Poezi nga Nebih Bunjaku

Nebih Bunjaku

 

Poezi nga Nebih Bunjaku

 

 

 

ZEMRA PROTESTON

 

Ike nga pranvera drejt dimrit po shkon
Zemra në grevë për ty proteston

Diellin ti ma fike me hënë më mashtron
Nuk ka engjëll tjetër që të zëvendëson

Natën ti ma zgjatë, ditën ma shkurton
Në shpresën pa fund ëndrrën ma trishton

Luleve më të bukura u humbi aroma
Po dhe shpirtit tim iu tret firoma

Ike nga saksia shkove larg në mëgrim
Një grusht mall s’e more ti o shpirti im

Sa më ka marr malli për buzët e tua
Më shumë sesa ujin në t’burimit krua

Sheqeri dhe mjalta më duken pelim
Zemra proteston nuk gjen më ngushëllim

Buzët më janë tharë buzëqeshja është tretur
Zemra proteston jetime ka mbetur.

 

 

 

NË UNIVERSIN E ZEMRËS

 

Në universin e zemrës
Më tërheq si me magnet
Ylli i mëngjeseve të mia
Ku e merr këtë gravitet

Pavarësisht nga largësia
Je n’orbitën e shpirtit tim
Gjithë termetet janë të kota
Perla e shpirtit – Ylli im

Kudo që shkon në galaktikë
Lidhur je në zemrën time
Po t’përmbysej e gjithë bota
Prapë do mbetesh zemra ime.

 

 

 

NËNA E DASHURISË

 

Me dashurinë e botës n’zemër
Sfidë e skamjes skutë më skutë
Nëna e botës – Nëne Tereze
Nga Iliria në Kalkutë

Melhem zemre – ilaç shpirti
Rreze mirësie në çdo skëterrë
Mëkon shpirtin shëron trupin
Digë acarit kurdoherë

Përtej vuajtjes në rrudha balli
Mbjell Buzëqeshje Dashuri
Zemra Jote shëron plagët
Mbi trishtim mbjell Miqësi

Ditë e natë plot mirësi
Shpirtin flakë zemrën prush
Gjithë botës së pafuqishme
Shpresat e thyera gaz i mbush

Nënë Dashurie – Nënë Shqiptare
Fjalë e vepër altruiste
Padrejtësinë kudo lufton
Për Mirësi je Nobeliste

Ambrazianë këshilla Jote
Zemërmadhe Shenjtëreshë
Bëma Jote –Dorë Hyjnore
Nëpër shekuj si Perëndeshë.

 

 

 

LULJA E KOMBIT

 

Pas fitores drejt në Hagë
shpirtin e lirë duart n’zinxhirë
Lulja e kombit n’zemër plagë
se lirinë e donte të lirë

dorë e djathtë e UÇK-së
tok me NATO-n ka luftuar
pse i këputi shpirtit prangat
në bankë të zezë i akuzuar

kryelartë shkon në Hagë
historinë për ta lartësuar
n’shpirt i vishen ca akuza
nga Drejtësia i trishtuar

i pandehur përbetohu
sa ushtarë paramilitarë
kur ta dogjën shpirtin n’djep
pa mëshirë m’i paske vrarë

u betohem n’diell e n’hënë
në Luftën tonë Çlirimtare
vrava veç bisha Karpatesh
shumë të zeza e barbare.

 

 

 

TESTAMENTI I LOTIT

 

Në natën bizantine pa hënë
Ne jemi plaga më e re
e Gjergj Elez Alisë
se hijet korb të zeza
na rrëmbyen
në prag të Shtëpisë
na ka mbetur vetëm shpirti
midis robërisë dhe Lirisë
midis Jetës dhe vdekjes

sot imazhi ynë
varur grilave të Kuvendit
është odisejada jonë!

Testamenti i Lotit
në Flakën e qiririt jeton
lagur nga shiu ngrirë
nga acari i dimirt
lëbyrur nga dielli

le të ndizen Qirinjtë
që të ngrohet shpirti ynë
në Dritën e Lirisë

në Pentagramin e Mallit
edhe zemra ka dhimbje
nga ëndrrat e trishta
për eshtrat e humbur

në Ritualin e Pritjes
nuk duam të jemi
mjet kusuritjes
në sofrën e djallit

Liria nuk bën tregti
as me hijen tonë
as me vetveten
as me robërinë

Ne nuk jemi arna leckash
për thasë lypësarësh
tryezave bixhozxhinjsh

Ne jemi Ajka e kombit
bazamant në Flakën e Lirisë
të humbur janë ata
që ende kusuriten me djallin
për tokat tona të shenjta.

 

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s