Stilistika e kohëve të foljeve si një fakt i kuptimit metaforik ( Struktura stilistike e kohëve të foljeve në poezinë e Muharrem Kurtit ) / Studim nga Florimont Gojani

 

muharrem kurti

 

Stilistika e kohëve të foljeve si një fakt i kuptimit metaforik

 

Struktura stilistike e kohëve të foljeve në poezinë e Muharrem Kurtit

 

 

Studim nga Florimont Gojani

 

 

“Te poezitë e autorit Kurti, si tipar themelor ka kategorinë gramatikore të kohës, duke i vendosur marrëdhëniet midis kohës së veprimit, midis ngjarjes ose edhe gjendje, edhe gjërat të cilat u referohen fjalive, dhe kohës së shprehjes (që koha e shprehjes i përket çastit të ligjërimit.”

Foljet kanë tërhequr prej kohësh vëmendjen e shumë gjuhëtarëve, që janë marrë me studimin e gjuhës shqipe. Ato janë bërë objekte studimi qysh në hapat e para nëpër shumë studime të ndryshme, për të vërtetuar përkatësinë e shqipes në vendin e saj në familjen indoevropiane.

Folja është pjesë e ndryshueshme e ligjëratës që emërton veprime, procese a gjendje në rrjedhë të kohës; ajo ka kategori gramatikore të vetës, të numrit, të diatezës, të mënyrës dhe të kohës. Në gjuhën shqipe, sikurse edhe në gjuhët e tjera; është arti i të folurit gjithashtu edhe arti i të shkruarit, ku autori i jep rezultatet të të shprehurit, duke i lidhur elementin gjuhësor me atë artistikë. Prandaj dhe stili i autorit është mënyra më e mirë e ndërtimit të ndonjë pjese gjuhësore ku i mbështet kriteret e tij në mjetet e gjuhës letrare dhe sipas kërkesave të stilit dhe të zgjedhjes së përbërësve të ndryshme.

Edhe autori Muharrem Kurti në disa poezi të tij diti t’i përdor foljet ku ngërthenin në vete vlera emocionale . Pastaj nëpërmjet mjeteve stilistike, në rastin tonë foljes, autori na ngërthen ngjyrimet e tij sipas momenteve të përshkrimit të ndodhive. Te poezitë e autorit Kurti, si tipar themelor ka kategorinë gramatikore të kohës, duke i vendosur marrëdhëniet midis kohës së veprimit, midis ngjarjes ose edhe gjendje, edhe gjërat të cilat u referohen fjalive, dhe kohës së shprehjes (që koha e shprehjes i përket çastit të ligjërimit).

Stilistika e kohëve të foljeve qëndron në faktin e kuptimit metaforik ku i jep vlerë stilistike dhe tregon një veprim të rëndësishëm në stilistikën e foljeve. Kategoria gramatikore e kohës i takon vetëm foljes .

Ajo është më tipikja ndër kategoritë që ka. Aristoteli për të dalluar foljen nga emri mbështeste kategorinë e kohës. Edhe në stilistikën e autorit, në përdorimin e foljeve, ai merr si bazë marrëdhëniet kohore, kur shpreh veprimin a gjendje në rrjedhë të kohës. Edhe pse autori shpeshherë përdor të tashmën si kohë e gjallërimit poetik.

Papritur vijnë si bora

Bardhshëm mbi degë mbi tjegulla

Të bardhë bëhen vitet

E bardhë edhe mosha

Autori në poezinë e tij nëpërmjet kohëve të foljes trajton fenomenet në raport si pikë referimi, në të tashmen ; në raport me fenomenet që paraqesin çastin e shkuar ; po ashtu dhe kryrjen e veprimit në të ardhmen. Kohë këto që paraqesin rëndësi stilistikore, duke krijuar mundësi të shumta për të shprehur me saktësi çastin e kryerjes së veprimit .

Nëna çdo herë fëmiun tjerr

Nxjerr nga ai barin e keq

Në shpirt të tij mbjell

Dashurinë fidan lis

Koha e tashme – Poeti me anë të figuracionit dhe bartjes semantike nëpërmjet së tashmes, veprimin e shpreh drejtpërdrejtë dhe për të shpreshur momente me vlerë të rëndësishme.

Rruga e zbrazur

Fundoset në heshtje

Vetmia si një varr i hapur

Endet në hapësirën e dhomës

Pret kufomën e tij…

Edhe pse në disa raste koha e tashme nuk shpreh veprimin në të tashmen, por ka një trajtë kohore që ngërthen në vete kuptimin në kohë që është kryer. Efektiviteti i poetit me veprimin stilistik që e shpreh nëpërmjet kohëve foljore nxit veprimin e transpozicionit të figurës. Figurshmëria fiton vlera estetike në letërsi. Këtu ajo është pjesë përbërëse e formës letrare, e stilit. Te autori shihet edhe bartja e veprimit nga e kaluara në të tashmen për qëllime gjallërimi ose freskimi veprimit që është kryer në të kaluarën p.sh.

Fëmijët

Po rriten në mërgim

Në trotuare metropoli shëtitin

Në mërgim

Fëmijët po rriten

Po rriten

Fëmijët në mërgim…

Pasi Kurti përdor të kryerën për qellime të aktualizimit të veprimit në shembujt e mësipërm, ato shprehin format e prezentit në të tashmen, që është kryer nga veprimi i formave të së kryerës. Prandaj, format e së tashmes veprimin në vargje e bëjnë më aktual. Kur shprehin veprime në zhvillim e sipër, format kohore shoqërohen me pjesëzën po .

Krimi u bë krimi u fsheh

Besimi u zbeh shpresa u shly

Drejtësia kalon nëpër rrugë trillesh

Zemra e nënës po e lëshon një mallkim

Nuk mbin as bar nuk çel as sy…

Koha e kryer e thjeshtë – autori për të treguar veprimet që janë kryer në të kaluarën, si kohë rrëfimi ka të kryerën e thjeshtë. Edhe pse folja është përdorur me kuptime themelore në të kryerën e thjeshtë, veprimi është i çastit domethënë çastin kur flasim para syve tanë. Po ta marrim nga ana e morfostilistikës, aty hetohet vlera ekspresive e kësaj forme foljore .

Na u dogj rinia

Nëpër postblloqe

Dhe burgje

Na u dogj rinia

Nëpër beteja

Dhe luftëra

Autori po të përdorte të kryerën në këto raste (na kanë djegur rininë) do ta shprehte më tepër gjendjen në veprime më të nxitura dhe do mungonte dinamika e zhvillimit të ndodhisë. Prandaj, e përdor kohën e kryer të thjeshtë për të gjallëruar rrëfimin dhe e ruan konkretësinë e veprimit .

E kryera e thjeshtë, në përdorime të tilla në poezitë e Kurtit, shoqërohet me një forcë të veçantë afektive, me pikëpamje stilistike, një veprim i përjetuar, që dëshmohet edhe nga gjuha që ka Kurti.

Koha e pakryer – Kurti duke shprehur veprimin me një ndërhyrje emocionale dhe me veprim të zgjatur, duke përfshir të kaluarën, të tashmën dhe të ardhmen, foljet i shpreh në dritën morfostilistike . Veprimi i përjetuar në poezitë e autorit kanë efekt stilistik. Veprim ky që është përdorur në të kaluarën, mirëpo kuptimi i tyre del në mënyrë të pacaktuar. Përdorimi i kohës së pakryer në poezitë e Kurtit i sjell gjallëri stilit:

Harruan shpejt

Vrasësit xhelatët

Vdekjet varret kolektive

Harruan shpejt

Gjakun e heronjve

Klithmat e nënave

Shkrumbin e atdheut

Në këto vargje e pakryera ngërthen synimin e poetit, për një veprim që ka ndodhur në të kaluarën, ose për një veprim që ka zgjatur pa a shumë në të kaluarën. Dhe përmes këtij procesi, veprimi i shprehur fillon e bëhet sa më aktual, sesa veprimi që shprehet në të kryerën.

Në strukturën poetike të poetit me format e së pakryerës, ngërthehet synimi i tij, ku bëhet bartja e kuptimit nëpërmjet figurës së hiperbolës, dhe përfitimi i rëndësisë së veprimit bëhet aktual sesa është paraqitur në të kryerën . Për këtë arsye në shumë vargje të autorit shohim përdorimin e kësaj kohe si kohë stilistike.

Koha e kryer – Po ashtu si kohë me vlerë stilistike në gjuhën e poetit e shohim edhe kohën e kryer të foljeve. E kryera si kohë foljeje ka pikë referimi të tashmen, të shkruarën dhe të ardhmen . Ky veprim në kohën e kryer bëhet me qëllim të gjallërimit të rrëfimit si formë stilistike.

Katili ka veshur rrobe doktori

Tradhtari një patriot i rrallë

Analfabet gjenerali

Në poezinë e Kurtit e kryera mund të përdoret edhe me ndonjë kuptim tjetër të kohëve të foljes. Ajo merr kuptimin e kohës së ardhme, sepse poeti na jep një lloj sigurie më të madhe në kuptimin kohor të kryerjes së veprimit . Poeti në kohëne kryer jo vetëm që e aktualizon veprimin, por edhe e zgjat domethënien që shprehet veprimi në këtë kohë.

Nga kohë e shkuar ke dalë

Ke ec e ec vite pandërprerë

Nga vetvetja ke nxjerrë

Të djeshme gjithçka të saj

Forma e kohës së kryer në poezinë e Kurtit e bënë rrëfimin më intensiv, duke paraqitur anën e ekspresivitetit në tekstin poetik të strukturës gjuhësore, me vlerë stilistike. Me qëllim që pas foljeve ndihmëse, me të cilat është krujuar koha e kryer , kuptimi i së cilës del si një pikënisje e veprimit ose në të gjithë kohën që nga fillimi i veprimit e gjer në çastin e ligjërimit. Forma kohore e më së të kryerës, ajo mund ta zëvëndesojë të kryerën e tejshkuar, ku sipas gramatikës tregon një veprim ose gjendje që ka përfunduar para një çasti të caktuar të kohës së shkuar.

Nipërit dhe mbesat vendosën

Të thyenin kufirin që ngriti Europa

Ndonjëri ra kurban

Dikush u plagos tjetri u gjymtya

Duke ecur nëpër tokën e vet

Të ndarë me kufi

Ata panë me sytë e tyre vëllain pas 50 vitesh

Të vdiste prej gëzimit që kishte takuar motrën

Si në baladë të Doruntinës

Kufiri ra dhe ikën kufitarët

Malli u shua dhe nisën të pyesnin fëmija baballarët

Për xhaxhain kush është ky?…

Poeti nga format e pjesores të formuara me foljet ndihmëse, që formojnë më së të kryerën, nxitet nga momenti i ndieshëm emocional. Pikënisja e kësaj strukture në poezinë e Kurtit është kategori stilistike e efektivitetit, për momente të ndërlikuara, për gjendjen e poetit ku përdorimi i tyre ka më shumë karakter stilistik sesa gramatikor.

Përfundimi

Jemi përpjekur të drejtojmë ndaj një burimi të përbashkët, burim që e kemi gjetur në mungesën e respektit të kushteve resiproke të stilistikës së kohëve të foljeve te Kurti, dhe kemi formuluar përfundimisht nocionet e drejtimit dhe të drejtimit të përshtashëm. Çështjet që kanë të bëjnë me stilistikën e foljeve në mjeshtërinë e te shkruarit te Kurti, në asnjë mënyrë nuk guxojnë të jenë “PËRFUNDIMTARE”, që të mos hapen për t’u diskutuar. Përkundrazi diskutimet e hapura vetëm sa do të ndihmonin në konsolidimin e plotë të morfologjisë së tij në mënyrë që ajo t’i kryejë më mirë funskionet e saj. Në anën tjetër çdo përpjekje për të përmbysur trajtimin e stilistikës së kohëve të foljeve te Muharrem Kurti, nëpër morfologji dhe studime të ndryshme të shqipes, do të pengonte zhvillimin e morfologjisë shqipe.

 

 

Literatura

 

ASHSH, Gramatika e gjuhës shqipe I (Morfologjia), Tiranë, 2002

Bardh Rugova, Gjuha e gazetave, Prishtinë, 2009, fq. 186

Kolec Topalli, Sistemi foljor i gjuhës shqipe, Tiranë, 2010

Muharrem Kurti, Dialog me dhimbjen, Gjakovë, 2013

Muharrem Kurti, Lotët e luleve, Gjakovë, 2009

Muharrem Kurti, Porta e arsyes, USA

Rami Memushaj, Hyrje në gjuhësi, Tiranë, 2008

 

Xhevat Lloshi – Enver Muhametaj, Njohuri për stilistiken gjuhësore, Shkodër, 1994

 

Faleminderit profesorit te Univerzitet “Fehmi Agani” ne Gjakove z. Florimont Gojani qe beri nje studim dhjetra faqesh per Strukturen Stilistike te Koheve te foljeve te poezise sime dhe faleminderit gazetes Nacional qe e paska botuar kete studime shume cilesor dhe te rralle per krijimtarine time letrare . Nacional, dritare e vetme kombetare dhe nderkombetare per krijimtarine tone letrare. Shume suksese autorit te shkrimit ! Shume suksese Nacional, revista e jone letrare, nammadhe!

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s