Poezi nga Gjergj Nikolla

portret gjergji

 

Poezi nga Gjergj Nikolla

 

 

 

Nga libri  “ E dua një emblemë”  – botuar në Shtëpinë Botuese “ Marin Barleti” – 2006

 

 

“Nyjtimi i gurit”

 

Çdo ditë …

E njëjta zvarritje

Rrugë të gjunjëzuara, nën gjurma këpucësh, një dhimbje!

Monotoni absurde, neveritje … Gozhduar, gangrenë!

Shtangur! Flakur! Mplakur! Stopuar në bosht

Në thellësinë e shpirtit që vuan …

Krrusur në embrionin e asaj që të mban gjallë

Fatkeq që then qafën, përplas kokën, anë e pa anë

Personazh i udhëve të kryqta… ku faqoset e tashmja.

Brinjët e shpresës thyen … me dhimbjen, brengën, stresin tënd…

Aktiv! Pasiv! E tash je depresiv … por s’ke kujt t’i hapesh

Kokë e rrasur në mendime të vrara, s’të përkrah njeri …

Ngjeshur në lëkurën tënde, të mpirë, të pafaj, prushi yt, je fikur…

Grisur … neveritur … mallkon: Pse ke lindur?! Lëkurë e gërvishtur

Duf pikëllimi me njëmijë motive … sa dhe vetja të është shpifur!!!

Ngrihu! Ngrihu, vëlla, ngrihu!!!

 

Ashin e dhimbjes mbërthyer …

Zhgënjimin, rrënimin e të qënës njërëzore

Pafajësia, ku absurdi ngul thonjtë, dhëmbët … sa të çmend!

Në kulmin e më çnjerwzores rrapat këmbët, këpucët e mllefit shemb!

Ditë që vdes në lindje, varroset në lindje, përqeshet në lindje…

Lindje që s’di të lind … e ndjesa?! … Po të vjedhin jetën!!!

Këpute hallkën që të mban lidhur … hekura të kalbura

Liroji gjymtyrët e shtangura

Fjalën tënde … etjen e një ëndërre

Tingëllimin e munguar që në buzë ta mbytën me gjak

Nuk munde! Nuk munde! Mos humb sikur , humbe …

Ke vetëm një jetë e ajo është veç jotja!

Ngrije, ngrije zërin e ta marr vesh bota! …

Çdo ditë

E njëjta zvarritje!

Mjaft më ! …

 

 

 

“Perifrazë e brishtë”

 

Një lot kristal

Kristal nëpër faqe…

E fati im fatal

Stopuar në pragje…

Shpresë e ngujuar në shpirtin e trazuar

Ëndërr e thyer e shqyer në duar…

Ngrihem e mbahem e me veten qahem…

Ku të shkoj… Nga t’ja mbaj…!!

I njëjti refren i çuditshëm, i frikshëm, i mësuar përmendësh

Që shperthen në buzët e ngrysura të fjalës… (si flutura rreth llampës)

Gjymtyrë e kërrusur trishtimi, nga përmallimi… moskthimi!!!

Pas krahësh… M’u sos durimi!… nyjtuar në gërma.

Copëza të thërmuara qielli në zemër me brenga

Ku zë fillin loti… shkërmohet kënga…

Kënga pa titull në kohën pa masë

Zgjedhur në çdo vetë, lakuar në çdo rasë

E kundrinori unë…

Mblidhem thellë vetes ku njerëzorja shpërthen karakteresh

Me vargje të përlotura… udhë të stopuara

Fraza të prangosura në dhimbje

Vjeshtë e braktisur zogjsh pa qiell, lundrojnë pa diell…

Perifrazë e brishtë në fytyrën kockë… Dhe dy herë më thellë.

Unë. Një lot… Një grusht gjethesh të thara

… Një plagë që i muroset fjalës

I stërkëmbur këmbësh, i stopuar krahësh

Nga të dalësh…?!

Duro! Dhe kënga nis vazhdën e dhimbjes përsëri

Jam i Ri… e jeta është përpara.

 

 

 

“Mëngjesi në zgjim”

 

Brengat në shpirt

E shpërthime stresesh…

Vargje karakteresh që dalin krateresh!

Njerëzorja është himn; jeto të mos vdesësh…

Zemra në thonj mllefesh e mbyllur në plagë

Rruga është baltë, rruga është e gjatë…

Ende është natë… është natë… dhe koha thërret

 

Mbi qelqet e syve kaq blice rrufesh

Të ndizet trishti

Trishti njëmijëlotësh…

Ti refren përsesh

Tragjedi sepsesh!

E klithmat e tua zgjojnë palcën e tokës.

 

Me grushtin tënd kur dhimbja të dhemb

Ngrihu! Ngrihu!… Dhe zhgënjimin shemb

E sotmja është për ty…

Hedh rrënjët mbi gur

S’është muzikë funebër

As s’është diçiturë…

Është motivi yt që tingëllon një himn!

Mëngjesi në zgjim!

 

Largoje stresin, stresin që të mbyt

Çdo qelizë e ind…

Prushi yt!

Krateret e dhimbjes…

Koha është të lindësh! Të lindësh!! Të lindësh!!!

 

Shpërthim krateresh

Në vargje karakteresh!

Mbi qelqet e syve

E të tjera ngjyra!…

Baltë s’të mban fytyra…

Është motivi yt; Njerëzorja një himn!

Mëngjesi në zgjim!

 

 

 

 

NGA LIBRI“ NËNTË LËKURË NË SQEPA-THONJ“

 

 

ELIPSA DHE KORDA

 

Ec…mbytem, se s’kam ku të shkoj!

Ec…mbytem dhe prap se prap qëndroj,desha s’desha

Ec…mbytem dhe si gjithnjë në udhëkryqe,dua s’dua …

Nëpërkëmbem,kacafytem,zhytem gjer në poshtërim!

Zhgaravitur,shkallmuar thellë në embrion:Korb e Qyqe…

Më thuaj,dhe ti nëse ndihesh ndryshe!…

Shpresë e thyer në brinjë,dua s’dua,do e s’do…

Shpirt i shtangur në pa mëshirim,e ashti po më plas,po e po

Ky që jam kam qënë

Ky që jam do jem…

Gjeografinë tënde ledhaton përsëri

Një grusht njeri që shpirtin bën hi

Përsëri në rrethrrotullim,qënie që vuan e vuan…

Gjithë të tjerët shkuan…sa e largët Bota!?…

Elipse,rrathë që na mbajnë në korda…

E qiellin vec me korba!

E tokën vec me gropa!

Shamizezat vishen me zi se e zeza(!)

Unë e di,se dëshira për të qënë i lirë si zogjtë,ende s’më jep

Une e di,se shpresa për të qënë më mirë,na mban peng…

Une e di,se murin kemi ngritur,e ai s’u shemb,e s’u shemb

Ëndërra për të mos u shuar,më jep fuqi:Prandaj…

Fjala,kënga,(melodia e së cilës ),po më dhemb,e di,e di…

Më nuk rri!!…

Korb e Qyqe,e sa e sa  udhëkryqe

(më thuaj dhe ti nëse ndihesh ndryshe?!)

Kohë që nëpërkëmb të vërtetat e zgjat vetëm kthetrat

(Mjerisht!),thonjtë e sqepat,

rrethrrotullon akrepat,semafor i çorjentuar…

Ne prap se prap ecim,ecim,ecim,e-c-i-m!!!

A nuk ecin kështu edhe gaforret?!…

 

 

 

 

NGA LIBRI “TETËQIND E TETË PUTHJE” – lirika dashurie, BOTUAR NË TIRANË, SH. BOTUESE MARIN BARLETI 2011

 

 

SHTATË DITË NË PIKATORE.variant…

 

E hëna u zgjua me trishtim,

të martën nga dhimbja piva lotin tim,

të mërkurën

një ëndërr më ra në humnerë,

e enjta u bë gri,për të satën herë,

të premtën i thashë vetes: Më s’do të qaj!

Të shtunën mallkova e prap po e shaj,

e diela mbylli javën, rinis nga e para.

Një vjeshtë gjetherënë mbi fletët e bardha.

 

Një javë vetmi,

një shekull…

Java pason javët

e unë jam prap vetëm!

 

Të hënën se hoqa trishtimin, s’e vras,

të martën nga dhimbja

emrin të thërras,

e mërkura djeg rrufetë brenda meje,

të enjtën njëqind vjet ndodhem larg teje,

të premtën qeshja e zhytur në lot,

si t’a nxjerr nga loti më thuaj, – o zot!

E shtuna e uikendit më tret nëpër mal,

që as të dielën nga trishtimi s’dal…

 

Një javë vetmi,

një shekull…

Java pason javët

e unë jam prap vetëm!

 

Të hënash mbrëmbjeve, rri gjer në mesnatë,

e marta çuditërisht

s’më ngjan për të martë,

të mërkurën derdhur pikë vesa në gri,

e enjta rilindur tre shekuj vetmi,

të premten jam pritje që zgjatet largësive,

e shtuna djeg ëndrrën, dëshirën e të dyve,

e diela vjen dhe ik përsëri.

Ishe dikur ti ëndrra njeri.

 

Një javë vetmi,

sa shekuj…

Java pason javët

e unë prap jam vetëm!!!

 

 

 

SHTATË DITËNË PIKATORE..

variant

 

E hëna mbërrin nga ylberi i hënës

e marta nektaron shtatë hone krateresh,

e mërkura Aurorë…

e ardhur nga dielli

e enjta je toka,je yjet,je qielli

e premta Universin gjej në trupin tënd

e shtuna më gëzon, dy herë më çmend

ndërsa e diela përmes një reje,

shtatë pika shiu në një  vazhdë rrëkeje…

 

E hënë zëri yt,violina bie

e martë trupi yt,shtatë rrufe magjie,

e mërkurë klithmat tuarendin në ujëvarë…

e enjta një tingull, vlen sa një mijë fjalë…

e premtë fryma jote që më mban gjallë

e shtunë ky ylber nështatë ngjyra veshur

ndërsa e diela vellon e ka hequr…

 

Të hënën shpirt,këndojnë kanarinat

të martën zemër,dehen trëndafilat…

të mërkurën o yll,

botës mrekullitë…

të enjtën o jetë,vullkan dashuritë

të premtën e dashur,të dy në një valë,

të shtunën o engjëll,ti vjen si pulëbardhë

ndërsa të dielën,dashuria jetë,

shtatë herë të vdes, të tetën më ngjall…

 

E hëna jam unë,që kaq ty të dua,

e marta je ti kristal i kulluar

e mërkurë ndjenja që shpërthen në lutje,

e enjteafshi, puthaputhje…

e premtë fryma ime me të tënden buzë,

e shtunë jam poeti që ti më je muzë

ndërsa e diela për mua e ty

është dashuria mbretëri për të dy…

 

E hëna vazhdon shkëlqim Meteorësh

e marta pasionin në himne dashnorësh,

e mërkura shtatë notat

përbëjnë një  refren…

e enjte Aurora e diellit shkëlqen

e premte je ti ajo që jam unë

e shtuna më do,të dua më shumë

ndërsa e diela na mbështjell në gji,

shtatë mrekulli në një  dashuri…

 

 

Sërish e hëna vijon javën

u deshëm shumë,

por kurrë s’u çmallëm!!!

 

 

 

NGA LIBRI DEHADEHJE BOTUAR NE 2014

 

 

DUA-DUAMË

 

Të gjitha pëshpërimat, tingujt,
fjalët e ëmbla të shpirtit
më bëhen buzëve ritëm,
një e vetme.
Emrin tënd, tri gërma
të vetme tri.

Dua.
Duamë…
Duaduamë…

Të gjitha blicet,
fotonet e yjeve të largët,

hënën argjendare…
Diten e re, tërheq calendar

shkëlqimet e ylbereve,
reflektet mbi qelqe, në sy…
I dëshifron shpirti në imazh
ngjyrash dhe ndjenjash,
i bën portret diellahënë: je ti….

Dua.
Duamë.
Duaduamë…

Zogjtë e mengjeseve tufash mblidhen,
t’më sjellin nga një mesazh,
një këngë të ndezur dashurie.
Të gjitha me nga një fjollë përmallimi…
Dije!

Dua.
Duamë…

Duaduamë…

 

 

 

BLICËROHU….



E ç’është dashuria,
përveçse një blic…

A s’është vetëtima një e tillë,
a s’është ylberi, po një i tillë,
a s’është meteori një i tillë…
A s’është këngë e shpendve
në muzikim mëngjesesh,
a s’janë dallgët e detit,
një ikën,
tjetra kthehet.
A s’janë erërat, flladet, puhizat e lehta,
petalet e luleve,
gjethet verdhavjeshta.
A s’është muze e poetit
shpirtit, lindin vjersha….
Duamë dashuri,
duam sa të desha!

E ç’është dashuria
përveçse një blic…

A s’është ujëvara
një e tillë,
a s’është limfë e blertë
që nusëron në prill,
a s’është refreni i zemrës në thellësi,
pulson në njëçast
sa tetë mrekulli,
a s’është koreografia
që fal pirueta….
Duam dashuri
duam si të desha!

E ç’është dashuria
përvecse një blic…

Blicëromë….

 

 

 

MINUTAT MAGNETIKË

 

1440 minutat e ditë-natës

më të ëmblit janë ato që shihem me ty…

Pesë minutat e mëngjesit

kur ikim, ngjitur e ngjitur:

Ti në një anë, unë në tjetrën…

Shkëmbehemi sy në sy!

 

E pesë të mbrëmbjes,

kur kthehemi të dy….

Pa fjalë…

Pa prekje,

vetëm me zemrën në puls

fytyrës prush, në flokun e zi!

 

Në pesë minutshin e mëngjesit dielli shkëlqen

në sytë e tu, në buzet e tua…kudo në ty!

Gjithe ditën e mbaj në sy,

oh,ç’vezullim dehadehës:

Sa 365 në 365 ditë – netë të dua!

 

Pasditen vonë…

Ti kthehesh përsëri, si unë në kthim.

Je diell në zenit, në lindje, në shkëlqim

kurrë në perëndim:

 

Tik-tak!

Tik-tak!

 

Minuta që më mbajnë gjithë kohës

si e vetmja shpresë,

nesër lind po i meziprituri mëngjes.

 

Ti, fytyrën e skuq,

sheh ëmbël dhe qesh….

 

Në mua Vezuvi fle,

Etnës, thellësive t’i zbres….

Zjarret e syve të tu,

le t’më djegin. I pres….

 

Në 1440 minutat e ditë – natës,

dhjetë minutat e artë më pyesin:

Kur do kthesh?!

1430 të tjeret minuta,

qerpiku yt satelit më tërheq….

 

 

 

NGA LIBRI  SORRAT KANARINA  BOTUAR NE 2014

 

 

ELEGJI NË CEP TË FJALËS…

 

Hënë e diell, e diell e hënë, e diell e hënë, e hënë e diell

e hënë e diell, e diell e hënë…medet, kjo kohë sërish shtatzënë!…

e ç’do të pjell a ç’do të lind!?

po mbars një zhabë që pjell një krimb!…

E diell e hënë, e hënë e diell, e hënë e diell, e diell e hënë,

e diell e hënë, e hënë e diell…medet, prap korbat nëpër qiell!..

Koha ka shtangur tek hëna që soset e mbushet,

djegur nga dielli e nga rrufetë përqullet…

Diell e hënë, e hënë e diell, pena më thyhet e s’po më shkruhet!…

po ç’dreqin kam që po më kruhet!?…

Kohë shtatzënë në tym e flakë,

e prap shtatzënë rrufe dhe baltë…

lëkura sholl u bë fasadë,

ku pjell një krimb që mbars një zhabë…

Hahahahaaaahh!!!

 

 

 

MOS U LIGËSHTO O NJERI…

 

Ke rendur në shumë rrugë

e asnjëra s’të ka nxjerrë aty ku duhet,

mos u ligështo,

o njeri, mos!

Shpresa të mos shuhet…

Ke pritur gjatë, je dendur në trishtim e vuan,

mos u ligështo,

duro se koha shanse ruan…

 

Kur të tjerët përqeshin e ti nga dhimbjet qanë,

mos u jep o njeri, vetëm duro,

tragjikomikë janë…

Veten e tyre hanë,

ti vetëm përpara shiko,

kërko një rrugë më të mirë,

mblidh energjitë e tua mos u ligështo,

nga kthetrat do dalësh i lirë…

 

Kur muzgjet të thyen e me thonj t’u ngulën,

e prap mëngjeset njëlloj të shtrydhin,

ti ngrihu përsëri o Zgalem,

Fenikset ringjallur nga hiri…

 

Në jeta të lodhi, të shkrreu,

të hoq lëkurët në kthetra…

nëntë lëkurët e tua në dhëmbë,

e ngjallur nga hiri e dhjeta…

Do rendesh tani një rrugë,

ajo tëtë nxjerr ndoshta ku duhet,

mos ik i vetëm mos ik,

shpresa e përbashkët s’do shuhet!

 

 

 

KËMISHËN BREN LËKURA

 

Kjo botë është lëmsh,

kjo botë është fill…

Lëmsh i mbështjellur

me fillin përdredhur…

Botë që ngjishete zhdëpet, -si urth

në shpirtin pa faj! …

që veten kafshon ashtit…

 

Nga skaj në skaj!

Kacavjerrur hartë në rrepirë të thatë…

Thua gur i plasur a thua mur i shembur,

rënkon nën fasadë: Purgator – parajsë e ferrit rreth i shtatë?!

Ku rrënjët thith të mbajnë frymën!

 

…ku fjala e britma ngjajnë

e njëra – tjetrën shajnë…

të njëjtët tinguj a klithma

 

 

 

 

      O Zot!

O Djall! O Njeri!

      Ku ta di!…

 

(Prologun hap,

Epilogun mbyll!)

 

E njëjta tragjikomedi dua – s’dua, do e s’do!

Kufijë pakufi: Bardhë e zi, kaf e gri!

Po diell e hënë,rrufe pa shi e mes tyre ti!

Ëngjëllo Njeri!

 

(Syth e degë, lule e frut),

mbështjellur nëpër hithra mure ngren mbi vete!

Lëkurën ngrënë me thonj të ushqesh kruarjen,

shekujsh kushdikur,

hartën la nën dhé e dheu mbiu gur…

pëlhurën Penelopa!…

 

Ky fill i botës

nga boshti në bosht

herë gjysma -plot,

herë gjysma-bosh!

 

Bota prap në fill

prologun ka hapur në epilogun trill.

Fillin ka ngatërruar…

Amfib…

këmishën bren lëkura!

 

 

 

NGA LIBRI TOKAQIELL – BOTUAR NE 2014

 

 

BOTA NË EKUINOKS

A ndryshohet Bota me tinguj, me lutje,
pritje e pritje mëngjese-muzgje,
fjalët që ikin, mërgojnë tutje,
përulje në gjysmëgju,
në përthyerje shpirti,
në copëza,
në lot,
në….

A ndryshohet Bota me kaq shumë skërmitje,
me dallime të racave a të feve,
në bindjet ndryshe të ideve,
në ngjyrë lëkure,
në veshje,
krehje,
në…

A ndryshohet Bota me këtë realitet,
ku njeriu modern pafundësisht të rend,
në s’beso në shtet, s’beso në askënd.
Rrugëve bosh kërkon ëndrrën,
një dorë lart të ngren
tjetra të, shemb,
sa zbret,
ulëret
sa…

A ndryshohet Bota, kur murin ia vëmë vëllaut,
kur shkurre e hithra, ia ngjeshim traut,
ia hanë këmbën krishtit e allahut
në vend të fjalës së mirë
u ngopëm me aq keq,
dreqin engjëllojmë
engjëllin bëjmë
në dreq!
sa…

A ndryshohet Bota me këtë rrotullim,
Komete a Planet Lindje-Perëndim?!
Prej një trilli vijmë, shkojmë në tjetrin trill.
Fati ynë i lirë, si një lëmsh pa fill
Botës ia ngjesh lutjen o njeri
beso në një dritë
larg muzgut
të zi
ti…

Dielli kaqalosh, kur qielli luan mendsh,
ku një Hënë e brejtur si gjah qensh,
të kesh a të mos kesh:
Paç e dhënsh!
Të jesh a të mos jesh!
Qaj – qesh….
Fati fort
ngjesh,
sa…

Ku ta kërkojmë këtë ndryshim, njeri?!
Ndryshimi jam unë a jemi të dy.
Jeta, një fushë shahu:
Gjysmash bardhë e zi,
në cilin romb, unë,
në cilin romb, ti,
qielli ynë
ku rri
si…

Po ç’rëndësi ka Bota mbarë, nëse Bota jote,
ajo e vogla, e shtrenjta, sa dy globe,
ik një vit e rish të shpie
në motmote
oh, sa dhemb
sa plas kripe
e lotëve,
sa…

Kur të hidhurit lotë nga fëmijë jetima,
tjetri të zgjat duart e fal psherëtima
të verdhat helme, ç’prindër anonim,
ku pleqtë më jetimë se vetë fëmija.
Zhgaravitur jeta nga lindja
te pleqëria,
po njësoj
të dyja…

Si ta ndryshojmë botën o njeri.
Në një romb jam unë,
në tjetrin je ti…
Bota është shah
katrorësh
bardhë
e zi!

 

 

 

JEPI JETËS JETË

 

Kur durimi e pritja
thyhen në një pikë.
Kur akrepat puthaputhen në një pikë.
Kur vështrimet nis e kthehen
në një pikë.

Vër
një piketë:
Jepi jetës jetë
!

Kur lodhesh, sfilitesh e tretesh në një pikë,
kur vagëllohesh sysh e gjendesh në një pikë,
kur busulla e zemrës te rreh shigjetën në një pikë…

Vër
një piketë:
Jepi jetës jetë!

 

 

 

TRE E NJË E TRETA

 

Tri herë e nisa këtë poezi

e tri herë e lash pa mbaruar

se fundin e ngaterrova tri herë me fillimin!

 

Tre muaj ka secila stinë e vitit tokësor

në rrotullimin e diellit

në dymbëdhjetë shenjat e zoodiakut tre e nga tre…

 

Tre pjesë të globit tonë

janë e njëjta lëndë plotesuese e tri të tjerave

pa tëcilat kurrë s’do ishim këtu në vijim të mijëvjeçarit të tretë!

 

Para mijëvjeçarit tjetër

teknologjia do t’ia kalojë

tri herë vetes…

 

Sot, mrekullohemi prej kometës e lëvizim me shpejtesine e internetit,

por atëherë do lëvizim tri herë më shpejt

se drita në amfiteatrin e qiellit…

 

Mbi tre do të jetë numri i planetëve me jetë në galaktikat

tri herë më të largëta se e fundit e zbuluar,

ku njeriu, ose diçka e ngjashme me ne, këmbët do vër atje!

 

Stinët e atjeshme s’është e thënë

të kenë nga tre muaj

me zgjatjet e ditë-natës 24-orëshe…

 

Tri majat më të larta të botës së tashme

ka të ngjarë të lëshohen me ngulm të shuajne zjarret,

kurse deti do ngopet duke pirë veten e lindur Himalajën e Re

më të lartë se 8848 metra rrethuar nga tre dete!

 

Tri zemra rezervë do ketë për çdo njeri

dhe by-passi s’do kushtojë as tre euro!

 

Atëherë Ari nuk do jetë më i çmuari metal,

por tre të tjerë para tij do rrezatojnë magji humane…

Tri herë bota ‘ka shkuar’ në pikën më të lartë të vlimit

e tri herë ka shuar etjen e gjakut duke pirë veten!

 

Tre segmentet e ditë-natës janë po ato që kanë shekuj

që janë pa ndryshim…

Tre çaste kulmore ka jeta e secilit prej nesh…

ngjet që e ardhja e çastit të gabuar na bënë të mosqënë ose,ose!

 

Në gjithë këtë botë njerëzore një në tre gishta tregon,

një në tre këshillon, po një në tre gishta shan

sa tri fjalë të thëna tri herë pa matur!

 

E njëjta pyetje mund të ketë tre opsione

dhe pse nuk i pranon dy prej tyre…

Në shumë duar grushti ka vetëm tre gishta!

 

Në një garë tre të parët ngjiten në podium,

tre të fundit ikin…

tri stinë i duhet të presë pemës për të çelur përsëri lule,

për të pjekur frute, për të lëshuar gjethet!

 

Tre lloj oksigjeni,

tre lloj uji,

(tri gjendjë të tij në tre pjesët e globit!)

 

Tre ngjyra lëkure janë!…

ngjyra njerëzore është vetëm një!

Njerëzit pa fytyrë kanë tre surrate!

 

E botuar ne antologjine italiane IL FEDERICO,  2014

 

 

 

SILLPËSHTILLET

2014-02-07

 

Sillpështillet Bota,

nga e shkuara më sot e si përherë.

Mijëvjeçarësh njësoj, det e qiell

në çdo vit

në 365 a 366 ditënetë,

etur për dritë e diell.

Sillpështillet Atlantit,

Golfstrimit, Paqësorit.

E mbrujtur hemisferash,

mantelit, ekuatorit.

Tërheqshtyjnë Kontinentet, Polet,

rrymat, rrjedhat, enigmat.

Mijëvjeçarësh pa u mplakur

si Harku i Triumfit, Kulla Eifel,

Koloseu i Romës, Kopshti i Edenit,

Muri Kinez, Labirinthi i Kretes,

Faraonët në Piramida…

Sillpështillen fatet njerëzore ekstazash, adrenalinash.

Rrokaqiejte modernë, muret e qelqtë, avujt, tymi, smogu.

Sillpështillet Mesdheu, Lindja e tejkëndejme,

sizmikat, gufosjet, fundosjet,

krateret e tokës si një fletëpalosje.

Sillpështillen stinët ngatërruar kufijsh,

ku dimër pa dimër,

ku verë pa verë…

E tashmja me busull të brejtur,

udhëkryqet pa udhë, hanet pa derë.

Sillpështillen ngjyra, kontraste, paradokse.

Qiejt e shqyer, magnete polesh ku e ku të njëjta,

tabanesh të tredhura,

premtimesh të rrejshme,besimesh të shejta.

Sillpështillen drama, tragjikomedi,

balada, legjenda.

Tradita tribushë, veshje, me miliona rite,

sekte pa identitet, satanët gjashtëcepash.

Sillpështillen cektinat, lartësitë,

dremitur orientit, si puhizat, stuhitë

kahët e mprehtë vektorësh, segmentuar rolesh.

Sillpështillen lëmshit pa fill,

të Biblës, të Kuranit, në ungjill

të gjallët, të unshmit, të eturit.

Siglat, etiketat, emrat, thirrorët e shekullit,

kohërat e thyera qafën,

malet, akujt, shkëmbinjtë, tempujt.

Sillpështillen fallet rrugaçë,

numrat ngatërraqë,

kuboidet, zaret,

vegimet, agimet,

udhërrëfyesit, faret.

Sillpështillen retë si të zëna rob, nën grine e qiellit,

blicet, zig-zaket e rrufeve,

kur shkruajnë,

kur zhgaravisin,

kur lisat i bluajnë tenjat…

Sillpështillen flakë të verdha, të kaltra, të briskëta,

teheve të farkëtuara në pikën zero.

Sillpështillen pasqyra të fëlliqta,

akrepa orësh, ndërrime ditënetësh,

ultravioletash poroze.

Rrezeve alfa, beta,

gamat kanceroze.

Sillpështillen sfilata mode,

nudizmit abstrakt,

njëngjyrësh, i larmë.

Trillimi real, humanët me armë.

Sillpështillet arti me art, pa art,

e bukura, e çmuara,

e zhvlerësuara e vetes,

penele pikture, rima poetësh.

Sillpështillen miopë, hipermetropë,

njëqindfytyrësha pa pikë yndyre,

krokodilë, kameleonë, hijena

oktapodë, ciklopë.

Sillpështillen mjergullat që kacavaren shpateve,

pluskuar në ngerç,

monopateve.

Sillpështillen pluhurat,

baltat, llurbat, llavat, një zjarri

rrjedhat në dihatje, lahari

ererat, puhizat, tajfune, uragane.

Sillpështillen racat, bindjet, fetë,

huazimet, ADN – të,

retorikat e pacipa,

etikat pa grintë, idetë.

Sillpështillen zogjtë, gjethet, mendjet,

hamendësitë,

dredhitë, pabësitë,

foletë pa zogj, shtëpitë.

Sillpështillen sythët e fjetur e të këputshëm,

të përpirë bryma.

 

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s