GRISHJE PËR NDËRGJEGJËSIM – Muhamet HALILI : DJERSA E GURIT (Tregime), Shtëpia Botuese “BEQIR MUSLIU” 2015 / Nga Sarë Gjergji

GRISHJE PËR NDËRGJEGJËSIM

 

Muhamet HALILI – DJERSA E GURIT  (Tregime), Shtëpia Botuese “BEQIR MUSLIU” 2015

 

 

Sare Gjergji

Nga Sarë Gjergji

 
Libri Djersa e gurit, i autorit Muhamet Halili, përmban 22 tregime të sistemuara në tre cikle.
Lëndën për tregimet e përfshira në këtë libër, Muhamet Halili, në të shumtën e rasteve, e huajti nga realiteti konkret i jetës sonë. Autori, duke hetuar e trajtuar momente më karakteristike, kryesisht të periudhës së pasluftës, dëshmohet jo vetëm një vrojtues i mirë i këtij realiteti, por edhe një mjeshtër i mirë i të rrëfyerit. Halili është i kursyer në shprehje dhe përpiqet të rrëfejë e shpërfaq në mënyrë krejt origjinale e me një art të arrirë, vetëm esencialen e ngjarjeve dhe temave që shtjellon.
Në këto tregime, reflektohet një botë e vrazhdë, e egër, e pamoralshme, e arealit tonë gjeografik e shpirtëror, por e pasur artistikisht, me një intensitet, thellësi e mprehtësi të kënaqshme mendimi e me një shprehje lakonike.
Në këtë libër, gërshetohen e ironizohen çështje të ndryshme e ngjarje të jetës sonë të përditshme, duke filluar nga ato familjare deri tek ato shoqërore, me të gjitha përmasat e dimensionet e mundshme kulturore, sociale, ekonomike, politike etj.
Shtruarja e çështjeve, e temave që prek e trajton në këto tregime autori, vjen natyrshëm dhe zëshëm grishin e nxisin ndërgjegjen tonë për reflektim.
Kushdo që e njeh ambientin tonë rural nga e kaluara (botëkuptimin për çështje të caktuara), fuqishëm do ta ndjejë dramën jetësore të gruas shqiptare në tregimin Tehu i sëpatës, me të cilin dhe hapet libri. Atmosfera jepet e tillë sa do shohim tablo të gjalla e do fitohet përshtypja se i njohim personazhet. Të lehurat e qenit e fërfëllima e erës që rrapëllonte gjerat nëpër oborr paralajmërojnë kobin, gjëmën, por edhe nxisin për vigjilencë. Në kontekst të kësaj atmosfere mbytëse, simbolika e tehut të sëpatës del të jetë e qëlluar, funksionale dhe mjaft mbresëlënëse, duke ngjallur një varg asociacionesh ideo-estetike tek lexuesi.
Por, drama e gruas, që në fakt këtu është drama e familjes, është temë preokupimi e autorit gati në të gjitha tregimet e këtij libri. Hë për hë, dallohet edhe tregimi Kokëkashta, që sipas mendimit tim, është ndër tregimet më të realizuara artistikisht. Gjuha e tregimit është tejet poetike dhe e fuqishme. Ka një ritëm dhe një elegancë e butësi, finesë prej poezie, edhe përkundër faktit se jeta e dy personazheve të tregimit është një dramë e vërtetë dhimbjeje e vuajtjeje.
Po tregimi Djersa e gurit, që është dhe titulli i veprës?
Do hesht dhe nuk do bëj asnjë koment. Vetëm se ju sugjeroj, që gjithsesi ta lexoni për ta kuptuar edhe më jetën e njeriut tonë.
Autori Muhamet Halili, e sjell bukur atë; të kundruar nga aspekte e anë të ndryshme, me një gjuhë, e përsëris, mjaft poetike, në sinor me poezinë.
Detajet e jetës në ambientin tonë, të trajtuara në vepër, duke prekur plagë të përditshmërisë sonë (plagë, këto, që janë të shumta), bartin dhe mesazhe të fuqishme. Autori futet kudo, në çdo skutë e qoshe të jetës sonë; edhe në vrimën e miut alpinist në soliter (soliteri, ndërkaq këtu shpreh identitet, është emblemë e Gjilanit); qëmton edhe në shtratin e politikanëve dashnorë e aventurierë, të politikanëve të profileve e niveleve të ndryshme, gjer tek ai i presidentit. Mbi ta rëndon pesha dhe gjëma e madhe e mëkatit, por që, për çudi, asnjëherë nuk i shohim të penduar për veprimet e tyre, çka bën, që personazhet të dalin lakuriq, pa maska, të shpërfytyruar e të deformuar shpirtërisht, të tillë çfarë janë në realitet.
E kotë dhe pas asnjë vlerë është diploma universitare dhe përgatitja profesionale, po nuk pate një gjoks të bukur (Gjoksi i mallkuar), po nuk pate një të fortë në parti, po nuk korruptove një politikan; ndodh të vdesësh duke pritur në radhë për të marrë pensionin e të vetëvritesh për faj të një reklame në televizion, që del të jetë zhgënjyese, sikundër dhe dekonspiruese e prapaskenave të matrapazëve pushtetarë, që kur vjen koha e zgjedhjeve dinë të jenë servil, të përjargen e të krekosen në mënyrën më idiotike të mundshme. Sa pa takt e për keqardhje dalin “të mëdhenjtë e të fuqishmit e popullit”: A e dini që edhe politikani dikur ka qenë njeri, shprehet narratori në tregimin Nëse keni durim. Autori, si një hulumtues i vazhdueshëm i dukurive e çështjeve të ndryshme, ua çjerrë plotësisht maskën klaneve politike tek ne. Kështu, portretizimi i personazheve në situata të caktuara është i tillë sa ne mund t’u vëmë dhe emra e mbiemra (të përveçëm), ndërkaq, me një ndërthurje mjeshtërore të temave, autori nuk përmbyll, por hapë dilema. Imagjinata dhe kërshëria e lexuesit fitojnë adrenalinë.
Por jo vetëm realiteti i ashpër e mizor, që vjen si pasojë e keqtrajtimeve politike, nëse më lejohet të shprehem kështu, pasqyrohet në veprën Djersa e gurit.
Objekt observimi e trajtimi në vepër është dhe tema e dashurisë, e një dashurie plot ndjesi, ngjyra e jetë, plot pasion e zjarr, por të shumtën e rasteve, të përjetuara në mungesë.
***
Në tregimet e Muhametit ka shumë dashuri për vendin e për njerëzit, e cila shpërfaqet përmes formave poetike origjinale. Ai, jo vetëm i rrëfen ngjarjet, por, për më tepër kërkon me ngulm ruajtjen dhe pacenueshmërinë e dinjitetit të njeriut, e lufton nëpërkëmbjen e tij. E të përballesh dhe ta luftosh të keqën sot dhe këtu, në ambientin tonë, do thotë të kesh guxim, të kesh parime e virtyte të larta njerëzore. I tillë më vjen autori M. Halili. në librin Djersa e gurit.
Tregimet e Muhamet Halilit, në pjesën më të madhe ruajnë në vete ato elemente që sot e karakterizojnë zhvillimin e kësaj gjinie letrare tek ne, me një tendencë kapërcimi të këtyre zhvillimeve.

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s