Në botën e thesareve poetike ( Vëzhgime për shtatë vepra të Anton Nikë Berishës ) / Autor (Hamdi ) Erjon Muça

Kopertina Hamdi Erjon muca thesaret (1)

 

Në botën e thesareve poetike

( Vëzhgime për shtatë vepra të Anton Nikë Berishës ) 

 

Autor: ( Hamdi) Erjon Muça

 

 

KUR I GJEN THESARET…

 

– Fjalë hyrëse –

 

 

Tani, me dorën time të djegur, kam të drejtën për të shkruar mbi natyrën e zjarrit.

Flauber

 

 

Kishte kohë që mendoja për botimin e një libri me përsiatje apo vëzhgime letrare rreth librave të shkrimtarëve tanë, të cilët, në një mënyrë ose një tjetër, depërtuan në ndërgjegjen time prej lexuesi. Megjithëse pata shkruar për disa vepra të autorëve dhe shkrimet përkatëse i pata botuar në shtypin ditor, përgatitja e një libri më vete pati mbetur vetëm një mendim i vetmuar në një nga skutat e largëta të mendjes sime. Kjo është më se e natyrshme për mua: shpesh më ndodh që t’i nis disa punë në të njëjtën kohë dhe t’i lë përgjysmë, i bindur se, herët ose vonë, do t’i marr në dorë për t’i përfunduar.

Kur i fola profesor Anton Nikë Berishës për këtë gjë, i thashë me mjaft ndrojtje, ngaqë ideja nuk më dukej e lehtë për mua që merrem me prozë e jo me studimin e letërsisë. Në të kundërtën me ndrojtjen time, Baca Ton (kështu i them unë kur kuvendojmë bashkë; kështu e thërrasin në familje vëllezërit më të vegjël) shprehu mendim tjetër: e pa si ndërmarrje të mundshme. Natyrisht, nuk u tregua i ngazëllyer, por nga mënyra se si foli kuptova që ideja ime mund të përmbushej.

– Nuk më duket ide e keqe, Erjon! – më tha. Duhet të mendosh konceptin e librit dhe t’i shohësh shkrimet me vëmendje e me gjakftohtësi. Libri ka natyrën e vet dhe në të nuk duhet të botohen gjërat ashtu siç janë botuar në shtypin e ditës. Hartimi dhe botimi i një libri do qasje tjetër, më shumë përkushtim e mund.

Kjo ishte shkëndija që ndezi vullnetin tim për t’u marrë seriozisht me hartimin e një përmbledhje me punime kushtuar disa veprave letrare dhe studimore të Anton Nikë Berishës.

Atë mbrëmje mendova vetëm për librin, nuk po më durohej derisa t’ia tregoja idenë edhe tim eti.

Të nesërmen, kur u takova me tim atë në shtëpinë e prindërve, gati pa u përshëndetur ende, i thashë për projektin tim. I fola shpejt e rrëmujshëm aq sa ai ndërhyri:

– Ma shpjego edhe një herë me qetësi gjithë çështjen.

U detyrova t’i shpjegoja ngadalë dhe pa rrëmujë atë që po m’i trazonte mendimet.

Pasi më dëgjoi me vëmendje (mendimet e tim eti i kam mjaft “frikë”; ai është idhulli im më i afërt përsa i përket leximit dhe kritiku im më i “tmerrshëm” përsa u përket vlerësimit të veprave të shkrimevet dhe jo vetëm ato!), më tha: – Një gjë është të shkruash një libër pjellë e fantazisë dhe krejt tjetër të shkruash një libër me punime apo vështrime kushtuar veprave të një shkrimtari. Është fushë tjetër. Nuk po të them të heqësh dorë, por të mendosh tre herë dhe të shkruash një herë. Të mendosh e të veprosh me kujdes, pa nguti dhe jo të rrëshqasësh nga entuziazmi. Të mos kërkosh të gjesh gjëra origjinale sepse kur kërkon origjinalitetin me ngulm bie në kurthin e banalitetit, si ngjet me disa nga autorët që kemi në bibliotekë (me sy më tregoi një nga librat me studime që ndodhet në raftin e bibliotekës familjare në shtëpinë e prindërve të mi). Autori për veprat e të cilit do shkruash, ka një përvojë të madhe në këtë punë – ka botuar një varg studimesh monografike për shumë autorë të shquar, pra nuk është një krijues i ri që pret me padurim një shkrim lavdërimi, por një personalitet i fjalës, që e njeh atë, jeton për të dhe e adhuron atë si diçka hyjnore. Mos e hiq nga mendja se po shkruan një libër që do mbetet dhe jo një punim gazete që do bëjë zhurmë ditën që do botohet, jo më shumë!

Në fakt, do t’i mbledh punimet që kam botuar në gazeta. Ato do ta bëjnë bazën e librit, i thashë tim eti.

– Mirë, po duhet t’i rishikosh me vëmendje edhe jo njëherë. Nëse mendon se duhet shtuar diçka, shtoje, dhe nëse duhet të heqësh ndonjë gjë të tepërt, hiqe! Gjatë leximit do të vëresh se çka duhet të shtosh e çka duhet heqësh në punimin përkatës. Kjo do ta pasuronte mendimin tënd për veprat që ke shkruar.

U ktheva në shtëpi dhe u krodha mirëfilli në rileximin e asaj çka kisha shkruar deri tani për disa nga veprat e profesor Antonit.

Gjatë gjithë kohës fjalët nga biseda me tim atë vazhdonin të më trokëllinin në ndërgjegjje, sidomos shprehja: merre punën me qetësi dhe përkushtim.

Teksa lexoja dhe analizoja atë çka kisha shkruar m’u kujtua intervista e një ish studenti të profesor Ernest Koliqit. Ish nxënësi i Koliqit pyetjes së gazetares i qe përgjigj kështu: Im atë një herë më pati thënë. Nëse në jetë ke fatin të zbulosh apo të gjesh një thesar duhet të tregohesh i zgjuar në vlerësimin e tij, sepse thesaret nuk gjenden çdo ditë.

Edhe unë jam ulur dhe po shkruaj për thesarin që kam gjetur – për disa nga veprat e shkrimtarit dhe studiuesit tonë, Anton Nikë Berishës, i cili vite me radhë punoi në Institutin albanologjik të Prishtinës dhe mbi 20 vjet punon në Universitetin e Kalabrisë (Itali).

Mos pandehni se po bëj krahasime, do të ishte e padenjë nga ana ime, për më tepër që unë jam i dhënë pas astronomisë. Asnjëherë në astronomi s’ka krahasime totale. Një ylli mund t’ia masësh madhësinë fizike, ngjyrën, largësinë nga ne, por kurrësesi të krahasosh rëndësinë e një ylli me një tjetër. Çdo yll, sado i largët të jetë dhe sado e zbehtë që të jetë drita që ai përçon deri tek shqisat tona, është një diell për planetet që e rrethojnë.

Edhe fjala thesar që mund të merret si një kuptim, për mua ka një shumësi kuptimesh, sidomos: objekt me rëndësi jetësore për qenien që e gjen. Në fakt të humburve në shkretëtirë në mirazhe u shfaqen oaze me ujë të kaltër dhe të freskët dhe jo thesaret përrallore të mbretit Solomon. Dua të përmend edhe një shembull tjetër: Imagjinoni një trumcak të uritur që fluturon mes borës dhe acarit e për fatin e tij ndesh me një hambar me grurë. Si mendoni, a do e ndronte ky trumcak këtë hambar me ndonjë tjetër thesar?!

Unë e gjeta thesarin dhe u mora me të, e shfletova dhe u përpoqa ta zbuloj ngadalë, pa ngut, për vete e për lexuesin. Gjeta një krijues që po më mëson qenësinë e veprës letrare, të tekstit poetik e të mundësive të komunikimit pa përdorur autoritetin e diturisë së vet.

Si mund një mësues të mësojë tjetrin pa përdorur diktatin e diturisë?

Duke debatuar qetësisht dhe pa asnjë ngarkesë me mua, si me një të barabartë e jo si me një nxënës, duke më nxitur në lexim me anë të përgëzimit: “Eh mor Erjon! Ta kam zili që lexon rregullisht!” më thotë Baca Ton mbasi i tregoj se çfarë jam duke lexuar. E si të mos shtyhem edhe më shumë në lexim unë, kur një njeri që ka kaluar jetën mbi libra thotë se më ka zili.

Kur shkruan për veprat e një krijuesi ki parasysh edhe njeriun, më pati thënë im atë kur i tregova se do të përgatis një libër me punime kushtuar disa veprave të prof. Antonit. Kishte të drejtë: është njeriu që bën intelektualin dhe jo anasjelltas.

Natyrisht ky libër i imi i përvuajtur nuk mjafton për të ndriçuar punën e madhe të shkrimtarit, Anton Nikë Berishës: do të duhej një punë studimore kohësisht e gjatë për të shpalosur e vështruar veprat e këtij personaliteti të letrave shqipe. Nuk po e teproj aspak që e them këtë për arsye se Baca Ton e ka çuar jetën e vet duke mbledhur dhe studiuar eposin tonë të kreshnikëve po dhe llojet e tjera të krijimtarisë gojore; ai është marrë seriozisht, si rrallë kush, me studimin e letërsisë së arbëreshëve të Italisë, me veprat e shkrimtarëve më të shquar të letërsisë sonë si De Radën, Zef Skiroin, Fishtën, Ernest Koliqin, Mark Krasniqin, Dushko Vetmon, Martin Camajn, Azem Shkrelin, për të mos i përmendur të tjerët, të cilëve u kushtoi studime monografike ose punime të veçanta; autor që shqipëroi “Epin e Gilmageshit”, “Këngën e këngëve”, disa këngë të “Këngës së Nibelungëve” etj.

Më vjen keq që për publikun e gjerë vepra e profesor Antonit nuk është e njohur në masën që e meriton. Natyrisht, kjo nuk vlen për shkrimtarët dhe studiuesit. Ata e njohin mirë[1]. Pse nuk është i njohur në publikun e gjerë, kjo nuk është për fajin e tij. Pra, me gjithë diturinë e madhe, Profesorit i mungon marrëdhënia – komunikimi i gjerë me publikun. Nga kjo anë profesori lë pak për të dëshiruar pasi ai nuk i parapëlqen intervistat me kontekst retorik, nuk rend nëpër studio televizive për të folur si mjaft të tjerë që përqendrohen a thua se do bëjnë zbulimin e epokës dhe ndukin mjekrat larushe apo të zeza. Jo, profesor Antoni mbyllet çdo ditë në studion e vet, me miqtë e tij të pandarë, librat, dhe studion dhe shkruan.

Unë i adhuroj jo vetëm studimet e tij letrare, po edhe prozën dhe poezinë. Atë, që në librin e parë të lexuar, e kam gjetur si një prurje të veçantë të letrave shqipe, e kam cilësuar si prozë dhe poezi me mision. Jo me moral, pasi siç thoshte Paskali: morali i vërtetë as që ia vërshëllen moralit.

Sa herë i lexoj veprat në prozë të Anton Nikë Berishës vërej se është vështirë t’u heqësh apo t’u shtosh diçka, qoftë edhe një presje, për fjalët as që mund të mendohet. Ato janë aq të menduara e të shtjelluara mirë sa po t’u ndryshoje pak vend, thënë lirshëm, do t’i plagosje.

Dua të sjell këtu vetëm një fjali proze, nga romani i tij “Bimorja”, me forcë marramendëse poezie.

“Nata nuk i rrëfeu agut për asgjë që do të ndodhte, po vetëm e lindi si kërmill të lodhur e të përjargur që përmjerr fatkeqësinë e vet!”

Një ndër qëllimet e veprave të profesor Anton Nikë Berishës është të ruajë, të pastrojë dhe të pasurojnë – zhvillojë konceptin e evoluimit të gjuhës sonë dhe të shpirtit të njeriut tonë përmes artit të fjalës.

Nuk di se çka t’i shtoj më kësajë Fjalë hyrëse: thesaret është vështirë t’i përshkruash e t’i vështrosh, ato duhet t’i zbulosh natyrshëm vetë, në mënyrë që të gjitha shqisat të mund të perceptojnë atë që një shqisë e vetme nuk mund të bëjë.

Po e mbyll këtë Fjalë hyrëse me një thënie të Flauber-it: Tani, me dorën time të djegur, kam të drejtën për të shkruar mbi natyrën e zjarrit.

 

Erjon Muça

Autor: ( Hamdi) Erjon Muça

Pisa (Itali), janar 2016

 

 

[1] Deri tani për veprat e Anton Nikë Berishës janë botuar katër libra studimorë: Domenico Corradini H. Broussard, Narrando gli abissi. Tre romanzi di Anton Nikë Berisha. Rrëfime të thellsive. Rreth tri romaneve të Anton Nikë Berishës. “Faik Konica”, Prishtinë 2009; Prend Buzhalës, Kode poetike të mbijetesës shpirtërore. Mbi romanet për të rritur të Anton Nikë Berishës. Argeta – LMG, Tiranë 2009; Isak Ahmeti, Mëvetësi e studimit dhe e krijimit të letërsisë. Mbi disa vepra letrare të Anton Nikë Berishës. “Faik Konica”, Prishtinë 2014; Anton Çefa, Krijimtari e nivelit të lartë shkencor e artistik. Mbi disa vepra shkencore dhe letrare të Anton Nikë Berishës. “Faik Konica”, Prishtinë 2015. Duhet përmendur edhe vëllimi Roman i bukurisë së pamort dhe i trishtimit të pashuar (Rreth romanit “Gjin Bardhela i arbresh & Etja e gurëzuar[1]”) dhe vëllimi prej 622 faqesh Vepër e pasur dhe e qenësishme, përgatitur nga Labinot Berisha, ku janë përfshirë nëntëdhjetë e dy punime të gjashtëdhjetë e një autorëve për veprat e Anton Nikë Berishës, botim i përbashkët i tri shtëpive botuese: Argeta – LMG, “Faik Konica” dhe “Fjala Hyjnore”.

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s