Poezi nga Liliana Shkodrani (Baçi) / Shkëputur nga vëllimi poetik “ Intuitë e bluar gruaje”

Liliana Shkodrani Baci

Poezi nga Liliana Shkodrani (Baçi)

 

Shkëputur nga vëllimi poetik “ Intuitë e bluar gruaje”  

 

 

 

LINI HAPUR PORTËN

 

Lini hapur portën,

të hyjë koha ime

hija i është pjekur.

 

Para se të kthehet drita,

që verbon dyshimet

se në parajsë strehohen gëzimet.

 

 

 

FRIKA E BARDHË

 

S’është korrida e demave spanjollë,

as shijimi i gjuhës së drerit

dhe jahnia e mëlçisë së sorkadhes.

 

As sekret pentagrami i muzikës së ëmbël.

S’është tingull i këmbanës së katedrales mesjetare.

Është magji që më përdredh si do

dhe “krimi” i ëmbël, që përzë moshë…

 

e unë

emigroj në planetin e dritës

për të përgjuar gjurmët e ortekut të frikës…

 

 

 

NË KONGJIJTË E FANTAZISË

 

Në kongjijtë e fantazisë

ndonjëherë ngrohet edhe dëshira.

Po aty pengohen me frikë edhe mendimet,

 

kur prekin imagjinatën e kujtimeve.

 

Rrëzohen në pakujdesitë që dhe me ty i mbolla.

Degët plot sythe që presin përpëlitje të reja,

dhe përplasen në stuhi,

po jo në oborrin tim.

 

 

REPETITA JUVANT

 

Nga forca e përsëritjes së një nocioni, diçka mbetet

(Latinisht)

 

Ngaqë bëra shpesh atë që s’desha

prej fantazive fëmijërore

krijova sferën e bëmave

me mendime aq të brishta,

sa mbolla edhe fundin e botës femërore,

…pa ngjyrë gjelbëroshe.

E të mendosh se për ylberin

ndjej adhurimin më të epërm…

 

Që të mbetem jashtë kufirit të hijeve,

trajektores me ngjyra të larmishme

më duhet t’i djeg koren

dhe për nënën time….

 

 

 

ABSURDITETE TË PANDËRPRERA HUMANËSH

 

Po të përqëndrohem në variacionet e volumit

që nga fëmijëria deri te rrudhat e sotme

jo çdo tingull prezantohet si melodi e trishtë.

 

Dhe po qe se më thith dorëzimi nga problemet e

moshës,

do të mbyllej cikli i anktheve,

aq sa gjithë ndjenjat do të dorëzonin pjesëmarrjen.

E më shumë akoma

vëmendja korrekte

do të kthehej në qenie demoniane.

 

Po qe se netëve syhapur

do të ndiqja çdo pelegrinazh të rafinuar,

do të zbuloja që më tej s’njihej masë

e do të konkretizoja bindjen

që këtu poshtë të gjithë kërkojnë hapësirë,

edhe kur e kanë.

 

E kjo sepse në unazën e lotëve,

të të gjitha dënimeve njerëzore

nuk zbërthehet asnjë kufi,

por transferohen absurditete

të pandërprera të humanizmit.

 

KUR DITËT NISIM T’I NUMËROJMË MBRAPSHT. Në vend të urimit… -pak reflektim / Nga Drita Lushi

KUR DITËT NISIM T’I NUMËROJMË MBRAPSHT.

Në vend të urimit…

-pak reflektim-

 

images.jpdrita

Nga Drita Lushi

 

 

Të kuptosh, të njohësh, të pranosh, të besosh, të guxosh, të falësh, të duash, – shtatë shtylla të arta për të pasur një shpirt në paqe me veten së pari, dhe së dyti, me të gjithë njerzit që na rrethojnë.

Kur fundi vjen, dhe nisim numërimin mbrapsht, pikërisht atë çast ditet nisin të na mungojnë dhe ne fillojmë i rikujtojmë për gjithshka ato na ofruan;I kujtojmë për bukurinë, trishtimet apo dhimbjet që na dhanë.

Besoj që çdo njeri, edhe më indiferenti e kthen njëherë kokën pas, të shohë çfarë ka kaluar, e aq më shumë në fund të një viti, sepse është jeta që ua kemi falur atyre ditëve, e cila kurrë s’do na rikthehet më.

Po ç’vlen pesimizmi në gëzime e festa?

Më shumë se të mendojmë për gjëra të trishtuara dhe të plogështa të mendojmë si ta zbukurojmë vitin pasardhës, nëse nuk e kemi bërë deri tash’, ose nuk e kemi bërë siç duhet.

Të gjithë mundemi të ndryshojmë diçka për mire, e kjo, ku më mirë se në një fillimvit, ku një start është gjithnjë i mundshëm, i pranueshëm dhe i bukur!

E rëndësishme është të kuptojmë.

Të kuptojmë veten së pari, dhe qëllimekzistencën tonë .

Brenda nesh, ekziston e mira dhe e keqja;

Ti njohim ato, është njëra anë, ti pranojmë është një anë tjetër, por mbi të gjitha duhet t’i duam, duhet të dimë t’i duam.

Duke dashur të keqen, ne mundemi ta kthejmë në të mirën tonë.

E nëse duam të jemi më të mirë, ndryshimi nis që këtu; duke përmisuar të keqen.

Unë besoj që gjëja më e rëndësishme dhe më me vlerë që kemi brenda nesh është dashuria.

Të dimë të duam, çdokend, çdo gjë, çdo ditë, çdo vit.

Kush ka dashuri brenda vetes, ia del të fitojë beteja nga më të paparashikuarat që jeta na vë si sprovë përpara.

Kjo është fitorja më e madhe e çdo njeriu, duke pasur të qetë shprtin dhe brendinë tonë.

Të besosh dhe mësosh çdo ditë edhe nga një fëmijë, edhe nga një i moshuar, edhe nga kundërshtaret .

Të guxosh, të bësh atë që do, duke besuar që di ta bësh, që dhe nëse nuk e bën mirë, të nesërmen do ta bësh akoma më mirë.

Falja është një veprim aq i bukur që na fisnikëron shpirtin.

dhe të perkujdesesh është gjithashtu , një veprim i madhërishëm si një hymn.

Në një fundvit, Një Falnderim dhe Lutje, janë gjërat që duhet të bejmë të gjithë:

Faleminderit Zotit dhe Njerëzve të afërt, që Jemi këta që Jemi, dhe që kemi këto, që kemi arritur.

Nje Lutje Zotit : Na Beko këtë Vit, me më të mirat që Meriton Sejcili.

Pa harruar asnjë çast, besimin tek Vetja dhe tek Puna, do ndihemi padyshim më mirë në Vitin e RI.

GEZUAR,2016!

Shtëpia Botuese ” ADA” publikon librin me novela dhe tregime ” Jetë e dyzuar” të autorit Vladimir Muça dhe me parathënie nga Dr. Baki Ymeri.

  Shtëpia Botuese ” ADA” publikon librin me novela dhe tregime ” Jetë e dyzuar” të autorit   Vladimir  Muça dhe me parathënie nga Dr. Baki Ymeri.     Muça Vladimir – Jetë e dyzuar (Novela, tregime) Email: vladimir_muça@yahoo.com Shtepia botuese: … Continue reading

Poezi nga Vjollca Tiku Pasku / GËZUAR 2016

Vjollca Tiku Pasko

Poezi nga Vjollca Tiku Pasku

 

 

GËZUAR 2016

 
Ku fluturojnë orët veshur me minuta dhe sekonda?!
Ku shkon ky vit veshur me muaj e ditë?!
Ku shkon pëlhura që mbështjell qiellin?!
Mos i gëlltit koha që vite të tjerë të lindin?!

Mes cohës së bardhë prerë me gërshërë resh,
bashkoj dy duart për një lutje të gjatë,
ëndrrat e shkundura nga pendët e engjëjve,
të marrin udhë të bëhen realitet i gjallë.

Sa vetmi endet në shpirtrat njerëzorë,
si lakuriq nate në ftohtë dhe errësirë,
urimi im nga kraharori fortë ushton
të dëliret drita në zemra dhe ngrohtësirë.

Varfëria shton lotët si gjethet kur bien në lumë,
dertet e hallet nuk fshihen me shaminë e syve,
uroj burimi i shpresës gurgulloftë në pellgje plagësh,
2016 të rritë farën e re të begatisë zbritur prej yjeve.

Urimi im dua të qëndroj jo vetëm në besim dhe shpresë,
me bojën e stilolapsit shkruar thjeshtë Gëzuar,
dua o njerëz të gjithë në jetë së bashku,
të ndryshojmë këtë botë, ta bëjmë më të mirë!

Poezi nga Skënder Braka

Skender Braka

Poezi nga Skënder Braka

 

 

Vallë kush më flet…

 

Kush më flet prej andej,
ku gjithçka më duket sikur hesht.?
Tani që mbytur jam mes akujve të dimrit.

Me zemër të dridhur qëndroj e mbaj vesh,
shndërruar në një copë gur pa zë,
nëpër kryqëzime të zhumëshme rrugësh,
a në një fillikat të verbërt
që yjeve u kërkon pikat e referimit,
ndërsa kujtesa e vdekur më bredh
mes ndjesive të shpirtit.

Një hije prek me sytë e mi të mbyllur.
Një zanë të brishtë që digjet nëpër dëborë.
Mes zjarresh të tjerë më duket sikur kridhet
Dhe kërkon të më tërheq mes pyllit eshtëror.

Përse dreqin s’më ke njohur gjer më sot?
Mua që ngaherë kam dashur tu vë flatëra,
fjalëve të mia.
Gjithçka të gënjeshtërt ta vidhis,
a ta zhys thellë në tokë.
Që verbërisht kam besuar veçse tek një zë hyjnor.
Tek tingujt e zemrës që meken e dridhen nga dashuria.

Mbase asnjëherë në jetë nuk kam për ta mësuar.
Mbase vet më duhet të kuptoj se janë tinguj zemre
Ato që duan të më mbajnë përherë të zgjuar.

Vallë kush më flet prej andej ku gjithça po hesht?
Në qofsh ti e përjetshmja dhe e gjalla vërtetësi,
Si kali i bardhë i përrallës do të fluturoj.
për të ardhur gjer tek ty,
Për tu ngjitur gjer në atë lartësi…

 

 

 

Ti dhe unë e dashur

 

Ti dhe unë e dashur,
shndërruar jemi në një trup, në një frymë.
Përherë duke iu frikur fuqisë së zemërimit.
Kur plazmat e gjakut tonë
për ti mbledhur në këto duar, na është dashur.
Ti fort më ke tërhequr drejt zjarreve të largët,
atje ku kodrinat digjen në përjetësi.
Më zgjoje brënda shpirtit shpresën e shumpritur.
dhe më ndriçoje dritën e përfshirë prej dëshpërimit.

Fati gjithmonë e dashur diku gjëndet i fshehur.
Ndaj s’të thash të mbeteshim përjetësisht skllavërit e tij.
Ndoshta kapur fort pas rrathëve të ferrit.
Siç na ka rrëzuar,na ka ngritur, ku ta di.
Por ne, që përherë kemi ecur mbi gurët e një jete të djegur.
Nëpër muzgun e përhimtë drejtë një bote të qetë
Parasysh kemi patur vetëm kodin e të fshehtit pakt,
mes dritës dhe territ.

I humbur nën realitetin e pritshmërisë,
përulur në lutje qetësish të kam dëgjuar.
Në një pyll të gjelbër bredhash, ku veç hijet bien.
I vëmëndshëm gjer në çmënduri.

Ca dyer të reja më hape dhe më binde.
Se ka dhe një tjetë kohë për të qëndruar.
Për të parë më mirë përtej vetvetes ka një tjetër kohë .
Se ka një kohë tjetër për tu ndjer i penduar.
Pastaj për të ikur paqësisht me kënaqësinë e bletës.
Ashtu siç din të ikin vetëm të dashuruarit.

Ndoshta shumë gjëra duhet t’i kishim bërë më ndryshe.
Por faj të mos i vëmë shpirtit të tronditur.

 

 

 

Tani që pranë s’të kam

 

Ke kohë që larg ke ikur, je larguar.
Thellë zëmrës prap e prap më ther
si një thikë e përgjakur, hija që le pas,
boshkllëku I krijuar.

Lëndimi më bëhet mal,e dashur.
më bëhet litar,
Murmurima në dhimbje më kthehet
Psherëtima më shnderrohet në një lutje të gjatë
dhe lutja në një rrëfim lirik,
me subjekt qënien tënde që mes qënies time,
rrjedh si një ujvarë.

Që mungesën time ndjen, i bindur jam.
Siç ndjeje dikur pas çdo ndarjeje
Se dikçka kisha për të thënë.

Tani që pranë s’të kam
E çuditshme më duket që ike,
si era zëmërake kaq papritur
Këmbëngulja, si hije panjohur tu bë natë.
Dhe nata në një dallgë të pambajtur.

Nuk di për ç’arsye të dua dhe më shumë
Ndoshta ngaqë përherë çdo gjë me ty më ngjan,
Më tërheq e më duket si dikur fëminore.
Mbase në nevojë të brendshme të ndjej edhe unë.
A prej urrejtjes që më këputet përnjëherësh
si petalja e tulipanit prej një ngrice dimërore.

Si zë i largët, gjer tek unë arrijnë të thirrurat.
“Ty të dua!” “Ty të dua përjetësisht.”
Nxitoj hapat, të të prek me tinguj këngësh.
Hija ime derdhet udhës
si ujvarë e këputur dhimbjesh.

Poezi nga Vaso Papaj

 

Vaso papaj

Poezi nga Vaso Papaj

 

 

Parfumi

 

Ndonjëherë parfumin ndiej,
I sigurt… Je ti.
Me erën më vjen këtej,
Më bën shoqëri.

Ndonjëherë edhe pendohem.
Ç’të bëj…, Xhelozi.
Era vjen dhe pse s’dorëzohem,
Të merr përsëri.

Mbrëmjeve të majit, gëzimet
S’i harroj aspak.
Me guxim rrëmoj kujtimet,
Kur kam qenë çunak.

Po shpesh herë, ja, edhe tutem,
Mos shoh ëndrra kot.
Në dëshpërim, prapë mund të futem,
Pas fitores së plotë.

Dhe atëherë e ndiej të keqen,
Dhimbja triumfon.
Një arsye gjej…, të ndreqem,
Zemra ma kërkon.

Ndaj përsëri, përsëri të ndiej,
I sigurtë… Je ti.
Bashkë me erën vjen këtej,
Më bën shoqëri.

 

 

 

***

 

Erdha të të marr prej dore,
Të harbojmë, ta çmendim Bërrylin.
Ti s’je bronz, s’je as shtatore,
Je e gjallë dhe më nget syrin.

Dekoltenë edhe kurrizin
Ia ke kthyer dom Nikollës,
Eja Tinë, mos ta bezdisim,
Të madhin firmatar të Vlorës…

 

 

 

Kilometra

 

Kilometra,
Mijëra kilometra, mijëra!
Seç më mbyti hapësira.
Retë më ngjajnë me egërsira.
Për çdo natë avionë, tragete.
Të mbaj në mendje, me vete,
Po me duar kurrë s’më preke,
Larg se larg përherë më mbete.

Kilometra,
Mijra kilometra, mijëra!
Të gjitha për një natë t’i lija,
Veç një herë pranë të të vija.
Zot, t’më bëje një trumcak!
Të çukitja atje në prag!
Mëngjesi të më mirrte prapë!
Le të qe dhe çmendurak.

Kilometra,
Mijëra kilometra, mijëra!
Po shoh ëndrra me çudira.
I kaloj në çast të gjitha,
Dete, po dhe kontinente,
Veç ti larg, e vetme mbete.
Duar zgjat e kurrë s’më preke.
Si t’ia gjej anën kësaj jete!?

 

 

 

Surprizë

 

Fytyra më ndërron
Sa herë që një shkëndijë vështrimi hedh mbi ty.
Vështrim që të përkëdhel, na bën të qeshim që të dy.
Të davaritet ëmbël frika ndërsa në krahë unë të vërtis.
Në deje të vërshon aromë e natës, ajo dhe terrin na e gris.
Dhe vjen mëngjesi prapë e ti prapë mbetesh një surprizë.

E mos ndërro zakon.
Mbushmi fjalët e tua me ngjyra e tinguj mirësie.
Ndryshomë këtë botë një çast, ta shoh me sy vërtet rinie.
Më davaritet ëmbël frika, kur më përkëdhel, më nanuris.
Në deje më gjallon aromë e kurmit tënd, ajo dhe terrin gris.
Dhe vjen mëngjesi prapë e ti prapë mbetesh një surprizë.

E mbaje hapur atë dritare të zemrës si gjithnjë.
Aty të strukem, të belbëzoj: Dhe më, dhe më, dhe më…
Dhe për një çast, vetëm një çast, botën të rrëmbej e të ta fal.
Me oksigjen të ta mbush zemrën, si dikur, kur isha djalë.
E s’më mjafton të puth te flokët, ngadalë, ngadalë, ngadalë.

 

 

 

Rrëfim

 

Unë s’u takoj ca poetëve të kohës sime,
Fshehur aty, pas vargjesh të lëbyrta dashurie.
Më mjafton zemra,
Për t’i kuptuar e vlerësuar
Si shpirtra lirie,
O ledhatarë të një kohëmbetje inercie.

Unë s’u takoj poetëve të kohës së mëkatit,
Deri sa edhe vetëm një prej tyre të mbetet
Udhëtar i një anieje pa busull,
Dorëzuar në mëshirë të fatit.
Unë s’u takoj më as zhelanëve modernë,
As borgjezëve të rinj.
Ndaj zëri s’më mungon e s’dyshoj
Se Zoti do t’ma marrë këtë rrëfim
Për ceitnot në dashuri.

Zgjohem brenda një ëndrre çdo mëngjes
E rrotull më vjen tërbimi
Dhe kurrë s’mund të jem një indiferent pashpresë,
Ndonëse çdo ditë po më humbet durimi.
Se s’jam njeri me mendje fikse,
S’i takoj kohës së delirit të shkëlqimit të rremë,
Demokracisë postkomuniste.

Atëherë… Mos i takoj kohës së shtërngatës,
Shkruar mbi kallot e pëllëmbëve me të zezë?
Mos pëllëmbët m’i ka gërryer
Frenimi i mandrinos turneve të natës?
Mos rob i asaj kohe dashkam viteve të mbesë?…

Por… jo…
Unë s’i kam takuar kurrë gënjeshtrës
Dhe më trishton mungesa e dashurisë për njeriun.
Po sinqerisht, më bën të qesh hidhur trishtimi,
Ndaj s’do të lodhem kurrë
T’u ul perdet e mashtrimit spektatorëve të uritur
Për një grimë dëfrimi.

Unë nuk i takoj një kohe,
Që të mësonte të gjitha prapësitë,
Veç asaj, të qenit njeri.
Të mbesja pjesë e turmës doja,
Paqen aty ta kërkoja,
Pa ëndërruar kurrë të bëhesha gjeni.

Se s’u takoj as atyre që bota i quan asketër.
S’e kam ndrruar një ditë numrin e celularit.
E në më telefonofshi,
Bëjeni këtë thjesht:
Me dashurinë e madhe
Të një kohe që s’hesht.

Poezi nga Sofia Doko Arapaj

Sofia Doko Arapaj

Poezi nga Sofia Doko Arapaj

 

 

 

Kha-jam,kha-jam?

 

Prej Shqipërie,

do t jesh, Khajami im i mirë,

sigurisht  prej Shqipërie,

dhe ke mërguar matanë…

Mbas 5000 vjetësh,

këpute zinxhirët,

në ishull më gjete,

u dehëm, dhe shkamë…

Unë e krishterë ,

ti mysliman….

Të plase bota Khajam,

si kupa me verë,

ne s’u martuam me asnjë,

dhe asnjëherë!

Ne kishim hyrë,

në njëri-tjetrin,

ngadalë, me ofshamë,

ashtu, pa u ndjerë…

 

 

 

Ajo varet ngadalë

 

Ajo varet ngadalë, prej luleve të shegës,

Me rregullon mua, jashmakun përmbi sy,

Shshshsht…po nxjerrim kecat prej kasolle,

Pas kaq shumë ditësh…. s’ka më shi….

Oh, si qeshim mes mersinash buzënxira,

Pse bukën e misërt  e ndanë me hile,

Pse këpuca e shqyer, nxjerr gishtin dinak,

Pse kecat na ikën…, me të xha Kolit kope…

 

Ajo varet… dalëngadalë prej syve të mi,

hshsht…mbi buzën e bukur, u bë poezi….

 

 

 

Circe

 

Circe,

Eja, më lidh me magji,

Thonj edhe flokë m i pre,

Nën dritën e hënës së plotë,

Mendje e shpirt m’ i  rrëmbe..

Si mua circe, u vish,

Përroit këmbët përplas,

Shkumëzo e thirr emrin tim,

Si vergje rrushi të plas…

 

Circe…

S’e ke gabim,

Unë në ishullin tënd,

Ti në ishullin tim…

 

 

 

S’më qortove kurrë

 

E ç’ nuk bëra, kur kujtova,

Se të humba atëherë.

Thërrisja retë, ku ishin e s’ishin,

I ushqeja me hidhërimin tim,

I përplasja, kokë më kokë,

Dhe… çliroja rrufetë e shpirtit!

 

Ndërsa ti, s’më qortove kurrë!

Buzëqeshe dhe më ktheve,

Përsëri qiejt e engjëjve…

 

 

 

***

 

Dhe …

Zoti ulet, mbi flokët e mi,

më qesh, më puth, në ballë e sy….

me çoi aq larg në emigrim,

që ti këndojë veç vendit tim…

Ai, flet përditë e unë shkruaj,

rreth e përreth engjëj të huaj,

po zoti im është zoti im,

e më rrëfen veç dhemshurinë…

Ai rrëfen e unë këndoj,

ndaj dhe çdo fjalë që ju diktoj,

t’a merrni e t’a thurni varg,

të ndjeni çdo të thotë larg….

po zoti im është zoti im,

dhe për çdo varg ka melodinë,

ndaj ulet përmbi flokët e mi,

më qesh, më puth, në ballë e sy…

 

 

MIUSHI ME DEKORATË / Fabul nga Agron Mema

MIUSHI ME DEKORATË

 

agron mema

Fabul nga Agron Mema

 

Për minjtë dhe maçokun,
Vargjet janë një mal i lartë,
Sa gjetën dhe shoku –shokun,
Tek”Tomo dhe Xherri”I artë.

U shkrua me të vërteta e përralla,
Me vargje të shkurtëra e të gjata,
Me fjalë të dëgjuara e të rralla,
Por jo edhe me dekorata.

U ngrehos maçoku me mustaqe,
Vendosi të japë një dekoratë,
Miushit për trimëri dhe për paqe,
E meriton dhe e ka me hak.

Ish ky miush trim soj-soji,
Që mori kurajo e tha si burrë,
Atherë kur kuvendi i minjve mori,
Vendimin për zilkën që nuk u vendos kurrë.

Pikërisht për këtë trimëri diplomatike,
Vendosa ti jap miushit dekoratë,
I dija dhe fjalët e botës problematike,
Që dekorimin do ta quajnë qesharak.

Po miushi dekoratën në gjoks do mbajë,
I shquar në luftra për trimëri,
Paçka se mjaullima jonë do ti thajë,
Gjakun në zemër përsëri.

Po në ceremoni që do zhvillohen,
Në jubile e përvjetorë,
Dekoratat tona do kujtohen,
Që ndaj minjve nuk jemi agresorë.

 

Emigrim – Pro-etikë / Nga (Hamdi) Erjon Muça

Emigrim

Pro-etikë

 

Erjon Muça

Nga (Hamdi) Erjon Muça

 

 

Migrim: në ajër, në ujë, në tokë. Levizje e tokës rreth diellit: migrim kozmik, konstant pa pengesa kufitare. Migrim kometash: këshëri dhe rrezik bashkë… Migrim njerëzor: kërrcënues i përhershëm qytetërimesh, kulturash: bindjesh mediokre…..

Migrim i kërkuar, migrim si e vetmja mundësi jetese: mbijetesë shpirtrash në paqëndrueshmëri. Dënim me emigrim: dyzet vjet emigrim pa ndalesë në shkretëirat natyrore e më pas emigrim në shkretëtirat shpirtërore të qytetërimeve nerëzore….

Emigrim: frikë e përhershme shumë palëshe. Frikë e e migruesit për rropatjet e fshehura nën dritën e diellit: frikë nga emigrantët prurës antivlerash mes skllavopronarësh…. Sëmundje lëvizëse që duhen trajtuar me doreza: dizinfektojini me gazlotsjellës…..

Migrim që nga dita e përmbytjes së madhe: ndoshta më parë, trajtuar nëpër kronika apokalipsesh të harruar. Fëmijë të lindur në migrim: të vedekur dhe varrosur përgjatë migrimit. Të harruar mbi tokë: të lindur në ujra internacionale: banues të tokës në lëvizje…

Migrim: luftë botësh: lufët në paqe… Zëra të mbytur nga heshtja që kumbon në veshët e shurdhër: tmerr nga ç’perceptojnë sytë e verbuar nga errësira shpirtërore. Shpirtra në emigrim mes ndjenjash idjote: urrejtje….

Holokaust që përsëritet: në forma dhe kohë të ndryshme por që s’ndal kurrë. Të vrarë, të djegur të mbytur: të padëshiruar askund. Pronarë vetëm të ajrit që hyn për të dalë shpejt nga mushkritë. Me shpresë tek zoti i plotfuqishëm: të pafuqishëm për të kuptuar boshësinë e fjalës i plotfuqishëm…..

Migrim fetar, ekonimok, politik: emërtime konsumiste të dramave njerëzore. Humanë që vuajne lëvizjen, të tjerë që vuajnë nga lëvizjet, pa lëvizur: fitime kolosale për kostumet dhe kollaret që flasin në emër të njerëzimit. Veshje që kërkojnë mëshirë, të tjera që kërkojnë siguri, veshje që yshtin vdekjen : ka kohë që flasin vetëm veshjet…

Kufoma emigruese shtyrë nga dallgët, të bymyera dhe ngrëna: Rinovim i ciklit të jetës. Ka mijra vjet që përsëritet migrimi i madh: pa hapje ujrash por të ndjekur në çdo hap nga vdekja. Jam edhe unë një dëshmitar migrimi: tokësor. Ndoshta nipërit e mi do jenë dëshmitarë të migrimeve ndërplanetare….

 
24-08-2015

Tespixhinjtë dhe liria e fjalës / Tregim nga Rrahim Sadiku

Tespixhinjtë dhe liria e fjalës

 

rrahim Sadiku

Tregim nga Rrahim Sadiku

 

 

U kumtua se ishte aprovuar ligji për lirinë e fjalës dhe shkrimtarë, akademikë, shkencëtarë e profesorë filluan të dalin shesheve, kafeneve e vendtubimeve e të thërrisnin se ata ishin ideatorë të kësaj arritjeje dhe se gjithmonë kishin qenë për këtë të drejtë madhore, njerëzore e universale. Disa prej tyre dëshironin, me ҫdo kusht e me ngulm, që njerëzit ta besonin këtë e të harronin se mu ata njiheshin si ngulfatës të fjalës së lirë, si diferencuresë të zellshëm të të tjerëve, si kërcënuesë, në emër të shtetit të partisë. Shtypi u vërshua nga shkrime, intervista e studime për represionin që kishte pësuar kultura e këtij populli dhe qenia e tij, duke ia shkelur lirinë e fjalës, lirinë elementare që duhej të gëzonte ai.
Punëtorët e Shërbimit të Punëve të Brendshme kishin shumë punë dhe ishin kthyer në lexuesë të rregullt të shtypit ditor e në përcjelljes të emisioneve televizive, duke mbajtur shënime për secilin artikull, për secilin emër që botonte diҫka, për secilin që shfaqej në ekran. Fletoret e tyre po mbusheshin me fraza e dosjet e shërbimit po trasheshin më shumë se kurrë. Kështu vazhdoi një kohë dhe shefi i Shërbimit dukej më shumë se i kënaqur, sepse ishte në shërbim të vendit të tij e të synimeve të popullit të tij, më shumë se kurrë. Tashti e kishte në dorë të shfaroste atë intelegjenci të urryer, që ishte krijuar për të zezën e kombit të tij e të shërbimit të tij.
Po bëhej gati të hartonte raportin për arritjet e të veprimeve konkrete që do të ndërmerrte në të ardhmen, brenda një kohe sa më të shkurtër, kur e thirrën të paraqitej sa më shpejt në selinë e shërbimit, në Beograd, te kryeshefi Radomir. Kjo thirrje iu duk e pavend fare, sepse po e nxirrte nga puna e tij e sukseshme, por u nis menjëherë, duke angazhuar shoferin më të mirë dhe pa u bërë pesë orë ishte si i mbirë para kryeshefit.
Kryeshefi e shikoi sikur të ishte një amator i vjetër, mbetur pa pikë përvoje edhe pas disa dekadash shërbimi dhe qeshi me të madhe.
“Duket të janë mbaruar dosjet, po mos u shqetëso, se të sjellim ne edhe disa maune, që t’i mbushësh e t’i ngjeshësh për shtatë palë qejfe!”
Shefi i Prishtinës u ndje krenarë që po ia njihnin vlerat e angazhimit të madh që kishte bërë dhe sa nuk u vërsul ta përqafonte eprorin e tij.
“Ore, je në vete ti apo ke shkalluar, Bozhidar!? – ndërroi ai qëndimin përnjëherë dhe nisi të fliste me rreptësi. Ke ndonjë sens për ndryshimet ti apo je matufepsur fare? E kupton ҫka do të thotë liri e fjalës e ҫka dosje?! Epoka e dosjeve, si i kupton e si i mbush ti, ka përfunduar. Nuk kthehet më ajo kohë, o shok. Por, ne nuk duhet të lejojmë të ikë koha jonë dhe të humbin idealet dhe synimet tona, të kombit tonë. Ne ishim, jemi e do të jemi madhështia e kësaj bote, mos e harro këtë. Nuk ka forcë e ligj, nuk ka ndryshim, që na ndal nga kjo vlerë unike që kemi.”
“Ҫka të bëj me dosjet unë” – shefi po ndjehej si ta kishin zdeshur lakuriq para mijëra njerëzve. Zemra po i therrte sikur po i shponin me thikë.
“Besoj se nevojtoreve të Prishtinës u duhen letra. Ua jep falas, në shenjë bëmirësie” – kryeshefi qeshi me kakarisje të padurueshme. Kurse ti i zë në grusht ata intelektualët që ende vazhdojnë të marrin para e ofiqe nga ne. I ke emrat dhe u jep detyra. Ata më tënjohurit e “më intelektualët” brenda javës duhet t’i kesh të pranishëm në vendet më të dukshme, duke mbajtur tespihe në duar e duke shkuar për lutje në xhamitë më të mëdha. Ata duhet ta lënë fjalën e lirë e të angazhohen për islamin, duke deklaruar, kudo që të gjenden, se islami është e vetmja e ardhme e shqiptarëve dhe se mendimi i lirë është i dënueshëm edhe nga perëndia. Kështu, i xhveshim ata, pa zhurmë e pa bujë, para popullit të tyre e botës i tregojmë se ky popull nuk ka kulturë, nuk ka aftësi e nuk ka prirje për ndryshime, se ky popull nuk i pëket Evropës, se mendja, qëllimi dhe shpirti i tij është orient dhe vetëm orient… Dhe kështu, i ndjekim ata ma dosje të reja, të holla fare, pothuaj të padukshme e shumë efektive…”
Mandej kryeshefi e shefi iu shtruan një bisede të gjatë, lexuan materiale e dosje sekrete dhe sollën vendime, që do të ishin të njohura vetëm për ata dy e për gjeneratat e ardhme, kur do të hapeshin dosjet tepër sekrete.
Me t’u kthyer në Prishtinë, Bozhidari mbajti një varg mbledhjesh e takimesh me vartësit e tij. Duke u shtënë se po thoshte gjëra krejt normale e aspak të padrejta, ai urdhëroi që të fillonte seria e pandërprerë e bisedave informative me shqiptarë të njohur e me shqiptarë që mund të bëheshin të njohur, për t’u dhënë detyra konkrete atyre që donin të gëzonin jetën e privilegjet dhe shkopinj e burg atyre që kujtonin se mund të krijoinin rrethana për bashkim të Kosovës me Shqipërinë ose për shtet të ri shqiptar në këtë truall. I udhëzoi që për masën tjetër shqiptare të krijoheshin kushte ideale për t’u larguar për në vende të tjera, sa më shumë e sa më shpejt, domosdo të frikësuar tej mase, që as të mos u shkonte më ndërmend për t’u kthyer ndonjëherë këndej.
Mandej, në Prishtinë sikur u përhap një ftohtësi ngjethëse, në ato ditë plot diell. Kafenetë, rrugët, sheshet, oborret… ishin të mbushura me njerëz që mbanin tespihe në duar e që numëronin me devotshmëri të paparë rruzat e vogëla, rruzat e shndritshme, rruzat të sjella shpejt aty, nga kushedi ku. Rrugët e sheshet ishin mbushur edhe me të atillë që shfetonin, në vende sa më publike, libra të mëdhenj e me shkronja arabe që binin menjëherë në sy.
Në fillim njerëzit befasoheshin kur shihnin me tespihe në duar një profesor universiteti, një njeri që me kohë e kishte deklaruar veten komunist e ateist; një njeri që deri pak më parë mohonte fenë; një njeri që kishte shkruar e botuar libra kundër fesë, një student që kurrë nuk i ishte ndarë librit shkencor…
Erdhi ashtu kur koha Kosova nuk e shijoi dot lirinë e fjalës e kur gjithë vendin e kaploi hija e tespixhinjëve.

Klubi i shkrimtarëve “Bota e re” ka promovuar në ambjentet e Bibliotekës “Thimi Mitko” vëllimin më të ri poetik “ Hëna e stinës së vetmuar” të autores korcare Gerta Bandilli.

  Gerta Bandilli   Klubi i shkrimtarëve “Bota e re” ka promovuar në ambjentet e Bibliotekës “Thimi Mitko” vëllimin më të ri poetik  “ Hëna e stinës së vetmuar” të autores korcare Gerta Bandilli.   Për më tepër info klikoni … Continue reading