GJYKATËS ILUZIONESH FATALE / Tregim nga Edmond Shallvari

 

 GJYKATËS  ILUZIONESH  FATALE

 

 

Edmond_Shallvari

Tregim nga Edmond Shallvari

 

 

Bëra siç më udhëzonte letra e çuditshme, brenda një zarfi të çuditshëm, ardhur nga një njeri akoma më i çuditshëm. U nisa pas mesnate në drejtim nga perëndon dielli, eca dhe eca errësirës, duke numuruar sasinë e hapave të shkruara në letër dhe kur arrita në të fundit, u ndodha para një rrethi të brumtë, si një pelte e njomtë, e butë, që më çuditi si qëndronte pingul me tokën. Zbatova udhëzimin e mëtejshëm të letrës, duke zgjatur pesë gishtat e dorës së majtë, që depërtuan butshëm deri në rrëzë të thonjve, brenda asaj butësie si brumë i ardhur dhe pa mundur të mbledh veten, u tërhoqa thithshëm brenda saj i tëri. Nuk munda, as të shikoj, as të dëgjoj gjë, por ndjeva që frymëmarrja vazhdonte. Dmth, isha gjallë. Në vend të prekjes së tokës për të mbajtur drejt trupin, këmbët, ashtu si dora e majtë pak më parë, u tërhoqën nga boshësia e një tuneli, duke më marë pas me një shpejtësi, që gati sa s’po më ndante në dy pjesë trupin. Ndjeva sikur ajri i mushkërive dilte flakshëm, duke rritur akoma më shumë shpejtësinë zbritëse, atij tuneli të pafundëm.

Fundi erdhi papritur, me një ulje të menjëhershme të trupit në padukshmërinë e një ndenjëseje të rehatshme prej ajri të ngjeshur. Edhe pse pa kufij muresh përreth, rrumbullakësia e dhomës shquhej nga rrezatimi i jashtëm fosforeshent, që ndalej në cipën e saj të padukshme, si qelqësia e një sfere boshe.

Nuk di në ishte real apo iluzion optik shqisor, burimi i fosforeshencës së jashtme, por sado që bëja hapjembylljen e syve, para tyre më shfaqeshin përzierie kockash skeletesh njerëzore, në forma nga më përçudnueset. Ishte ajo masë gjigande kockash, që buronin ndriçimin e fosfortë, brenda dhomës në të cilën po prisja të mëtejshmen e ekzistencës sime. Kujtova udhëzimin e tretë të letrës, që më thoshte ta rihapja e ta lexoja pasi të ndjehesha i veshur ndryshe. Ç’ishte kjo ndryshe?

As arrita fundin e pyetjes, kur pelerina e zezë e gjyqtarit u fosforizua, gjë që më trembi në fillim. Mos isha skeletosur edhe unë?  Preka veten në ishte në formësinë e saj njerëzore të mishtë, u cimbitha deri në ndjesinë e dhimbjes, u mbusha me frymë dhe veprimi i fundit për bindjen e shikimit, ishte lëvizja rregulluese e syzeve mbi samarin e hundës. Hapa përsëri letrën dhe në bardhësinë e saj u shfaqën bashkime gërmash, fjalësh dhe qartësia e udhëzimit.

 

Isha caktuar nga komisioni i të vdekurve gjyqtar ndaj atyre, që edhe të vdekur nuk po i linin rehat në botën e tyre. Kishte plasur një sherr mes palëve, por edhe brenda çdo pale. Pala akuzuese ishte përçarë dhe po bënte mishmash ekzistencën e përtejme të saj mes errësirës e dritës, duke përzierë pa të drejtë pjesë të tyre. Pala e akuzuar ngulte këmbë që ishte ajo burimi i dritës së përjetshme, por mes saj sherri ishte më i madh, për parësinë e meritave.

Të skeletosurit akuzues e kishin më lehtë përzierien gjatë sherrit, duke ndërruar pjesë kockash mes njeri-tjetrit, edhe pse shpesh kombinimet i shëmtonin, ose zbukuronin më shumë. Sherri kishte shkuar deri në thyerrje kockash, ku më keq e pësonin të moshuarit, që nuk rezistonin dot. Më të fortit, që përfitonin më shumë kocka nga më të dobtit e dritës, ishin larguar nga errësira, duke ndërruar vendet me ta.

Të akuzuarit fërkonin duart për përçarjen e krijuar, duke siguruar kështu një vend të përkohshëm mes dritës dhe errësirës, në pritje të fitimit të shumicës përkrahëse të dritës. Do ta kishin arritur me kohë këtë privilegj, por sherri mes tyre s’kishte të mbaruar e me sa dukeshin bathët, do acarohej më keq. Kur u vu në rrezik vetë ekzistenca e botës së driterrësirës, përtej së cilës s’do të shikohej asnjëra prej tyre, palët në konflikt ranë dakort që të ngrihej komisioni nga pala akuzuese, e cila do të caktonte nga bota e të gjallëve gjyqtarin ndaj të vdekurve të akuzuar. Ishte i vetmi rast, kur të akuzuarit ishin në të njëjtin mendim, bile dhe kënaqësi, për gjykatësin e zgjedhur. Siç  thanë me zë të ulët mes njëri-tjetrit, kushdo qoftë ky i gjallë gjyqtar, para mendjes e veprës së tyre në të gjallë e pas saj, do të dështonte sa të hapte gojën. Por, edhe po ta mbante ca hapur, dinin ata si t’ia mbyllnin. Ata kishin mbyllur miliona gojë në gjallje e vdekje e vazhdonin edhe aty ku ishin, të mbyllnin akoma.

 

Kaq më fliste ajo letër, që pasi zhduku çdo të shkruar, u thërmua në mijra grimca fosforeshente në dorë dhe si një bisht komete u shkëput prej saj, për t’u zhdukur përtej dhomës.

Ndërsa skeletet e akuzuar po formësoheshin në ekzistencën e gjallë të tyre, mua po më dukej vetja sikur po shpërbëhej e shkonte drejt skeletimit.

 

Ata ishin aty, para syve të mi, para meje, që i njihja më shumë edhe se prindërit e mi, që i adhuroja si perëndi dhe i besoja apriorisht. Deri atë cast, kur aprioria ia arriti fundit të saj, kurse ata, fillimit të gjykimit tim.

“Të pandehur, zini vendet!”

O Zot, ç’po më shikonin sytë pas asaj kërkese hyrëse, që kujtoja se do të më kapërcente lehtë emocionin  e parë.

Me përjashtim të Marksit, që u ul pa u shtyrë e pa shtyrë asnjë në fillim dhe Engelsit, që më shkaktoi keqardhje për moskundërshtimin e tij ndaj Leninit, që me një kërcim të menjëhershëm u ul në të majtë të Marksit, duke e spostuar atë prapa kurrizit të shokut, ajo që më panë sytë e dëgjuan veshët më tej, kapërcente çdo ekstremitet parashikimesh e fantazish të mendjes njerëzore. Më tronditi vërtet Lenini, që e njihja për adhurues të Engelsit, por më befasoi mënyra e qetë shfaqëse e Stalinit dhe ulja në të majtë të Leninit, por që u pa vëngër dhe u kundërshtua prej tij.

“Kush ta caktoi ty këtë vend, o mendjemadh?! Ç’kujton se je, njëlloj si mua dhe ky këtu?!” tregoi me gisht nga Marksi. Lenini.

“Ai që ta caktoi dhe ty, o Leno, mos u bëj kaq shpirtngushtë”

“Unë shpirtngushtë, që të besova më shumë nga ç’e meritoje në të vërtetë?”

“Sa e meritoja e tregoi koha, që më vuri pas teje”

“Koha apo koka tënde? Mos m’i shit mua këto pallavra!”

“Kam faj unë, o Leno, që të kam mbrojtur më shumë se veten time”

“Kokën tënde ke mbrojtur e më keq më ke bërë me atë unin tënd, që e di ti ku të çoi”

“Tradhëtarët më çuan aty. Mos ju dil në krah atyre tani, se bën tradhëti ndaj atij që ke në krah”

“Laje gojën Stalo, kur ze në gojë Marksin e mua! Këtu s’të pi ujë kokëfortësia. Unë jam edhe në atë botë, ku ty s’të mbeti nam e nishan, edhe këtu, ku ti s’di ku e ke veten”

“Mos më inatos Vladooo! Ma njeh mirë inatin. Të mbajta të vdekur mes të gjallëve aty, shkuar perëndisë. Nuk ta preka vendin tend, as aty, as këtu, ku të mungojnë dhe kockat. Mos kështu, se do çuditim botën e gjallë e të vdekur”

“Mjaft! Nuk jemi këtu për meritat tuaja. Ç’kujtoni, se dhe në këtë botë do të caktoni vendet tuaja sipas qejfit?”

Më në fund guxova e thirra. Iu thirra vërtet. Unë, i thjeshti njeri, iu thirra atyre për herë të parë, ballëpërballë. Dhe ata, heshtën.  Qoftë dhe pak sekonda isha unë mbi ta atë çast. Pak sekonda, se papritur plasi tjetër sherr.

E pamundur, e pabesueshme, tragjikomike, ajo që porsa filloi e po vazhdonte mes dy ish miqve e shokëve për kokë për aq vjet, por të ndarë keqazi më pas, që në gjallje të njërit.

Edhe pse patrioti im, e lashë të provonte karatenë e kinezit Mao. Nuk ia thoshte fare në grushte ky timi, që vetëm tundej sikur të ishte në kërcim valsi. Kaq i dobët të ishte? Dhe kush, ai, që përcolli në atë botë ku ishte tani, me dy gishtat e parë të dorës, mijra patriotë të vet dhe shokët më të afërt të tij. Ku ishte tani ajo fuqi e atyre gishtave vrasës? Ç’po ia bënte paq Maoja, që pasi i dha goditjen e fundit, me një kërcim karateisti u gjend në të majtë të Stalinit.

“Pse lojëra fëmijësh do më bësh mua, o Vero kurvari?  Sa ta desh bytha rrije pas meje, kur s’ta desh ajo, më dole përpara e më hodhe tutje. Burracak! Burracak ishe dhe je, se kur isha gjallë, gëk-mëk nuk më bëje”

“Unë burracak, unë që i vetëm në botë mbrojta me mish e me shpirt ata të katër? Le të dalë burrë sot e të vërtetojë, se kush i ka mbrojtur më shumë. Jo vetëm i mbrojta, por e çova më tej teorinë e tyre”

“Ha, haaa, ç’hyzmet që i paske bërë vetes!  Po të mos isha unë, që të dhashë ç’kërkove dhe iu vura kufirin te thana armiqve të vendit tënd, ti do ishte një hiç e shkuar hiçit. Po mirë ma bëre! Për pabesi paske qenë i vetmi. Ik shporru që këtu, se po na ndyn vendin! Apo jo, o Stalin? Kë do preferoje në krah, mua apo këtë kurvarin?”

-Më zure ngushtë,  o Dune. Zgjidheni vetë mes jush me të mirë, se për mua si ti dhe ai, në krah më keni qenë e vazhdoni të jeni. Ca më shumë më ngjan Veroja, po s’dua ta prish me asnjërin”

“Pse kështu u ndakan meritat, o Sifkë? Unë të ngjaj më shumë, unë duhet të jem pas teje dhe mbaroi kjo punë. Ky sa për formë të mbante ty, kurse unë isha forma dhe vepra tënde, më shumë se të ishim binjakë. Mos u bëj oportunist tani”

“Dune, lere aman si më i vogël që është. Fundi i fundit, tanët jemi”

“Sifkë, tanët jemi vetëm ne të pestë. E më pas s’ka asnjë tjetër. I di unë më mirë këto punë. Ti ike, po unë e di ç’kam hequr i vetëm në të gjallë”

“Kush është ky që caktoka radhën e klasikëve të komunizmit?”

“Unë, Enver Hoxha, o i madhi Marks!”

“Ti që ma bëre lesh e li teorinë time për socializmin e komunizmin?”

“Po dhe timen jo më pak” u hodh Lenini në krah të Marksit.

“Mbylle dhe ti, se s’kam filluar akoma dhe me ty!” ia ktheu aty për aty Marksi i nxehur.

“Mbylleni që të gjithë e mos dërdëllisni më! Me gjithë respektin që kam patur për ty Marks, përderisa Lenini vazhdoi në emrin tënd dhe bindi miliona njerëz në botë, kjo dëshmon se diku ke gabuar dhe ti” fillova unë gjykimin.

-“Po unë nuk shkrojta gjëkundi të bëhej revolucioni aty ku e bëri ky tullaci.  Lexo si e drodhi pjesën time dhe e ktheu në favor të vetes. Që aty fillon tradhëtia ndaj meje dhe jo vazhdimësia ime”

“Ta sqaroje dhe të mos e lije mbytur, siç e le”

“Pse, ç’isha unë, absolut në teoritë e mia”

“E pranoj që u nxitova, o Marks, po në fund të jetës lashë porosi të ngjashme me të tuat, por ky në krahun tim as i begenisi ato e bëri në kokë të tij. Dhe të lutem, mos ofendo kokën time, se ta kthej më keq pastaj për kokën tënde me tepricë leshi” ndërhyri gjysmë i nxehur Lenini.

“Të ishe ti në vendin tim e të shikonim si do të bëje me tradhëtarët e marksizëm-leninizmit” kërceu i prekur Stalini.

“Kështu i quan ti Stalo nga pazotësia për debat e për të zbatuar këshillat e mia”

“Me leje, mund të sqaroj unë diçka?” kërkoi fjalën duke ngritur dorën, Enveri.

“Ti pusho!” ndërhyra në çast i nervozuar.

“Kush është ky?” pyeti prapë Marksi.

“Unë, Enver Hoxha, o i madhi Marks” përsëriti të njëjtën përgjigje Enveri.

“Nuk dua të të dëgjoj, se më shkakton alergji porsa hap gojën!” ia ktheu Marksi.

Enveri shtrëngoi nofullat dhe grushtin, pa vazhduar më tej.

“Mua, ta dish” u hodh Lenini.

“Mos e merrni kaq përpjetë ju të dy” i doli në mbrojtje Enverit, Stalini.

Enverit i erdhi çehreja dhe u ngrit përsëri për të folur.

“Unë i tregova botës imperialisto-revizioniste…”

“Ti pusho!” ia preva me duf përsëri fjalën.

Më ishin bërë si buka që haja llafet e tij, aq sa kur i fillonte dikur kongreseve e mitingjeve, ia vazhdoja duke çuditur prindërit dhe të afërmit.

Përsëri shtrëngim nofullash e grushtesh enveriane, por me drejtim nga mua, aq sa më shkaktuan dridhje të frikshme në trup. U qetësova, kur kujtova që isha unë gjykatësi e jo ai, që isha unë ekzistenti, kurse ai thjesht një hije e trupëzuar.

E pamundur të vazhdohej me hidh e prit.

“Të pandehur, nëse ju ka mbetur pikë drejtësie apo sinqeriteti në shpirt, më thoni këtu, në mes të kësaj sfere të akuzës së të vdekurve, që ndriçohet nga kockat e tyre ende të patretura, a ndjeheni sadopak fajtorë e të penduar ndaj tyre dhe të gjallëve, që ende ju besojnë dhe vuajnë pasojat e veprës suaj?”

“Mos më fut në të njëjtën akuzë me prakticienët e teorisë sime, që e gatuan sipas qejfit të tyre në vendet e tyre, kur unë as i kisha në parashikimet e mia” filloi të flasë i pari Marksi, duke vazhduar.

“Megjithatë po i përgjigjem pyetjes tënde. Ndjehem fajtor dhe i penduar ndaj vetes sime, për aq sa mbeti e paplotësuar ajo në veprat e mia. Do të desha të isha në bankon e të akuzuarve me të tjerë njerëz të dijes, si Smith e Rikardo, Prudon e Hegel, Fojerbah e Kant, etj, si këta. Sa për këta këtu, që nuk paskan pikën e etikës njerëzore dhe të dijes mbi teorinë time, më vjen vërtet turp të gjykohem së bashku”

Pas fjalës së Marksit, u hodh Lenini.

“Edhe unë kështu ndjehem, si Marksi. Nuk ia vlen gjykimi im me këta pasardhës injorantë, që nga dobësia e mendjes, vunë në përdorim instiktin e forcës. Kurse ti Marks, mos dil kaq i palarë, sepse ishe ti, që kur ndodhi Komuna e Parisit, the që komunarët sulmuan qiejt. E ata qiej sulmova dhe unë me bolshevikët e mi dhe fitova”

“Ajo që bëre ti Lenin” ndërhyri të vetmen herë Engelsi “ishte gafa më e madhe e kohëve, sepse kapërceve qiejt e pakapërcyeshëm për atë kohë. Ja kisha shkruar paralajmërimin një paraardhësi tënd dhe më doli fjala, që nëse do të tentoni në vendin tuaj socializmin, ai do të jetë primitiv, jo socializëm i vërtetë dhe ti ke aq mend të kuptosh dallimin mes tyre. Por ti u rrëmbeve dhe ndodhi ajo që ndodhi. Mos aman me këto justifikime, se s’po na rrinë rehat as kockat, pa le shpirt!”

“Nuk dua më debate mes jush! Vazhdojmë me të tjerët”

“As pendim, as faj, nuk ndjej, përkundrazi, po të vazhdoja gjalljen time, edhe sot e kësaj dite të njëjtin Stalin do të njihnit dhe me ty Lenin, me kaq sa më akuzove, do llafosesha ndryshe, më keq se me Trockin”

“Për mua le të flasë mbi një miliardëshi i kinezëve të mi. Do pranoj vetëm vendimin e gjyqit të tyre. Po të më ndodhte si ky kurvari, që i tërhoqën zvarrë monumentet, do ikja nga sytë këmbët”

“Kush është kurvari?” pyeti Marksi.

“Unë, Enver Hoxha, o i madhi Marks! u përgjigj pa u menduar Enveri, duke kuptuar më pas gafën e bërë.

Dhoma e sfertë u përshkua nga një ndriçim i vetëtimshëm fosforik, shkaktuar nga e qeshura e madhe e miliona skeleteve jashtë saj. Pastaj  pushuan në një kohë, si ta kishin bërë me llaf të gjithë, kur një ulërimë e dalë nga goja e Enverit, gati ua zbërtheu kockat e i ngatërroi më keq mes tyre.

“Të gjithë ju këtu, Marks, Engels, Lenin, Stalin e Mao Ce Dun, jeni tradhëtarë të marksizëm – leninizmit të vërtetë! Në emër të popujve të gjallë e të vdekur, jeni të arrestuar e dënuar me rivdekje!”

“Ky qenka, ç’qenka, të vraka me emrin tënd e s’e paska për gjë” mërmëriti Marksi, i përsëritur nga Lenini.

“Edhe ti, i ashtuquajturi gjykatës, që guxove të vish këtu e të më gjykosh mua, mos guxo të firmosësh gjë kundër meje, se të bëj të thuash, xhan o ferr! Shko dhe ju thuaj të gjallëve, që sa të ketë të vdekur, do më kenë këtu, ashtu siç më patën në të gjallë”

 

U drithërova në çast, pastaj ndjeva zbërthim kockash, që më çponin për të dalë jashtë trupit. Pelerina e fosfortë filloi të venitej e të humbiste shkëlqimin e mëparshëm, nga njomja e një lëngu në të verdhë, që po më qullte pa pushim. Isha mes tunelit, i tërhequr në të kundërt të tij e po në të kundërt u përplasa rrethit të brumtë, duke dalë jashtë tij i flakur për tokë. Bëja të ngrihesha e nuk ngrihesha dot, deri në mbarimin rrjedhës të atij lëngu të çuditshëm. Ftohtësia e tij mes këmbëve më solli në vete.

Shshsht, ta themi mes nesh dhe mes nesh të mbetet. Isha shurrosur nga frika. Shshsht!

Parashikuar edhe kjo gjendje në fund të letrës, që fillonte përsëri udhëzimet nga e para, për mua.

 

@Edmond Shallvari

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s