AMAZONA E POEZISË EROTIKE SHQIPTARE / Nga : Vangjush Ziko

 

AMAZONA E POEZISË EROTIKE SHQIPTARE

 

 

300px-Vangjush_Thoma_Ziko

Nga : Vangjush Ziko

 

 

Duke lexuar poezitë më të fundit të poetes Fatime Kulli, nuk e di pse m’ u kujtuan amazonat mitologjike, gratë luftëtare antimaskiliste. Ato nga njëra anë i urrenin burrat dhe nga ana tjetër binin e flinin në errësirë me burrat për të siguruar trashëgiminë e tyre.

Edhe vetë poetja ka një poezi me këtë titull “Amazona”, një përshkrim sensual i epshit femëror, i emocioneve të “degëthyerës dashuri”. Kurse në poezinë “Nën ritmin e shiut” kemi ofshamën e dhimbjes femërore, që edhe urren edhe “dorëzohet”: “dhimbja ime si engjëll i pafaj/në murrlanin e Borës burrë”. Konflikti i heroinës është, njëherësh, një konflikt social me “moralin e pështirë”. Dashuria e kësaj heroine lirike është një dashuri pasionante e gjithpushtetshme dhe sfiduese e poshtërimit të saj.

Në qoftë se amazona antike ishte vetëm një luftëtare, që e kishte “mohuar” pasionin e saj sensual, amazona e Kullit, ora e maleve tona, është nën pushtetin e plotë të epshit gjenetik, të delirit erotik, që e urren “dashurinë anemike” (“Endet”); ajo lufton për ta gëzuar lirisht dhe plotësisht pasionin e saj erotik, ajo, pra, është një amazonë, jo e kohës së matriarkatit, por e kohës, që është ende nën sundimin e një shoqërie patriarkale në shpërbërje, por ende e plotfuqishme; ajo përleshet, njëherësh, sa me “dimrin burrë” aq edhe me moralin maskilin, që e shfrytëzon edhe e përçmon femrën: “pas xhamave të zinj/shkëlqenin dhëmbë e bardhë të burrit/të tejngopur nga pasionet”; aq i ashpër është ky “dimër burrë”, kaq cinik, ai i ngjan një qeni, që mban në gojë zemrën e saj dhe pret “poezinë e fundit” të saj që ta “ekzekutojë” (“Ditar i vonuar”).

 

 

fatime 1

Fatime Kulli

 

Poezia e Fatime Kullit është dramë tronditëse e kësaj amazone moderne, që kërkon të mbrojë të drejtën e saj të ndjenjës genuine, kësaj dhurate hyjnore epshore dhe shpirtërore. Ajo nuk lufton si amazona e lashtë për pushtet ndaj mashkullit, ajo nuk është antimaskiliste në kuptimin lesbik; ajo e vuan thellë këtë dramë ”mbyllur në hirin-lulevetmie (“Përtej heshtjes”); kjo është drama e një shpirti të fyer e të poshtëruar prej “duarve të burrit/që kishin lidhur dashurinë” (“Duart e burrit”), prej moralit maskilist deri në sadizëm “që presin lotët e një gruaje” e një gruaje që “nën palët e fustanit/reflekton linjat e shpirtit/shtegtare e lënduar” (“Ditari i vonuar”).

Heroina lirike e Fatime Kullit është një luftëtare e “poshtëruar”, por jo e dorëzuar, aspak e mposhtur, ajo e arrin fitoren e saj morale në botën e poezisë, në mbretërinë e lirisë së saj gjithëpërfshirëse. Poezia e saj është jo vetëm një sfidë artistike, por edhe morale sa realiste dhe romantike, surealiste dhe postmoderniste, ajo e zgjidh betejën e saj vetëm nëpërmjet një sfide utopike: “shpirt, falja sytë kullës/të thërrmojë gurin” (Dëshpërimi im i bardhë”); poezia e saj “parakalon si ushtar (amazonë) fitimtar”, një zë i fuqishëm artistik, estetik dhe moral i papërsëritshëm në lëmin e artit bashkëkohor poetik të fjalës shqipe.

 

Vangjush Ziko

(Mars 214)

 

 

 

DËSHPËRIMI IM I BARDHË

 

Më poshtërojnë, më quajnë grua e “përdalë”

Ma vizatojnë portretin me penel prej gozhde,

Më pikasin si delja e zezë që ndahet nga tufa…

Më akuzojnë se shkruaj poezi avangarde,

Po ç’të bëj unë, që poezinë e kam ushqimin e shpirtit

Jo vetëm për vete, por për shumë gra me qeshje fëmije,

Që poezitë e mia i lexojnë fshehurazi prej burrave

Si “Mollë e ndalume” prej moralit të pështirë,

Që triumfon mes turmës si moral i ndershëm…

Po ç’të bëj unë, që poezitë e mia “mëkatare”

Trembin edhe bariun e tufës së deleve,

Pasi i lexon me uri të ujshme këto poezi,

Më ndjek me shkop në dorë për t’më ndëshkuar…!

 

Morali i pështirë kërkon t’m’i shqyej venat e ndjesisë,

T’ma vrasë shpirtin e poezisë, t’i ndërroj udhën, ngjyrat…

Por unë s’ia kam frikën, shkruaj mes britmave,

Ildis në çdo qelizë të vargut, bimë gjakndezur

Për dashurinë, për sytë e gruas së lotuar, të lënduar,

Për shpirtin e lodhur, të sfilitur nga përdhosja e moralit.

 

Lëkunden notat zemërake të rrëmetit moralizues,

Gishtërinjtë e mi rrëmojnë në metaforat e jetës,

Ku membranat marrin flakë vargjeve të poezisë…

Zëri i Zotit, m’thotë: shpirti ka shpirt në errësirë,

Ka shpresë në shkretëtirë, ka dritë në verbëri,

Ka frymë dashurie, ka ekuilibër në univers,

Edhe tingujt e plagosur drithërojnë në shurdhëri…

 

Dëshpërimi im i bardhë e i fortë nuk lëkundet

Edhe pse më fyejnë, më hedhin baltë mbi fytyrë…

Unë jam GRUA, vazhdoj të shkruaj poezi për dashurinë,

E vetmja udhë e pastër, atraktive që më jep jetë,

Klithëzim’ i shpirtit që para vargut më bën të vdes…!

 

 

(18 Dhjetor, 2013)

(Marrë nga libri Përtej Errësirës)

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s