Poezi nga Liliana Shkodrani (Baçi)
Shkëputur nga vëllimi poetik “ Intuitë e bluar gruaje”
LINI HAPUR PORTËN
Lini hapur portën,
të hyjë koha ime
hija i është pjekur.
Para se të kthehet drita,
që verbon dyshimet
se në parajsë strehohen gëzimet.
FRIKA E BARDHË
S’është korrida e demave spanjollë,
as shijimi i gjuhës së drerit
dhe jahnia e mëlçisë së sorkadhes.
As sekret pentagrami i muzikës së ëmbël.
S’është tingull i këmbanës së katedrales mesjetare.
Është magji që më përdredh si do
dhe “krimi” i ëmbël, që përzë moshë…
e unë
emigroj në planetin e dritës
për të përgjuar gjurmët e ortekut të frikës…
NË KONGJIJTË E FANTAZISË
Në kongjijtë e fantazisë
ndonjëherë ngrohet edhe dëshira.
Po aty pengohen me frikë edhe mendimet,
kur prekin imagjinatën e kujtimeve.
Rrëzohen në pakujdesitë që dhe me ty i mbolla.
Degët plot sythe që presin përpëlitje të reja,
dhe përplasen në stuhi,
po jo në oborrin tim.
REPETITA JUVANT
Nga forca e përsëritjes së një nocioni, diçka mbetet
(Latinisht)
Ngaqë bëra shpesh atë që s’desha
prej fantazive fëmijërore
krijova sferën e bëmave
me mendime aq të brishta,
sa mbolla edhe fundin e botës femërore,
…pa ngjyrë gjelbëroshe.
E të mendosh se për ylberin
ndjej adhurimin më të epërm…
Që të mbetem jashtë kufirit të hijeve,
trajektores me ngjyra të larmishme
më duhet t’i djeg koren
dhe për nënën time….
ABSURDITETE TË PANDËRPRERA HUMANËSH
Po të përqëndrohem në variacionet e volumit
që nga fëmijëria deri te rrudhat e sotme
jo çdo tingull prezantohet si melodi e trishtë.
Dhe po qe se më thith dorëzimi nga problemet e
moshës,
do të mbyllej cikli i anktheve,
aq sa gjithë ndjenjat do të dorëzonin pjesëmarrjen.
E më shumë akoma
vëmendja korrekte
do të kthehej në qenie demoniane.
Po qe se netëve syhapur
do të ndiqja çdo pelegrinazh të rafinuar,
do të zbuloja që më tej s’njihej masë
e do të konkretizoja bindjen
që këtu poshtë të gjithë kërkojnë hapësirë,
edhe kur e kanë.
E kjo sepse në unazën e lotëve,
të të gjitha dënimeve njerëzore
nuk zbërthehet asnjë kufi,
por transferohen absurditete
të pandërprera të humanizmit.