Djali dhe buka / Tregim nga Elda E. Dilo

 

elda dilo

Tregim nga Elda E. Dilo

 

 

Djali dhe buka

 
Era e ftohtë të thante fytyrën. Rrëketë e ujit në sheshin pranë pusit kishin zënë një cipë akulli. Mbështetur tek muri qendron djali i vogël që s’i kishte mbushur të 8-të vjetët. Rrezet e diellit të janarit nuk e ngrohin dot. Në fytyrën e zbetë, me mollëzat e faqeve të kërcyera, varen dy tufëza flokësh të kuqrremta. Në buzët e plasura nga thëllimi janë vizatuar dy vija të kuqe gjaku. Djali shtërngon xhaketën e vjetër gjithë andra që i varet deri tek gjunjët; është xhaketa e reckosur e të atit që nuk i kuptohet ngjyra e copës se andrat janë kafe, blu, të zeza ashtu siç i kanë gjetur. Këmbët i janë bërë si dru nga të ftohtit. Djali lëviz gishtat e këmbëvet të mavijosura që kanë dalë nga opingat e grisura.
–Jo, thotë me vete, nuk më paskan ngrirë.
Zorrët po i kërcasin nga uria. Bëjnë demostratë. Trahanaja e mëngjesit është tretur pa sosur mirë në stomak. Një lugë trahana prej dhalli që i është lënë brumi tetë ditë të thartohet, e gatuar me një pikë vaj, ky është racioni i tij i përditshëm i mëngjesit. Tiganin e trahanasë e rrethojnë plot 10 vetë të mëdhej e të vegjël e secili nxiton që të futë një lugë më shumë se tjetri në gojë.Në kasollen e lopës e ëma ka ndezur zjarrin, ka vënë saçin të pjekë një bukë gruri. Kushedi se ku e ka gjetur atë miell.
-Bukë gruri, sa e shijshme që është! Zorrët po më kërcasin. Ah, sikur të kisha ca manaferra apo kumbulla të mbushja barkun! Po vera është larg. Pranë këmbëvet të tij është ulur Baloja. Ai e shikon drejt e në sy, sikur i lutet t’i japë diçka për të ngrënë. Djalit i dhimbej qeni, po ç’të jepte. Ulet rrëzë manit, e ledhaton; ai fërkohet pas djalit, nxjerr gjuhën dhe i lëpin gishtrinjtë e ngrirë që s’kanë parë kurrë çarape. Nga kasollja e lopës vjen era e bukës së pjekur; djalit i mbushet goja lëng. Oh, thotë me vete, sikur të kisha dy kafshata, vetëm dy kafshata sa të thyeja urinë.
Futet në kasolle. Lara e shikon me sytë e mëdhej e sikur i lutet t’i sjellë një tufë bar.
I afrohet saçit dhe matet ta ngrejë. Me siguri është pjekur, thotë, të këput një copë se më griu e do të fshihem deri sa të vijë dreka e nënës ka për t’i rënë inati. Merr leckën të ngrejë saçin, por bëhet pishnan dhe e lë përsëri në shesh. Jo, thotë, hajdut do të bëhem unë! Të gjithë do të tallen me mua. Më mirë po i kërkoj nënës një copë. Po sikur të mos më japë? Duan të gjithë, do të më thotë ajo. Të gjithë të uritur janë, ç’do të hani për drekë e për darkë?! Era e bukës së pjekur po i ngacmon hundët; djalit s’po i durohet më, ngre saçin dhe këput një pjesë. Duart po i përvëlohen, po djali s’do t’ia dijë, me lakmi e kafshon bukën e nxehtë. E përcjell kafshatën të papërtypur se i përcëllohet gjuha, po ajo i djeg fytin, kapërcellin dhe si një copë prush i djeg stomakun. Kur në derë të kasolles shikon nënën, djali ngrin në vend, copa e bukës i bie nga duart dhe Baloja e rrëmben e largohet i gëzuar. -Më fal, nënë, i thotë, s’duroja dot, më kishte marrë shumë urija.
Nënës i shkëputen nga sytë lotë të nxehtë, që lagin fytyrën e ftohtë dhe ngrohin shpirtin e ngrirë të djalit, kur ajo e mbështet në gjoksin e saj.
– Bukë, moj nënë, i kërkoi një tjetër ditë fëmija.
– Mos u fryfsh! –u gjend bosh nëna dhe e mallkoi.
Djali u largua me shokët.
Kishte ardhur pranvera. Një pranverë e ngrohtë. U fut dhe ai si shokët në një pellg përroi të lahesh, po s’doli i gjallë! Ia shpunë nënës vogëlushin pa jetë në shtëpi dhe ulërimat e saj mbi fëmijën e pafajshëm, mbi Skënderin e vogël, të qarët e saj : “S’ të ngopa dot një herë me bukë, biri im! Si s’m’u tha goja kur të mallkova , biri im! “, më bien në vesh dhe tronditin si atëhere shpirtin tim!

 

 

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s