Poezi nga Mite Tabaku

mite tabaku

Poezi nga Mite Tabaku

 

 

 

Pajetësi

 
Shekuj të mbushur me vlerë pa vlerë,
Vite të përbërë nga arritje zero,
Muaj të zbrazët brendësisht,
Ditë endacake kalvarit të jetës.

Jetë!
Jetë që rrjedh shtratit të ekzistencës
E teksa ikën lë pas veç suksese

që të dhembin sytë ti prekësh, ti jetosh,
Pjella prej kartoni, krijesa-hije,
Qenie, Qenie krejtsisht bosh!

Njeriu!
Në cilin sekond vdiq dhe se kuptuan?
Në cilin minutë u fik dhe askush se pa?
Në ç’orë u arratis? Ku qen gardianët?
Kush? Më thonë të ik, kush e la?

Ngado Qenie pa jetë,
Që janë e s’dinë pse janë,
Që zhbëjnë, të bëjnë jo s’dinë…
Moralet, virtytet, ndjenjat thomëni
Braktisur vallë ku rrinë?

Kudo Qenie të kota,
Që bashkë rrinë po bashkë nuk janë,
Me buzë nduken, me shpirt urrehen,
E me mashtrime jetën e vranë!

Njeriu, vdiq!
Qenia lulëzon,
E brishtë hiqet e s’është aspak,
Shumon vetveten në ktë fars-jete,
E jetë pjellë, jetë të pa fatë!

Njeriu, vdiq!
Ku? Ku jeni o të marrë?
Njeriu vdiq, tmerr…, Ne jemi gjallë!

 

 

 

Vdekja e dashurisë

 
E vranë dashurinë,
E vranë matrapazët,
I pashë mbrëm në bulevardin e tradhëtis,
Aty ku këmbët e shpirtit më shpunë,
Më shpunë të lojturat gabimisht.

Nga dy gllënka që ktheva me fund,
Në bujtinën e ndyrë të harrimit,
Për të qetuar shpirtin e brisht,
U gjenda atë natë të flamosur, asaj zone,
I vetmi spektator i asaj skenë të trisht.

E vranë dashurinë ju them,
Unë isha i vetmi dëshmitar,
E pash shkumën e jetës ti dridhej në buzë,
Dhe lotin,
Lotin tek shkonte trotuarit si i marrë!

E vranë dashurinë o njerëz,
Copëzat e thyera ia pash gjithandej,
Atij bulevardi parfumosur era vdekje,
E ndjeva shtrëngatën e zemrës së shkret,
Kur ora shkoi fiks dymbëdhjet!

E vranë, ju them, o të mjerë,
E vranë para syve të mi,
Në bulevardin e tradhëtisë atë natë lakuriqe,
Dashuria vdiq e vetme, pa njeri!
 

 

 

A kishe mund?!

 

A kishe mund me shpik një alfabet,

Nga hiçi, krejtësisht të ri?

Biliarda hije, vijëzime, kësaj jete bardh e zi!

 

Pa gërma,

Pa rrokje,

Pa zë,

Pa buzë,

Veçanërisht pa buzë,

Mos me mujt me u shndërru e hup në kohë!

 

A kishe mund me shpik një gjuhë?

Një gjuhë memece vetëm për mua,

Me ngjyra t’shpresave të vrara,

Mbi fundshpinën lakuriqe të fatit-grua?…

 

Më thuj,

Krijesë me brendi boshe,

A kishe mund me shpik vallë ti?

Nji fjalor me përmas t’ëndrrave të mia,

E peshë të times dashuri?!

 

 

 

Dhoma 848

 

Në një cep në atë dhomë të mjerë

Një lavire e rëndomtë

Zgërdhinte dhëmbët nga marazi.

 

Pamja e saj ndillte neveri.

Neveri jo aq

Sa të shtinte keqardhje n’gji!

 

Katër faqe muri të zverdhura nga myku,

Dhoma 848-të,

Dhe ajo, e përdala kukull,

Përlyer nga puthjet e një fati që vret!

 

E konsumuar si një cigarë egzotike,

Me një frymë,

E po njëlloj e flakur gjithashtu,

Ajo delironte atij cepi të vdekur,

Me ëndrrat në duar pa jetë mbetur!

 

Në një cep të asaj dhome të zhveshur,

Dhomës 848-të,

Një lavire zgërdhinte dhëmbët nga marazi,

Mbi dashurinë që një grusht hi i kish mbet! ”

 

 

 

***

 

Mbram,
Na dy ishim dashni.

Në t’njëjtën andërr,
N’të njëjtin vendtakim,
Të shpirtit tim.

Në planetin e tetë,
Mbram,
Na ishim nji grahmë jetë,
Aty,
Ku dhe dashnia i friket vetit vet!

 

 

 

Një natë më parë!



Një natë më parë mbi trup të saj,
Ra shi.

Ish shi puthjesh pa dashuri,
S’të ngrohte por të digjte,
S’lëndonte, thjesht të vdiste!

Një natë më parë,
Si mëkat larës,
Larës a bërës nuk e di,
Mbi trup të saj si shi i çmendur,
Puthjet e mia rrodhën me furi.

Dhe sot si mbrëm prap bie shi,
Mbi shpirtin tim që mëkatoj,
Lotojnë puthjet,
Lot të kuq,
Qëkurse ajo nga mua shkoi.

Oh! Kjo ish një natë më parë,
E cilit vit se di,
Se di.

Tash netët
Pjellin veç mungesa të zeza,
E shi malli, malli, ktu, n’timin, gji!
 

 

Mos

 
Mos iu dorëzo aromës time
Kur tjetër trup të zhveshësh ti,
Do t’kap trishtim i zemrës bosh,
Krejt malli im do t’djeg në gji!

Mos iu dorëzo kujtimit tim,
Netëve që kundërmojnë era tradhëti,
Shtrëngatë lotësh do sjell malli,
Mbi shpirt’,
Mbi shpirtin tënd të zi!

 

 

 

***

 

Brenda
Skajeve
Të një ëndrre,
Malli im i ndam’ n’dysh,
Thërrmohet,
E copëza
Të tij rrokullisen
Prej qiell t’shpresës
Si pika t’randa loti,
Mbi shpinë t’shpirtit tim…

 

 

 

Padrejtësi

 
Ata thonë
Shiti, shiti, shiti
Në emër të ‘dashurisë’ ëndrrat e tua…

Ti shes? Po, si?! Siii?!
Nuk janë mallë i marrë hua!

Ata,
Po.
Më thonë,
Shite, shite, shite,
Ti dashurinë si gjithë të tjerët!

Ata,
Pa ftyra, pa trup,
Domosdo, pa shpirt të ndjerët.

Ahhh!
Më thonë, e thonë e ç’thonë
As vet se dinë,
Një grusht dërdëllimash
Lëshojnë të pafetë…

Në shpirt më ther,
Oh! Sa dhemb teksa godet
E m’vret, padrejtësisht më vret kjo jetë!

 

 

 

Dac!

 
Ej, ti!
Unë jam poeti,
Poeti që ty t’zhvesh
E të len lakuriq këtij dimni idhnak…

Po, po.
Unë jam i vetmi poet,
Që mundet me e flakë
Në t’ ftohtë shpirtin tënd dac!

 

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s