Poezi nga Lida Lazaj

lida portret

Poezi nga Lida Lazaj

 

 

Dimëroj me miq

 

Pishëz` e vogël zë brymë mbi qerpik
Kupa e qiellit përmbysur mbi male
Nga vargjet zbret bohemi Reshpja
Dhe ndajmë bashkë vetminë e madhe

Me slitën plot vjersha e bar nga stepa
Kitarë e vodka, lavire e horra
Dhe vet i çartur poezie
Përmes të bardhave mështekna
Më qaset pranë e më shprush malle
Eh, vagabondi Esenin

Qielli shkund dimër, yje kristale
Qerpiku i pishës llamburit.

 

 

 

Përditshmëri

 

Unë – në treg
Ti – në treg
Unë – blej
Ti – shet
Unë blej bëzhdilat, që shenjtëron ti
përtyp paksa, mandej i vjell.

Unë në darkë, në shtëpi
në shtëpi dhe ti, Gobsek,
ti mataron pronat dhe llogaritë.
unë, për të mos vdekur prej urisë
ha libra dhe ndez qirinjtë.

Heronjtë sot, vdesin prej bulimisë.

 

 

 

Akuarel

 

Përkundruall
ecin një burrë dhe një grua.

Shkëndijuan vështrimet.

Pemët u përshkënditën si llampadarë.

Supet e burrit
që mbanin mbi gjysmëshekulli jetë dhe hijeshi Apolloni
nisën të këndonin.

Shpina e gruas si Venerë
nisi të qeshte.

Nuk u përshëndetën,
vetë heshtja foli.

Të dy dikur
kishin kafshuar një mollë qershori.

Pakëz më tej marrokja e lagjes bëlbëliste
(thonë që dashuroi fort e u çmend)
e thithte cigaren me eks.

 

 

 

Një ditë si kjo

 

Sot
duhet t`a zbrazësh kokën
siç zbras prej kusisë supën bajate
dhe ta mbushësh me ajër të ngrohur dhjetori.

Me asgjë tjetër,
që të çorienton fluturimin e lirë,
si p.sh njoftimet e observatorëve për ngrohjen globale.

dhe lëshojë të shkojë, ku të shkojë
bëje një çmenduri të vogël .

Sot është mëkat
të mos mëkatosh pak.

 

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s