Poezi satirike nga Arben Duka
Kush shan qeverinë, hyn në gjak me mua!
“Rilindja” e nxori,
në dritë Shqipërinë,
që ju thaftë goja,
kush shan qeverinë!
Të gjitha premtime,
mbajti qeveria,
këtu u vu rendi,
edhe drejtësia!
Eci me galop,
para vëndi im,
se “Rilindja” mbajti,
këtu çdo premtim!
Kush shan qeverinë,
është i lik vërtet’,
se falas i kemi,
arsim e shëndet!
Burgjet plot i kemi,
me të korruptuar,
kush shan qeverinë,
qoftë i mallkuar!
Plastë ai që shan,
edhe bën komente,
nga kjo qeveri,
s’gjen më transparente!
Për çdo gjë merr leje,
dhe pyet Sovranin,
të tillë qeveri,
si mund që ta shanim?!
Ai që e shan,
ka lojtur nga mëndja,
se këtu është rritur,
në qiell mirëqënia!
Ministrat nuk marrin,
as bonos – as djeta,
dhe në punë shkojnë,
veç me biçikleta!
Nëse ke një hall,
nata bëhet ditë,
ta zgjidh qeveria,
sa hap e mbyll sytë!
Ësht’ hera e parë,
në gjithë historinë,
që këta e shporrën,
krej burokracinë!
Me dyfish u rritën,
rrogat dhe pensionet,
dhe në çast u prishën,
gjithë konçensionet!
U prishën të gjitha,
dhe s’u bë hata,
ky ishte premtimi,
që “Rilindja” dha!
Nuk mbetën premtimet,
si dikur në letër,
se kjo qeveri,
ka bërë shumë më tepër!
Ribonifikoi,
vëndin ç’ke me të.
me gjyma të bjerë,
nuk mbytemi më!
Ndaj unë pyes shpesh,
pse ca shajnë vallë,
si duket s’i kanë,
të dy sytë në ballë!
Sytë u janë veshur,
keq nga errësira,
që nuk i shikojnë,
këto mrekullira!
Se ç’janë ca njerëz,
që e bëjnë helaqe,
kur këtu ka vetëm,
dashuri dhe paqe!
Njerzit janë të lumtur,
nuk kanë më frikë,
dhe s’duan të shkojnë,
as në Amerikë!
Dita dhe Njëmijë,
atij Kapedanit,
për këtë Parajsë,
në cep të Ballkanit!
Edhe Njëmijë mote,
për popull të rrojë,
dhe nga ditët tona,
marrtë sa të dojë!
Më në fund e pamë,
të bërë Shqipërinë,
është armiku im,
kush shan qeverinë!
Se e drodhi Arben Duka,
mos mendojë asnjë njeri,
këto janë të vërteta,
s’janë aspak alegori!
Kjo është tamam qeveria,
që unë marrëzisht e dua,
kush e shan-e kush s’e do,
ka hyrë në gjak me mua!
Vazhdon…