Shtëpia Botuese “ADA” publikon vëllimin poetik “Intuitë e bluar gruaje” të autores Liliana Shkodrani (Baçi) me prathënie të autorit Petrit Ruka.

 

12346495_10206777422386850_3435355408527265312_n

 

Shtëpia Botuese “ADA” publikon vëllimin poetik “Intuitë e bluar gruaje” të autores Liliana Shkodrani (Baçi) me prathënie të autorit Petrit Ruka. 

 

 

Titulli i librit: Intuitë e bluar gruaje

Autore: Liliana Shkodrani (Baçi)

Redaktore : Irena Dono

Kopertina : Blond Shkodrani

Realizimi artstik i kopertinës : Genc Shkodrani

 

Botues : Roland Lushi

 

Formati : 18×13

ISBN : 978-9928-204-43-1

 

 

Roland-Lushi

Roland Lushi

 

Botimet ADA

Shtëpia Botuese “ADA”

Adresa : Rr. Nasi Pavllo, Nr. 20

Cel : 068 22 190 16

Tiranë, dhjetor 2015

 

 

KOHA E SAJ ËSHTË PJEKUR…

 

Mbresa për librin poetik “Intuitë e bluar gruaje” të Liliana Shkodranit (Baçit).

 

 

petrit ruka

Parathënie nga Petrit Ruka

 

Duket sikur luginës së Vjosës nuk do t’i shteren kurrë poetët … Zakonisht në numër më shumë burra. Po kësaj radhe, si për të ndrequr delikatesën e saj me këtë parregullsi, nga kjo hapësirë vjen një grua. Ka pritur gjatë, me drojën që kanë gratë e mençura për të marrë “radhën e këngës” në këto treva, ku në të gjitha “dasmat” merret leje për të kënduar dhe, tani që është bindur, e ka kërkuar hapur vendin e vet pa kurrfarë kompleksi modestie:

“Lini hapur portën,

Të hyjë koha ime

Hija i është pjekur.

 

Para se të kthehet drita,

Që verbon dyshimet

Se në parajsë strehohen gëzimet…”

 

(Nga poezia “Lini hapur portën!”)

Sa bukur! Jo vetëm që koha e saj është pjekur, por asaj i është pjekur edhe hija, (e kohës) duke ndenjur “në hije”.

Poetja që kërkon “të marrë radhën e këngës” quhet Liliana Shkodrani (Baçi), një bijë e Tepelenës për nga nëna dhe përmetare nga i ati. Po vjen me librin e saj të parë, duke patur durimin e bekuar të presë gjatë e gjatë, edhe pse ka shkruar e botuar tek-tuk qysh në rininë e saj të hershme, aty nga mesi i viteve ‘80.

Ka zgjedhur një moshë të artë për të botuar librin e saj të parë, një moshë që vështirë se mund të përcaktohet më mirë se sa e bën ajo për veten e saj me dy vargje befasuese si këto më poshtë:

 

“Mbaj mbi shpinë gruaje

kofinat e vjeljes së sharmit”.

 

Por kjo është vetëm mosha e saj e botimit, nëse mund të gjenim një term të tillë, ndërsa si moshë të poezisë ajo nuk harron të na i kujtojë vetë gjithë finesë:

“Jam ende një fëmijë,

që vizatoj rrudha mbi faqe…”

 

Ndonjëherë, me pak shembuj të spikatur, një libër mund të flasë vetë pa patur nevojën e askujt që t’i bëjë “kortezinë” e prezantimit, edhe pse zakoni e do, që një libri dikush t’i thotë i pari: mirë se erdhe!

Rasti më ra mua dhe, veç gëzimit për poezinë e saj të bukur, të thellë dhe mjaft origjinale, më shtohet edhe tjetri, që ajo vjen prej viseve të mia të dashura.

Në poezinë e Lilianës të godet befasia e një këndvështrimi krejt vetjak, paksa “i çuditshëm” në gjuhë e në mjetet poetike që përdor, ajo “çudi” e domosdoshme artistike, që duhet të ketë një krijues ndryshe nga tjetri dhe që përbën tharmin e vet artistik. Dallimi nuk ndodh në tematikën e poezive, po më shumë në thelbin e tyre, në ngjizjen dhe shpirtin që u jep me ndjenjat dhe fjalët krejt vetanake po atyre ndjenjave që ka çdo zemër njeriu në këtë botë.

 

 

Liliana Shkodrani Baci

Liliana Shkodrani (Baçi)

 

Liliana shkruan për gjërat e saj dhe larg pozave stereotipe të poezive gjoja të mëdha, patriotike, moraleve të përsëritura, bërtitjeve. Sepse për të kjo lloj udhe, këto “stola”, ku ulen dhe pushojnë të gjithë, ajo nuk i pëlqen dhe, siç e thotë diku, kjo lloj toke nuk e josh fare. Ose e thënë krejt poetikisht:

 

“S’është lulishte për nuhatjen time”.

Më shumë se sa realiteti që shihet me sy të lirë, poezia e saj është një poezi që vështron së brendshmi, e prirur më shumë prej ëndërrimit dhe meditimit se sa jetës së gjallë, rutinës së përditshme. Ashtu siç ngjan gjithmonë me poezinë e vërtetë, që vjen më shumë prej zemrës se sa prej mendjes. Aty lindin sythat e poezisë së saj:

“Kjo frymëmarrje, kjo liri gëzimi

më ngatërron në sythet brenda vetes.

Po sythet duhen përkëdhelur,

E unë s’kam rreth meje tokë për t’i mbjellë”.

 

Dhe për më tepër me të drejtën që kjo poezi vjen nga zemra e një gruaje, ku siç thotë ajo:

“Krihen fantazitë në mistere ëndrrash,

të ngopura me shtime mungesash”.

 

Sepse me poezinë e saj, Liliana kërkon të vërtetën e mistershme brenda, thellë shpirtit, aty ku dikur në rini:

“Puthjet ishin e kuqja në peizazhin tim rinor”.

 

E më vonë si grua vijnë peizazhe të tjera shpirtërore:

 

“Lënda e parë e anktheve të mia,

është shpresë e lundrimeve në ujëra të hutuara”.

 

Derisa një ditë e ndjen se si nënë, tashmë gruaja brenda saj është bërë një institucion, por një institucion drithërues, që nuk ze dot vend njëherë e mirë në tokën e paqes deri sa të vdesë:

“Kështu u formua institucioni grua

Me frikë të brishtë e intuitë të bluar”.

 

Rrallëherë në poezi mund të gjesh të vërteta kaq të bukura, rrallëherë gjen që një poezi të jetë e tëra prej gruaje dhe ku stinët femërore të vijnë kaq mrekullisht të vizatuara; në rini me “peizazhe krejt të kuqe puthjesh”, si grua “shpresë e lundrimeve në ujëra të hutuara” e si nënë “me frikë të brishtë e intuitë të bluar”. Një poezi e kursyer në fjalë, metaforike, e sinqertë deri në befasi, e ngrohtë dhe e dhembshur,

“Për mua janë diamante orët që natës i paraprijnë

kur mbërthej pizhamet e dridhen pafajësitë.

Mbyll në kyç ditën e shpirtin, dorëzoj në pëqi të fantazisë.

Gjaku thith ajër aventure

unë i lutem t’më strehojë sekrete.

S’dua t’më dëgjojnë se si rinovohen brenda mureve

ca ëndrra të ndaluara.”

( “Ç’shkëlqim kanë ato orë!”)

Solla me dëshirë mbase shumë shembuj, “i frikësuar” se fjalët e mia mund të mos besoheshin në këto kohë kaq inflacioniste për peshën e humbur të fjalës. Desha të sillja “prova” përmes vargjesh, që të besohesha e të gëzonit prej tyre.

Çfarë të mbetet tjetër kur takon një poezi dhe një poeteshë të tillë, veçse të gëzosh, të gëzosh dhe përsëri të gëzosh.

Unë sapo të lexova, ndër të parët, Liliana!…

Mirë se erdhe “tepelen’-sja ime!

 

 

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s