Poezi nga Anila Kruti

anila Kruti

 

Poezi nga Anila Kruti

 

 

 

Kënga e mallit

 

Nga çatia e qiellit bien yjet,mbi duart e mia

dhe shpirti ngre krahët nëpër ajër.

Kraharorin e çliroj në qiell

ndërsa supet m`i mbulon kaltërsia.

Mbështes kokën në prehërin e një reje

dhe përhumb nëpër ëndrra.

Violina e erës nis melodinë e dashurisë.

Dua të më zërë gjumi,

e përjetësisht të vdes kështu…!

Teksa përlotem…

Kujtoj që ty,

të kam lënë me mall,

…diku…

 

 

 

Më merr malli

 

Rrokullis shpirtin poshtë,

në kurrizin e luginës së muzgut.

Qershitë i përkund era

dhe në duart e mia shkundin petale.

Toka ,ul në shtratin e ëndrrës,

të lagur njërin sy.

Vërshon rrëkeza e parë e shiut të pranveres

dhe pushton pyllin.

Mua më pushton malli për ty.

Më merr malli…

për stinët që drithërojnë në strehën e qiellit.

për udhët e kaltra të hënës që flenë diku.

për fshatin e legjendës.

Për lutjen e Marisë dhe të Krishtit.

Më merr malli…

Më merr malli…

Psherëtimë e dalë prej shpirtit.

 

 

 

Puthur nëpër qiell

 

Kryqëzoje vështrimin me sytë e mi të zjarrtë,

në tokën e premtuar të Olimpit.

Zbute zemërimin rrëshqitur gjijve të mi,

dhe puthmi ullinjtë e shpirtit.

Zeus…!

Unë jam frymë…

Fryma e kuqe e puthjeve të dashurisë.

Harku vezullues mbërthyer kraharorit tënd.

Toka mitike e Itakës

Buzëqeshja e agimit,

Perëndesha me dafine e natës.

Mbështillëm në oazin e syve të tu ,

çelur mbi buzët e tua,

unë shëndrij,diell.

Rrugëtimin e natës ta endim të dy.

Diku, puthur nëpër qiell.

 

 

 

Qielli s’pranon arna

 

Vaje yjesh tej ,

në mbrëmje trishtimi.

Copëza ëndrrash ti ,

gris dhimbshëm nga qielli.

Nën mollën time qëndisin

udhë dy vasha,ditë-nata.

Pikuar yjesh,

lotët nisën rrugëtimin e gjatë.

Erdhi ndarja…

Asgjë s΄qepet atje lart.

 

Qielli s’pranon arna.

 

 

 

Spiritus

 

Shpirt!

Fjalë e munguar e një shekull vetmie.

Mit i pathyeshëm i lindur vetëm për mua.

Prek gishtrinjsh një ëndërr që qan në legjendë,

tek humbas dhe jetoj drithshëm dite pas dite.

Rritur shpirti im …

hardhive të kohës antike.

Rrënjëzuar madhërishëm në shtat perëndie.

Mbushur përplot me musht dashurie.

Pikuar buzëve të tua,

shtrydhe shpirtin tim dhe …Pije!

Dehu pafundësisht…

ZEUS,

Zot i kohës sime!

Shkëlqim i një dashurie që përvëlon,

dhe djeg …

dhe çmend në çdo epokë.

Jam brenda teje,

Aty!

Shpirtëruar përjetësisht,

tek Ti.

 

 

 

Letër pranvere

 

Me gishta uji mbi lëkurën e tokës,

Po të shkruaj një letër

që fund s’do të ketë mbi dhe.

Një letër pranvere,

për ty…

për dashurinë tënde.

Për atë që kërkove pa rreshtur në gjumë,

netëve dhe rrugës së hënës.

Do të shkruaj për ëndrrat e mbetura peng,

dritareve të qelqta mbi re.

Një letër pranvere të vetmen mbi dhe.

Për atë që ti derdhe shpirtin dhe ngrite,

legjendën nga gjumi.

E ngjalle Rozafën nga dhimbja e muri.

Pikuar në ëndrra të bardha qumështi.

Një letër për ty miku im!

Që malet ulen e fushat regëtijnë.

Që pjergullat lotojnë e çmenden lule qershitë.

Nje letër pranvere,

që qajnë dashuritë.

 

 

 

Ç`kam kështu?!

 

Pse më duket sikur qielli derdh,

gjithë bukurinë e tij mbi mua?!

Pse më ka mbirë bari

në sy,

në duar?!

Ja, edhe burimet

burojnë tek unë.

Edhe hëna më është harkuar,

në kraharor.

Më vjen të qaj…

Ç`kam kështu?!

Jam dehur!

 

 

 

Muzgjet blu

 

Rrotull kujtimeve të fëmijërisë,

zgjohen muzgjet blu.

Mbi lule qershie të dëborta,

hëna hollake tret kurmin.

Festat pagane trokasin lehtë mbi dritare.

Është dhjetor.

Tymi i oxhakut më thurr rrugëtimin ,

në horizontin e vjetër të shtëpisë.

Atje,janë ullinjtë me rrënjët në kohën time .

Unë,midis krahëve të nënës

pikturuar me një yll të kuq në shpirt për Krishtlindje.

Dua të fle mes botës së bardhë të krahëve të saj,

me një ninullë që më humb lashtësive.

 

 

 

Dashurisë

 

Më ke thënë se drurët qajnë mbështetur,

Në shpatullat e tokës.

…qajnë si fëmijë.

Sidomos kur i mbështjellë malli i pranverës.

Më ke thënë se malli thyen krahët e tyre,

Ah,malli i erës!

Më ke thënë se drurët derdhin lotë shiu,

Pastaj përqafohen me ylberët tej në horizont.

…dhe rrisin ëndrra të reja gjelbërimesh nëpër kohë.

Dashuri!

Vajtim drurësh.

Je e gjitha një lot…!

 

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s