KËNGA / Tregim nga Natasha Xhelili

natasha Xhelili

Tregim nga Natasha Xhelili

 

 

KËNGA

 

U zgjua nga disa të bërtitura që nuk dihej se nga vinin, në fillim si në ëndërr, pastaj kuptoi që gjithë ky sherr po ndodhte fare afër. Ndenji pak kohë i hutuar dhe të bërtiturat i erdhën me gjithë fuqinë e tyre. U kujtua që jeta e tij kishte qenë e tillë, prandaj mundohej të gjendej sa më pak në këtë mjedis gjithnjë të gatshëm për të shpërthyer. Nuk ndërhyri fare në atë zhurmë, ishte mësuar ti shmangte për bukuri situata të tilla. Hëngri diçka shpejt e shpejt dhe doli jashtë. U çlirua. Dita pak e ftohtë e dimrit ishte e bukur. Ajo ndriçohej nga rreze të arta e të ngrohta që derdheshin supeve të lëvizjes, shijohej nga trupa të strukur brenda rrobave të stofta që sundonin tregun e lirë dimëror.

I zhyti duart thellë në xhepat e palltos dhe ngriti pak jakën lart, nuk pa asnjë fytyrë të njohur në atë mizëri. U drejtua nga rruga e parkut i shoqëruar nga jehona e të bërtiturave mëngjesore. Nuk kishte asnjë dyshim kur vuri këmbën në barin ende të gjelbër të parkut që dukej i thinjur nga ngjyra e disa shelgjeve anës liqenit artificial. U drejtua nga stoli që ishte gjysmë në hije, gjysmë në diell dhe vuri syzet që i mbante gjithnjë me vete. Iu afrua atij trungu të vjetër ku gjente përherë shenjat e rinisë së hershme kur bashkë me atë shoqe kishin gdhendur pa menduar inicialet e emrave të tyre. Nuk mendoi se kjo do t`i shkaktonte dhimbje të vazhdueshme, vitet nuk kishin kaluar, gjithçka dukej sikur kishte ndodhur dje. Nuk e la veten të pushtohej nga kujtime të mëtejshme, u trembej nostalgjive. Ato e humbisnin mureve të pendimit dhe tani ai nuk mund të bënte dot asgjë për ta ndrequr të kaluarën. U ngrit, skalitjet i mori me vete, po ashtu edhe dhimbjet e pemës, ulërimat që kishte lëshuar gjatë heqjes së lëkurës në formën e inicialeve. U ndie i humbur në gjithë atë park që nuk e kishte fituar ende zhurmësinë e zakonshme. U struk brenda palltos edhe më dhe filloi të ecte drejt një lokali aty afër.

Frymëmarrja e shënonte qenësinë e tij në çdo hap që hidhte edhe pse ajo nuk mund të ndryshonte dukshëm temperaturën e mjedisit. Hyri ngathët brenda dhe zuri vend pranë një oxhaku që kërciste nga drutë që digjeshin. E vështroi, porositi një çaj jeshil dhe humbi në flakët e zjarrit që nuk po e ngrohte dot trupin e tij të dorëzuar në kujtime. Në sfond u dëgjua një muzikë që e zhyti edhe më thellë. Në fakt ajo vinte nga brendësia e asaj bote bashkë me të. Ajo zgjaste dorën drejt tij duke e ftuar në vallëzim. Salla rrezëllinte nga prania e saj dhe ky vallëzim ishte si të bënin dashuri. Të mbytur në unin e njëri-tjetrit, të dorëzuar pa kushte në krahët e ndjenjave, vallëzuan nën ritmin e asaj kënge që e emëruan menjëherë si kënga e tyre. Edhe ulur nuk ia lëshuan dorën njëri-tjetrit, si një flutur ajo e tërhoqi jashtë. Pamja ishte e mrekullueshme. Hëna e plotë llamburiste qiellin e tokën, yjet përreth i thurnin serenata dhe zgjatnin kryet xhelozisht ndaj gjithë atyre që e vështronin. Dukeshin si krushq që krenoheshin dhe i thurnin lavde kësaj nuseje të adhuruar dhe flirtonin nga pak me të, të rrëmbyer nga ngazëllimi i shoqërimit dhe shpresa e ushqyer nga mirësia dhe përhumbja në një rit virtuoz si dasma. Dukej sikur hënës i skuqeshin faqet, po edhe asaj, kur papritur e gjeti veten kaq pranë me të dhe ai e kishte tërhequr prej vetes… silueta e puthjes iu bashkangjit dekorit të mbrëmjes, fëshfërimës së gjetheve, gurgullimës së ujit që vraponte aty pranë, zërave të heshtur të mbrëmjes, korit të bretkosave. Hynë përsëri brenda dhe vallëzuan së bashku gjatë gjithë kohës, pa u shqetësuar nga sy inatçorë e mendje rebele derisa… ngriti kokën aroma e çajit e ftoi në jetë. Pa përreth dhe i hutuar iu drejtua çajit sikur do të bënte një intervistë me të. Zjarri bubullonte në oxhak, ajo këngë ende në veshin e tij, ritmi i hapave në nostalgji dhe dëshira e rizgjuar në zemrën e tij. E piu çajin të nxehtë duke ndjerë se si ai shkonte drejt trupit të tij duke u rrëmbyer   me nxehtësinë, aromën, ëmbëlsinë dhe etjeshuarjen.  Ai mendoi se duhet të bënte të njëjtën gjë si ai. Të shkonte në rrugën e caktuar nga fati për të pa iu shmangur. Me nxehtësinë e çajit të sapopirë u nis drejt një rruge që vërtitej në kujtesën e tij, e dashur, e zhurmshme, pikante. Ndjeu një aromë lirie ta pushtonte duke e futur thellë në këtë botë të njohur, po të fshehur në një cak të ndaluar prej tij. Ishte ende mëngjes dhe ato rreze i sillnin në mend herën e fundit që kishte qenë këtu. Ato të bërtitura të papërmbajtura nga ana e tij dhe përsëritjen e të njëjtave fjalë prej saj “S’është e vërtetë!” Jehona e tyre e shoqëroi deri te ajo derë e njohur dhe heshtja e saj e pambarimtë dhe naive dukej sikur e mpakte këtë vrapim të arsyes së rizgjuar  drejt saj. Për një çast u step dhe mendoi se po vepronte i nxituar, se ndoshta ajo nuk ishte duke e pritur, apo mund të kishte ndodhur edhe më keq, ta kishte harruar. U kujtua për xhelozinë që e kishte pushtuar keqas atë ditë, për ato bërtitje pa kuptim drejt saj, për fytyrën e përlotur që ishte gjunjëzuar para tij duke u përpjekur ta rikthente në vete, për mosmëshirën e treguar, për zërin e ngritur, për mohimin e gjithçkaje për një çast, për dëshirën e munguar për pajtim. Para se të ndalonte në portë u shfaq një vajzë e vogël dhe pas saj një grua që nxitonte të nxirrte çelësat  nga çanta për ta mbyllur. Edhe lumi do t`i kishte ndalur hapat e vet për të marrë frymë, dallgët e tij do kishin mbetur pezull për pak kohë, ëndrrat do kishin harruar të shfaqeshin atë natë, ndërrimi i ditë-natës do ishte ndërprerë për një kohë të pacaktuar, por refleksi i syve të saj mbi të mori një ngjyrë të dafintë.

Kurora e vendosur mbi dialogun e parealizuar vendosi vijën hyrëse të paragrafit të ri, kërkimi i çelësave u bë vrullshëm, më i vrullshëm se ankthi i tij pushtues dhe gjithë këtë qetësi në boshllëk e prishi zëri i imtë i vajzës “Mami, kush është ky xhaxhi? U duk sikur alienët kishin zbritur në tokë para këmbëve të tij, sikur një xhongler po bënte numrin më të pabesueshëm, sikur fjala “mami’ të ishte sajuar për të. Ai e vështroi me mëdyshje, por me krenari njëkohësisht, mendoi se gjunjëzimi i saj kishte lidhje me këtë fakt, por ai nuk ia kishte dhënë të drejtën e fjalës, kishte humbur mundësinë e artë për të rritur këtë fëmijë që tani ecte dhe fliste vetë, por mbi të gjitha kishte humbur mundësinë që ta kishte quajtur “baba”. Nuk mundi të nxjerr asnjë fjalë nga goja. Edhe kur njeriu mendon se ka përgatitur një fjalim të tërë për një rast të caktuar, ndodh që rrethanat të bëjnë të ditur që ai tashmë është i pavlefshëm, se duhet të sajosh shpejt e shpejt një tjetër më aktual se ai i pari që është vjetëruar kohës për t’u ligjëruar. Po vazhdonte të rrinte gojëkyçur, ndërkohë ajo i gjeti çelësat, mbylli portën dhe me vajzën përdore parakaloi në sy të tij. Dukej tamam sikur po bënte rrugën që nga vendi i saj drejt tij për ta ftuar në vallëzim, por tashmë në vend të dorës së zgjatur ishte ky fëmijë me siguri i tij. Atë çast ra telefoni i saj, ishte kënga e tyre, u bë gati ta ftonte në vallëzim, aty në mes të rrugës, në sytë e gjithë lagjes, do të ishte i lumtur të ishte përsëri në krahët e saj. Ajo ktheu vetëm pak kokën dhe la mbi të një vështrim gotik që e gozhdoi dhe vazhdoi rrugën. Me siguri tani po qan, – mendoi i hutuar. Ajo shkoi deri te fundi i rrugës ku ishte kopshti dhe la vajzën. Ndonëse koha që kishte kaluar ishte disavjeçare, hapësira midis tyre ishte nga ajo te ai, duhet ta sundonte këtë hapësirë duke mos lënë ndarje në mes. Nxitoi hapat me ritmin që ishte afruar deri aty nga parku, i shkoi afër dhe pa e parë dot në sy i kapi dorën. O zot, sa kohë pa shtrëngimin e saj! Sa kohë pa atë ngrohtësi që e fuste gjithnjë e më thellë në pallto për ta gjetur pa rezultat, sa kohë pa aromën e saj të munguar që nuk e gjente askund. Me siguri ajo kishte shumë për t`i thënë, mendoi dhe e uli kokën si ajo duke pritur lumenj fjalësh të derdheshin mbi të me furi, duke përsëritur ndoshta po ato fjalë që kishte pasur ndërmend t’i thoshte ditën e zënkës, po asgjë nga këto nuk ndodhi. Këmbët i çuan te parku, te pema e tyre. Ajo i përkëdheli inicialet si kushedi sa herë në jetën e saj, ai nuk po e kuptonte fare këtë sjellje, dukej sikur koha të mos kishte ecur, po të ngelej aty te dhimbjet e pemës nga sapogërvishtja mbi të. Ai guxoi vetëm të bënte një pyetje: si e ka emrin? -Ka emrin tënd, iu  përgjigj ajo qetë,- quhet Ariana. Po fillonte ta kuptonte: ajo e kishte pasur gjithnjë afër me anë të vajzës së tyre. Ajo e rriste atë, ashtu siç bënte me dashurinë.

 

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s