Poezi nga Arqile Vasil Gjata

arqile

Poezi nga Arqile Vasil Gjata

 

 

DHIMBJA E MORTEVE

 

Dimri i asaj gruaje
ngjante si netët e shëndreut…
Nga dhimbja e morteve
mbetur në shkretëtirën e vetmis.

Anemike si pemë delikate, veshur në të zeza
lule e pa këputur
lotët e saja si petale binin mbi gjoksin e virgjër
mbetur e hijshme, e thinjur për një psherëtimë shpirti.

Shumë vite ndëshkuan veten
çdo ditë i ngjante sikur binte vetëm shi,
enigma zvarritej mbi një pikë loti
i shfaqet imazhi gjysmë-zhveshur në shtrat!

Si në një ëndërr të ëmbël
thërriti pa frikë, ta dëgjonte vetmia,
nga malli i vjetër
iu dridh dora mbi zemrën e fjetur.

Me shikimin e saj rrëzoj murin e padukshëm…
fluturuan pëllumbat, gurgulloi dhe lumi
një mëngjes, brenda jetës gjeti udhën
nëpër valë nanuriti si pulëbardhë,
erëmon dashurija me këmishën e bardhë
ndjeu bisedat dhe përkëdhelit e shtratit!

 

Fund Dhjetori-nga Ditari i viteve të shkuara
A&Gjata

 

 

 

FUND-VITI…
(nga shekulli i kaluar)

 

Aty nga fundi i vitit
një ditë e kuqe…
Dashuria jonë ishte tjetër gjë,
mos qesh,
ne ishim një çift poetik.
Me imagjinatën e çmendurisë,
u bëmë një me oshëtimën e detit.

Mbrëmjeve të vona kënduam,
jo vetëm një herë…
këngën-“Unë jam vagabond”
Me pas ndërtuam skenat prej rëre
dhe me diellin,
qe e kishim te ftuar në sy,
drekuam bashkë…

…Sot,dje dhe nesër
jeton një miqësi e bukur,
të cilën nuk e turbulloj me kujtime dhimbjeprurëse,
sepse,
çdo dashuri e ka një humnerë…

Thellë shpirtit,
në ditarin ku ngjyrat nuk veniten,
ruaj ditët e kuqe,
ashtu
të bukura,
ndjenjazgjuese,
ndërsa vijnë të heshtura
me hap të hijshëm.

Gëzuar për gjithçka që brenda nesh,
s’ndahet kurrë
prej atyre ditëve !

 

Nga ditari i viteve të shkuara

A&Gjata

 

 

 

KISHTE HARUAR TË PUTHTE

 

Si kujtim nga heshtja e gjatë,
një bebëzë syri
shumë vite e lënë vetëm
kishte haruar të puthte…

Lidhur shpirtin si zog pa pëndë
puthja e saj mbetur në harresë,
tani që vetja u ngrit në këmbë
kërkonë me mall…
me shpirt rreze drite
gjethet e pemëve t’i krijojnë melodi.

Buzët e saj të lengta
nga vitet e humbura nuk din të puthin,
si shëmbëlltyrë bëlbëzojnë shënjtorin pa hije
që ia dhuroi më parë me etje
puthjen e fjetur të dashurisë…

 

Nga ditari i jetës

Nga A&Gjata.

 

 

 

SHOKU IM…(ose vetvetja)

 

Shoku im,
rri ulur mbi shkëmbin e viteve,
zhytur në sfondin pa fund të mërgimit
ngjyrosur me buzëqeshje të shuara,
të shumë miqve nëpër mjegull
dhe si mijëra të pagjumë
jeton në heshtje…

Në netë pa yje,
ecën rrugës me qirinj të ndezur,
teksa lumenjtë e pemët
lozin sipas dëshirës.
Këngën e tyre nis të shoqërojë Ai.
Më pas, i mbetur pa zë,
“i dërgon Asaj një letër malli,
shkruar me pika shiu”!
Pikat,
të freskëta ia mbajnë vargjet,
dhe Ai, ashtu të gjalla, Asaj ia dhuron.

Shpesh, vetvetja…
me flokët e shpupurishura
e kthyer befasisht në vargje,
lexohet e lodhur prej frymës së kohës.

Në gjumë dikush i lexon vargjet,
dikush tjetër ia ha për mbijetesë,
po vargjet s’kanë fund
dhe në to mbetet,
qoftë dhe si fill i hollë,
gjithmonë një shpresë.

Nuk e dini?
Dhe shoku im i lënë zhveshur
ushqehet me dritën e shpresës.
Kërkon të rrojë në gjelbërim,
mbi lëndinën e jetës me shumë shi,
ndaj hap qiellin
dhe sheh
që është koha të jetojë me erërat!
Me to vjen zëri i tij :
“ Sigurisht që do të bjerë shi,
e mes shiut do të takohemi sërish.
Nesër, nëpër shi,
ne do të takohemi përsëri!”
 

 

A&Gjata

 

 

 

KUR VIZATOVA NJË FLUTUR

Ishte koha kur skicova një flutur,
ishin ditë kur përtej heshtjes,
vizatohej vetë dashuria.

Ishte kohë që e desha aq shumë!

Nga flladitja e ajrit,
freskuar maleve,
vinte përherë gëzueshëm,
ditëlindja e dashurisë,
Vetmia nuk mbetej e çngjyrosur.
E ngjyrtë
më vjen dhe sot,
jehona e fjalës së lakmuar:
-Të dua!

Buzëve kishim këngën magjepsëse,
muzika na përhapej në fytyrë.
Ishim gjithmonë fare pranë,
brenda njeritjetrit.

Notoja i zhytur në detin e asaj gruaje,
me frymë të mbajtur
me gjinjtë në duar.
Po kur vallë ngrihesha,
e fluturoja si pulëbardhë
përtej vijës së hollë të horizontit?..

Kujtimi i atyre ditëve,
është ende i përhapur kudo.
po ditari i mbetur diku në një datë,
përpelitet ne vetmi.
Shënjëtëria e atyre viteve,
po jep shpirt…

Tani…
vetmia është vërtet pa ngjyrë,
zemra e saj s’ka më gjak
dhe nga malli,
ajo është kthyer,
në puthjen e brengës sime..

 

A&Gjata

 

 

 

JETOJMË NË KOHËRA GRI…

 

Kaloi dhe vjeshta e tretë
mbuluar me pllaka gri e pika loti…
Nën të, njerëz të rritur në peshë nga lagështira
ecin trotuareve ku shiten vjetërsira
dhe të tjerë bashkëvuajtës me pamje të ngrira
nga uria, me vështrim të habitshëm
marrin frymë, nuk presin çudira
nga gjethet e vjeshtës.

Njerëz me këpucë të rënda
marrë nga muzeu i mjerimit
rrëshqasin nëpër ditët e kohërave gri,
s’guxojnë të flasin për apartamentet e bukura
ndërtuar nga emra pa datëlindje,
ushqyer me lëngje bimësh…

Ata që kanë gojë nuk flasin
ndoshta, do flasin kur të ngrohet toka
e dielli me duart e tij
turmat t’i djegë për një pikë ujë
e përsëri, kur të ndërrohen motet e të filloj harresa
nëpër rrugë, mes mjegullës zëra të mekur
do qajnë deri sa të vijë vjeshta e shekulli të ri!

 

(varjant i ripunuar)

A&Gjata

 

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s