Poezi nga Lumo Kolleshi

lumo

 

Poezi nga Lumo Kolleshi

 

 

DITË GRI

 

E dielë e zemëruar
Me qiellin,
Me tokën
Dhe brenda në shtëpi.
Ditë pushimi pa nerv,
Pa ngjyrë,
Pa aromë,
Ditë gri.
Shira të hipur mbi kuaj të egër
Vrundullojnë,
Turfullojnë,
Pengohen e rrëzohen mbi çati.
Dhe dritat që luajnë lojën fëminore ngriva-shkriva
E shpirti i Migjenit më vjen në qiri.

 

 

 

ERË E ÇMENDUR

 

Ditë pushimi është,
Veç era e marrë sot paska punën më të madhe.
I çmendi gjethet e rëna nga pemët,
Nga pemët që mbetën rrugëve lakuriq.
Nuk ka paqe për të mjerat,
Asnjë cep rruge s’u jep azil politik.
E kanë një brengë dhe pastrueset e qytetit,
Zënë diku ndonjë qoshe të mbrojtur,
Kalojnë me gjethet bashkë një ditë duarkryq.

 

 

 

***

 

Në udhëkryqe fryjnë erërat e luftës finale,
Armatimi i rëndë po ngre krifat mbi dhe,
Botën e shoh në rrokullisjen fatale
Krimba të zinj do ushqejmë të gjithë ne.

 

 

 

 

Kujtesë e trazuar

 

Pesë pranvera i bleruan pemët e lëndinat,
Pesë vjeshta i shkelën gjethet me këmbë të ndyta.
Para pesë vjetesh u lumturua bota për një pranverë arabe
E sot nje vjeshtë që kullon gjak.
Asadi mund të pijë verë në ndonjë klub nate me Putin,
Pse jo dhe Holondë,
Francës nuk i mbarohet shampanja.
Dhe Banki Mun mund ta trokasë me të një gotë,
Siç kanë pirë dikur me Kadaf,Mubarak e Sadam.
Veç popujt përfundojnë në proshutë e sallam.

 

 

 

***

 

Që të mos shkas në humbëtirë e ti të jesh e tëra valëzim,
Me ata qerpikë të prerë ia hiq thonjëzat trupit tim.
Dhe, kur kësaj grmatike nuk ke ç’t’i heqësh më,
Pasthirrmat nis tek perënditë e t’i lësh pa frymë e zë.

 

 

 

***

 

Ti kerkon skene dhe spektatore
Kur drame ka veç jeta jote.
Po te them sot e gjithmone:
Me qira e kane dhene veten fytyrat
Te maskat e ndyra te kesaj bote.

 

 

 

***

 

Pol Elyar,
M’u zhubrosen te gjitha fletet
Prej gjakut te derdhur rrugeve te barbarise,
Te kesaj bote qe mbi plehun e vet po fle.
Me thuaj,te lutem,
Ku ta shkruaj fjalen tende aq te dashur “Liberte”?

 

 

 

Botuesi i librave të mi…

 

Ështe i thjeshtë,
Nuk ka përfituar kurrë nga tenderat e shtetit,
Më thjeshtë, nuk di të vjedhë.
Kaq pra,
Mos u lodhni kot të gjeni titujt e mi në panair.
Lexomëni në harkun e pikëpyetjeve tuaja.

 

 

 

FOLMË, QOFTË DHE BUDALLËQE

 

Kur celulari më jep zile,
Zërin tënd e pres me gas,
Loti më përkripet syve,
Bëhem gati të të flas.

Sakaq shoh një tjetër emër,
Qëllon zemra me tokmak,
Më vjen një mendim i egër,
Celularin tej ta flak.

E shtyj në humnern pranë
Atë qyq mendim të zi,
Se do vijë sërish sinjal
E patjetër do jesh ti.

Folmë,qoftë dhe budallëqe,
Të dëgjoj veç zërin tënd,
Të më bjenë sytë në paqe,
Të më vijë zemra në vend.

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s