LOTË TË MUNGUARA / Cikël poetik nga Mimoza Çekiçi Rista

Mimoza cekici rista

 

Cikël poetik nga Mimoza Çekiçi Rista

 

 

LOTË TË MUNGUARA

 

 

DHIMBJE DHJETORI

 

Të premten, më 17 dhjetor,

im atë dorëzoi frymën dhe iku,

menteshat e qiellit u çanë si me dorë,

gjithësia ca yje i fiku.

 

Po loti i nënës dhe faqja e gjolit,

i ngritën ca dallgë dëshpërimi,

po ikte ai që mbolli,

vetëm ca lule gëzimi.

 

Tim atë të tërë e deshën,

jo thjesht se ka qenë ati im,

tek fjala e tij ndiznin buzëqeshjen,

dhe lagjja kish tjetër shkëlqim.

 

Ma theu çdo brinjë të shpirtit,

ma shoi brenda meje çdo zjarr,

për të lotë derdhi dhe Krishti,

përkulur i heshtur mbi varr.

 

Im atë ish një ëndërr e prekshme,

I shndërruar tashmë në qiri,

e ndez si përshpirtje në heshtje

dhe shihem me të gjatë në sy…

 

 

 

ATIT TIM …!

 

Një jetë të tërë qe i pasur

i varfër qe  krejt një jetë

në shpirt kish xhevahire

dhe pse nuk kish lekë në kuletë.

 

Brazduar ballin me  rrudha ,

nga hallet dhe  nga fëmijët,

por kur shfaqej ai tek udha,

edhe muzgun e  bënte dritë.

 

Ca valëza të lehta liqeni

përherë e ndiqnin nga pas

dhe unë gëzimi i tij

që qeshja e tëra me  gas.

 

Gjithshka e tregonte aq bukur,

me shpirt tregonte, me zemër,

prandaj edhe vetë liqeni,

i fliste shpesh me emër.

.

I thjeshtë qe  me të gjithë ,

i afërt qe  me çdokënd,

bujar sa të bënte të pasur ,

i mënçur sa të bënte me mend.

 

Ti ke qenë mik me tim atë,

të printe shpesh e mbara,

e hiqte zemrën nga gjoksi,

dhuratë ta vinte përpara.

 

Përherë në mendje më mbetesh,

me buzët e tua mbi gotë,

ti kujtim që kurrë s’do më tretesh,

modeli im te kjo  botë…

 

 

 

BABAI  

 

Sa vite iken i shtrenjti im? U bënë tre,

Që rrugët s’e ndejnë më bastunin tënd

Unë iki, kthehem e prapë bëhem re

Ta dije  kjo ndarje baba sa më dhemb.

 

Do vij çdo dhjetor nga malli zhuritur

Më mat me bastunin, më shaj si di ti

Më thuaj ku ishe moj bijë të kam pritur

Pastaj le të mbushim nga një kupë raki.

 

E di merakun e nënës, për lodhjen tënde

Dhe fshehur prej saj ti do pish një të dytë

Nënës do t’i them :-Lëre të pijë se ka ëndje

Dhe qiej shira-diej do m’kthehen tek sytë.

 

Eh baba, ti qenke zbardhur  më shumë

Tre vite të gjata që ty s’të kam parë

Ajo që kam qënë nuk jam më as unë

Vargje me vete pëshpërit si e shkarë.

 

Në çdo dhjetor do vij këtu përmbi varr

Do t’u lutem të më lënë vetëm të gjithë

Aty pranë teje do mbushet ajri me vaj

Sa drurët nga vargjet të kthehen në shpirtra.

 

 

 

TESPIET

 

Më kishin dalë nga mendja krejt

Tespiet e vjetra të tim eti

Nga lotët  e mi tradhëtohem shpejt

Dhe dora e  ngrirë mbi to më mbeti.

 

U bënë kaq vjet që s’i ka prekur

Si pika te zverdhëta heshtin këtu

Si sytë e atit tim të vdekur

Që zbret shpeshherë nga qielli blu.

 

Me to, neper gishta  ç’numëronte vallë?

Tek   i përcillte si zare në duar ?

Ah, rruazë më rruazë kujtimin ia ngjall

Baba ç’më dhe një fat kaq të trishtuar.

 

I përkëdhel më duken si një arje

Muzikë që kullon veç ar

Në çdo tespije shoh duart e tim ati,

Një psherëtimë kristali, si qelibar.

 

Më patën dalë nga mëndja krejt

Këto tespie lënë nga babai

Shpesh her’ me to vjen e më flet

E zhytem  në kujtime qesh e qaj.

 

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s