Poezi nga Vullnet Mato
SHENJTORJA SHQIPTARE E MJERIMIT
Nuk kam besuar
thëniet e vjetra,
se shenjtorët
bënin çudira e mrekulli.
Bëmat e tyre
më dukeshin legjenda,
pa pasur fakte bindëse
për besueshmëri.
Kjo grua u ngrit
mbi lartësinë e vështrimit,
ku dielli rrezengrohës
shihet mbi tokë,
me shpirtin bamirës
të përkushtimit,
për vuajtjet njerëzore
që pikojnë lot.
Duke bërë që fatkeqët
pa shpresë shërimi
dhe zhelanët e braktisur
nga dashuria amtare,
të mbetur në rrugët
e botës së mjerimit,
ta quajnë veten bij,
të Nënë Terezës shqiptare.
Ajo ishte bindja,
me prova faktike,
se të bëhesh në botë
shenjtor i shërimit,
s’duhen përmasa,
apo fuqi magjike,
por një zëmër pulsimi
për njerëzimin…
Nënë Tereza lindur nga
dhimbjet e kombit tonë
arriti t’i shërojë dhimbjet
gjithë botës mbarë,
popullin e saj të vogël
bëri në shekuj ikonë,
t’i falet bota me nderim
emrit shqiptar..