Poezi nga Dhimitër Nica

Dhimiter Nica

Poezi nga Dhimitër Nica

 

 

DASHURI E PËRJETSHME

 

Ata ishin aq të dashuruar,
sa u zhveshën bashkë me vjeshtën,
ashtu dalëngadalë…
Bën dashuri të thellë,
në çdo skut të shpirtit,
diku delte flakë,diku digjej zjarr…

Ata s’i kërcënoi dot dimri,
(megjithëse të zhveshur)
s’i kërcënuan ditët me borë e acar…
Kështu, i gjeti pranvera
dhe filloi t’i vishte dalëngadalë,
me ngjyra që nxirrte zemra
e me zambakë të bardhë…

 

 

 

LËNDIME SHPIRTI…

 

Kur gjethet këputen në vjeshtë,
më dhemb shpirti,
(pavarsisht se do vijnë në pranverë,
nga ricikli…)
Kur pemët i presim me sopatë,
më dhemb zemra,
(pavarsisht se dimrit nuk rrimë dot jashtë
e duam pak zjarr brenda…)

Kur flokët më ikin një e nga një,
nuk më prishet punë fare,
bien pa më lajmëruar,pa zhurmë e zë,
tulla lexohet si kopertinë abetare…
Kur dhëmbët krimben e hiqen me radhë
dhe te dentisti vendos të rinj,
(më besoni,çdo gjë nuk është si më parë,
gënjej po t’ju them, se kalova mirë…)

Më dhemb shpirti kur shkel një milingonë,
qortojë dikë, kur këput një lule pa lejë…
Sot bota si kazani në zjarr po valon
dhe është gati si vullkani të shpërthej…
Ata njerëz si varg milingonash,
sot, kush mund t’i shpëtojë?!
Po ata fëmijë që nxjerrin dallgët në breg,
a ka zemra në botë,që lëndojnë!?…

 

 

 

MOSHA E BUKURISË

 

A pinë ujë sirenat?
Dikush mund të thotë
se ato mes ujit rrinë,
mes liqenit e gjolit
e kanë ndërtuar shtëpinë.

Por unë kam parë
me sytë e mi,
një bukuroshe të rrallë,
kur doli nga gjoli
dhe shkoi mbi lëndinë,
me hapat e vockëla
të buta nga malli,
ju afrua burimit,
kish etje për të pirë…

A kanë moshë sirenat?
Ato kanë dhe ndjejnë,
vetëm një moshë…
Moshën e bukurisë,
moshën e dritës,
moshën e lashtësisë.

Një sirenë i ka ndaluar vitet…
Nuk bën as lart, as poshtë,
ajo rri vetëm e bukur, e freskët,
e gjithmonë ka moshë të joshtë…

Dhe zbret nga mali
e brishtë, delikate,
e hollë, e flurdishtë,
me sytë e Afërditës,
lundron te burimi
për të shuar etjen…
Dhe shton bukurinë
aty poshtë malit,
ku hëna rrënqethet
e për yjet vellondrinë.

Aty te burimi,
diku mbi lëndinë.

 

 

 

NË KRAHËT E LUMTURISË…

 

Momenti është i vogël,sa një pikë ujë,
është një sekondë,është një presje,një pikë…
Të prek pa kuptuar,pa zhurmë e pa bujë
e rruaza margaritarësh të lë mbi qerpik…

Hidhuni pa hezitim në krahët e lumturisë,
hidhu pa mëdyshje,o njeri,pa frikë!
Nëse rilind përsëri në moshë të pjekurisë,
jepi frymë nga fryma jote dhe pikë…

 

 

 

EMIGRANTËT SHQIPTARË DIKTOJNË…

 

Ata ishin të varfër, me ëndrra në shpirt,
ikën larg të mpirë,zemrat u ringëtonin këtej…
Ikën kur çelnin petalet,në lulen e rinisë
e botës ju derdhën si lumenj.

Hapën tunele në gojë peshkaqenësh,
shkulën me trupin e brishtë
dhëmbë ujqish e çakallësh,
ëndrra të bardha ngritën mbi supe
e zambakë të bardhë puthnin në ëndërr…
Me trupat e tyre të imtë, të brishtë,
ngarkuar mbiliona thasë hallesh
nga bota komuniste,
kur njerëzit i mbante nëpër vrima,
si midhjet nën gurë e nën zallishte…

Ata ikën…Ikin si trendafila,
ikja e tyre e holloi atdheun…
Ata rrokullisen edhe sot nëpër rrëpila,
ata të shumëvuajtur si Prometeu,
pasardhës e nipër të Skënderbeut…

Rënkimet i dëgjon edhe galaktika lart
e prej tyre rënkojnë edhe yjet…
Kur nënave u rrëshqasin lotët në çdo prag,
yjet u nisin nga një shenjë
e zemra u lehtëson dhimbjet…

***
Ju ikët biro, ikët në ato vite,
kur vendi s’kishte as bukë thatë,
s’bëhej fjalë për franxholla e simite,
njeriu hante njerinë, si bishat në frakt…

Sot në vendin tonë,
po frynë erë e mirë !
Një sorkadhe e brishtë,
(simbol i ëndrrave tuaja )
Po luan me shpresë simfoninë…
Mes rrymës dhe acarit,
mëngjeseve të kuqërremtë,
të pudrosur e të lëngështuar,
atdheu ju ka dashur pranë,
atdheu nga ju ka vështruar…

Atdheu për ju është tretur,
atdheu është holluar
dhe lotët e nxehtë,
akoma s’i ka pushuar…
Dhe plaga juaj,
mes plagëve të mëdha,
të rënda,ka mbetur ende,
ende pa u shëruar…

Ju jeni dija, jeni zhvillimi,
jeni dje, jeni sot, jeni nesër…
Jeni trokitja, jeni fillimi…

 

 

 

NË VENDIN TIM.

 

Aty, vlejnë më shumë qentë e zotërisë,
se njerëzit e thjeshtë!
Aty, vlejnë më shumë macet e zonjave,
me fjongot mbi vesh!
Aty, çfarë të thonë të “mëdhenjtë”,
do ndenjur urtë, pa fjalë,
lepe e peqe,sustë,si qingjat në grashtë …

Aty, ka vetëm dy ngjyra për shërim,
të majtë e të djathtë!
Aty, kalon pranë çdo çezme e burim
e buzët të thahen,të zverdhen si kashtë…

Aty, pushtetet ngrihen me kombinim
e po s’u erdhe pas avazit,
të tregojnë shtrigën e lashtë,
me dhëmbët si thikat e Rambos,
që t’i vrasin sytë nga shkëlqimi i artë…
Aty njerëzit nuk gjejnë dot punë e strehim
e përsëri falen të djathtë e të majtë!

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s