Spiunët e spiunëve / Nga Nebil Çika

Spiunët e spiunëve

 

 

nebil cika

Nga Nebil Çika

 

Spiunët dhe spiunllëqet e diktaturës komuniste janë rikthyer edhe një herë në debatin publik shqiptar, pasi media “zbuloi” një letër që “spiunia e Sigurimit të Shtetit Dhora Leka i dërgonte diktatorit Hoxha ku ankohej se e kishin dënuar padrejtësisht pasi e kishte provokuar shkrimtarin Ismail Kadare me porosi të Sigurimit të Shtetit”.

Sigurisht që nuk e vë në dyshim faktin që Leka mund të ketë vepruar me porosi të Sigurimit, gjë që e pohon vetë, por e vërteta e kësaj historie duket e paplotë dhe e pa zbardhur komplet si një ngjarje që deri tani është trajtuar e njëanshme, pra vetëm në favor të Kadaresë.

Publikimit të “letrës” që “spiunia” Leka i dërgonte Enver Hoxhës, u shoqërua menjëherë me një intervistë nga i “spiunuari” Ismail Kadare, ndërkohë që dishepuj të tij mediatikë nxituan ta theksonin serish “viktimizimin“ e tij në kohën e diktaturës, duke tundur fort provën më të fundit të “persekutimit” të tij.

Sigurisht, që kjo nuk është historia e parë e publikuar me spiunë e spiunllëqe në Shqipëri, por çështja merr dhenë sa herë “viktima” të spiunimit janë persona që s’u ka hyre ndonjëherë ndonjë gjemb në këmbë nga spiunllëqet, përkundrazi, siç është edhe shkrimtari simbol i letërsisë komuniste shqiptare (realizmit socialist), z. Kadare.

Përpjekjet për ta paraqitur Kadarenë si disident apo të përndjekur politik të regjimit komunist janë të hershme por asnjëherë nuk kanë mundur të bindin opinionin që kjo gjë është e vërtetë, përfshi edhe “eurekën” e fundit të Dhora Lekës.
Ka shumë arsye të dyshojmë te kjo përpjekje e radhës për ta viktimizuar Kadarenë dhe, për të kuptuar këtë, mjafton t’i hedhim një sy shpejt e shpejt debatit qe nga publikimi i letrës së “spiunes”, reagimit të “të spiunuarit” dhe konkluzioneve të dishepujve mediatikë të tij.
Mendoj se debati është dukshëm i njëanshëm, pasi “spiunia” u kryqëzua pa asnjë mundësi mbrojtjeje, pasi nuk është gjallë që ta sqaronte pozicionin e saj, raportin me të spiunuarit dhe në veçanti, përfundimin e kësaj historie, e cila ma merr mendja që ka përfunduar në dëm të saj, pasi nuk kishte arsye t’i ankohej Hoxhës.

Dihet që letrën ajo ia dërgonte nga internimi dhe, me sa duket, “lirimi nga ky internim“ i ishte premtuar edhe nga Sigurimi i Shtetit, për të cilin ajo ankohej tek diktatori. Pyetja që nuk iu bë z. Kadare në intervistë, është shumë e thjeshtë dhe përgjigjja e saj vendimtare për të kuptuar thelbin dhe sidomos fundin e historisë:

Ku i çoi Kadare letrat që Leka ia dërgonte si provokim nga Sigurimi i Shtetit?!

A mos edhe ai vetë i dorëzonte ato tek Sigurimi?!

Nga letra e Lekës për Hoxhën duket se edhe këto letra kanë mbërritur në zyrat e Sigurimit dhe besoj që Kadare ka dhënë edhe shpjegime për to.
Pikërisht, këto shpjegime që ende nuk janë zbuluar, si letra e “spiunes” Leka, do të mund të na jepnin një përgjigje të saktë për të vërtetën e kësaj historie me spiunë, pasi fundi i saj nuk duket se i jep përparësi “të spiunuarit” vetëm për faktin se viktima e Sigurimit nuk ishte ai, por “spiunia” e tij.

Nuk besoj që në atë kohë z. Kadare kishte prova qe znj. Leka ishte spiune e Sigurimet, por mund të dyshonte apo ta merrte me mend një gjë të tillë. Edhe mund të kishte ndonjë informacion nga miq të tij në Sigurim apo kupolën e lartë të diktaturës, por ne po marrim si të mirëqenë faktin që ai nuk e kishte një informacion të tillë.

Ta zëmë për një moment, Leka nuk ishte spiune e Sigurimit dhe besonte vërtet tek shkrimtari kur i kërkonte të angazhohej kundër diktatorit, çfarë do t’i kishte thënë kur letrat e saj, drejtuar Kadaresë, do të mbërrinin tek Sigurimi i Shtetit. Dy publicistë, Lezho e Kokomani, që ia kërkuan të njëjtën gjë drejtpërdrejt Hoxhës, përfunduan në pushkatim. Si do të ishte sot historia, nëse Leka nuk do të ishte “spiune” e Sigurimit? Po Kadare, që ia dorëzoi këto letra Sigurimit si do të trajtohej sot me këto prova?

U thashë që ka plot dyshime nga kjo marrëdhënie apo histori Leka – Kadare që, e trajtuar në mënyrë të njëanshme jo vetëm që nuk zbardhet dot, por e bën edhe më mister e më të dyshimtë rolin e të “spiunuarit” mbi të.
Një tjetër dyshim mbi rolin e Kadaresë në ketë histori të rëndomtë spiunazhi shqiptar është fakti se në fund të saj e më pas “spiunia” (autorja e krimit) përfundoi deri në ditët e fundit të diktaturës si “armike” dhe e internuar prej saj, ndërsa “i spiunuari” (viktima) shkrimtari më i madh i realizmit socialist, deputet i Kuvendit Popullor dhe nënkryetar i Frontit Demokratik, një prej organizatave më terroriste të diktaturës, që në atë kohë drejtohej nga gruaja e diktatorit Nexhmie Hoxha.

Siç e shikoni, “viktima” e Sigurimit ka përfunduar në majë të pushtetit diktatorial, ndërsa bashkëpunëtorja e tij në ferrin e burgjeve dhe internimeve. Sa i besueshëm ky fund i dy protagonistëve të historisë më të fundit nga spiunazhi komunist mbi “viktimizimin” e pretenduar të Kadaresë dhe dishepujve politikë dhe mediatikë të tij?

Besoj se lexuesi mund ta marrë vetë me mend një gjë të tillë.
Por “spiunia” Leka nuk ishte e vetmja “bashkëpunëtore” e Sigurimit “kundër” Kadaresë, që përfundoi e dënuar dhe e persekutuar nga vetë Sigurimi. Në një “përplasje” tjetër me z. Kadare, Janulla Rrapi dhe djali i saj, Renato, përfunduan në internim politik dhe forma të tjera persekutimi, ku djali pësoi edhe një sëmundje psikike nga e cila duket se vuan ende. Edhe për këtë familje, viktimë e diktaturës komuniste, z. Kadare pretendon se ishte vënë nga Sigurimi kundër tij pra edhe ata ishin “bashkëpunëtorë” të persekutorëve të tyre.

Ky duket rasti më flagrant në dyshimin ndaj tij, pasi edhe motivacioni i internimit dhe persekutimit të kësaj familjeje ishte vetëm “shqetësimi i familjes së shokut Kadare” dhe sipas znj. Rrapi, pretendohet të jetë bërë me porosi të tij.
Një tjetër rast që nuk mbështet pretendimin e z. Kadare dhe dishepujve të tij mediatikë është ndëshkimi i një shkrimtari të talentuar, Bilal Xhaferrit, i cili guxoi të kritikonte një nga veprat e shkrimtarit të madh të komunizmit ne mbledhjen e LSHASH. Përfundimi i tij ishte tragjik. U internua në fshatrat e Durrësit dhe, sikur të mos kishte mundur të arratisej, kushedi ku do të kishte përfunduar.

Kohët e fundit është publikuar një letër që kryeministri gjakësor komunist Mehmet Shehu me të cilën ai i kërkonte shefit të tij Hoxha më 1968 arrestimin e Bilal Xaferrit, vetëm për faktin se kishte guxuar të kritikonte romanin “Dasma” të Kadaresë, gjë që kryeministri e cilëson si kundër vijës së partisë:

“Diskutimi” i Bilal Xhaferrit është gjithashtu një sulm kundër Partisë, por i tërthortë – godet egër dhe në mënyrë të poshtër Ismail Kadarenë drejtpërdrejt dhe nëpërmjet tij godet rëndë dhe vijën e Partisë në art e letërsi… Është enigmë: ai dihej se ishte bir armiku dhe vetë me qëndrim të poshtër, por ja që mori pjesë në diskutim para qindra intelektualëve dhe foli kundër vijës së Partisë!”

Këto fjalë të Shehut tregojnë qartë rëndësinë qe kishte për diktaturën Kadare dhe vënë në dyshim çdo pretendim për përndjekje prej Sigurimit të tij. Bilal Xhaferri, edhe pse “armik” me baba të pushkatuar, ishte toleruar e lejuar të botohej nga Partia e Sigurimi, por guximi për të kritikuar Kadarenë, “vijën e Partisë në letërsi e art”, sipas Mehmet Shehut, iu llogarit si krim prej të cilit u ndëshkua shumë rëndë.

Edhe për Bilalin ka pasur pretendime se ishte “porositur” të kritikonte Kadarenë.
Siç shihet, nga vetëm këta tre shembuj që solla më lart në “betejën” e pretenduar mes Sigurimit dhe Kadaresë ka dalë fitimtar ky i fundit, pasi kanë qenë “bashkëpunëtorët” e Sigurimit ata që kanë përfunduar në ferr, ndërkohë që “viktima” ka shkuar në Olimp.

Unë nuk besoj se ka logjikë normale ta pranojë një raport te tillë si ky i pretenduar nga z. Kadare mes tij dhe Sigurimit, që në rastin më të mirë është i dyshimtë dhe trajtuar në mënyrë të njëanshme.
Por, sigurisht, ky debat rihapi edhe një herë çështjen e madhe të hapjes se dosjeve të Sigurimit në Shqipëri. Besoj se, përveç të tjerash, dosjet duhen hapur edhe për t’u dhënë fund spekulimeve nga hapja dhe përdorimi i pjesshëm dhe i njëanshëm i tyre, siç mund të jetë dhe ky raport apo histori Leka – Kadare.

Spekulativ dhe i padrejtë duket gjithashtu edhe trajtimi i njëanshëm e përzgjedhës nga media dhe opinioni publik i historive me spiunë të Sigurimit. Fakti që “viktima” e pretenduar ishte Kadare bëri që media të përqendrohej e të kryqëzonte “spiunen” Leka, edhe për faktin që ajo nuk jeton më e nuk mund të përgjigjet dot. Po kjo media hesht e madje hap ekranet e faqet kryesore të saj për spiunë të tjerë të Sigurimit për të cilët bashkëpunimi në krime të komunizmit është tashmë i provuar e pranuar publikisht.

Kryqëzimi nga shtypi i Lekës së vdekur, “spiunes” së Kadaresë, ndërkohë që ekspertë, spiunë të gjallë, autorë të gjallë e të vdekur të pushkatimit të poetëve e shkrimtarëve “armiq” të regjimit komunist fitojnë miliona euro nga partitë publike, thirren për të dhënë opinione apo përcillen nga kjo botë si heronj e shkrimtarë të mëdhenj, duket një non sens logjik që të çon të dyshosh se kemi të bëjmë me një paramendim politik.

Nuk e di saktësisht, por besoj se Havzi Nela, Vilson Blloshmi, Genc Leka apo Bilal Xhaferri mund të kishin qenë shkrimtarë shumë më të mirë se Ismail Kadare, sikur PPSH, Sigurimi i Shtetit, Kuvendi Popullor, Fronti Demokratik e të tjera organizata të diktaturës do t’i kishin lejuar të shkruanin apo më thjesht: Të jetonin.
Si përfundim, dua të theksoj se nuk kam qëllim të marr në mbrojtje Lekën apo çdo bashkëpunëtor tjetër të Sigurimit apo krejt regjimit komunist. Besoj se ky debat ka nxjerrë në pah edhe një anë tjetër të errët të moshapjes së dosjeve nga Sigurimi i Shtetit, nderimin nga shteti të personave të implikuar në krimet komuniste.

Dhora Leka, “spiunia” tashmë e deklaruar edhe vetë e Sigurimit është një person i nderuar nga shteti shqiptar me tituj nderi. Një rrugë e kryeqytetit mban emrin e saj, nder që në botën e qytetëruar nuk u rezervohen spiunëve. Sigurisht që ajo nuk është e vetmja që ka përfituar padrejtësisht këtë status, por shërben si shembull për të kuptuar raportin tonë me diktaturën dhe krimet e saj, një turp ndaj të cilit “elita” jonë shoqërore, përfshi dhe Kadarenë, vazhdon të heshtë.

Besoj se ky qëndrim vjen nga ajo që thashë në fillim të shkrimit, hapja, diskutimi, analizimi apo zbardhja përzgjedhëse e njëanshme e historive me spiunë, që nëse nuk bëhet me ligj dhe në mënyrë të ndershme, rrezikon të përfundojë në shtrembërime e gjueti shtrigash sipas parimit “spiuni thërret “kapeni spiunin””.

A nuk ngjan kështu historia që po diskutojmë e debatojmë?
Tiranë 02 maj 2014

 

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s