Poezi nga Nikollë Loka / Shkëputur nga vëllimi poetik ” Koha tjetër”

nikolle loka

 

Poezi nga Nikollë Loka

 

(Shkëputur nga vëllimi poetik ” Koha tjetër” )

 

 

Po të më shfaqesh

 

Po të më shfaqesh

si e nesërme,

do të bëhem e tashme

që të ndjek

nga pas…

Të shoh nga larg,

e të ngatërroj mes rrezesh,

deri në muzgun e pafat.

 

Në muzgun tim

je pasqyrë e skuqur,

në terrin që nxin

e të djeg.

E kuptoj

se akoma të ngatërroj

në mes rrezesh,

që vijnë

nga një tjetër diell.

 

 

 

Koha tjetër

 

Erdhe të më thuash

se fjala është e ajrtë

e nuk ka formë.

Premtimi është një lojë.

Se qeni dhe njeriu

janë njësoj.

Erdhe të më thuash:

koha të plak me hile,

dhe rrudhat në ballë

ti vë tinëzisht,

duke të thënë

fjalë dashurie.

Po më çon fjalë

hon më hon,

se koha rri ngushtë

në pulsin tënd.

Në eter

një kohë tjetër po vjen.

Koha jote

me një tjetër diell,

me një tjetër hënë.

 

 

 

Kalon lehtë nëpër mendje

 

Kalon lehtë nëpër mendje,

fllad pranvere.

Lule zojat në livadh

janë të ëmbëla për t’i parë,

plot mirësi dhe pa i prekur,

ta ruajnë shpirtin përmbi barë,

ta kthejnë jetën në ditë të bardhë,

të mbajnë gjallë dhe duke vdekur.

 

Kalon lehtë nëpër mendje,

fllad vere.

Në mirësinë që dita fsheh,

ku ta shohësh, ku ta prekësh!

Fllad i ëmbël fryn në mbrëmje.

Të ndjek pas një pëllumb i bardhë,

që rri fshehur pas një dere.

 

Kalon lehtë nëpër mendje

fllad vjeshte.

Aromë frutash mbledh me dorë

ndër kopshtije,

po i marr, po ku t’i lë,

më mirë në sy, apo në zemër,

syri flet dhe zemra fsheh.

 

Kalon lehtë nëpër mendje

fllad dimri,

frullizë bore nëpër flokë.

Po më flet

ëndërra pas dere:

Nuk bën ftohtë!

 

 

Era imazhin tënd lëvizte

Era imazhin tënd lëvizte,

e pashë, ndonëse isha larg,

rrezet e diellit kur të binin,

purpur të sillnin si dhuratë.

 

Ndjenjat në rreze dielli ktheheshin,

rrezet të pushonin mbi fytyrë,

më ngjau si perëndim ajo pasdite,

perëndim që ndizte çdo dëshirë.

 

Nga perëndimet jemi rrudhur,

dhe hënës i jemi lutur shpesh,

e skuqura jote e asaj dite,

një tjetër kohë solli në mes nesh.

 

Vetë koha ishte kthyer në rreze,

ma bënte ditën transparente.

M’u duk mëngjes ajo pasdite,

e pafaj era që frynte.

 

 

Magneti i shpirtit

 

Një dallgë e shpirtit tënd

u dogj me etje,

e ajo flakë

e bëri qiellin blu.

Jam kthyer në shkëmb

që pres dallgën tjetër,

ta shuaj pasionin

ose ai të më shuaj.

 

Në pasqyrën e kohës

ti blunë e qëndis,

nga shkëmbi im

ujë manushaqesh rrjedh,

dhe gjakun blu

që aq shpesh ma përmend,

ta ndjej

si të rrjedh nëpër dej.

Ajo kaltërsi

vendosur nën lëkurë,

zemrën ta mbyt në liqen.

 

Në shtatë burime

që dalin nga një gur,

shpirti im të përmend.

E qielli yt

mbeti veç një re,

magji e syve tu

një pasqyrë.

Shpirti im magnet

që të tërheq,

shpirti yt magnet

që veç më shtynë.

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s