ALMA FERUNI, DINJITET I POEZISË SË EMANCIPUAR VLONJATE ( Parathënia e vëllimit poetik “Pentagram Jeta” ) / Nga MSc. Albert HABAZAJ, poet, studiues

ALMA FERUNI, DINJITET I POEZISË SË EMANCIPUAR VLONJATE

( Parathënia e vëllimit poetik “Pentagram Jeta ”

 

 

Albert abazaj

  Nga MSc. Albert HABAZAJ, poet, studiues

 

Vlora njihet për kontributet e saj në historinë kombëtare dhe në kulturën shqiptare. Po ashtu, në të dy fushat, Vlora spikat për emancipimin e dallueshëm. Kujtojmë nga historia, Miro Tërbaçen, Sado Koshenën, Qeriba Derrin, Zonja Çurren, Persefoni Kokëdhimën, Lilo Laben (Ervehe Gorishti), Teferinë e Vranishtit etj., që, nuk shkruan histori me bojë, por me gjak nëpër shkëmbenj e furtuna, për Atdhe, krahas burrave trima  e kapedanë për pavarësi, për liri e përparim. Edhe në kulturë, duke e ngushtuar vështrimin në fushën e letrave, (pa u futur në thellësi të kohërave), Vlora e ka shfaqur dhe ka parë dobi nga emancipimi në fushën e letërsisë.  Ishim të rinj në vitet ’75 të shekullit të kaluar dhe na kujtohet poetesha e njohur Maro Pasho, e cila kishte emër të respektuar letrar në qytet, por në vitin 1968, me botimin e vëllimit poetik “Shkëndija jete” dhe më von me vëllimin tjetër “Monumentit” etj., krijoi një profil të admiruar, sikurse vlonjatja tjetër Flora Gjondeda (Dervishi), krahas autorëve të njohur të qytetit me emër kombëtar si Hiqmet Meçaj, Shevqet Tigani, Neshat Tozaj, Mihallaq Qilleri, Fadil Zeqiri, Anastas Kondo, Duro Mustafai e, në vijim, Faruk Myrtaj, Bardhosh Gaçe etj. Maro Pashos i flisnin Kontesha e Vlorës. U zgjata pak me këtë paraqitje, por jo pa qëllim. Vlora këtu është, njerëzit ikin.

Njerëzit ikin, veprat mbeten. Gjurmët ndikojnë për talente të reja. Çdo kohë ka emrat e saj.

 

alma feruni

Alma Feruni

 

Në shoqërinë tonë letrare, në sotshmëri, në Vlorë u shfaq një gurrë krijimi në letërsi (poezi e prozë), në letërsinë për fëmijë, në përkthim dhe në publicistikë letrare. Sidomos, këtë dhjetëvjeçarin e dytë të shekullit të ri XXI, një emër femëror po prezantohet, po shihet qartë, reziston dhe po krijon një profil original dhe të respektuar letrar. Pena e saj, herë si manushaqe e herë si trëndelinë në lëndinën e lulëzuar të poezisë së sotme shqipe, në faqet e revistës “Hora”, në gazetën kulturore – letrare “Muzgu”, jo vetëm për miqtë e Muzgut, por për të gjithë letërsidashësit e sotëm shqiptarë, kundërmon aromën e freskët dhe bukurinë origjinale të vargut. Shkruan shpesh, shkruan vrullshëm, shkruan këndshëm e të kënaq me trajtimin poetik që i bën motiveve, që i buisin nga pena, me frymën e krijimit. Ajo po na bombardon ëmbël, duke shtrydhur edhe pak limon artistik, me poezitë e saj të arrira, ku ndjenja dhe mendimi shkrihen si ëndërr e realizuar nga bardhësia e shpirtit të autores. Është poetesha Alma Feruni, e cila është paraqitur para lexuesit tonë të kulturuar me botimin e katër vëllimeve me poezi dhe përkatësisht “Ëndrrat e bardha”, (2013), “Tempulli i dashurisë” (2014), “Prarim i bardhë” (2014) dhe “Pentagram jeta” (2015). Qyteti ka në shoqërinë e letrarve edhe emra të tjerë femrash si Vilhelme Vranari Haxhiraj, (“Mjeshtër i Madh”), Laureta Petoshati, letrarisht e plotësuar dhe një përkthyese e kërkuar, ka Liljana Zogën, ka Enrieta Sinën, ka Elma Ramën, Anila Toton, Gjenovefa Myrtaj Ferrari e Natasha Limaj, ka Zenepe Lukën, ka Elvira Feruni Beshaj (motra e përkthyeses sonë), ka një personalitet të ri letrar si Dr. Alisa Velaj, e cila ka fituar çmim ndërkombëtar dhe s’ka nderuar vetëm Vlorën, por mbarë letrat shqipe. Ka dhe shumë emra të tjerë që meritojnë nderim. Rikthehemi tek Alma Feruni.

 

10603487_1943611599197646_3297728973337689486_n

Pentagram Jeta

 

Poezia e saj është zëri i ri përfaqësues i emancipimit të letërsisë së shkrimtarëve të sotëm me banim në Vlorë, është psikologjia e femrës së sotme vlonjate, është bota e pasur e labëreshës së re. Vlora njerëzve u jep fat. Më fatmarrësit mund të jenë krijesit. Alma e ka shfrytëzuar bukurisht këtë mundësi. Sikur vetëm të lexosh poezitë e saj, pa e njohur autoren apo biografinë e saj, kupton që ke të bësh me një krijuese që ka marrëdhënie korrekte e shumë miqësore me detin, me Mesdheun, me qiellin, me lumin, me natyrën vlonjate, të njësuar natyrshëm me Vlorën, me botëpërjetimet e njerëzve të qytetit të saj. Poezia e Alma Ferunit është e llojit lirik, me ngjyrime të lehta, por gjurmlënëse të natyrës liriko – epike. Gjithmonë është zëri i saj, tashmë i krijuar me dinjitet letrar, saqë, mund ta cilësojmë pa droje kontesha e poezisë së sotme vlonjate, (biles, jo vetëm femërore, jo vetëm vlonjate, por edhe matanë Mifolit e Vjosës, siç thuhet një shprehje në Vlorë, për njerëz të vlertë në fusha të ndryshme të jetës dhe të diturisë, që i tejkalojnë përmasat lokale). Së pari, Alma është poete lirike, sidomos lirikat e saj dashurore marrin fluturime hyjnore, saqë nusërojnë dhe hënën… Ajo di të falë dashuri, di të thotë edhe faleminderit, di të jetë mirënjohëse, di dhe kujt t’i thurë vargje të praruar, pa e shpërdoruar pasurinë që përmban vargu nëpër gërmat e vjershërimit. (Kujtojmë vargjet aq të ndjera për shenjtoren shqiptare Nënë Tereza). Edhe Maro Pasho ishte me dinjitet në qytet: e hijshme, e pashme, tërë nur, e trëndelintë. E tillë është sot Alma: e hijshme, e pashme, tërë nur, e trëndelintë, veçse jo si imitim i kontesësh së parë, por si prodhim bio i standartit të lartë poetik. Gjurmët liriko – epike të vjershërimit të konteshës së trëndelintë Alma Feruni i gjejmë edhe tek vëllimi më i ri poetik “Pentagram jeta”, që lexuesi sapo merr në dorë.

Nga tufa me trëndelinë po shkëpus njëckëz nga petlat me aromë të këndshme letraro – shqiptare, atë që Alma e ka quajtur “Legjendë më vete…”. Po e shkruaj të tërën, sepse më duket se mbushem thellë me frymë Poezie, të veçantë, të spikatur, plot lëng e fllad, që rrjedh natyrshëm në shtratin e saj letrar dhe identitar:

“Legjend’ më vete kjo jeta shqipe,/ Kur vashat veshën mburojë trimërinë,

Sa shekuj agimet vatrës pranë prurë/ Në gji fëmijë ushqyer/ Atdhedashurinë…

Legjenda vazhdon sot e kësaj dite,/ Kur vatrat mbushen plot nder, krenari,

Agimet u mbarsën shekujsh dritë lirie,/ Besuar në besën për liri/ Dhe pavarësi…/

Fluturuam në krah zog shqiponjash,/ Kur qiejt blu u nxinë dhe toka u bë pre

Flamurin  hovvalvitëm ëndërr dekadash/ Të fluturojë i lirë agim/ Në qiellin pa re.

Legjend’ e kulluar nder gjak dhe liri/ Ky popull shekujsh bekuar /Aromë pavarësi…”.

Unë lexoj në këtë poezi ndjenjën artistike mëmësore, që qëndis në qiellin e kohës krenarinë e dhembshme, por të paulur shekujsh: ““Legjend’ më vete kjo jeta shqipe…”. Dhe këtë varg të paharrueshëm e shkruan autorja vlonjate Alma Feruni. Ndërkohë unë në këtë poezi lexoj identitetin kombëtar të krijmit dhe karakterin universal të tij. Çdo poet, jo vetëm shqiptar, por sidomos i atyre vendeve të botës, që ka hequr gati po ato halle, me ulje e ngritje si Shqipëria jonë e uruar, do ta kishte dëshirë të krijonte një poezi të tillë për vendin e tij.

Vjersha “Poezi patriotike” është shumë interesante si gjetje, e pëlqyeshme në trajtimin letrar, që autorja i bën motivit original dhe, që i flet njerëzve të sotëm me mesazhe të qarta për kohën. Nuk dëshiroj të bëj analizën letrare të tekstit (që me kënaqësi mund të zotohesha), por në këtë paraqitje modeste të vëllimit “Pentagram jeta” të autores Alma Feruni mund të shprehem se poetesha ndjehet jo thjesht një femër, një grua, një nënë që shkruan poezi dhe kaq. Ajo nuk është e mbyllur në botën e vogël; ajo është e preokupuar për problemet e kohës dhe bën pasqyrimin poetikisht të tyre me një larmi tematike nga kjo jetë; ajo (në kuptimin më të mirë të fjalës) nuk rri dot në guaskën e ngushtë intime, por kërkon të ecë me ritmin e vrullshëm të jetës, me standartet qytetare, sipas mënyrës së saj dhe farën e bërthamës së mirësisë dëshiron ta mbjellë hapësirave të Universit me vargjet e saj të dëlira, për ta përmirësuar jetesën duke përparuar në koncept, në shije, në zhvillim. Ajo guxon letrarisht dhe qytetarisht. Alma me vargun e saj fal dashuri, shumë dashuri të bukur e të pastër. Ajo, ndërkohë, kur duhet, di edhe protestojë apo të fshikullojë. Është edhe edukim poezia e Ferunit, edukim letrar dhe qytetar. Mbi të gjitha, përveç letërsisë cilësore për nga niveli artistik, autorja kujdeset për shijet estetike dhe morale të shoqërisë dhe përçon tek lexuesi mesazhe drite, për t’ua zbukuruar fisnikërisht jetesën njerëzve. Me këtë synim artistik e qytetar, poetesha jonë ka lajtmotivin e saj për ta bërë më të bukur jetën qytetare me “Simfoninë e qiellit në ëndrrën zgjim pa kthim”, që krijon e na e fal ne për ta shijuar. Autorja është idealiste dhe misionare. Misioni i saj është: Jeta e qytetarëve të bëhet pentagram muzikor! Nga njohja që kemi me krijimtarinë e autores, mund të thuhet me siguri se poezia është limfa kryesore e zemërs së saj. Poezia e Almës të shkakton ndjesinë e të dridhurit me droje e me përkujdesje tek lexon faqe pas faqeje vargjet e librit, sepse si duket, vetë ajo e ka kuptuar tashmë, me përvojën e saj krijimtare, se poezia është një ëndërr magjike e strukturuar si magnet hyjnor mbi të cilin duhet dridhur me drojë dhe përkujdesje. Poezia! Alma shkruan në një mjedis dhe për një mjedis social të formuar, që mbi shtratin tradicional po riformatohet. Ajo e njeh mirë psikologjinë sociale dhe problemet shoqërore të komunitetit (ndoshta për këtë aftësi autori Ded N. Luca e ka redaktore të librit “Psikologjia dhe psikiatria, dy kushërira të largëta”, 2015). Kjo hapësirë i jep krahë – të marrë penën bio, të shkruajë e të ngrerë situata të tilla poetikisht, me vargje të thjeshta, spontane, emocionuese, me detaje, në imtësi uitmaniste por ndërkohë të matura, me kontraste, mjaft shprehëse, me mendim dhe figura të gjetura poetike.

Nuk do të bëj radhitje të titujve, mjafton t’u kujtoj, o miq të poezisë vetëm dy vargje të Alma Ferunit: “Ajo gjethe e tharë e lënë,/ Shkelur padrejtësisht me këmbë…”.

Kam vërejtur se autorja, edhe në jetë, edhe në vargje krenohet por nuk mburret për vendorigjinën e saj, që është Vranishti i kapedanëve të Labërisisë. Por, ashtu sikurse këngëtarja e famshme shqiptare, Aurela Agim Gaçe, që edhe në Kinë apo në Zelanë të Re ta çosh, bën belì që është vlonjate, labe e tërbaçiote 24 karatësh (nga stili i të kënduarit, nga timbri, nga karakteri, nga mimika, zëri, qëndrimi e theksi, nga këmëbngulja, nga krenaria e dinjiteti skenik, nga bulëzimet rajivëzuese të antropologjisë fizike, sociale e kulturore), edhe Alma Sinan Feruni, pa u shfaqur, duket që përtej që është vlonjate, që është labëreshë nga Vranishti i Vlorës.

Për konkretizim, nuk do të citoj ndonjë vjershë krenarie, por vetëm një lirikë dashurie të veçantë: “Buzën, buzën e dua tani…”. Edhe këtë poezi do ta citoj të plotë:

BUZËN, buzën dua tani…/ Çastin, që dhuroj puthjen e pafajshme,

Drithëruar s`e mos zbulohej agimit,/ Mëkati  bërë përjetsisë,

Tinëzisht dhuroj puthjen flatrash.

BUZËN , buzën dua tani…/ Çastin që në altar puthi guximshëm,

Mrekulluar nga princi shoqëruar,/ Universi ndali frymuar,

Drithëruar dhe Perënditë.

BUZËN, buzën dua tani…/ Çastin që dridhej  pa gjumë,

Përpëlitur ndjenjash të bardha,/ Në  çastet që bota ngadhnjente,

Momentesh, ëndërr përgjërimë.

BUZËN, buzën dua tani…/Univers pafajsish

Pushtim gjithësisë”.

A nuk na kujton Aurela Gaçen në këngën e saj të papërsëritshme nga askush tjetër “S’jam tribú…! (në tjetër rrafsh, kuptohet dhe, patjetër, jo në atë lartësi dimensionale). Hë, pra! Kam të drejtë në pikasjen që theksova.

Seç paska një dinjitet të bukur kjo këmbëngulja poetike e Alma Ferunit në atë ndjenjë të madhe, sa intime, aq universale: “Buzën, buzën e dua tani…”.

Po të vazhdoj me librin, më duhet të shkruaj shumë faqe me kënaqësi, por nuk po trajtoj as figurat e freskëta stilisitike, as semantikën e pasur të leksikut, s’po merrem as me pikturat poetike të peizazhit, por, i uroj autores që ëndrrat e bardha dhe me prarim të bardhë t’i thurë e t’i thurë pafundësisht në tempullin e dashurisë që t’ua bëjë jetën pentagram njerëzve të mirë.

M’u kujtua një sentencë e kritikut dhe poetit turk Ismet Ozel (1944):

“Poezia është poezi vetëm nëse vjen gjer tek ne duke i dalë për zot dinjitetit të saj”.

Gjykoj se me librin më të ri “Pentagram jeta” autorja Alma Feruni e ka realizuar, sepse ka harmonizuar sentimentalizmin romantik me qartësinë e mendimit për gjendjen reale, duke mbajtur qëndrim kritik letrarisht.

E ka realizuar sepse vëllimi i ri ka vlerë poetike, kërkime motivesh, këndvështrim original, larg monotonisë së lodhur, mbushur me frymëmarrje, me dinjitet letrar.

 

 

 

PERËNDESHË…

 

Perëndeshë, të lutem lerma shpirtin lirë

Në ecjen time, në kohën time, në vështrimin dhe në shtegëtimin tim,

Nën hijen e natës, nën gulshin e gjakut

Nën fatin pa fat, nën qiellin pa fjalë

Gulçimë e trazuar heshtje, turbullimë trazuar qejfmbetje.

 

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s