Poezi nga Xheladin A. Çitaku

 

Xheladin

Poezi nga Xheladin A. Çitaku

 

 

MENY CINIZMI

 

*
Shije të hidhura t`civilizimit hipokrit
dhuruar injorancës hipur n`piedestal
bisturinë futur ricopëzimesh n`shpirt
n`fije marionetash lidhur naivë vasal
*
N`zvarritje kërminjësh zhlyer dinjitetin
n`argatëri t`përbuzjes ngelur jetë e mot
n`maskime karnevalesh shesin marifetin
si gjyshërit n`të djeshmen edhe nipërit sot
*
Në fraqe e n`kollare stolisur dinakërinë
n`valle maskenballesh lozur mashtrimin
potpuri përkëdheljesh hedhur pelerinë
n`buzëqeshje cinizmi mveshur injorimin
*
Mbarsur titullëzime n`mendësi skllavërimi
të afishuar në ikona tepujsh të marrëzisë
çjerrje të orkestruara në simfoni mohimi
ngulmime të ankoruara në molin e fobisë
*
Shëmbëllime qytetërimesh n`çati tutorizmi
drithërima të mërdhezjes veshur si gunë
pjatash të zbrazta ushqehet manizmi
denjësinë hipnotisht të vënë në gjumë…

 

 

MADHËSHTI E STISUR
*

Në pjesë e pjesëza gjithnjë të shpërndarë
ngulitur dhe n`simbole, jo veç me një kokë
përgëzime e përvaje, në t`qeshur e në t`qarë
n`ca grumbuj t`padenjësh përdhosur përtokë
*

Përkëdhelur vetveten, stolisur n`vetmburrje
kënduar në këngë, nëpër kremte lartësuar
trollin ronitur dhe rrumbullosur në tkurrje
mendje t`eklipsur, n`harta dëshirash skicuar
*

Vërsulur trezorësh dhe sofrën rrëkëllyer
ndjenjë përkushtimi n`gllabërim t`pasosur
për ca pjata t`zbrazëta, nga bota të gënjyer
përbuzjen vringëlluar n`urrejtje t`pangopur
*

Tarafe squllësimi përngjitur piedestalesh
n`dë podiume t`nënshtrimit lëmin shtruar
gëlltitur përçmimet si ushujza moçalesh
zellshëm n`turpërime vullnetin skuthëruar
*

Veten tonë përndezur në doza t`ngazëllimit
të zhytur ndër ëndërrime përvjet e përmot
përkrah shtatoresh nxjerrë foto t`përdëllimit
dhe dremitur n`përgjumje, t`pakëndellur dot…

 

 

 

 

RRËSHQITJE
*

Rrëshqitur nxitimthi me marifet
nisur nga stani drejtë skemlisë
trastën mbushur përplotë bulmet
ca djath delesh e qumshtë të dhisë
*

N`sofrën me rrotëza ku bëhet pazari
ndonjë dhuratë rrjedhë gjithandej
sa që vetëtimthi mbushet hambari
nga firmë e hedhur në ndonjë koktej
*

Ndopak cikërrima që s`hyjnë në sy
rrjedhë rubineti vënë ndër trezorë
i njomim gurmazet, ti mua, unë ty
përcjellim fatin nga dora në dorë
*

Kupa të mbushura e meze përplotë
tringëllijnë kushtueshëm, hej gëzuar
trastë e këmborët nuk shqiten dot
edhe kur gunat janë shëndërruar
*

Ca marramendje në këto nxitime
se n`gjithë këtë vrull, i pamësuar
zbritur samarit, ngjitur n`blindime
grykën n`kollare keq kurthëruar…

 

 

 

DENJËSI E ZHLYER
*

Nxjerrë n`reklamime e n`performanca
n`rangime artistësh e titujsh t`vipizmit
n`skena zhurmërimi vërshon injoranca
përmbytur arti n`përdredhje t`nudizmit
*

Reflektorësh ndriçuar skena lakuriqësie
ndër skuta intimiteti kurmin ekspozuar
mbështjellë hipokrizinë n`vello paturpësie
shëndërruar kotësinë n`dhunti t`munguar
*

Ngarendur arealesh n`paterica çalë, çalë
n`majat e asgjësë përqëndruar ambicien
ngopur egoizmin ndër rrugash t`përdalë
n`vend të përkushtimit, kultivuar stisjen
*

Ngjyruar epshërimin n`vezullim t`pafre
lëbyrur shpirtërat n`shkëlqime zbrazëtie
servuar në tundime për mendjet gëdhe
defiluar neveritshëm n`ekrane marrëzie
*

Në kartëra me lulka stolisur titullëzime
rrëmbyer përndritjen n`fanare të shuar
mendje e ç`akorduar ngjitur në gradime
virtytin turpshëm ndër çengela gozhduar
*

Orgji xhuxhërimi në kalorës konvertuar
gremisur ëndërrimin ndër hone zezonash
graduatë kodoshizmi ndër mani eksituar
flatruar madhërishëm në flatra balonash…

 

 

 

LEQE FLATRIMIT
*

Vërshuar kopeisht mjeranë shekulli të ri
si mëllenjat në kërma gozhduar sqepin
orekse çmendurie t`stërngopin n`marrëzi
në joshje trupeshqësh ta gëlltisin grepin
*

Vërshuar kopeisht n`falanga t`utopizmit
si grerëzat n`kutërbime pangopjen ushqyer
shtigjesh flligësie n`lustrime t`narcisoizmit
shpirtëbjerrjen ekspozuar në damkë t`urryer
*

Vërshuar kopeisht n`përgjunje padronësh
stërkalash t`vrerësimit dinjitetin spërkatur
zëdhënës t`atavizmit në çjerrje megafonësh
n`ringjallje mumjesh n`lak kohësh ngulfatur
*

Vërshuar kopeisht thneglat në bubërrime
ngritur labirinthesh e guvash t`nëndheshme
hungërima hienash t`ngjirura n`hakërrime
n`ulërima therrëse të errësirës së mnershme
*

Vërshuar kopeisht ndër selishta t`virtytit
shpura marionetash të dresuar n`instikte
ndërdijen t`poltronuar, t`zënë dritat e syrit
lukuni t`patagër n`harbim thurin verdikte
*

Vërshuar kopeisht n`sajesa kurajimesh
togje amorfe ngjyrimesh t`kamuflosura
venduar n`piedestal kasnecë mjerimesh
deliruar shpirtëra opiumesh t`nakatosura…

 

 

 

SHTIGJE NJËKAHËSHE
*

Racë e shfrenuar quhet njerëzim
vetasgjësimin projekton zellshëm
e përndjek veten deri n`shkatërrim
mendjen e errët kultivon tmerrshëm
*

Ca janë të bardhë, të tjerë të zinj
ca thonë kanë besë, ca n`tjetër fe
ca shtyrë në moshë, të tjerë të rinj
rrebesh t`urrejtjes lëshojnë rrëke
*

Ca shijojnë jetën me plotë begati
n`luks sorollaten pa ves, pa halle
ca mezi mbahen t`zhytur n`uri
për një kothere mbyten n`zavalle
*

Ca duan një gjë, ca gjëra tjera
që t`i kenë n`sofra sipas oreksit
ca janë të etur, ca dehur nga vera
ca në tokë, ca n`krah t`kompleksit
*

Ca janë të fortë, ca kanë të drejtën
që rrokopujë përplasen n`këtë botë
ca lumturohen, ca mashtrojnë veten
t`mbuluar nga koha venë fare kot
*

Ngado që të vemi, ju bashk me ne
nëpër ngazëllime a në dëshprim
shtigjesh t`rrahura a përmbi re
vrullshëm do ikim në perëndim…

 

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s