Poezi nga Lola Shehi

 

lola shehi

Poezi nga Lola Shehi

 

 

Sa mall paskam

 
Sa mall paskam sonte ksaj nate të heshtur, sa brenga e mall
Mall e dhimbje për një të vetëm tingull, për tëndin zë
Mbetur pas ndër fjalë përkëdhelje,ndër çaste grindje  e zënkash
Përlotur e thërras kujtimesh të trishta se s’mundem ta dëgjoj më

 

Në ktë natë të akullt Dhjetori, dua ti falem në gjunjë mëkatit tim
Se shpesh edhe kam thënë boll,mjaft` më lodhe me kaq shum` fjalë
Buza dridhet k’saj qetësie të mallkuar që pa mëshirë frymën më merr
Kjo heshtje e pafund që më mpak, më mpak e vret ashtu ngadalë

 

Tashmë,tashmë  s’ mundem të të dëgjoj hareshëm të qeshësh
Eh ta dish sa dhimbje ndjej ,eh ta dish sa shumë malli më ka marr
Të më thërrasësh në emër, të klithësh e klithmash të nxjerrësh dufin e shpirtit
Të dridhen muret si dikur, kur të dy grindeshim e ulërinim si të marrë

 

Tani ,si re e e ngarkuar stuhish, mbytem ndër oqeane lotësh
Të lexoj buzët , përkthej mundimshëm pëshpërimat pa zë
Më ndjek ai zë ëndërrash gënjeshtare,mbrapsh udhëtoj kohësh
Në ktë gënjeshtër të madhe pafundësisht,pafundësisht dua të flë…

Atë ditë Dhjetori, më kujtohet edhe qielli gjëmonte heshtur pa zë…

 

 

 

Kaq pak kërkoj..

 

Shpesh mëngjeseve, dua të ndjehem fëmijë
të mos e nxitoj zgjimin,
të rrokullisem nën çarçafë
t’i fërkoj sytë kur rrezja më vallzon mbi qerpikë
ndërsa një dorë magjike m’i ledhaton flokët derdhur në jastëk…
Ëmbël t’mi puthë sytë dhe unë si ëndërr të çohem,
të ndal para pasqyrës dhe flokët ti mpleks gërshet
t’i lidh bukur dy fjongo si dikur me  kordelet plot ngjyra
t’i flas gjithë naze pasqyrës, o krejt pa frikë ta pyes:
Hë, m’thuaj tani, kush është më e blertë unë apo natyra?!
Dhe të mos frikem aspak nga përgjigja e marrë,
të ndjehem e përkëdhelur, ashtu e vogël, e brishtë
T’i përthyej mbi pasqyrë krejt rrezet e arta të shpirtit

e thërrime ta bëj, nëse guxon e thotë:
Mjaft më, se je rritë!
Turivarur të kridhem sërish në krevat si fëmijë
t’i zhubros çarçafët, t’i rrotulloj derisa t’u merret mendja
rrëmujë t’i bëj sirtarët dhe veshjet që flenë brenda,
e askush t’mos më qortojë:
O fëmijë i keq që bën veç rrëmujë
Pastaj të vrapoj, të luaj kalldrëmesh me shoqet pa kufi
Dhe veç kur t’më grryej uria, gjithë potere të zbrazem në shtëpi,
s’po ju kërkoj asgjë të madhe,

thjesht dua të mbetem e vogël,
Jo s’dua të jem kjo që jam,
pse brenda, ndjehem thjesht fëmi!

 

 

 

Qiellit do t’i falem

 

Nëse s’mund të rri  pranë teje ,po iki larg

Stoli me vete po marr puthjen e harruar

Dhe lotët dhe brengat e shpirtit tim e tënd

Si kurorë bukurie mbi atë ballë të praruar

 

Po marr me vete një tufë nga flokët e tu

T’i mbaj në duar t’i përkëdhel e t’u marr er`

Dhe puthjet dhe prekjet që më drithërojnë

Drita e syve  tu ,t’më ndriçojë në të egrin terr

 

Mbi shpinë si hamall do marr gjithçka tënden

Si kalë i kërrusur do udhëtoj me brengat ngarkuar

Qiellit do t’i falem  nën hënë të plotë

Pse u dashurova me një” mollë të ndaluar”…

 

 

 

Një çast

 

Sa i gjatë ky çast, një jetë pafund
Kaq kohë, të flesh e të zgjohesh, me imazhin tënd
Vegimesh deliruar, në ëndërr të kam prekë
Të kam puthur, të kam kallur, të kam ndjerë…
Vrullshëm gjaku ka shpërthyer vena e damarë
Në ëndërr jemi dashur, jemi zënë, kemi qarë
Jemi ndezur e buzët si zambakët janë çelur…
na është ndalur frymëmarja nga dihatja e shpirtit
me duart që m’dridheshin, të përkëdhelja çdo qelizë
Jam ndezur e shuar, ëndrrave me ty jam endur…
Një çast, vetëm një çast, si shtojzavalle eja, shfaqmu,
ti ndjenja ime, shpirti im, Ti, dashuri e çmendur…
vetëm një çast, më shih drejt e në sy

më shih,pa le të shembet bota
Mijra yje nga qielli do të zbresin, ziliqarë duke të parë ty
Ti derdh mbi buzë, gjithë nektarin e ëndrrave,
le të digjen trupat tanë pa u prekur,
dhe jeta le ta ndalë frymën aty!

Një çast, vetëm një çast  eja shfaqmu
Dhe ky çast t’më bëhet, përjetësi

Se ëndërrat e mia mbajnë vetëm një emër

Ai emër …je Ti…

 

 

 

Burgosja e Shpirtit

 

Unë e di që ty, s’ta burgos kush shpirtin
as muret e larta, as telat, as qelitë
as rrebeshi, s’të ndryn dot brenda, asgjë,
madje ,madje as dashuria  s’mundet kurrsesi…
Edhe nëse bëhen bashkë të gjitha dashuritë!
ti përsëri, do të duash të jeshë i lirë,
nuk desha kurrë të të burgosja brenda meje
e di mirë, ty s’të mjafton një shpirt
Se ti lufton me ëndrrat, të mbetesh ëndërr ke dëshirë
E di edhe këtë e di,
ndoshta, nuk di asgjë, veç rrekem se e di
në mijra forma e kam imagjinuar profilin tënd
duke të vështruar ashtu, ashtu nga një frëngji
Një profil i ngrirë, që s’flet, me vështrim diku hedhur
Që më sheh përtej imagjinate… përtej dhimbjes më sheh
që më prek dhe unë ndjej…
që më buzëqesh dhe unë rrëzëllej…
që mvrenjtesh, dhe unë në çast ngrij…
Jo, unë s’di të ngre mure, as të krijoj rrethime
Pse përndryshe, as vetë s’do t’jem e lirë…
Desha të jem ëndërr, e ti kohë ëndërrash,
kjo ëndërr e lagur ,baltosur  në shi…
strukur nën frikë vetëtimash aty nën strehë
Nuk desha, kurrë nuk desha

nën atë strehë, i burgosur të jesh edhe ti!

 

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s