Poezi nga Adem Zaplluzha

adem

Poezi nga Adem Zaplluzha

 

 

 

SI DELET E KALTRA LODROJNË METEORËT

 

Mbi krahët e një fluture një varkë e bardhë
Rrëshqet nëpër sfondin e kujtesës
Nëpër flokët e xixëllonjave kullosin yjet
Në pasqyrën e detit
Hëna i krehë flokët e thinjura të natës

Si delet e kaltra lodrojnë meteorët
E disa edhe derdhen
Mbi syprinën e brymtë të tokës
Këto imazhe fantazmagorike
Errësira i përcjellë me xhelozi

Përtej Urës së Gurit të dashuruarit
Bredhin si zogjtë e ikur të natës
Me ujin e ftohtë të Lumëbardhit
Pastruesit e rrugëve
I lajnë mëkatet e përqafimeve të vjedhura

Veç ka zënë e nga flokët e kalasë
Zgjohet një mëngjes i shprishur
Këtu gjërat përherë fillojnë nga e para
Në kishën e Shën Mërisë kungohen lulet
E nga Xhamia e Flamurit zbresin engjëjt

 

2.

Zbresin dhe ecin nëpër rrugët e shirave
Ecin deri në takim me ëndrrën
Pranë honit të mallkuar
Djajtë me qindra vite lozin
Një valle të lashtë të errësirës

Në oborrin kundruall kambanores
Një qukapik i verbër
Çmendurisht çukit
Nëpër zgërbonjat e drurëve të mykur
Në shpirtin e dërmuar të barit
Fshikullon një acar i padukshëm

Mbrëmë nuk u hapën portat
Më duket se trokitja zgjati
Njëqind vjet
Dhe asnjë dritare në sfond
Nuk dukej se po hapet

E shirat e kaltra
Kurrsesi të ndalen
Zbresin nga një shteg i ngushtë
Zbresin si lotët e nuseve
Kur lusin Hyjin
Për kthimin e burrave nga lufta.

 

 

 

ZËRI I LARGËT I SHIUT

Miqve të mi për festat e fund viti

 

Nuk janë më këndej pari
Ata që i njohëm dhe na njohën
Dhe ata që ranë për lirin e atdheut
Të gjithë u bënë përmendore

Vetëm hijet e mykura duken si bloza
E oxhakëve të rrënuar
Që mezi i përballojnë erërat surrealiste
Që çmendurisht frynë këndej pari

Në prag të një shtëpie dëgjohen
Lehjet e thata të qenve endacak
Askush tjetër
Me na i hapë dyert e mbyllura

Në fund të fshatit dëgjohet
Zëri i largët i shiut
Nga kjo gjëmë uturinë malet
Në sheshin e dëshmorëve qeshin përmendoret

Ky atdhe paska mbetur në duart e askujt
Hijet e zërave të lashta të shiut
Shndërrohen në metafora të kaltra
Çdo gjë këtu i përngjan qiellit të ngrysur.

 

 

 

SE DIKU NË RRUZULLIN E KËSAJ TOKE

 

Dhe më në fund
Ia zgjatëm dorën vetvetes
Gjërat na u dukën të thjeshta
Por disi na dolën të komplikuara

Nga malet e vdekura befasisht
Një ditë zbritën
Kalorësit e çmendur
Patkonjtë fshikullonin si rrufetë
Rrugëve vërshonin lumenjtë e helmuar

Ishin edhe kohërat kur derdheshin shirat
Ato të verdha
Të përziera me gjak të hidhur
Nëpër rrugët e boshatisura
Dukeshin vetëm njerëzit dhe qentë
Që nëpër damarët e tyre
Qarkullonte një lloj gjaku i papastër

U përngjanin marionetave
Në ndërgjegje i kishin qepur
Penjtë e pabesisë
Argatë të dehur nga urrejtja ndaj vetvetes
I kryenin punët më të pista
Që mund të kryej një njeri.

2.

Dhe kështu netët ngjanin
Me ato net të Bartolomeut
Jo që i dhunonin nuset dhe nënat
Por çnjerëzisht afroheshin
Kërmave të pelave të vrara

Askush nuk di
Se nga cili Ferr doli ky popull bastardësh
Çfarë faji pat një gjyshe
Që e çnderuan
Vetëm pse ishte shqiptare

Nën degët e mështeknës
Afër nëntëdhjetë vjet po qan një varr
As lastarët s’marrin frymë
Nga trishtimi i përjetuar
Drurët përreth nuk e ndalin vajin

Këtu netët kurrë nuk kanë fjetur
Me sy të zgurdulluara
I kanë përjetuar dhunimet
Po bëhet gati njëqind vjet
Prejse një popull i pafajshëm
I barti mbi kurriz poshtërimet më çnjerëzore.

3.

Gjyshja e mikut tim
Ishte një grua dhe nënë e madhe
E cila ua kalonte edhe zanave të malit
Tërë fëlliqësirat çnjerëzore
Dhe të palarat
Ua hodhi në fytyrë barbarëve

Ajo nënë e madhe
E cila meriton të ketë një përmendore
Doli në shesh
Dhe si trimëreshat e maleve tona
Rrëfeu për gjërat më të pista
Të një poshtërimi
Që se bënë asnjë egërsirë

Ajo nënë në varrin e së cilës
Për çdo natë
Duket një dritë inkandeshente
Është vula më bindëse
Se diku në rruzullin e kësaj toke
Jeton në popull i ngarkuar me shumë mëkate.

 

 

 

ECIM NJËRI ME TJETRIN

 

Si somnambul të përgjumur
Ecim njëri me tjetrin
Por jemi aq larg
Sa që nuk na takohen shikimet

Në anën time të djathtë
Me rrebesh bie një shi i zi
Kurse në anën tënde të majtë
Po ashtu shkëlqen një diell i portokalltë

Unë djersitem nga një vapë e pabesueshme
Kurse ti si një kallamboq
Qëndron e ngrirë
Midis asfaltit të përhitur

Por gjithsesi ecim njëri me tjetrin
Që një ditë të takohemi
Në ndonjë arkivol të verdhë
Te varret e stërgjyshërve.

 

 

 

DUKET SI NJË SPITAL GJIGAND

 

Qyteti im sa i afërt
Po aq edhe i largët nga njerëzit
Qytet mbeturinash të hedhura
Ku nuk ka vend
Ku të shkelësh nga qeskat
E mbushura me mbetje kundërmuese

Trotuareve u vjen erë naftalinë
Një palë sandale të harruara
Në mes të rrugës së asfaltuar
Mbase kanë pasur ndonjë aksident trafiku
Këto imazhe shihen në sytë e një nëne

Me një lloj uji të përpunuar
Zjarrfikësit pastrojnë asfaltin
Më tutje në rrugën Agim Ramadani
Një ndeshje e drejtpërdrejt zgërdhihet
Me shtyllën elektrike

Dy të moshuar kolliten si treni me avull
Dhe u liget shpirti
Nga këto pamje bizare
Me një tufë lulesh në dorë
Rrugës së qiparisave shkojnë deri te varret

Qyteti im besa edhe i juaji
Ku s’ke se ku të shkelësh
Prej shiringave
Duket si një spital gjigand
I cili shtrihet në shtratin e sëmurë të natës.

 

 

 

MBASE AS QË PATËM KOHË TË FLEMË

 

I luajtëm të gjitha lojërat
Që mund të lozen në litarin e akrobatit
Mbi kokat e mjegullave të hirta
Si uturima të trishtuara detesh
Dëgjoheshin krakëllimat e korbave

Gjumi na kishte ikur
Mbase as që patëm kohë të flemë
Fluturimet e metalta ishin aq të shpeshta
Sa që gjëmonte pamasë
Qielli i ngrysur dhe i pikëlluar i atdheut

Vinin nga jugu i largët
Mbi krih dhe në krah duralumini
I përngjanin lejlekëve të Mjedës
Që na i sillnin letrat e palexuara
Dhe arkivolet e mbyllura

Qielli i marsit të ngrysur
Dënestë mbi fushat e gjëra të Pollogut
Bujaria ishte aq e madhe
Sa që nuk mund të përshkruhet me asnjë fjalë
Nënat Tetovare gatuanin bukë me lot

Gatuanin edhe shpresën për kthim në atdhe
Duke na thënë
Lotët janë të tepërta
Ju jeni në atdheun e juaj të kahershëm
Edhe këtu vëllezër
Edhe në kohërat më të liga
Përkunden djepat.

 

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s