Poezi nga Selvete Abdullahu
Shkëputur nga Vëllimi Poetik ” Baladë e humbur” .
Ç’U PRISH KJO ËNDËRR
Si ylber pas shiut valëzon kujtesa ime
Në muzgun e mbrëmjes
Një thirrje festive
Qiellit qëndisur me yje
Kaltërsive ditore
Mban në vete besnikëritë
Nga mëngjesi e mbrëmja
Gjej një mes të artë
Në brohoritjet e mia të përditshme
Gjendet fati
Qendër e zbuluar shumë vonë
E zbehur nga pritja me orët pa numër
Me ditët në kornizë
Muaj e vite ëndërruar
Aromë e ndier e një takimi
Mbështetur në murë duke belbëzuar
Kërrusur nga mbajtja mbi kurriz
Të një barre pa zë
Udhëtoj
Ç’u prish kjo ëndërr?!
Si vesë mëngjesi
Fluturoi në qiell.
PORTRET ENGJËLLOR
(Kushtuar Heroinës Antigona Fazliu)
Në kërkim të rrezeve të ngrohta
Diellin e preke me duar
Për një ndriçim hëne
U dogje zjarrin për t’ mos e shuar
Për një pëllëmbë fytyrë
Në krahët e një shqiponje
më duket se fluturon
Mos je ti Antigonë që i jep dritë tokës e qiellit?
Apo u shëndërrove në rreze dhe i gjason diellit?
Në një lule që lulëzon
Bimë së re
Portretin tënd engjëllor shoh
MBI ATË GURË THA
Me veshje ushtari e fytyrë të ngjyrosur
Hapëron burrërisht komandanti ynë
Për të bashkuar atdheun në një zemër
Për t’i dhënë veç një emër
Kur vuri këmbën mbi atë gurë
Tha
Këtu s`ka më kufi
Që ndan këtë I-liri.
LEGJENDË E GJALLË
(Feriz Gurit)
Ti shihje dritën në fund të tunelit
Buzëqeshje e ngrirë kohe t
Me guximin e një heroi
Në ditën e rënies sate
S’ka lot as pikëllim
Se zemra e Kosovës je
Legjendë e gjallë
Pulson veç liri
SI TË TA SHLYEJ VONESËN
Më sill një shallë me ngjyrë të artë
Një leckaman
Pret në mes të rrugës
Dorën e ka lëshuar përdhe
Mëshirë kërkon
Ti vonohesh
Një vashë që qan në dritare
Pranë ka një djalosh të plagosur
T’a shërosh pret
Ti nuk e sheh as valvitjen e flamurit
Mbi shtëpinë time
Ende vonohesh
Natyrës së kësaj vjeshte
Duke dremitur thyhesh
Si të ta shlyej vonesën njeri.
PLAGË
Dikujt sonte i gërryen shpirti
Nga shportë e zbrazur e bukës
Në terrin që përpëlitë sytë
I duken të zymta edhe liritë
Më thuaj mik
Çfarë të shkruaj
Kur më kallet zemra
Një shigjetë më gjakon nga brenda
Sonte dikush si unë ka të njëjtin lëndim
Në krahë të kohës së re atdheun përmallim.
NJERIU I KËSAJ KOHE
Mbi ballin e rrudhosur
Palohen vuajtjet e tij
Si teshat ne vitrinën time të vjetër
Mbi flokë thinjat lozin
Si dëborë e ftohtë
Dimrave të gjatë
Në meditime
I dyfishohen dhe stinët
Njeriu i kësaj kohe
Me shikimet nostalgjike të viteve
Hapëron.
Selvete Abdullahu