Poezi nga Myrteza Mara

Myrteza Mara

Poezi nga Myrteza Mara

 

 

 

DËSHIRË POETËSH

 

Poetët e duan botën
të jet e gjitha bashkë,
si një ishull,
rrethuar me dallgë e pulëbardha.
Të mos ketë semaforë të prishur,
as rrugë që kanë vetëm ikje
dhe nuk njohin riardhjen!

Poetët duan që fjalët “dashuri” dhe “lotë”
të shkruhen kudo me gërma të arta.
Janë themelet e vërteta,
ku mbështetet kjo botë,
janë krahët e dashurisë,
janë flatrat!

Poetët besojnë më shumë
tek gjysmëndrrat që i thurin vetë,
jeta është e tëra një ëndërr.
Pa këto ëndrra
kjo botë do të vdes,
por kurrë s’vdesin dashuria dhe këngët!

 

 

 

NË KËRKIM TË KOHËS

 

Të mundnim nga e para, jetën të fillonim
do ishim si një lum i dal nga shtrati
Noshta dhe dy qiej nuk do mjaftonin
rrëpira, të ngushta dhe shinat e fatit.

Ndoshta ndryshonim drejtimin e rrjedhës,
nëpër shtigje të virgjëra do kërkonim zjarr.
Do lundronim në detin e egër të jetës
atje ku furtunat shndrrojnë valët në dallgë!

Një varkë me vela do kishim ndërtuar,
busulla do njihte vetëm një drejtim.
Vetëm në një mol do kishte qendruar,
atje ku dielli përkulet mbi Perëndinë.

Atje do të prisja, siç pret syri dritën
mbi hënën e lumit ti do të vije
Në dorë do mbaje fenerin e shpirtit
dhurata e parë e çdo stinëdashurie.

Por ne, e dashur, s’i bëm dot të gjitha
sepse urat shembeshin pa u ndërtuar;
Jeta i ndrronte, si e çmendur, orbitat
më parë se lindte, dielli kish perënduar!

Prandaj vrapojmë si era nëpër pyll
“Në kërkim të kohës së humbur”
Kthetrat e kohës na e vodhën rininë,
por n’buzë të honit dhe me ty i lumtur!

 

 

 

ZHURMË, ZHURMË…

 

Në këtë botë ka shumë zhurmë,
ndaj dëgjojmë çdo ditë e më pak.
Kemi harruar të flemë dhe gjumë,
për të ngrënë mjafton dhe një vakt.

Më pak në këtë botë edhe dashuri,
ndaj dielli duhet futur në çmendinë.
Udhët janë ndotur me tradhëti
çdo hap mund të shkelë mbi minë.

Më mirë do ishim në shkretëtirë,
atje ku mosmirënjohja nuk rritet
Dunat e rërës do bëhen strehim
do kujtohemi të psallim dhe ritet.

Në këtë botë ka shumë zhurmë,
në botën tjetër më shumë akoma.
Shpirtrat e pangopur s’bëjnë gjumë
po cila nga botët është e jona?

Mos duhet të filloj sërish nga ameba,
kjo botë që mbytet e tëra në gjak?!
Botë e shurdhër që s’i dëgjon poetët,
Botë e verbër mbuluar me natë!

 

 

 

***

 

Kjo është Vlora, ëndrra e ëndrrave të mia,
Kjo është Vlora, dashuria ime e parë!
Këtu dhe në gurë mbinë poezia
Këtu dhe të vdes do mbetem i gjallë!

 

 

 

DËSHMI POETI

 

Kurrë s’kam bërë dhelprën e Ezopit,
s’kam dashur shkallë për frutin e pjekur.
Kam pritur ciklin e stinëve të motit
një fletë s’këputa nga pema e tjetrit.

Nuk kam nxjerrë gozhdë të ndryshkura,
nga dërrasat e kalbura nëpër rrënoja.
As kam marrë erë petaleve të vyshkura,
korbit s’ja kam rrëzuar djathin nga goja.

Të merresha me hijet si nata e zezë
do kisha mbushur rrugët me të vjella.
Gjaku do më ishte bërë i gjithi helm
nuk do më hapte derën as e vërteta.

S’jam ruajtur kurrë nga litarët e rrufeve,
për të puthur diellin i përdora si shkallë.
I kam fshirë djersët me shallin e reve
ndaj dhe flokët janë ngjyer me të bardhë.

E kam shuar etjen e zjarrit me zjarr
dhe me atë prush kam dehur të tjerë.
Gjithë dashuritë janë “për herë të parë”
ndaj këngët pikonin si vesa në pemë.

Një zog me gurë nuk kam qëlluar
s’kam ngitur kurthe, as gracka
Shlodhem kur i shoh duke flutruar,
adhurim për ata që kanë flatra!

 

 

 

HËNA IME

 

Kaq kohë pa u çmallur,
pa u rrëfyer njeri- tjetrit,
ti për zjarrin e shpirtit
unë për plagët e poetit!
Ku je hëna ime?

Më parë takoheshim shpesh,
tani ka shumë re të errëta që natëzojnë ditën.
Ti, që ke bekimin e diellit.
ndoshta ke folur me Zotin
për këngën time të përlotur,
dhe për dhimbjet e globit të lodhur!

Hëna ime!
E bukur si ëndërr në natën e altarit,
herë më shfaqesh nudo,
here me vello të artë,
pa ty dhe dita do ishte natë!
Kaq kohë, o hënë
pa folur me njëri-tjetrit!

Oh, po më çahet kraharori
nga një brengë e vjetër si rrënjë lisi
vaditur me lotët e shpresës
ngjyer në rrezet e tua qumështore!
Ulmi pak shkallët të ngjitem vetëm një çast,
se s’dua të na shikojnë yjet xheloz,
kur të tregoj për plagën e re,
për kohët e munguara, për të nesërmen,
edhe për botën e amëshuar.

Thonë se tek Ti s’ka jetë!
Po dashuritë tona, këngët e besës ,
lotët e pendimit, qelat e rrëfimit,
lutjet e shpresë…,
po udhët për nesër?
Tek ti, hëna ime,
e munduara ime e mirë,
brinja e shkulur nga gjoksi i Tokës,
mbjell në qiell për dashurinë!

Është fundviti, hëna ime,
të uroj fat dhe vetëm dashuri,
të tjerat aty kanë qenë
dhe do të jenë të gjitha!

Tek Ti, hëna ime, tek Ti!

 

 

 

KAM VENDOSUR
Kam vendosur të rrëfehem,
Nuk do shkoj në xhami e në kishë
Do gjej një vend ku të dëfrehem,
Mirë është të kërkoj ndonjë mik!

Miqtë janë shtuar, s’di kë të zgjedh,
Të gjithë më thonë se më kanë mik!
Ka rënë shumë bursa e fjalës “besë”
Dhe: “Më mirë një mik se një çiflik!”

Perënduan ata diej si sy fëmije,
Smogu i intrigës e mbyti besimin
Ka mbetur vetëm një diell dashurie
Me gjakun e tij do shkruaj rrëfimin!

Ta lexojnë yjet, hëna dhe planetet
Të përhapet si erë nëpër gjithësi
E dashur, ç’më duhen sekretet
S’janë pak dy jetë me dashuri!?

Pra, do rrëfehem, e vendosa
Tek qela e ngrohtë e shpirti tënd
Le t’i mësoj tani e gjithë bota
Mëkatet e bukura kthehen në këngë!

 

 

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s