Etyde shiu / Poezi nga Lumturi Ymeri Bersava

Lumturi Ymeri (Bersava)

Poezi nga Lumturi Ymeri Bersava 

 

 

Cikli poetik  “Etyde shiu “

 

 

NËPËR SHI

 

Bie shi

jashtë xhamit

brenda mallit.

Larg diellit

poshtë qiellit,

dhe në iris

portretin tënd

ma shprish…

 

Bie shi e,

vlon në pëllëmbë

të nxehtë ende

prej shpinës tënde.

Mbi gishtërinj

puthjen ma shkrin…

 

Bie ky shi

mbi dorën time

zgjatur drejt teje

fshehur pas reje.

Më grish sërish

e lagesh ti

prap në iris…

 

 

 

DUET VJESHTE

 

Në një ditë

si kjo, e hirtë

me mjegull pezull.

Sytë

dhe fryma

në çark të dimrit

ngrirë…

 

Një degë mbetur

pothuaj zhveshur

e thatë si harpë

Më zbret në duar

pret që të luaj

krejt e mbërdhirë…

 

Një lot mbi DO

një gjeth tek LA

dridhen në FA

bien nën RE

pastaj përdhe

shkrirë…

 

Duet vjeshte

loti e gjethja

në lamtumirë…

 

 

 

E DI

 

E di

Të tundon shpuzërimi i zjarrit

tek kuqëlon flakët

në të nxirat e oxhakut

si trajta fantazmash

përdridhen e përvidhen

drurëve të njomë

 

Deh kjo aromë…

 

 

E di përsëri

Të grish kërcëllitja

kur digjet rrëshira

nyjat dhe lëkura

nga myshku tek palca

ku është prerë plaga

 

E përndizet nata…

 

Një hënë në të hënë

mbledh hirin e mekur

të zjarrit të vdekur…

 

 

 

THYERJE

 

Po bie shi

Ti nuk e sheh

nuk i ndjen përplasjet e tij

as zvarritjet mbi xham.

Si i ngul thonjtë aty

rrëshket i spërdredhur

me gjunjë të përthyer

e vdes në parvaz…

 

Eh! S’ke si e sheh!

Nuk të le perdja e avullt

prej klithmash fryme

Që të ndan nga bota e jashtëme e lotëve

Je marrosur në botën tënde të brendëshme

po aq të ujshme

prej djerse e sperme…

 

Ndërsa unë, pllaq plluq

thërrmoj sipërfaqet e pellgjeve

si të thyeja ato të qelqeve…

 

 

 

FUNDVJESHTË

 

Imazhet e fundit të vjeshtës

pikturon qielli në mjegull

me gishta uji…

 

Një vel i zymtë

zbret me pikëllimë.

Si dënesje

piklat e shiut mbi strehëza

kordat e degëve të shtrembra

e pjergullat e kërrusura

nga gjethet, të braktisura…

 

Me lotët çurg qan vjeshta

për gjethet nën rrëkeza…

 

Qielli rënkon dimër…

 

 

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s