Poezi nga Lumo Kolleshi
FUNDVIT I DALLDISUR
Parakalojnë dekorata
Të shpifura,
Pas tyre në radhë medalje
(Dy faqe kanë pasur dhe këto gjithmonë).
Pak me tej çmime (ç’mi-nj) të fryra me hormone.
Dhe nuk mbaron këtu.
Dordolecët,
Po të kishin gojë,
Si në tregun fshatar do të bërtisnin:
“Shesim tru!”.
Fundvit i dalldisur i tokës sime,
I tokës sime të gjorë, që ka ethe dhe uri.
Nga bregu tjetër fryj kacekët e një ulërime:
Tani s’ kemi as çmendina për kaq marrëzi!
NË ZANAFILLË
Në Kopshtin e Edenit
Pranë e pranë njëri-tjetrit
Eva dhe Adami,
Molla e ndaluar,
Energjia e brendshme i bëri dhëmbët me ethe.
Lakuriqësia nuk do të ishte aq e bukur,
Pa një gjethe.
SYVE TË DRITËS
Shkulem dhe bëj të iki nga kjo mjegull,
Në një tjetër zhytem e përhumb.
Mendimet? Një çati e shpartalluar pa tjegull,
Shpend i dyzuar: korb e pëllumb.
Në pikën e nisjes: për arrati i etur,
Në pikën e mbrritjes: e zhuritur me tej arratia.
Veç etja s’më lë të bie në pikën e vdekur,
Më thotë: “Ngrehu, të kërkon poezia!”
Dhe mjegulla daravitet luginash,
S’arrin të bëhet re përmbi mal.
Me hapet përpara një diell dëshirash
E rrezet? Syve të dritës ua fal.
TË GJITHA FOLJET KANË VDEKUR
Në vendin tim të lodhur e të sfilitur
Të bukurën e kallin nën shi vetëtimash,
Të shëmtuarës i veshin kostum të farfuritur,
Mendime të tredhura për çështje vrimash.
Hambarët e fjalës gjithmonë e më bosh,
Fjalën po e nxjerrin semaforëve lakuriq,
Plehrat tani nuk kanë nevojë për kosh,
Të gjitha foljet kanë vdekur, veç foljes “hiq”.
UDHËVE…
Mbetur
Copëza mendimesh udhëve të heshtjes.
Në ç’ humbëtirë më humben fjalët?
Kush ia gjakosi buzën buzëqeshjes?
Diçka me mors po më nisin vullkanet e fjetura,
Në zgjim e sipër e kanë lënë llavën.
I DEHA BRENGAT
Të pabindurat e mia, kryneçet si ngaherë,
I mblodha një natë dimri,tavolina plot me verë.
Vetë ulur ndanë oxhakut ku shpërthenin veç shkëndija,
Pija ruazat e gjerdanit që s’i mbante dot në gushë,
Teksa nudo përmbi lis mbetej në vjeshtë hardhia.
Pa u çelën e selitën vetë brengat para prushit
Dhe këndonin kokë më kokë,hymne duke thurur mushtit.
Ranë flakët e oxhakut e shkëndijat u qetuan,
Thëngjijtë e ndriçuar me tis hiri u mbuluan.
U shitra pikën e fundit të asaj vere të vjetër,
Picëruan sytë brengat e me ligje vanë në shtretër.