Shkelja e kushtit hyjnor nga njeriu / Shkrim-Esse nga Edmond Shallvari

 

Edmond_Shallvari

Shkrim-Esse nga Edmond Shallvari

 

 

Shkelja e kushtit hyjnor nga njeriu

 

Ekziston në mënyrë absolute hierarkia në univers. Kjo dëshmohet në gjithë historinë njerëzore, të shkruar e të pashkruar, reale apo të fantazuar legjendave, miteve, gojëdhënave, etj, etj.

Format e hierarkisë janë nga më të domosdoshmet dhe të efektshmet për mirë, deri në më absurdet e të urryerat nga njerëzit.

Gjithsesi, hierarkia, edhe në formën e saj më të pranueshme nga arsyeja njerëzore, përmban në vetvete pasoja deri fatale për jetën e njeriut, në rastin shkelës të rregullave e ligjeve të saj.

Me gjuhën ndryshe nga jurisprudenca, po përdor fjalën “kushtet”.

Hierarkët e majës drejtuese vendosin pra kushtet e tyre, që duhen ndjekur e zbatuar nga kushdo tjetër poshtë tyre.

Hierarku absolut, përtej të cilit deri më sot arsyeja njerëzore nuk njeh tjetër, është krijuesi i quajtur Zot.

S’ka rëndësi nëse më parë ka qënë në shumësinë e tij, duke u ndarë hierarkia në disa perëndi, apo më pas i përqëndruar në një të vetëm, si Zot absolut.

Në të dy rastet kemi të bëjmë me hierarki absolute, ndaj së cilës njeriu, ose duhet të bindet absolutisht, ose të vuajë pasojat e shkeljes së kushteve të tij.

Në mitologjinë e lashtë, sidomos atë greke, bie në sy pothuajse në të shumtën e rrëfimeve me protagonistë perënditë dhe njeriun, fuqishmëria absolute e hierarkut., bashkë me masën absolute të ndëshkimit, ndaj çdo shkelësi të kushteve të vëna prej tij.

Eshtë i vetmi proces gjyqësor, që nuk ndjek rregullat e një gjykimi me akuza e kundërakuza, me avokatë, gjyqtarë e prokurorë, por kalon direkt në ekzekutimin e vendimit, të përcaktuar qysh në fillim në rastin e shkeljes së kushtit të vënë.

Në dukje të parë kjo ngjan me llojin më të ashpër të diktaturës, por diktatura në rastin e kushtit hyjnor është po aq absolute, sa dhe demokracia.

Në larmishmërinë e mitologjisë dhe të rrëfimeve biblike, nuk di se si për një çast më ndaloi vëmendja në dy prej tyre, që duken pa kurfarë ngjashmërie dhe aq më pak në lidhje me njera-tjetrën.

Sigurisht që kështu dhe është e vërteta, pra si njera, ashtu dhe tjetra janë histori që si në kohë e hapësirë, ashtu dhe në thelbin e tyre, s’kanë asnjë ngjashmëri, lidhje apo paralelizëm për analizë.

E megjithatë mua më kanë mbetur të dyja bashkë në mendje, afër njera-tjetrës, duke bërë edhe krahasime, edhe paralelizma, edhe analiza e deduksione të çuditshme për to.

E përbashkëta e tyre është të paturit e të njëjtit hierark, Perëndinë dhe protagonist çiftin njerëzor, femër-mashkull.

Fjala është për Evën dhe Adamin e Edenit dhe Orfean me Ervidhikin e Thrakit. Çdo kërkim tjetër përbashkëtie, ngjan me një absurditet.

Por përderisa absurditeti shpesh përdoret si mënyrë dhe argument sofistik i shkaqeve e pasojave të fenomeneve të ndryshme të natyrës e shoqërisë njerëzore, edhe mua, në rastin e këtij shkrimi, më ndihmon të nisem absurdshëm, për të dalë pastaj në të kundërtën e tij.

 

1-   Eva dhe Adami-Adami dhe Eva

Shkelësit e parë të një kushti hyjnor.

Të krijuarit shkelën kushtin e krijuesit të tyre. Krijuesi nuk e bën dy fjalën e tij, por vendos e zbaton në çast ndëshkimin, dëbimin nga Edeni i përjetshëm, në jashtEdenin e përkohshmërisë së jetës.

Dënimi më maksimal i dhënë, pa dridhje qerpiku, siç themi ne njerëzit.

As akt mbrojtës, as lejim fjale të fundit të të ndëshkuarve apo kërkim mëshire, as dhënie të drejte për t’u ankuar më lart.

Pse?

Sepse s’ka më lart dhe kur s’ka më lart, s’ka si të ketë procedurë tjetër midis kushtit të shkelur dhe ekzekutimit të ndëshkimit.

Organi suprem është vetë hierarku. Gjithçka vendoset dhe ekzekutohet vetëm prej tij.

Diktat, që po u shkel kalon në diktaturë ndaj shkelësve.

Kjo përbën skemën më të thjeshtë të procesit gjyqësor hyjnor, ndaj çdo shkelësi të kushteve hyjnore.

Skema përjashton gjithashtu dhe gjykimin e faktorëve të tjerë joshës e nxitës. Në rastin konkret përjashton faktorin gjarpër.

Eshtë ky gjarpër, që në vend të helmimit me kafshim në trup, kafshon dhe helmon shpirtin e Evës dhe të Adamit. Efekti është akoma më tragjik, por më i lehtë për t’u zgjidhur nga hierarku. Përderisa nuk ka keqardhje, falje, zbutje dënimi, del që hierarku ka parashikuar dhe pasojën ekstreme. Bile duket sikur Ai kastile e ka sajuar gjithë skemën në Eden, për ta sjellë tek kjo pasojë ekstreme.

Dhe s’ka si të jetë ndryshe.

Hierarku, edhe pse është krijuesi i Evës dhe Adamit, edhe pse thuhet që ju ka dhënë shembëlltyrën e vet, në fakt nuk është njëlloj në raport me ta, si në rastin e lindjes së njeriut nga njeriu. Po të ndodhte kështu, nuk do kishte kursesi as Evë, as Adam, as gjarpër e as mollë, por bij të Zotit të ngjashëm në gjithçka të tij, në pamje e aftësi.

Zoti nuk krijoi njeriun, siç krijon njeriu-njeriun. Krijimi i Evës dhe Adamit është vepër e krijuesit, por jo pjellë fiziologjike e tij.

Ndaj një krijimi të tillë, Zoti është vetë avokat e vetë gjykatës, ku falja e mëshira nuk ekzistojnë në rastin e shkeljeve të kushteve hyjnore. Ato janë akte të mëtejshme, që i përkasin vetëm botës njerëzore. Në këtë botë nuk kemi të bëjmë me shkelje të atyre kushteve hyjnore, por me shkaqe e pasoja të tjera shkeljesh, që vijnë pas aktit të parë shkelës dhe që përbëjnë kalvarin e mundimit njerëzor me mëkate, falje, dënime, etj, etj.

Me to merren vetëm njerëzirt, përmes hierarkisë e kushteve të krijuara prej tyre.

Eva dhe Adami të pas Edenit janë në dorën e kësaj hierarkie, ndryshe nga ç’ishin brenda Edenit.

A mund të ndodhte ndryshe?

Besoj që jo!

Ashtu si më vonë, që përcaktoi fatin e birit të tij, Krishtit, po ashtu Zoti kishte përcaktuar më parë dhe fatin e Evës dhe Adamit. Bile ky fat i tyre, paraprin vetë fatin e Krishtit.

Pa këtë fat fatal të Evës dhe Adamit, nuk do kishte as Krisht, as kryqëzim, as mëkat, mbase as njerëz, por vetëm zotëra.

Po sikur Adami mos e kafshonte mollën, çfarë do ndodhte?

Dëbimi vetëm i Evës?

Pra do kishte një Eden me një Adam të përjetshëm dhe një tjetër Eden me një Evë të përkohshme?

Absurditet në kulm!

Sepse hierarku nuk mund të krijojë kurrë paralelen e vet të hierarkisë.

Adami do ishte kjo paralele absurde. Por ai nuk ishte pjellë e Zotit, por krijim i tij. Thjesht, ky akt e përjashton atë nga e drejta e hierarkisë paralele me krijuesin.

Ngado që t’i vërtit logjikën dhe antilogjikën, në një pikë më nxjerrin të dyja. Në atë, që ishte e pamundur të ndodhte ajo që s’do mund të çonte çiftin edenas në atë që ndodhi.

Pra, kafshimi i mollës duhej të ndodhte nga të dy, për të vazhduar të njëjtin fat të dy, fatin njerëzor.

Moskafshimi do ishte vërtet një pamundësi, pasi do krijohej ekzistenca paralele mes Perëndisë dhe njeriut, një dualitet, njëjtësi hierarkie, që s’do i dallonte nga njeri-tjetri, duke humbur dhe vetë thelbi lidhës mes krijuesit dhe të krijuarit.

Krijuesi s’mund të krijojë në tjetër qënie, vetveten.

Eva dhe Adami janë në një farë mënyre shkaktarët e parë të kryqëzimit të Krishtit, nëpërmjet aktit të parë mëkatues.

Vetë Krishti, do kërkonte nga Ati i tij faljen e pasardhësve të Evës dhe Adamit, të cilët, “nuk dine ç’bëjnë”.

Pse, mos ditën gjë Eva dhe Adami se ç’bënë!?

Me kafshimin e mollës, ata ngulën gozhdën e parë në kryqëzimin e Krishtit.

Njëkohësisht u vetkryqëzuan.

Dallimi mes tyre e Krishtit është tek motivi i aktit kryqëzues, motiv që ndërsa për Krishtin ishte shpëtimi i njerëzve nga mëkatet dhe afrimi i tyre me Zotin, për edenasit e parë ishte lakmia për të ndaluarën, që solli shkeljen e kushtit hyjnor.

Lakmi për të qënë tej e mbi veten, më shumë se njeri, pse jo dhe Zoti vetë.

Kjo lakmi përbën gjithë kalvarin mundues të pasardhësve të tyre.

 

2-   Evridhiki dhe Orfea-Orfea dhe Evridhiki

 

Nga gjithë historia tragjike e Orfeas dhe Evridhikit, ajo që më ka ngjallur interes, kuriozitet, mundim logjik, kontradiktsion analizues e konkludues, është çasti më sekondar i ndodhisë, çasti i shkeljes së kushtit hyjnor nga Orfea.

Herën e parë në lexim të këtij çasti u ndjeva revoltues ndaj perëndive, deri në mospajtim me to për vendosmërinë e treguar në ndëshkimin e Orfeas e për pasojë dhe të Evridhikit.

Rikthimi disa herë tek gjithë historia dhe ndalimi më shumë se disa herë tek akti shkelës i kushtit hyjnor, më qetësuan disi, për aq sa të zbut sadopak dhimbjen ndaj atij çifti ideal dhe revoltën ndaj perëndive.

Nuk po futem kohësisë ndodhëse të historisë, por edhe apriori them, që kjo histori mesazhon tek njerëzit forcën e rregullit dhe ligjit në natyrë e shoqëri si dhe pranimin në mënyrë absolute të hierarkisë absolute.

I mirë apo me të meta ky mesazh, për shoqërinë njerëzore është, si me thënë, një nga pikat themelore të Kushtetutës së pashkruar.

Mesazhi i parë hyjnor, nëpërmjet pësimit të Evës me Adamin, kishte mijra vite vjetërsi dhe po aq kohë njerëzit, në vend të ndryshimit për mirë, i shin nënshtruar fatit të mëkatit, duke e shtuar më shumë atë.

Shoqëria njerëzore, më shumë se vetkatharsisi, i mëshoi nënshtrimit hierarkik, duke tokësuar hyjnoren dhe hyjnizuar tokësoren.

Në funksion të këtij procesi mijravjeçar, do krijoheshin histori të reja me personazhe tokësorë e hyjnorë me më shumë art brenda tyre.

E përbashkëta e tyre është pikërisht hierarkia absolute hyjnore, ndaj të cilës edhe akti më i vogël shkelës, ndëshkohet.

Kushti i vënë është absolut dhe nuk duhet cënuar në asnjë pikë e fazë të tij. Po aq absolut është dhe ndëshkimi ndaj cënuesit të tij.

Vijmë tani tek historia e Orfeas dhe Evridhikit(Agriopi).

Evridhiki-një kulm bukurie e femrës.

Orfea- një muzikant-poet, që të mahnit me veglën e tij muzikore, lirën, të dhuruar nga Perëndia Apollon.

Gjithçka e kanë, asgjë s’ju mungon. Rrojnë në Edenin e tyre.

Por, jo larg njerëzve.

Jo larg atij që do tentojë të shtjerë në dorë Evridhikin, Aristeas.

Do ta ndjekë, ta kapë e prekë, ta verë poshtë, ta…

Rezistencës së saj do i përgjigjet me goditje e shkyerje të rrobave. Për të arritur aty ku i zjen gjaku e trupi bashkë.

Por duke mos pandehur kundërshtimin e kësaj femre të vendosur për t’i shpëtuar tërbimit të tij epshor. Ajo i shpëton atij, vrapon e vetëm vrapon, për të ndodhur më pas tragjedia e saj.

Kafshimi nga një gjarpër helmues.

Përsëri del në skenë një gjarpër. Tjetërlloj sigurisht në rolin e tij nga ai i Edenit, por mua më shkakton ngacmim fantazie deri në absurditet ky fakt.

Gjarpri i Edenit kafshoi e helmoi shpirtin e Evës, për ta bërë për herë të parë mëkatare.

Evridhiki është si një Evë e para mëkatit. Por një Evë mes njerëzve mëkatarë. Si e tillë, edhe në mos qoftë vetë mëkatare, ndodhet mes ligësisë së mëkatit. Mbi të do sulet një mëkatar, për t’ja përdhunuar Edenin e shpirtit dhe të trupit të saj. Nisja e këtij akti përdhunues nga një njeri, mbaron me aktin helmues nga një gjarpër.

Për mendimin tim, kemi të bëjmë me një akt të vetëm në dy faza të tij, që çojnë në fundin tragjik të Evridhikit.

Në fantazinë time, edhe këtë çast që po shkruaj, nuk më shfaqet Aristea-njeri, por një gjarpër, që ndryshe nga helmimi i shpirtit të Evës, helmon për vdekje trupin e Evridhikit. Aristea s’është gjë tjetër vetëm se mënyra e formës njerëzuese të gjarprit.

Evridhiki do vdese, sepse duhej të vdesë. Nga Aristea apo gjarpri, pak rëndësi ka.

As Eva, as Evridhiki, nuk mund t’i shpëtonin kafshimit të gjarprit, në çfardo lloj forme që ai mund t’ju shfaqej.

Por deri këtu kjo përbashkëti. Bile brenda saj, siç thashë më lart, ka një ndryshim në formën e pasojën e kafshimit nga gjarpri.

Ndërsa Eva dhe Adami do ishin shkaku e pasoja e parë e mëkatit njerëzor, Evridhiki dhe Orfea janë pësuesit më tragjikë nga ky mëkat.

Vijmë tani tek shkelja e kushtit jyjnor.

Ashtu si në historinë e Evës dhe Adamit që si fillim thua, “Uaa, për një kafshim molle të ndaluar u humb Edeni për njerëzit!?” edhe në historinë e Evridhikit dhe Orfeas, thua, “Uaa, për një kthim koke të Orfeas për të parë të dashurën, ndodhi mosringjallja e saj!?”

Ja pra dhe njëherë, se si kushti hyjnor shfaq abolutizmin e tij.

Orfea zbret botës së poshtme të Hadit ku perënditë pranojnë kërkesën e tij për t’ja kthyer Evridhikin.

Por, me një kusht.

Në gjithë udhën që do bëjnë të dy për të dalë në botën e të gjallëve, ai s’duhej të kthejë kokën prapa për të parë Evridhikin. Ajo do e ndjekë atë pas, e ndihmuar sa nga perënditë, aq dhe nga tingujt e lirës së Orfeas.

Dhe kështu ndodh në të shumtën e udhës. Bile Orfea arrin të kalojë pragun mes dy botëve, duke pritur me padurim të përqafojë Evridhikin.

Çfarë po ndodh këtë çast pritjeje?

Vonesë me qëllim e shfaqjes së Evridhikit nga perënditë, për ta vënë në provë durimin e Orfeas, apo padurimi i tij për ta patur sa më parë në krahë të dashurën?

Eeh, ç’rëndësi ka shkaku, kur pasoja është ajo që dihet dhe ajo që duhet të ndodhë.

Orfea kthen kokën prapa, për ta humbur përgjithmonë Evridhikin, duke shkelur në sekondën e fundit kushtin hyjnor.

Theksoj, në sekondën e fundit.

Ndëshkimi përsëri i njëjtë.

Ndëshkimi hyjnor edhe në këtë rast nuk njeh asnjë lloj lehtësie, mëshire, faljeje.

Adami do ndëshkohej njëlloj me Evën, edhe pse me ngurim filloi kafshimin e mollës, aq sa do i ngelej në grykë, pa e gëlltitur.

Orfea ndëshkohet, edhe pse vetë arriti të kalojë botës së gjallë pa e kthyer kokën prapa, deri në pragun ndarës të dy botëve, duke bërë një shkelje, si të thuash, më pak se gjysmake të kushtit hyjnor.

Kushti hyjnor nuk ka nënkushte. Evridhiki ishte akoma aty, ku ky kusht ka forcën e tij absolute.

Lind pyetja: Pse ky fat kaq ogurzi, tragjik, ndëshkues, për Evdridhikin më parë dhe Orfean më pas?

Çfarë ndryshimesh po ndodhnin në shoqërinë njerëzore të asaj kohe, që me forcën e fjalës, më gjuhën e artit, me përzjerjen aq magjike të reales njerëzore me të padukshmen e botës së perëndive, të lindnin e krijoheshin të tilla vepra, sa artistike, aq dhe filozofike, me të dhëna nga shumë fusha të dijes e njohjes?

Të krijohet në mendje e fantazi një shoqëri, ku drejtësia, më shumë se realitet, është një dëshirë e njerëzve, ku e mira, më shumë se reale, është në shpirtin e tyre, ku e keqja, më shumë se në fantazi, është në realitet dhe ku ndëshkimi, më shumë se i drejtë, është i gabuar.

Njëkohësisht vazhdon të mendosh e fantazosh mes kësaj keqësie të shumtë e mbizotëruese, ekzistencën e së mirës, të së bukurës, të përpjekjes së njerëzve për ta arritur atë, qoftë kjo dhe nëpërmjet sakrifikimit deri në vetmohim.

Lira e Orfeas, pas humbjes së dytë të Evridikit, do mbushte me pikëllim hapësirën. Sikur paralajmëronte vetë fatin tragjik të të zotit të saj.

Gratë e Thrakit, do vazhdonin tmerrshëm ndëshkimin e Orfeas, duke e coptuar dhe hedhur në lumin e Ebros.

Dhe vetëm kur përfundon kjo çmenduri njerëzore (Të kryqëzohet Krishti!-thërriste turma), fillon lloji tjetër i hierarkisë hyjnore, që ve në vendin e merituar pasojat e kësaj çmendurie.

Lira dhe koka e Orfeas takohen dhe bëhen një trup i vetëm, për të luajtur bashkë meloditë më të prekshme të shpirtit njerëzor.

Po ashtu ajo u vendos nga perënditë mes yjeve në zonën veriore të qiellit, për t’u parë nga tokësorët dhe mesazhuar atyre kodin hyjnor të harmonisë e dashurisë.

Pra Perëndia, aq sa s’të fal ndaj shkeljes qoftë dhe pak të kushtit të saj hyjnor, po aq të vlerëson e lartëson për veprën tënde të mirë.

Kjo është hierarkia dhe kushti absolute hyjnor, hierarki e kusht, që qënia njerëzore e sajon, interpreton dhe zbaton sipas interest të saj të etshëm për pasuri, pushtet e lavdi.

Kështu, mëkati i parë i edenasve ngjan për nga masa e fajit me një shaka naivësh, para çmendurisë së mëkateve të pasardhësve të tyre, që jo vetëm do çonin në kryqëzim birin e Perëndisë, Krishtin, por do vazhdonin e vazhdojnë rikryqëzimin e tij, edhe këtë çast të vënies së pikës, në fund të këtij shkrimi.

 

@Edmond Shallvari

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s