palë çizme më ndriçonin nga ajo pak dritë që hynte. Qenka kapiten Gerardi. Instiktivisht i shtriva sytë më lartë, ku dallova një palë qillota të tendosura, rripa të shtrënguara, xhaketa e zbukuruar me kryqe. Gradën ja kisha mësuar, por pëmbi qafën e gjatë, një fytyrë e bukur me sy jeshil në të kaltër po më vështronin ëmbël. Kapelja e re, vendosur pak nga krahu i djathtë, lejonte një cullufe ngjyrë kashtë gruri të shtrihej e krehur me kujdes, sa i dalloheshin vijat e krehrit kur e kishte kaluar, mbasi ishin pak të lyera me bellandrinë. Para meje kishte qëndruar një bust i shkëlqyer. Mund të them, i pa parë. Por ishte armiku im. Armiku ynë. I të gjithë Grekëve, Hebrenjve, Shqiptarëve e deri në thellësi të Rusisë. Në fakt ndjeva edhe frikë, le të ishte i bukur. Ishte shefi i gestapos, i cili kushedi sa të burgosur mbante dhe torturonte në atë burg. Një detyrë e pa përshtatëshme për të, mendova. Kështu mendoja si vajzë që më preku me bukurinë e tij. Një njenjë nostalgjie më kaloi si rrymë në të gjithë trupin. Vajzat janë euforike. Por vendi ku ndodhesha më shplau nga ndjenjat. Ai më kërkoi dorën duke zgjatur dorën e tij. Unë instiktivishte e zgjata dhe ai me delikatesë më çoi në këmbë. Pa ndihmën e duarve vesha këpucët dhe vura re se kreu i ballit tim harrinte në nivelin e buzëve të tij. Kënaqësinë e shpreu hapur. Fytyra ju ndiçua me një buzëqeshje që më habiti me pamjen dhe shikimin e tij. Fytyrën ma hetoi me kujdes dhe më fshinte sumbullat e lotëve me shaminë e tij. Unë fillimisht hezitova, por ai vuri gishtin në buzë të mos kundërshtoja. Nuk bëra lëvizje. Shikoja sytë e tij që më vështronin me ëmbëlsi. Pastaj i hodhi tek plaga e vogël, por që mua më dhimbte. Shaminë që më fshinte lotët ma vendosi mbi plagë. “Të dhemb?”- më pyeti. A ka plagë sado e vogël që nuk të dhemb?”- ia kthava. “I hoqa vërejtje toger Haufmanit që u soll aq ashpër pa ju njohur akoma.” “Për të gjithë ia hiqni vërejtjen zoti kapiten, kur ai sillet ashpër dhe i rreh me kamzhik?” Kapiteni u mvrejt. “Nuk ju lejoj të më bëni pyetje të tilla dhe të futeni kaq thellë në punët tona. Këtu ndodhemi në brendësi të rrjetave të gestapos, ku me këto pyetje futeni më thellë. Ne këtu bëjmë detyrën,”- më paralajmëroi me një ton, që mund ta merrje si paralajmërim i rreptë edhe i butë. “Dëgjo vajzë: mos guxo që të më bëshë vërejtje,apo të kritikosh nazizmin në prezencën e një tjetëri, se do të na prishësh punë. Dhe i menduar vazhdoi: do marrësh në qafë veten, se nuk do mundem të të mbroj. Mendohu se unë të dua të mirën. Gjithë natën kam menduar për ju zonjush Martha. Mendova për ty dhe për veten time. Ne të dy zonjushe Martha… Bëri me dorë sikur këputi shprehjen. Do bisedojmë më vonë.” Shaminë e palosi dhe e vuri në xhep. Më buzëqeshi ëmbël dhe pa u kthyer mbrapsht, më preku dorën. Porta ju hap në sekond pasi trokiti. Pa edhe një herë nga unë dhe porta u mbyll. Unë tani u tremba vërtetë. Ose donte të më mashtronte, ose më donte. Gjysmë u shpreh. Si të veproja. Unë kurrë nuk mund ta pranoja. Kapa kokën me të dy duart dhe thashë me zë. “Tani mbarova.” Kush është në rrezik përdor ligjikën. Ai do të hakmerret me mua, kur unë do ta kundërshtoj. Dhe do të hakmerret më keq me familjen time, po ta marr vesh se unë jam Hebre. Rash përmbys në dyshek, se filloi të më dridhej trupi. “O zoti ynë, shpëtona!” Dhe mu hapën rubinetat e lotëve. Qava me ëh, sa më hidhej gjoksi përpjetë. Qëllimin e tij nuk mundesha ta kuptoja. Mos ndoshta donte të më përdorte për spiunë? Apo mos ndoshta kishte qëllim apo mendim shfrytëzimi? Ndërsa për martesë, ai me mua, as ndërmend nuk më shkonte. Sido që të ishte propozimi, unë nuk duhej ta pranoja. Mendoja shumë katastrofa, si vajzë e re e pa përvojë. Mendova edhe varrin ku do të më pushkatonin e do të bija brenda. Pastaj do të më hidhnin baltën.

Isha me fytyrë të ngjeshur në jastëk dhe mu zu fryma, ndaj u hodha përpjetë dhe u ngjenda në këmbë. Të më forconte zemrën i kërkova Zotit, sepse po më rrihte fortë. Rraha edhe gjoksin dhe u mundova ta flakja dhe ta harroja mendimin ogurzi. Po xhiroja në atë pak vend bosh, për të qetësuar trurin që e kisha vënë në punë të rëndë dhe gjykova veten për dobësi. U hap përsëri dera e hekurt me atë zhurmën e saj rrënqethëse. Toger Haufmani  si një dru i tharë, i veshur me uniform qëndroi te dera. “Përgatitu dhe hajde me mua,”- më tha dhe nuk lëvizi nga vendi, por u kthye mbrapsh. Mora një sinjal shprese dhe mbasi rregullova veshjen, fshiva fytyrën, shtrova flokët sigurisht pa pasqyrë dhe shkova pas tij. Mbrapa meje dera u mbyll. Por në katin tjetër u hap një derë tjetër. Gerardi më priste mbrenda saj, ku vetëm me një aprovimin tim, ndryshonte qindpërqind jeta ime. Por ama në favor të nazizmit. Shefi i gestapos kapiten Gerardi më priti hijerëndë, i kthyer mbrapsht, deri sa u largua togeri Haufman. U kthye përball dhe filloi të buzëqeshte vetëm mbasi u mbyll dera. Më pyeti si ndihesha dhe asgjë për detyrën, ose për epërsinë që kishte ndaj meje. U shkëputë nga tavolina ku ishte mbështetur dhe lëvizi nëpër dhomë. Më foli shumë ëmbël duke më parë në sy. Dyshova se diçka të rëndësishme donte të më thoshte. Mendova me vete, të shohim ku do të dal. “Nuk kam shumë kohë që jam transferuar këtu,- filloi të fliste. Në shëtitjen e parë që bëra për tu njohur me qytetin, një vajzë shumë elegante më bëri përshtypje. Ishte shumë e bukur. Po kalonte në trotuar me një violinë të mbajtur nga doreza e kutisë. Përderisa mbante në dorë një violinë, kuptohej që ishte muzikante. Ishte vegla që më pëlqen edhe mua. Qëllimisht dola dhe disa herë të tjera, dhe pata fatin ta shikoja përsëri.” Më rrahu zemra, se kuptohej hapur që bëhej fjalë për mua. Jo se u kënaqa nga ato fjalë, por se tani do të fillonte një dramatizim, që as vet dramaturgu nuk ja dinte fundin. E ndjeva që më mbuloi të kuqtë. “Të të them të drejtën, u trondita jashtë mase, kur para meje në këto ambjente, e arrestuar si antifashiste qëndronte po ajo vajzë. Vetëm këtë nuk e prisja. Si beqar që jam mendova; ja ajo vajzë Greke që kam ëndërruar. Një Greke e bukur. Dëshiroja të të takoja në një rrethanë tjetër. Më pa në sy. Më kishte ndaluar shumë pranë, sa i ndjeva edhe frymëmarrjen. Hyra në sytë e tij tepër të çuditshëm dhe e mendova veten si në brendësinë e një lëndine. Por pas pak më dhanë një rrëngjethje, sikur në qendër të saj, aty ku mund të këputje një lule, mu në qendrën e zezë, më shikonte një gjarpër. Dola shumë shpejtë prej andej dhe sytë i hodha tek çizmet e zeza të llustruara. Aty i qetësova. Në fakt ata sy ishin shumë të bukur. Por mua atë rrënqethje më dhanë. Nuk fola. Ai vazhdoi. “Martha më shiko në sy.” Obobo, mendova. Jam e detyruar, por do ti ndryshoj mendimet. Vendosa ta shikoja ngultas. “Qëllimi im është që të të largojë sa më shpejtë prej këtej. Nuk të shikojë dotë në këtë gjendje. Unë të simpatizoj, Martha… Të dashuroj. Dua që ti të bëhesh bashkëshortja ime. Nga ty pres vetëm një aprovim dhe unë do bëjë të pamundurën. Me pasaport tjetër do të të çoj në një shtet asnjanës dor për dorë. Pastaj e di unë. Do jemi një çift i mbrekullueshëm, sa e gjithë Gjermania nuk do ta ketë një çift të tillë. Ti do të shkëlqesh në të gjitha ballot që do të organizohen. Do jesh gruaja më e bukur e një oficeri gjermanë. Së shpejti unë do të ngrihem në detyrë e në grada…” Kur më përmendi ngritjen në detyrë e në grada u revoltova. Sepse ato ngritje ai do ti fitojë në luftë kundëra nesh, duke na vrarë e duke na torturuar. Natën u rrënqetha kur dëgjova një britmë që vinte diku nga një birrucë. Kush ishte e kush e torturonte nuk dihej. Por e dija që ai ishte ose ndonjë partizanë i kapur rob, ose guerilas. Mora forcë, u mbusha me frymë dhe i thashë e vendosur. “Nuk mundem zoti kapiten Gerardi. Por mos u zemëroni me mua. Ne kemi pikëpamje të ndryshme…” Nuk më la të vazhdoja duke më vënë gishtat në buzë. Një aromë e mirë më hyri në hundë dhe ndjeva një dehje të të lehtë, por duhej të qëndroja e palëkundur dhe e vëmendëshme. Kisha ditë pa hedhur një aromë dhe pa bërë një banjo të këndëshme. “Mos vazhdo. A mund ta vazhdojmë nesër këtë bisedë, zonjusha Martha? Vetëm duhet të kesh parasysh se unë, megjithëse shef i gestapos, jam gati të bëjë të pamundurën për ty. Unë të dashuroj. Koha nuk pret. Një vendim duhet ta marrim. Prej këtej ti duhet të largohesh urgjent. Në Turqi, në Zvicër, ose në… Nuk foli. Ndoshta fjala tjetër nuk i harriti në gojë për ta shqiptuar. I kishte rënë ziles dhe mua më morri toger Haufmani.

Atë natë ndodhi ajo që mua më tronditi. Më tmerroi. Ndodhi ajo që edhe pritej, edhe nuk besohej se do të ndodhte. Të gjithë Hebrejtë e qytetit u arrestuan. Ndërmjet tyre edhe familja ime. Babai, nëna, dy motrat dhe vëllai. Këtë e mësova ditën e nesërme, kur kapiten Gerardi erdhi në birrucën time i alarmuar. Ai qëllimisht më la vetëm dhe po qëllimisht erdhi të bisedonte pikërisht atje. I ruhej ndonjë përgjimi, me sa kuptova. Ishte shumë i shqetësuar. Noshta punënjësit e tij mendonin se erdhi në qelinë time për të më marrë në pyetje. Derën e mbylli me forcë. Mbas pak pa nga fërgjia sepse ndonjë sy mund të gixonte të shihte brenda, edhe kur ndodhej vet shefi. Mbasi u sigurua, më komunikoi prejardhjen time, ku më habiti. “Ju qenkeni Hebre zonjusha  Martha!? Përse nuk ma ke thënë?” “Duke menduar edhe ne jemi njerëz. Bile një popull i preferuar dhe i zgjuar zoti kapiten.” Në fakt u rrënqetha, por edhe u gëzova, sepse nga kjo arsye kapiten Gerardi do të largohej prej meje. “Tani që e morët vesh zoti kapiten, merrni një vendim se si do të veproni me mua.” Atë nuk e mbante vendi, ndërsa unë po luaja me fjalë. Më mbërtheu nga supet dhe më shkundi. “Eja në vete Martha! Ti nuk e di ç’far ka ndodhur.” E pash me sy të zmadhuar. Për një çast ai humbi brenda syve të mi, pastaj më komunikoi gjëmën që më kishte gjetur. “Me urdhër nga lartë, mbrëmë kemi arrestuar të gjithë Hebrejtë. Ndërmjet tyre edhe familja jote.” E humba shikimin. Mendja mu godit  si me dy çekan, nga të dyja anët dhe mu prenë gjunjët. U lëshova në rënie, por Gerardi më mbërtheu fort, më shkundi por unë nuk përmendesha. Kapiteni i trembur i foli rojes dhe e urdhëroi të sillte ujë. Më lagu fytyrën, më dha edhe të pi. Disa pëllëmbë më kishin përmendur. Rrojet noshta kujtuan se më rrahu. Kur hapa sytë ndodhesha e shtrirë në dyshek. Me zë të shuar e pyeta: “Po juve zoti kapiten e dinit që do të arrestonit Hebrejtë?” “Sigurisht. Ai është urdhër direkt nga Fryhreri dhe jam i detyruar ta zbatoj. Kur në lista lexova emrat e familjes tuaj ngela pa gojë. Menjëherë në krahë të emrit tuaj shënova: Partizane. Gjendja është alarmante. Ti duhet të ikësh sa më shpejtë prej këtu.” “Po familja ime?”- e pyeta, duke qarë. Nuk më mbaheshin lotët. “Me gjithë të tjerët e dashur Martha, më vjen shumë keq. Unë nuk kam asnjë mundësi lirimi.” “Po fati i tyre, si do të jetë?” “Nuk i dihet. Unë nuk di asgjë se ç’farë ndodh me ta. Di që i grumbullojnë në kampe të mëdhenjë.” “Nuk mund të bëshë gjë për ta zoti kapiten?”- i thashë përsëri si e lënë nga mendt. Isha çuar dhe po dridhesha në këmbë. “Shpëto veten Martha. Më thuaj një fjalë dhe do të të largoj prej këtu.” “Pa familjen time, nuk ka se ç’far më duhet më jeta.” U mundova ta mbaja veten. Dorëzimi ishte kapitullimi. Le të ndodhte ç’farë të ndodhte, me familjen dhe me mua. Kapiten Gerardi më vështroi me keqardhje, duke më parë se po dridhesha e tëra. “Tani ju e mësuat që unë jam Hebre. Largohu nga unë dhe më jepni dënimin.” “Martha mendohu mirë. Unë nuk heq dorë prej teje se jeni Hebreje. Nuk më intereson. Unë të dua çmendurisht.” “Më shpëto familjen atëherë. Pastaj gjithçka do të shkojë për mirë.” “Është e pamundur Martha. Është e shkruar në ato regjistra që nuk shuhem më. Unë nuk jam i vetëm. Dhe me grumbullimin e tyre nuk u morra unë. Gerardi goditi grushtat. Unë nuk kam asnjë armiqësi me rracën tuaj. Përkundrazi, unë dua të martohem me bijën e tyre dhe nuk heq dorë.” Mblodha forcat, u mundova  të mposht dhimbjen para tij dhe i thash e vendosur. “Atëherë zoti kapiten, kjo martesë nuk mund të bëhet. Si mund të jem e lumtur unë kur ju do të më zhdukni familjen!” Gerardi ra në mendime, pastaj mu drejtua duke më fërkuar duart, që vazhdonin të më dridheshin, megjithë kurajon që i dhashë vetes. “Mendohu deri nesër Martha. As me familjen tënde nuk mund të krijojë mundësi takimi, sepse merr fund edhe ti. “Hebrejtë janë të grumbulluar në një vend tjetër, larg prej këtu. Ndoshta ndonjë ditë do të takoheni. Për Hebrejtë e Janinës do të ndërhyjë pët ti dërguar në një kamp pune. Ndërsa ty, të pret pasaporta.” Më lëshoi duart, më fshiu sytë dhe më tha: “Gute nacht.” Pastaj u kthye. Ishte i çorietuar. “Përgjigjen e dua deri nesër në mëngjes. Koha është shumë kritike. Të përmenda, që këtu nuk jam i vetëm. Po të diktuan do më… Por nuk e mbaroi shprehjen. Mbylli derën, ndërsa mua më la të shkrihem në të qarë. Mendoja nënën, babanë, motrat, vëllanë dhe të gjithë ata që njihja. Po sikur ti vrasin? E tmerrshme…

Për gjumë nuk bëhej fjalë. Dhe unë gjatë natës kërkova vdekjen. Kisha një arsye që kërkoja vdekjen, por edhe një arsye për të jetuar. Unë vendosa në arsyetimin tim, për ta kundërshtuar dhe le të vdisja. Harrita në një përfundim se vdekja më dukej si mike. Si shpëtimtare dhe jo si armike e të padëshiruar. Të frikshme. Kisha ngecur në një cektinë me llum që nuk i çoja dot këmbët. Përkundrazi, mendoja se po fundosesha. Si do të dilja prej andej? Po më zihej fryma. Ai nuk po më bindte dhe unë kokëforta, mund të përfundoja shumë keq. Nuk harrija ta përkufizoja dot fuqinë e dashurisë që ushqente ai për mua. Mendoja se Gerardi mund edhe të hakmerrej nga prekja e personalitetit. Në fakt u binda se edhe gjermanët dashurojnë me shumë ndjenjë, si edhe neve. Brenda pamjes time të jashtme, të këndshme, fshihej një dëshpërim paralizues që ma fshihte vlerën. Por ç’më duhej ajo vlerë?! Ku edhe propozimi im i parë për martesë ishte armiku im! Ishte i jashtzakonshëm si pamje, ku edhe sipas tij do të krijonim një çift të jashtzakonshëm. Duhej vetëm një fjalë e vetme shumë e shkurtër, vetëm me dy gërma: Po. Dhe çdo gjë merrte fund. Unë me një pasaportë fallco, me emër të ndryshuar, do të përfundoja ose në Turqi ose në Zvicër. Më dukej se e kisha pozitiv kundërshtimin, por në mënyrë drastike. Nuk kisha me se e vrisja veten. Por më mbante edhe shpresa se një ditë do të takohesha me familjen. Cili do të jetë rezultati? Do ta shikoja më vonë.

Në mëngjes kapiteni më gjeti me sy të mavijosura. Po edhe ai nuk kishte fjetur. Ndoshta atij nuk i bëhej vonë për Hebrejtë, por për mua atë natë kishte vuajtur. Takimin nuk e bëri në zyrën e tij, as në ndonjë sallë torturash si i çonin të tjerët herë të lidhur, herë duke i zvarritur. Ai erdhi përsëri në birrucën time për të marrë fjalën e fundit. Koha kishte harritur në kufijtë maksimal.

“Zonjushe Martha!”- mu drejtua ai sa hyri. Në mënyrë urgjente juve në këto momente, duhet të merrni një vendim përfundimtar. Vendimi nuk është gjithnjë i lehtë. Kur një njeri tregon ashpërsi dhe është  kërkues ndaj atyre që ka në varësi, ose të arrestuar, do ti binden nga zori, pa dëshirë. Unë ndaj teje u mundova të të tregoj vetëm ëmbëlsi, sepse të dua. Të dua kështu si je. Edhe kundra nesh edhe si Hebre. Kur është çështja për punë zemre, nuk bënë gjë as Perëndia. Fytyra jote e bukur që mund ta ketë gjetur dashurinë tek ëngjëlli, ai ma dhuroi mua. Dhe kjo dashuri më është kthyer në robëri. Ai ëngjëlli yt, më ktheu në robin tënd. Unë nga ty kërkojë një bindje me dëshirë. Bindje e pa detyruar. Dua të jesh e bindur nga zemra. E kam të qartë që na ndajnë rrugët tona, por ne mund të bashkojmë këto dy rrugë.” Gjithë natën kisha qarë për fatin e familjes time, jo për vete. Unë çdo gjë e mora parasysh. Duke ma prerë, se për njerëzit e mi dhe për gjithë Hebrejtë Gerardi nuk mund të bëj asgjë, e ndava mendjen edhe duke shkuar drejt vdekjes. Shefit të gestapos ju drejtova butësisht, por me fjalë shumë të rënda. “I frikësohem pushtetit tënd. Nuk është një frikë e sëmurë. Është një frikë e thellë, për tu ruajtur nga udhët tuaja. Nuk dua që të zhgënjehem para zotit tim, që e respektoj me gjithë shpirtë si Hebre. Ndjenjat u referohen edhe veprimeve që vijnë prej tyre.” “Kjo bindje nuk është në dëm të interesave tona? Kjo është e pamundur. Bindja jote me dëshirë do të na sjellë lumturi. Unë po bëjë një sakrificë.” Kuptohej që Gerardi po bënte përpjekjet e tij të fundit, për të më kthyer mendjen. Ndërsa unë po mendoja të mbaronim sa më shpejtë, sido që të ishte fundi. Ai për të më bindur se ne po luftonim kot, mu shpreh me ndjenjë për fitoret që do të harinte “Rajhu i tretë” me Fryhrerin. “E gjithë bota na shikojnë të shtangur. Nazizmi do bëjë të dridhen shumë këmbë. Para nesh, mbretërit e të gjitha shteteve do të nënshtrohen e do të mbyllin gojën. Do të shikojnë atë që që nuk e kishin parë e nuk e kishin dëgjuar. Duhet të marrin parasysh realitetin. Ne jemi kombi më i pathyeshëm i të gjitha kohërave. As Helenë, as Romak, as Tamurlani Mongol, as Sulltanët Osmanë nuk kanë qënë asgjë para Fryhrerit. Ne do të dalim si një shkëlqim. Dhe kur do ta shohin popujt, do të pendohen përse na kanë luftuar. Pozicioneve të para, ne do tu rikthehemi përsëri, dhe sigurisht që edhe më tej do të avancojmë.Ti më thuaj ç’far të duash. Unë nuk inatosem me ty, sepse të dua çmendurisht. Pamvarësisht nga vendimi që do të marrësh.” Po ta shihnit zjarrin në sytë e tij do ta besonit se më donte çmendurisht. Por unë vendosa. Çdo jetë e ka një fund dhe vendosa ti shprehesha edhe unë me fjalët e mia. “Zoti kapiten Gerardi… Kujdes nga ankthet dhe problemet që keni, se mos të pengojnë të mësosh se si të tregosh dashurinë tënde për të gjithë njerëzit. Kushtoju vëmendje anktheve të njerëzve, që të mos u rëndohen zemrat, dhe dita e keqe të mos bjerë mbi ju si lak, sepse ajo ditë do të vijë.” Ai po më shikonte dhe me zor po kaptonte pështymën. Herë kontraktohej, herë lirohej. Por unë vazhdova dhe ai nuk po më ndërpriste. Në se i vini veshin paralajmërimit tim, do t’ia dalësh detit të trazuar në anë, dhe ti do të shpëtosh nga të gjitha këto që do të ndodhin. Në fakt edhe unë ju simpatizoj si një djalë jashtëzakonisht i pashëm, por që e kam të pamundur të martohemi. Dhe po ju shtoj, se do të ishte lumturia më e madhe për mua, po të ishim takuar në një tjetër pozicion. Ju e dini që popujt janë bërë të gjithë bashkë kundra juve. Një proverb e jona thotë: “Sa më lart të ngrihesh, erëra më të forta do të presësh.” Me këto që po ju them, ju mund të jepni një urdhër dhe mua, (megjithëse pretendon se më dashuron shumë) të më pushkatojnë. Unë nuk trembem. Edhe unë së bashku me familjen time e me të gjithë Hebrejt. Me të gjithë ata që janë vrarë e do të vriten nga popujt e botës. Po më le të lirë, gjë që nuk të përgjërohem, ndoshta pas luftës do të shihemi ndonjë ditë.” Ai ishte i tronditur por mu drejtua me ëmbëlsi si më parë. “Ka edhe vjeshtë të trishtë, ka edhe dimër me furtuna e acar, por ka edhe pranvera. Më do nuk më do, unë ty do të të shpëtoj. Megjithëse nuk u dihet fati të gjithë Hebrejve. Do të bëjë të pamundurën për ty. Xhiroi për një çast në atë pak vend, pastaj më ndaloi gati sa të më cikte. Sytë i mbërthyem. “Po të më fliste kështu një person tjetër, nuk e falja. Ashtu siç nuk do të të falte një person tjetër po të ishte në vendin tim. I kam bër veshët shurdhë për ty. Vetëm të paralajmëroj që në prezencën e një tjetri, mos e merr guzimin të flasësh me këtë iritim. Unë trurin e kam të trazuar. Por në punët e zemrën, nuk hynë truri. Tani zonjushe Martha, vendimi është i prerë për ju. Apo ktheve mendje?” “Më vjen keq kapiten, se të dy po e mundojmë vetveten. Po jetova unë do të të mbaj mend kështu si u sollët me mua. Kështu, me atë çmenduri që më dashuron.” “Atëherë për të të liruar nuk mundem, sepse si Hebre që je nuk mund të qarkullosh. Menjëherë do të të arrestojnë edhe pa urdhrin tim. Me pasaportë në ndonjë shtet tjetër është e pamundur pa mbështetjen time, sepse ju e refuzuat. Të bëjë marrëveshje me partizanët për të të dorëzuar tek ata nuk mund ta bëjë dot. Mbetet vetëm një rrugë. Internimi në gjermani së bashku me një grup ish partizan e guerilas. Nesër niseni për në kampin e Mosburgut. Mos u tremb. Është kamp pune. Mund të punoni nëpër fermerë si shumë të tjerë.” Zemra më rrahu fuqishëm. Ai vazhdoi: “Dhe më e rëndësishmja. Emrin nuk do ta kesh më Martha Jakov Joani, po Helena Harallamb Martis. Emri i nënës, Maria. Dokumentat e tjera me emrin tënd, i dogja që ditën e djeshme. Me këtë emër do të thirresh e do të përgjigjesh kudo. A e mban mend?” “Po,”- i thash dhe u drodha. Ai e vuri re tronditjen time. “Ndërsa Martha është partizane. Kështu u justifikua mungesa jote që nuk u ndodhe sëbashku me familjen. Dhe të lutem shumë e dashur, mos e bëjë publike bisedën tonë. As me një. Aty do të njihesh me shoqe të tjera, por mos ki besim as tek njëra. Sekreti del pa e menduar.” “Të betohem,”- i thash por këmbët nuk më mbanin më. Po dridhesha kokë e këmbë. Gerardi më pa i përlotur. Ashtu isha edhe unë. Para se të largohej, nxorri shaminë, thithi lotët e mi, pastaj fshiu të tij. Më shtrëgoi nga shpatullat me të dy duart, më puthi në ball dhe u largua me shumë shpejtësi.

 

 

Kostandin Vogli ne studio

Autori : Kostandin Vogli

 

One thought on “Fragment nga romani “Treni i Jugut ” i autorit Kostandin Vogli

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s