SKLLAVE APO HEROINË?… / Prozë nga Natasha Limaj

SKLLAVE APO HEROINË?…

 

 

natasha Limaj

Prozë nga Natasha Limaj 

 

Nga që shumë punë të miat i bëj gjithmon në orët e vona të mbrëmjes , abuzoj me gjënë më të domosdoshme për shlodhjen dhe rigjenerimin e aftësisë mentale të qënies njerëzore , gjumin ,duke i vjedhur në mënyrë të dhunëshme kohën që i takon. Abuzim që vjen mbasi këtu  gjej lirinë në përmasa të pakufijëshme, prej së cilës largohet totalisht ndërhyrja e elementeve të tjerë shpërqëndrues që kërkojnë vëmëndjen time. Jo, se më pëlqen vetmia e nuk i dua njerëzit, por është një fie-zë pasioni ndryshe nga të tjerët që më bën ta kërkoj atë. Duke u marrë ndopak me vargun hallakatem nëpër fjalurina, kur në shtëpi mbretëron qetësia dhe jam e zhveshur nga cdo impenjim familjar.  Ç’janë rrotull meje  nuk para  m’i pëlqejnë e më thonë: -Lodhesh kot ! Por kjo ligjëratë  nuk më  shqetëson fare , pasi,  në momentin që shkruaj,  nuk mendoj kurrë a do të pëlqehen, a jo !..Jam e ngarkuar me një lloj emocioni që më godet si foshnja nënën në momentin e lindjes, t’i qeshi dritës së diellit. .E rëndësishme për mua,  të materializohet vargu, ashtu ,siç   duhet ,duke derdhur mendimet nëpër figura arti dhe mesazhi të dalë qartë , sipas optikës sime letrare .

Kjo më relakson  e më jep një ndiesi sikur shpirtit i kam hequr murin rrethues dhe ai i lirë fluturon si pegasi në lëndina lirike duke shijuar ambrozin e saj .  Nuk e kuptoj ,pse jam kështu??. Cingërisem nga çdo gjë që shoh, si gëzim, si hidhërim . Këndi i vështrimit 360º përfshin edhe grimcën më të padukshme, kuantike të universit, pastaj instiktivisht nis loja me fjalë e figura letrare e tëmthat fillojnë rrahjen e tyre pa pushim si vareja mbi hekurin e nxehur .S’e kuptoj dhe as e gjej dot se  çështë kjo llavë përvëlonjese, nga më vjen?…Kujtoj ndonjëherë fjalët e Niçes  për artin i cili e quan gjë hyjnore dhe thotë se arti është dëshira për të bërë  dhe parë gjëra të përsosura dhe bota është e përsosur falë dashurisë ,por edhe të një studiuesi letrar , Shpëtim Kelmendi i cili kishte botuar  një ese në gazetën “Mapo” ku sqaronte shumë saktë se ç’është krijimi dhe krijuesi. Më vjen mirë që fjalët e tij t’i rendis në këtë copëz ndijimesh ku thosh :    “Në të gjitha nivelet e tij krijimi është vlerë dhe vepër vetëm e  zotit. Shkrimtari mbetet gjithnjë instrument, mbase një instrument i mirë ”  Kjo më bën të jem “hajdute “ kohe dhe bashkëudhëtare me hën’e  yje nëpër galaktika imagjinare e të kem nderin ,mbase jo perfekt, por t’i afrohem sadopak këtij  “instrumenti “ të tillë .

 

Edhe këtë fillimjave ndihesha shumë e lodhur, kur normalisht duhet të më shperthenin energjitë e ditës së re . Shtrirë në krevat po përpëlisja qerpikët  të cilët nuk më bindeshin për t’u hapur  të prisnin aurorën mëngjesore. Rrotullohesha në shtrat, duke e vërtitur mendimin  se duhej te ngrihesha . Me vete artikulova  frazën  “të zuri dreka”, të dëgjuar me mijëra herë nga  gjyshja ime ,por prap sytë nuk po i hapja .  S’vonoi shumë, një rreze dielli depërtoi nga xhami i dritares  drejt e në fytyrën time , ja, thashë: “kjo po me thërret të çohem” !.. Nuk prita, mblodha këmbët shuk ,vura dy duart te gjunjët e  një i dhashë çarçafit dhe kërceva nga krevati .Siç e kam zakon  ,pasi ngrihem, brënda dhomës sime, bëj një mikro gjimnastikë për të shpirë kockat e mpira nga gjumi i natës .Edhe sot   vazhdova me ritualin tim të përdtshëm,  ku  shpalosa aftësitë e mia në drejtim të përkujdesjes ndaj trupit dhe shëndetit, të dëgjuar shumë herë nëpër media e televizione .Gjithë-gjithë tre-katër lëvizje te fundi i krevatit , disa ulje-ngritje nga dyshemeja me anë të muskujve të duarve,  përbënin gjithë palestrën time. Dal nga dhoma e gjumit ,bëj një tualet të shpejtë, rrufis një kafe, pasi nuk ka zot të m’i hapi sytë në mëngjes, pa pirë filxhanin me një makiato i thënçin, se unë mbush një filxhan me qumësht, i hedh një lugë kafe të pa zier, sheqer dhe kaq . Kjo është e famshmja “makiatua “ ime, katalizatori i ditës së re. Vishem me të shpejtë, edhe pse bëj një lëmsh? O zot !…, Te dollapi, nga përzgjedhja e lodhshme marrë  çantën, të cilën asnjëherë nuk e lë te vendi i duhur ,një të puthur mamit në të ikur e turravrap në krye të shkallëve. Në zbritje e poshtë  kontrolloj për çelësat e makinës e të magazinës  në të cilën punoj, duke futur dorën pa i hedhur sytë  brenda saj. E ndjej që  të dy palët  i kam aty , por sigurohem edhe një herë duke i prekur me dorë ,se në çantën time ç’nuk gjendet:  lloj-lloj gjërash,  nga më të paimagjinueshmet . Nuk e shoh të arsyeshme t’i   rendis këtu, pasi juve do t’u zvetënohej dëshira për të vazhduar leximin  e për mua do të ishte humbje kohe, gjë që e kam të çmuar ,por po e përmbledh me një frazë që përdoret rëndomë midis nesh ”  Çantë femre aq” , çfarë nuk mbledh brenda ?!… Fluturimthi zbres shkallët e pallatit  , janë katër kate me nga 12-ë shkallë, zëre se kërcej nëpër to, aq shpejt iki,  nuk janë pak, 48-ë zbritje që në mëngjes , ja dhe  një minigjimnastikë tjetër..Ndonjëherë them: Oooo, kush i ngjit gjithato ,por vazhdoj mendimin ,më mirë se më stërvisin muskujt e këmbëve , apo ç’jemi motorrizuar ,këto kohët e fundit ?!… U dembelosëm fare .   Aty nga kati i parë ndjej ajrin e ftohtë të më përplaset në fytyrë, pa ma kursyer ndiesinë njomëzuese të ujëvesës së agimit,e cila më bëri t’i çapëlyej flegrat e hundës, për të thithur eterin  mëngjesor  brenda kraharorit tim. M’u duk sikur trupi më ledhatohej nga fllad i pulverizuar vese , veten e ndieja sikur kisha flatra , ndiesi që t’i jep çelitja e gjallimi i ditës së re.  Gjithmonë kam qënë e etur për freskinë mëngjesore, fëmijë vdisja për pikëzat kristal mbi fijet e barit që ngjanin si diamante transparente, u afrohesha, i vështroja  me vëmendje dhe, pa e kuptuar, vija gishtin mbi to .  Ato menjëherë e humbisnin egzistencën, ktheheshin në ujesë . Pyesja gjithmonë mendjen time të pazonjën të jepte përgjigje : sa të bukura janë!.Sa ngjyra të lehta kanë!.. Njëçikë qielli ,njëçikë rozë, njëçikë transparencë , po si diamantet

 

Këmbët i hidhja  kuturu, hapat të  paorganizuar , gjumi akoma pa marë arratinë ,prej meje e memorja duke më bluar lloj-lloj mendimesh, si sonamul , pa e kuptuar fare u gjënda te dera e makins , hapa derën e parë dhe ulem në sedile, vendos çelsin, e ndez, pres gati një minutë, sa makina të nxehet, kur në moment  shikoj një kokë  kaçurelëse e dy sy që afrohet e vëzhgon me vështirësi  te xhami i makinës nga e majta .  Ul xhamin dhe shoh Gazin, gjitonin në katin e parë , – Po pse kaq shpejtë në punë, moj Luli ? Ti e ke dhe punën private , je vetë punëtor e vetë drejtor? – Eh ,..O Gazi, edhe mua më qan syri të rri dhe pak në shtëpi ,por ç’t’i bëj ?… Ma zjen ajo që nuk e di mirë akoma parkimin e makinës, vete parkoj e para, kur nuk ka makina të tjera !..Kështu është kur e ndjen veten të paaftë në diçka njeriu, mundohet të gjej zgjidhje të tjera . Kot nuk thonë se   duhet të të punojë mendja, të dalësh  nga situata t’u paraprish vështirësive, megjithatë më mirë , shpejt se sa vonë, mengjesi e përtyp gjithë ditën,  po  hajde ditën e mirë dhe të fala Etlevës! I them për të shoqen. Një grua shumë e aftë të mbaj me krenari kurorën e gruas se përkushtuar për familjen , gjë që në  kohën e sotme rrallë gjen krijesa të tilla, që të sakrifikojnë me stoiçizëm kristian për ta mbajtur kurorën familjare të bashkuar. Jo se nuk duan ,por janë derivime të kohëve të reja moderrne thonë .

I jap gaz makinës,  nisem për në punë .Rrugët e lagjes  copë-copë më kushtëzojnë të  bëj sytë katër ,mos përmblidhem në ndonjë gropë të mbushur me ujë nga shiu njëzetekaërorësh pa pushuar. Avash-avash  arrij te dal nga lagjja rruga më jepte idenë se po guidoja në rënoja lufte . Kaloj  rrethrrotullimin te bashkia dhe gjëndem përpara magazinës në të cilën punoj . Parkoj rehat-rehat ,kënaqasi dhe siguri që ma sillte mungesa e makinave të tjera e më bënte të mos kisha frikë nga ndonjë gërvishtje e padëshirueshme që ndodh zakonisht nëpër parkingje. I ngre me vështirësi të jashtëzakonshme qepenat e rëndë për trupin tim ,nga skoriet ndryshkore të vjetersisë shumë vjeçare  . Vërvis çantën mbi banak dhe menjëherë marrë librin që kisha lënë nga dita e djeshme mbi të ,përmbys deri tek faqja ku e kisha lexuar. Është  libri me poezi i poetes me fame ruse” Ana Ahmantovës “.  Poete me famë botërore në rrymën e  romantizmit . Më pëlqejnë poezitë e saj, kanë  polisemi të zhdervjellët dhe  mesazh te qartë, nuk të hiqet kurrë nga mendja .Kur lexoj Ahmantovën , ndjejkënaqsi estetike njomështi, sinqeritet , fluturim,por edhe pak rebelizëm, gjë që mua më pëlqen.   Nuk e harroj kurrë  thënien e saj: “Damka e artë – Njeri i pafat “

-Nisa te lexoj poezinë “ Muza “ nuk e di dhe nuk e shpreh dot emocionin qe më dha , thellë – thellë e admiroj dhe adhuroj autoren edhe pse kishte jetuar shekuj para meje , memorja ma rrokte shumë afër imazhin e saj  nëpërmjet vargut brilant që lexoja . Në sekondë shikimi im u davarit jashtë dyqanit ,por në mendje kisha Ahmantovën dhe magjinë e vargut të saj. Gjithmonë i kam adhuruar poetët. I ndjej shpirt njerëzimi,mos të them  eliksiri  jete .Aq më shumë, kur janë femra ,më rrëmben emocioni ,bëhem me flatra e më duket sikur fluturoj në gjithë botën, ndiesi që i ke dhuratë veç nga poezia. . Amantova më sillte në veshin tim një  zë të largët që jehononte ,për gjithë femrat e rruzullit, aq më tepër per mua që mundohesha t’i avitesha ndopak  vargut poetik.

 

-Po ku je moj Luliiii!..

-Më përplaset zëri në vesh, gati sa s’më shurdhoi , ishte Irena, shoqja ime e femijërisë, u shfaq te pragu i derës , shumë entuziaste dhe e gëzuar .

-Më në fund të gjeta!… – Kam kohë që vi këtu dhe mbyllur .Po ku je, aman, se na mori malli!?!…

-Më hodhi duart në supe dhe  të dyja derdhëm një përqafim mallëngjyes ,që buron vetëm nga shpirtrat e pastër dhe të përmallur, pasi ajo ish e emigrante në Greqi , kurse unë këtë muajin e fundit në Itali .

-E di ti që të kam parë në internet ?…  Ke botuar  vëllimn e radhës  me poezi , mos gaboj, e ka titullin ” Trokitje Shpirti ”

– Sa më pëlqeu edhe kopertina  , shumë bukur ta kan punuar , brravo i qoftë edhe shtëpisë botuese”Muzgu” ,m’u duk shtëpi prestigjioze , pash interesin që kish treguar ,për performancën paraqitëse .Të kishin bërë goxha publicitet.  Redaktoria m’u duk emër i ri, po kishte bërë një analizë dhe zbërthim të vargut nga ana teorike në standarte shumë të larta. Aman Luliii më thuaj ku ta gjej ,se vargu yt më ngjit shumë dhe sidomos ato poezitë për nënën i qan fare ti!…

Dhe fytyrën ia mbuloi tis mërzie e hollë, që më pas i solli një drithërimë të lehtë gjë që u mundua të mos e shfaqte ,por nuk e përmbajti dot  , kurse mua më ngacmoi  gjithë qënien  dhe tyriela mendore filloi të çponte imagjinatën  .

– Po te Beni e ke, moj Irena  ,te libraria këtu ngjitur ,Beni që ka qënë me ne në Gjuhë -letërsi , atje do ta gjesh !…

– Ta dish, Luli, i lexoj shumë poezite e tua ,seç të cingërisin ato , thua se të zbulojnë plagët, her -herë i mësoj  përmendësh , më vjen shumë ëmbël rrokja jote , vertetë ti i ke dy vargje të lira dhe dy të tjerët të rimojnë ,por ato lidhen aq bukur dhe në sinkron ,sa që katrenat e tua nuk i lexoj, i këndoj .Pastaj me vjen në mendje gjithmon leksioni i profesore Gladiolës në stilistikë që na thosh gjithmonë: “ poezia të jetë e bukur, ta japi qartë mesazhin, abstragimin ta ketë gjithpërfshirës, duhet që rrafshi horizontalë të përputhet me rrafshin vertikalë, por baza që mban peshën e mesazhit është rrafshi vertikalë  e tek vargjet e tua qëndron shumë kopsitur kjo teori e më duket se përsëris leksionin .Pastaj mua në poezinë tënde më pëlqen gjeografia e bukës poetike , lënda poetike e poezive të tua moj, Luli, nuk lë skutë të jetës pa zhbiruar, le më  shpirtin e njeriut ,natyrën, gëzimin, dhimbjen gjithë egzistencën .”

-Po avash , moj avash se na bere “Lazgush” fare, o Irena ,se  vrgdashëse  jam ,nuk jam “nëna” e tij  !….

-Jooo e ke gabim,  unë i pelqej shumë, por të shoh edhe në internet që ke shumë lexues e admirues  të vargut . Vë re që janë dashamirës, me përgatitje dinjitoze letrare , gjë që e tregojnë analiza dhe zbërthimi i vargut , në mesazhet e tyre .   I lexoj me vëmëndje ato , se aty herë – herë mësoj edhe për vete ndonjë gjë rreth letërsisë . Ështe shkollë  më vete interneti  edhe pse ndonjëherë ta shpërdoron kohën që e kemi aq të çmuar, por në shumë raste, më ka ndihmuar  në drejtim të poezisë. Se ti…, nuk  di gjë fare, nga mua Luli!…S’je në korent të jetës sime private .

– Po ,pse moj ç’të reja kemi që s’i di unë?!…

-Eeeeh …, moj Luli, kam plot, më shumë të këqia se të mira , por po e filloj me këtë grimcëz që më jep një fie-zë gëzim në këtë skëterrë shpirtërore që më mbyt .

– Me turp po ta them, se më duket vetja e vogël para teje që je marrë qysh herët me vargun.

-Çfarë është ajo ,moj, që unë paskam qënë shurdhe e nuk e kam dëgjuar ,për ty?…Pa ma thuaj !…

-Hiç, moj hiç, Ja edhe unë tentoj të lidh ndonjë varg .

-Ç’thuaaa moooj??…Dhe nuk më ke dhënë mua asgjë për të lexuar?!…

-Të thashë , që më vjen turp ,por këto ditë unë po përjetoj një kataklizmo  në shpirt dhe nga kjo nuk durova dot .  Mirë sa nuk më plasi zemra ,por bekuar qoftë poezia që edhe pse do ta quaja thërrime para vargut tënd ,për mua  kjo thurje minorene keto ditë u bë balsam .

-Mjaft , moj mjaft me ankesa ,e ku ke pasur ndonjëherë probleme ti që kur të kam njohur unë  . Ke qënë e dëshiruara e familjes , si motra dhe vëllai linin kokën për ty ,  edhe pse   drejtor Vullneti vdiq shpejtë ,ju nuk e ndjetë mungesën e tij, pasi teta Tefta ishte grua shumë e fortë dhe ju rriti si s’ka më mirë , të gjithëve ju shkolloi  edhe pse ajo vet kish një arsimim modest ,por sa për zgjuarsi, inteligjencë dhe formim edukativ, ajo linte pas edhe shumë nga ato që e mbanin veten për intelektuale kalibri ,po hajde na thuaj ndonjë varg se më bëre kurjoze .

-I mban mend ,apo jo ,se unë vet e mbaj  mend pothuaj gjithë krijimtarinë time dhe e dalloj vargun tim ta kem bërë kur të dua ,nuk më ngatërrohet kollaj me të tjerët, gjë që ma vënë në dukje si ,lexuesit ,poetët dhe ndonje studjues letrar që begenis të  merret me vargun tim.

– Eh , ç’ të të  them, moj Luli , po kaloj një krizë tani , po më përmbyset bota!…

-Ç’thua moj ,se më mëre merak?!..

.-Eeee dua natë dimri të të shpjegoj!..    S’di se kush jam , por hajde po t’i them nja dy katrena që më janë gdhendur në tru dhe pastaj të them si e kam hallin !…

-Hajde moj ligjëro tani ,se na plase pa halle as ke, as do kesh, moj motra ime, me atë nënë të  mrekullueshme që ke ti !… Ajo, po, me fikje dritësyri e venitje fytyre ngriti dorën dhe bëri një lëvizje sikur largoi pengesë që i kish dalë para, kroi pak zërin ,mbolli një gëzim të mekur në fytyrë dhe foli.

-Dëgjo, moj Luli, dëgjo: vetëm mos qesh ,me vogëlinat e mia !..

-Pa hë t’i dëgjoj , -bërtita unë entuziaste, por edhe kurioze në maksimum. Ajo filloi duke  shtrënguar dhëmbët dhe grushtat gjithë hidhërm , papritur cepsyrit mori rrugën mes për mes faqes së rozëruar një kristal loti i cili bënte ca ulje-ngritje i detyruar nga spazmat gulçonjëse, ku zërin nuk e penguan, por bubulloi sikur doli nga thellësi e shekujve:

 

Nuk më dhëmb, kur më vret

Kush s’më ka dash ndonjëherë

I huaj është për mua

Dhe unë vet, për të s’kam ndjerë…

 

Por më vret, më dërrmon,

Vraga-vraga më gjakon ,

Ma bën zemrën , copë thërrime,

Kur më shtyn ,pjesëza ime!…

 

-Moj Irena ,po paske qënë thëngjill i mbuluar në drejtim të vargut ti!…Po kjo është shumë e bukur,  fjalët rrëmbejnë njëra tjetrën sikur kërcejnë, rrokja tingëllon e thellë e plotë, figurat letrare shumë mbresëlënëse, mesazhi zbërthehet natyrshëm dhe qartësia si dritë dielli, por aman ,më thuaj kush të ka lënduar kaq shumë , pasi dhimbjen ,vrasjen, gjakimin  dhe shtytjen i ndjeva aq thellë, sa që më duket se edhe mua m’u bë zemra copë e thërrime .

-Ah ,moj Luli ,ta dish ti ç’më ka ndodhur mua ?!…,Do të shokohesh ,vetëm nëpër filma e romane mund të hasesh me histori të tilla . Dua kohë të ta tregoj ,.por, meqënse unë në këtë botë dola filli e vetme dhe të afërm nuk kam , edhe nëse nuk do, unë do të ta them,, se m’u fry zemra gjak , po më zihet fryma, sa ta nxjerr nga vetja këtë zezonë që mora vesh për jetën time .

-Po fol moj xhan, fol  ia ktheva, pasi më mallëngjeu dridhja e buzës së saj dhe loti qelqezuar që i buisi te cepsyri u rrokullis me shpejtësi marramëndëse nëpër faqe dhe përfundoi si ndonjë arturinë në fund të mjekrrës duke pritur tjetrin që ishte duke ardhur ,pasi vetë sytë e Irenës tregonin se breshërima nuk do të kishte pushim nga gjithë ky furtunal që kish shpërthyer në shpirtin e saj .

Nuk po duroja të merrja vesh dhe t’i vija në ndihmë mikes sime ,se ne, pothuaj ishim motra e jo mike ,ishim rritur bashkë edhe shkollimin e kishim pasur ,po në të njëjtat shkolla e fakultete dhe nuk mund ta harronim njëra- tjetrën. Ishim shumë të lidhura.  E nervozuar iu hodha,  siç i hidhet motra motrës,

-Po fol të shkretën fol ,se më vdiqe!… Ajo ,më pa edhe njëherë me sy të mbushur me lot, shikimin e trubulluar nga lumi i kripnajës që i perdezonte pamjen ,mori frymë thellë të pastronte ngashërimat që nuk ishin më  në dorën e saj, por nga hidhërimi i madh ishin rebeluar dhe spazmonin instiktivisht , u kapërdit të fliste më qartë dhe filloi narracionin e jetës së saj :

 

-Lulii… e di pse erdha me urgjencë nga Greqia ?…

-Jo !…, i them,- se ti sikur erdhe para një muaji, para se të ikja në Itali , u takuam bashkë, pse kjo urgjencë apo ndonjë gjë teta Tefta?…,Dhe pres gjithë sy e vesh se çdo të më tregoj.

– Po ja, moj Luli , mami im i mbylli sytë që dje -dhe sot bëhet varrimi.

-Ç’thua, moj ,dhe ti rri këtu me mua dhe flasim ,kodra pas bregut!???? … Prandaj je kështu ti ,moj zemër ,po humbja e mamit është dhimbje e madhe, moj shpirt dhe së brëndshmi qortova veten time që nuk u tregova e vëmëndshme të kuptoja dhimbjen e saj .Por nuk thonë  kot që dhimbja nuk matet me shpinën e tjetrit , por edhe më brente mendimi se ç’mpleksje problemesh të ketë ,- më dukej absurde ndodhja e saj këtu për momentin!…Më mbuloi habia dhe nuk dija ç’të  thosha ,se ka raste, kur dhimbjet janë shumë të mëdha , situatat ndërlikohen  e mbyllen të gjitha portat e zgjidhjeve e s’u jep dot duhmë mendimeve edhe Urtësia më e madhe e kohërave.

-Po jo, moj Luli, jo, vazhdoi ajo, mes ngashërimave ,kam një humbjedhimbje  akoma më të madhe unë, kam humbur , nuk e di kush dhe e kujt jam?…  egzistoj aksidentalisht!…

-Po ç’po thua, mooj…. Irena! , mblidhe moj veten , të gjithëve u ka ikur nëna ,po nuk kanë bërë kështu si ti . E di që dhimbja është shumë e madhe ,por në fund të fundit prindërit e kanë radhën para fëmijëve!.. Pse bën kështu? Mbaje pak veten ,jeta i ka këto lloj humbjesh. Po mundohesha ta ngushëlloja dhe qetësoja e t’ia lehtësoja sadopak dhimbjen që e kishte mbuluar, por prap nuk kuptoja shumë ,pasi nuk po më vinte e qartë situata që po përjetonte. Më goditën ,fjalët e saj “ Unë kam humbur , nuk di kush jam?.. ,  egzistoj aksidentalisht !.. “Jo me guxim të çartur ,por me  kujdesin maksimal  dhe një delikatesë , nga frika se mos shpërthente prapë në rrëkeza kripëzimesh ,-i them:

 

– Pa hë, më trego, moj zemër, se qënkam e humbur fare që nuk di gjë për ty dhe nuk më falet ,po ti e di problemet dhe impenjimet e shumta familjare, emigrimi, vitet  na bënë të shkëpusim lidhjet fare me njëra- tjetrën., edhe pse kjo gjë nuk na falet ,se e gjen mundësinë njeriu të takoj atë që do .

-Është e patregueshme kjo që më ka ndodhur mua, moj Luli, Ti e di, erdha  një muaj më parë ,se  dëgjova nga halla ime,se mami ishte shumë sëmurë .E shqetësuar në maksimum ,pasi ti e di që unë mamin e kam pasur pikë të dobët , nga që ishte gjithmonë imëcake, lodhej shumë duke na shërbyer , pastaj të mos harroj mundimet e saj, kur na la babi . Ishim tre fëmijë jetimë ,Bora e madhja, unë e dyta dhe Drini i vogli ,që për të bënim gjithshka ,pasi ai mashkull na mbeti në shtëpi . Dihet që mami ishte e mbrujtur me mentalitetin arkaik, që e reflektojnë shumë nga brezi i saj, se mashkulli duhet trajtuar më ndryshe në krahasim me ne ,vajzat dhe bëhej copa për të, jo vetë ,por na detyronte dhe ne .

Pasi përgatitem me gjithë preferencat si për mamin, Borën dhe Drinin , të mësuar gjithë kohën me dhurata nga unë ,pres biletën , hipi në autobus dhe vij . E lodhur nga rruga e gjatë me plot bagazhe në shpinë, por dhe me merakun e madh se si do ta gjej mamin ,pasi ajo bëhej shumë keq nga zemra gjithmonë  dhe nuk mund t’i bëhej as edhe një lloj ndërhyrje kirurgjikale, ,pasi kishte arritur në një degradim të trupit ,sa që nuk mbante dot operacion , e mbanim me terapi me të zbutura të herëpasherëshme , i bie ziles  së derës . Në derë më shfaqet Bora , më përqafoi ,por jo shumë entuziaste që erdha.

– Po ty kush të tha që mami është sëmurë?..Pyeti ajo . Po halla, moj, i them dhe sytë e m’i u  derdhën në butësinë e syve të hallës që po rrinte në krahë të mamit ,që mezi po merrte frymë me supe . Më shkoi një e drithur në trup kur pashë mamin në atë gjëndje, u mbyta në lot ,e dija qe nuk duhet te qaja para saj, po nuk mundesha dot ta mbaja të qarët. U ula në gjunjë dhe iu afrova , ju hodha në kraharor dhe nuk ngopesha me erën e saj dënesja akoma edhe pse ajo nuk më puthi, shtrëngohesha pranë saj dhe nuk më bënte pershtypje që ishte aq e ftohtë, pasi ajo, qysh kur na kishte lënë babi, ishte cilësuar në lagje si grua e fortë ,por unë e kisha dëgjuar këtë fjalë edhe kur ishte babi gjallë, ndonjëherë edhe ai vetë e thosh:

Vetëm Tefta mund të duroj dhe pranoj gjëra të tilla , nuk gjëndet tjetër grua me këtë stoiçizëm barbar që të shkel me të dy këmbët mbi vete , për tjetrin, për këtë durim e admiroj. Veç një shpirt fisnik e bën këtë megjithatë  asnjëherë se kisha kuptuar këtë shprehje ( Se kush ish ky tjetri )të cilës sot po ia marrë kuptimin.

Mami u ngrit ulur,u vrenjt kur më pa, u prish në fytyrë ,gjë që ia hodha dhimbjes dhe dergjies për një kohë të gjatë në shtrat, më vuri dorën në sup, më largoi nga vetja dhe me një ashpërsi që i shkon përshtat një njeriu që nuk është kënaqur kurrë dhe që ka bërë një jetë të ndrydhur, me liri të privuar, më tha :

– Mos më hajde më, moj vajzë!.. Nuk të kam gjë !…Shpirti im e di si ka duruar tërë këtë jetë !…Shtanga në vend… Sytë m’u shqyen nga habia, tavani sikur më ra mbi kokë, jo se kuptova gjë , por nga frika , mendova se mami kaloi ndonjë hemoragji cerebrale dhe fliste përçart. Halla që nuk m’i ndante sytë, dridhej dhe mbytur ne lotë i tha:

-Po ç’thua moj Tefta?… Qetësohu , mos fol, se je sëmurë e do bëhesh më keq. Por ajo u egërsua në fytyrë , drejtoi trupin  dhe ia dha një të bërtiture të tmerruar.

-Do ta them këtu !..Se marr me vete edhe atje, se më mbytiii…, tërë jetën ,apo doni qe edhe  atje të më zërë fytin ?…Dhe ra përmbys mbi batanie , dëneste me të madhe si një fëmijë i zënë në faj, duke përciellë një dhimbje therëse , ku zëri i dilte sikur vajtonte .  U tmerrova nga kjo kuje,  S’po kuptoja gjë. Me sytë e shqyer hodha shikimin nga Bora dhe halla ,por ato nuk ishin kaq të shqetësuara sa unë, por veç se në fytyrat e tyre dallova pelerinë mërzie, keqardhje pikëllimë ,më shumë te halla e cila dukej sikur ishte midis dy zjarreve. I vinte shumë keq për mamin që po kalonte këtë gjëndje , por edhe mua nuk ma ndante shikimin dhe dukej sikur më lutej me sy . Edhe pse unë akoma s’po kuptoja gjë, u largova pak nga mami dhe u ula në kolltuk , mendova t’i lija kohë, të qetësohej , mos i jepnim  bezdi kur i rrinim shumë afër, si çdo  të sëmuri që dergjet shumë në shtrat. Ajo, pasi, u shtri, mua prapë më shikonte me një urrejtje të thellë që dukej sikur vinte nga katakombet e nëntokës. Nuk bëra zë, veç e shihja me sy të malluar,ç’ka se friksuar e përlotur deri në palcë , por ajo s’donte t’ia dinte. Ndoshta kishte shumë dhimbje e reflektonte kështu .

Dëgjova derën  që u hap dhe shikoj Drinin që hyri në dhomë . U ngrita me vrap,  iu hodha në qafë, e putha, e përqafova fortë si motra vëllanë.

-Por nuk e di, moj Luli!.. Pse ndiejva në përqafimin e tij ftohje, largim që as vetë nuk  dija si t’ia vija emrin ,por thashë me vete:

– Ky është i vogli i fëmijëve dhe e ndjen më shumë sëmundjen e mamit , do kemi kohë të shmallemi e luajmë ,si dikur , sa të shërohet mami dhe me gjuhën e brendshme  lutesha ,aman o zot shëroje !… Bora , Drini dhe mami duket sikur ishin veshur me çehre antipatie dhe bezdie nga prania ime në dhomë , vetëm halla kishte një shikim dashamirës ndaj meje dhe sytë e saj, edhe pse shpesh m’i largonte picërronin, bulëza loti   të cilat hamendia ime ia atribuonte sëmundjes së mamit . Halla gjithmon që në fëmijërinë time ishte treguar shumë e dashur me mua.

– Pooo Irena!… ,ajo vinte edhe në shkollë që  kujdesej për ty , edhe për ditëlindje ajo të blinte dhuratë shumë të bukur, më kujtohet, përkushtimi i saj ndaj teje,sa që ndonjëherë e tejkalonte masën ,për hallë , pothuaj barazohej ,me përkushtim nëne të dhimbsur.

– Eeeh , moj Luli edhe unë e kujtoj shpesh, po të njëjtën dashuri, pak më të dallueshme ndaj dy të tjerëve e kisha ndjerë edhe nga babi ,  i shihja me adhurim të dy në çdo festë që kishim në shtëpi, mua gjithmon më bënte dhuratë halla dhe babi ,kurse Bora me Drinin merrnin nga mami dhe nga tezja ,se mami vetëm një motër të vetme kish dhe ne e donim shumë atë. Por unë kurrë nuk vija re pse nuk më bënte dhuratë pasi ,gjithnjë imja ishte më e mirë ,pastaj edhe Bora me Drinin ,nuk mërziteshin asnjëherë, kur babi dhe halla nuk u bënin dhuratë ,pra kishim bërë një marrëveshje të pashkruar që nuk e kuptoja si ishte vendosur edhe pse e shkoja ndonjëherë në mendje, nuk pyesja, ,pasi mami na kish mësuar për shumë gjëra që i vendosin të mëdhenjtë, mos pyesni ,por vetëm binduni dhe ne ashtu bënim. E kishim ligj fjalën e mamit !…Nuk di pse edhe babi nuk e kundërshtonte kurrë atë ,seç kishte një forcë ajo  , ndonjëherë më ngjante si ato vajzat ‘burrnesha” të malsisë që kishim trajtuar në letërsi.

-Më kishte mbështjellë një hidhërim i madh, duar e këmbë nuk po më bindeshin t’i afrohesha mamit prapë ,por me mundim të madh u ngrita nga kolltuku ,kur dëgjoj Borën

që më tha:- Irena, kalojmë nga dhoma tjetër, se mami nuk është mirë !… U habita ,dhe thashë me një notë proteste në zë.

-Po avash, moj ,sikur është vetëm jotja ajo  dhe e do më shumë nga ne ti. Vura re që mami e ngriti pak kokën nga jastëku, sytë plot me lot, ,pa me inat dhe si në gërrhamat e fundit bertiti :

– Të thashë njëherë, moj  vajzë , më hallemadhe se unë ,s’të kam gjë dhe mos më hajde më!..Në këtë moment nuk e mbajta veten  , zemra sikur m’u ça , shikimi më iku çdo gjë para m’u bë errësirë. Për çudi e ngrita zërin.

-Po ç’thua, moj mamiii?!… dhe më mbytën ngashërimat . Nuk doja të dilja nga dhoma dhe u mbështeta tek dera, nën perden e lotëve e shihja që nuk i lëvizte asnjë nerv në fytyrë ,pa çka se unë në të folurën e saj ndjeva një dozë keqaedhjeje për mua. Dukej sikur kishte vendosur një maskë hekuri dhe rrinte si e ngrirë, nuk shihja asnjë grimcë ëmbëlsie në shikimin e saj , gjë që e kisha ndjerë që fëmijë, por e hidhja mbas krahëve me pretendimin se është e lodhur .

Pastaj ne kishim marrë një edukatë nga ajo vetë, por edhe nga babi ,se nëna ,babai ,motra ,vellai duhen sido që të jenë, se nuk i zgjedh, por janë dhuratë nga zoti . Babi thosh gjithnjë se gjaku duhet dhe nuk bëhet kurrë ujë. Akoma s’po vija në të, ç’po ndodhte me mua, kështu nuk e kuptoja  pse mami ,Bora ,po edhe Drini, që më donte aq shumë dhe deri sa kam ikur në Greqi, flinte me mua si i vogli që ishte , sikur ishin një trup i vetëm .M irë ajo që është e sëmurë ,por ‘s’po ndjej asnjë grimcë dashurie as në sytë e tyre. Zhytur thellë në këtë vorbull kataklizmoje që po ndodhte në shpirtin tim s’di pse më ngacmoi ,fjala e mamit “më hallemadhe se unë “. Më mbytën pyetjet :

– Ç’halle kish ajo?.. (që unë nuk i dija) , po unë ç’halle kisha ?… Më afrohet halla , më fut krahun dhe thotë:

– Irena hajde shkojmë nga shtëpia ime !..

– Po dale ,moj hallë , se unë nuk jam shmallur me të shtepisë njëherë , pastaj mami është shumë e sëmurë!…

– Po ti hajde, se edhe andej nga unë shtëpia jote është ,pastaj mos u bëj merak, se është Bora me të  dhe me të e ka gjetur gjuhën, se ështe e madhja ajo.!..

Edhe doja, edhe s’doja të shkoja me hallën,  doja ,pasi nuk di pse nga situata qe u krijua m’u duk vetja e tepërt aty ,ndjeva një ftohtësi siberiane që më kallkanosi deri në palcë, të mos shkoja , prapë isha e dyzuar, pasi më shqetësonte sëmundja e mamit , prisja të qetësohej, më mbante shpresa, se do të ndryshonte në qëndrim me mua, por më shumë më interesonte të ish ajo mirë. Kërshëria më shtynte të prisja si do te reagonte më vonë . Edhe pse fjalët e saj më dukeshin absurde, themelet e shprtit tim, sikur po lëkundeshin tamam si themelet e ndonje karkatine të vjetër qindra vjeçare ,ngrënur nga erozioni kohor, zemra më mori krisje tejpertej, ndjeja apati, lodhje, therje në të gjitha kockat e trupit, por halla që po më shikonte me vrejtje me shtyti pothuaj me tërhoqi zvarrë jashtë nga dhoma dhe dolëm në koridor .

-Mirëupafshim i tha mamit dhe Borës, rrëmbeu çantën time dhe dolëm në rrugë. Po ecnim ngadalë ,unë e përhumbur në brendinë time , më rrihnin tëmthat .

Pyetja” ç’më gjeti kështu ?… “-vazhdonte të pulsonte në mendjen time, gati sa të bërtisja, kurse halla e detyruar nga apatia ime i hiqte këmbët zvarrë më keq se unë . Avash – avash u afruam tek shtëpia e saj , hapi portën ,ajo kishte shtëpi private , u ulëm në verandën e saj mbushur me lule ngjyra-ngjyra. Nostalgjia e fëmijërisë më bëri ta zbërthej gojën dhe i them hallës

-Sa të bukura këto lule moj hallë?!…,Mbete gjithmon nje lulerritëse pasionante. Sa e dashuruar je me të bukurën !..Shpirt artisti ke ti hallë.!.

-E di, moj xhan, i hallës e di ,por edhe ti më ngjan mua se i ke qejf lulet!.. Dhe më puthi me dashuri. Ngrohtësinë që më jepte puthja e hallës,  nuk e harroj kurrë edhe kur largohem nga Shqipëria , më kujton fëmijërinë .  Rrembimthi më shkoi mendja te mami, si nuk më puthi njëherë tërë jetën ajo?.. por ajo ashtu ishte e “Fortë” siç thosh edhe babi!..

-Kështu moj Luliii, atë ditë ndënja tek halla për drekë. Ç’nuk na kishte bërë e shkreta, ,gjithë shpirtin kish derdhur në atë tavolinë ,sikur e dinte që do të ndodhesha aty për drekë, ndoshta ka qënë dhe e paramenduar nga ana e saj ?…

– Mbase , nuk di ç’të them ?….

-Po ajo nuk të tha gjë fare për këtë situatë  që u krijua?…

– Dale, prit, se të them unë ty…Fizikisht isha te halla po mendjen e kisha në shtëpi ,mendoja si ishte mami, ç’bënte ajo ,a ishte qetësuar ,a pyeste për mua ,po kjo Bora si nuk mori në telefon  të na thosh ndonjë gjë për mamin?..  Shumë mendime ndjellakeqe më lëvrinin në kokë. Shtroi ajo e shkreta tërë të  mirat në tavolinë , mos kish derdhur aty gjithë të mirat e botës ?…,Po ku më hapej goja mua?… Mendja ime fluturonte te femijëria, sillja kujtime, që andej doja të bëja lidhjen me sjelljen e mamit ,por nuk kuptoja gjë!…Vetëm një  dialog të shkurtër midis mamit dhe babit ma sillte kujtesa . Çudi këtë nuk e harroja dot.- Më ishte gdhendur në tru .

– Vullneeeet …,kjo do na turpëroj ne!…

– Jo, moj Tefta , nuk e sheh sa e bukur po bëhet , apo sa nota të mira merr edhe në mësime ?!…Ajo ia kthente:

– Mjaft e mburre , mos ia hap synë se ato të “bukurat” ta bëjnë gjëmën , ta shohim me kohën . Unë nuk kuptoja ,a besonte apo miratonte sa për sy e faqe ,se e kishte ligj fjalën e babit nuk e kthente kurrë. Ata të dy nuk është se shprehnin ndonjë dashuri të madhe  me njëri-tjetrin , por kishin vendosur ca rregulla  për familjen dhe i zbatonin me përpikmëri ,gjë e cila i bënte që të shumtën e kohës të mos atakoheshin  . Këtë cilësi të prindërve e merrja në fëmijëri ,( kur nuk dija) si dashuri, u thoshja gjithnjë shoqeve se mami dhe  babi im nuk zihen kurrë, ata duhen shumë, paçka se nuk e pashë babin ,deri sa  mbylli sytë të tregojnte ndonjë afeksion të madh ndaj mamit .  Mendoja se ky duhet të jetë modeli perfekt i mardhënieve në çift , nëpër mendje kaloja edhe unë se mamit do t’i ngjaja, pavarësisht ,se fizikisht nuk i afrohesha fare. Bora  me Drinin i ngjanin më shumë . Ti , Luli, gjithmonë ma ke vënë në dukje korrektesën dhe preçizitetin kur ziheshim  më thoshje :

-Sa i ngjan  teta Teftës në veprime , se nga pamja ta ka marrë Bora me Drinin.

Cunamin e mendimeve të mia e çau zëri i hallës

– Irena do të tregoj diçka për jetën tënde .por ti nuk do mërzitesh, se ke mua , mbase e asaj nuk je ,por imja je!… . Nuk po kuptoja gjë, por duke e ditur dashamirësinë, përkujdesjen dhe dashurinë që tregonte halla për mua, të cilën herë-herë e ndjeja si nënë,  kuptova se çështja ishte serioze dhe do të vinte tek unë e qartë dhe e pastër  dhe sëfundi do të shfaqej çdo sekuencë e jetës sime . Ndjeva se misteri po zbulohej , m’u duk vetja si gjethe e zverdhur  vjeshte që e vërviste era sa andej, sa ketej ,nuk dija ku të mbahesha .  Mami ,Bora, Drini më dukeshin të huaj ,shumë larg ,sikur nuk isha pjesë e tyre . Po prisja pa i dhënë okej-in hallës ,por edhe ajo nuk e kishte të lehtë, e shihja qe kapërdihej dhe  ma largonte shikimin ,nuk donte të kryqëzonim sytë, pra dukej sikur donte të tregonte diçka shumë të fshehtë. Më dha ndiesinë sikur ruhej edhe nga muret e dhomës ,   dukej si  laureshë e trëmbur. .  Perhumbjen time e çorri me zërin e drithur

– E di si e nisi, Luli?…

-Si?.. Ia kthej unë!…

-Irena, ty Tefta nuk të ka vajzë, !…dhe ajo nuk gënjeu , tha një të vërtetë, por ti mos u mërzit, se do ta them unë të gjithë historinë e jetës tënde .Hakshe-hakshe edhe ajo nuk ka faj, po kështu e solli fati dhe duroi !…

– Se ke idenë, moj Luliii ,ç’ndjeva . M’u permbys botaaa, si moj s’më ka gjë , nuk jam gjaku i saj, unë- i ulërita hallës

-.Si është e mundur ?.. Nuk e besoooj ..jooo , nuk e besoooj !…Fillova me të qarë dhe e mbytur në ngashërima,- i them.

-Po unë nuk jam as vajza e madhe, por jam e dyta nga fëmijët, kam edhe Drinin, mbas meje?.. Si ka mundësi kjo, moj hallë ,ky është ndonjë mashtrim apo lojë ,ç’më thua kështu për mamin?!…

Për çudi në tërë këtë përmbysje, më vinte në mendje përsëri dialogu i prindërve.

– Dëgjo ,Irena akulli u thye, unë tani do të tregoj gjithë historinë e babait tënd ,vëllait tim që ka lidhje me jetën tënde!.. Ti e di se babi yt ka punuar në arsim dhe që ka qënë drejtor shkolle .

-Po,- i them .

-Tani të vazhdojmë që ti marrësh vesh të gjitha ,se tani ti je e rritur dhe i kupton gjërat.  Ai ka qënë gjithmon njeri i rregullt dhe korrekt me familjen dhe me mamin , kanë pasur një martesë të lumtur dhe sidomos,  kur lindi Bora, ata ishin çifti më i dashur  dhe më i përkushtuar për njëri-tjetrin. Ndodh  ndonjëherë ndonjë lajthitje në jetën e njeriut, nuk mund as të fshihet e as nuk mund të rimerret dot mbrapsht , gjë që i ndodhi edhe babit  tënd  me ty ,prandaj mami me të drejtë thotë që nuk të kam gjë.

-Po ç’thua, moj halla, akoma me këto ti ,po të thashë që unë jam më e vogël se Bora ,si është e mundur të gjëndem në ketë shtëpi kur babi ka qënë i martuar edhe me fëmijë ,pastaj pas meje është Drini ,si ka mundësi të ndodhin këto gjëra dhe jeta bashkshortore midis mamit dhe babit ka vazhduar normalisht edhe mbas lindjes sime?…

-Eeee, vazhdon halla ,po këtu qëndron paradoksi dhe stoiçizmi i mamit dhe prandaj e vlerësojmë dhe ia durojmë edhe ndonjë fjalë më tepër asaj.

-Mua, Luli, nuk po më durohej të merrja vesh se nga kisha ardhur unë?…. Isha vajza me nënë,  por pa mëmësi , nuk po merrja vesh të vërtetën akoma. Halla po ma plaste shpirtin me ato ndalesat e saj, e kish të vështirë dhe ajo të ma thoshte copë , e harrova fare mamin ,Borën, Drinin ,për një moment m’u dukën sikur nuk ishin pjesë e imja  dhe po  bindja veten se vërtetë nuk i kam gjë .  Tollovia e mendimeve po me merrte frymën , po desh fati dhe halla e zgjidhi gjuhën përfundimisht duke vazhduar  me ketë narracion të çuditshëm mbi jetën time .

-Babi yt, moj Irenë, nuk kishte faj ,por , seç dreqin i çaun një mësuese të re , të bukur ,por sipas fjalëve të tij po edhe të mësuesve të tjerë shumë e zgjuar , më duket se ishte edhe bionde me sy  të shkruar si ti , dhe ju bë ferrë nëpër këmbë , pa jo se donte , por si drejtor që ishte, do bënte punën dhe do kujdesej pak për të, sa t’ia merrte dorën mësimdhënies. Si duket ajo përkujdesjen e ka nngatërruar dhe i ka kërkuar më tepër ,se kështu janë disa lloj femrash u jep pak dorën dhe të rrembejnë krahun, edhe ai burrë ishte s’kish çbënte dhe ndodhi ajo që ndodhi…. Ja, kështu, erdhe ti ne jetë. Por  babi yt si burrë me reputacion  dhe me një korrnizë vlerash dinjitoze si një fisnik , për të mbrojtur atë vajzën, i hodhi mbi vete te gjitha fajet , e hoqi nga shkolla, e transferoi në një shkollë tjetër deri sa linde ti.  Ty të mori në shtëpinë e tij…..  Të bëri bashkë me tët motër dhe iu rriti të dyjave ,poor gjithnjë me meritën e Teftës edhe pse njerëzit dyshonin  dhe hidhnin fjalë, por ajo ishte e zonja dhe shpesh dilte nga situata dhe e mbronte shume timvëlla dhe babin tënd .Edhe për ty ajo përkujdesej shumë dhe të edukonte si donte ajo ,paçka se ndonjëherë e tejkalonte me punët që të jepte ,kur  Borën që ishte më e madhe nuk e ngarkonte aq shumë .

Halla vazhdonte ligjëratën dhe nuk më shihte mua fare në fytyrë që më rridhnin lotët dhe e ndërpres me një ulërimë rrëqethëse.

– Po ai, moj, nuk kishte faj fareeee!… Vetm ajo mësuesja kishte faj dhe u përplasa në çimento,  më mbytën dënesat me të qarë.

– Ç ‘të të them, moj Luli, m’u duk vetja llozhur ,s’dija e kujt isha , në kokë lloj- lloj mendimesh ,para syve risillja imazhe të grave bjonde me sy të shkruar , pyesja:

– Vallë a do më ketë parë ndonjëherë ajo ,mos më ka folur dhe unë nuk e di?…Mos ndoshta më ka dhënë dhe mësim ?…

Megjithatë  mua atë ditë vetja m’u duk vetëm . Unë  qënia që isha e destinuar të  kisha dy nëna një të ligjëruar që më la ,por dhe një të detyruar ,që më rriti me përkushtim po më lë.  E dyta me dhimbje therëse që ma bëri zemrën të më kulloj gjak .s’ma merr mendja të gjej qetësi  për tërë jetën . Hallën e ndalova të vazhdonte dhe që në moment  bëra valixhen gati dhe ika prapë në Greqi.Atje fillova t’i shoh e t’i radhisë ngjarjet e jetës sime me gjakftotësi Nuk bëra as muajin , më merr halla prap në telefon dhe më thotë se mami i mbylli sytë . Qava sa qava ,pasi unë e doja shumë atë, se më kishte rritur dhe nuk ia harroja dot vuajtjet e saj edhe përkushtimin ndaj meje ,paçka se pak e ashpër me mua. Nisem menjëherë të gjëndesha në pëcielljen përfundimtare të njeriut që me durim të hekurt  në emër të mbrojtjes së moralit fallco të burrit të saj nuk më hodhi në ferrë, siç ndodh rëndomë ,por më rriti, edukoi bashkë me fëmijët e saj. Që kur kisha ikur nuk e dija se ç’kish ndodhur më me mamin , nuk kisha bërë as bisedën më të vogël në telefon  me Borën dhe Drinin .Ftohtësia e tyre më jepte idenë se ata  kanë qënë në dijeni të problemit tim qysh më parë  dhe si duket u vinte keq për nënën e tyre.(që faktikisht ishte dhe imja) Sa zbrita nga autobuzi rrembeva valixhen zvarrë, me një frymë hodha sytë  tek shtylla ku vendoseshin nekrologjitë . Me drithërimë afrohem , shoh foton e mamit . Kishin vënë një foto , jo të tanishme, por kur kish qënë e re .  Atë ia pëlqeja edhe unë, pa çka se kish veshje të dalë mode ,ua tregoja gjithmonë  shoqeve në shkollë.Vështrova me kujdes, më dridhej trupi, nuk e mbaja dot veten ,ç’ka se sforcohesha jashte mundësive të mia.  Në moment m’u vërdallos fëmijëria para syve, tingëlluan fjalët e shoqeve ,sa u tregoja foton,

– Irena, ti nuk i ngjan fare mamit, interesante është me ty ,se nuk para ngjan shumë as me motrën e vëllanë ?… Pyetje apo sygjerim që nuk i dhashë dot përgjigje . Instiktivisht zbrita shikimin më poshtë të lexoj ç’thuhej në nekrologji dhe për të marrë vesh orën e varrimit. Pashë njëherë rreth e rrotull ,se mos më njihte ndonjë dhe nisa të lexoj  :

 

 

LAJMËRIM

 

Me  hidherim të madh lajmërojmë humbjen e nënës sonë  të dashur  Tefta Kaltri.  varrim bëhet sot në orën 12ºº. Na nderoni me praninë tuaj!..

Fëmijët: Bora, Drini Kaltri.

 

Një gozhdë tjetër për zemrën time të gjakosur nga kjo histori ,por nuk e dhashë veten , pothuaj kisha një muaj që isha mësuar me këtë situatë, ishte bërë pjesë e vetëdijes dhe më shoqëronte ngado, helëm që e përtypja me normalitet. U nisa drejtë për në shtëpi . Gjithë hyrja ishte mbushur me njerëz që kishin ardhur të përcillnin mamin . Pa vajtur akoma te hyrja , nga dritarja halla nuk e di se ku më pa, më doli përpara, pasi u takua me mua më tha:

– Zemra e hallës hajde mos u fut brenda ,se ajo e ka lënë amanet në fjalët e fundit ,të mos vish në përciellje.  Vendosi vet në gërrhamat e fundit dhe tha:

-Po e lë amanet , të mos vijë… Më jepni fjalën të iki e qetë në atë botë !..  Më lini rehat dhe mos me detyroni të paktën atje. U ka thënë dhe fëmijëve dhe ata  u betuan ,para saj t’ia çojnë në vend amanetin ,pastaj ti e di edhe vetë” amanetin se tret as dheu…”

-E bëra zemrën gur, dhëmbët i shtrëngova fort,  lotët mundohesha t’i pija me buzë dhe bëra sikur nuk dëgjova gjë. Pa rënë në sy fare,  ika.. Nuk u ktheva as te halla edhe pse ajo m’u lut që të rrija në shtëpinë e saj.

– E siç më sheh, jam këtu  tek, ty, moj Luli, e nuk jam atje ,bashkë me vëllanë e motrën t’i bëja edhe unë përcielljen e fundit asaj që nuk më ndau nga gjiri i saj,  edhe pse  unë paskam qënë plagë për të çdo sekondë që ajo ka frymuar ,(pa e ditur). Eh si është kjo botë, pa dashje, njeriu lëndon aq shumë, saqë nuk harrohet as në frymimin e fundit , po çfaj kisha unë?…Edhe pse prodhim dashurie , por paskam qënë farmak!..  Tani nuk po më dhëmb aq shumë ,se u mësova me këto shufra përcëllonjëse të jetës sime . Edhe pse mbeta vetëm në këtë botë e ajo që më ka mbajtur nëntë muaj në bark ,të më dal përpara s’besoj se do më ngrohet shpirti me këtë pelin që mora, pasi mua më rriti ajo me bindjen e patundur  se ishte  nëna ime…Lutem me shpirt për të, u preftë në paqe, se e di që ajo ka provuar vuajtje çnjerëzore për të mbajtur familjen të bashkuar dhe për të ruajtur të papërlyer nderin e burrit që donte,

– E ç’të vazhdoj më ,moj Luli motra, kjo është gjithë historia ime,  dhe ato vargjet e hidhura , më dolën nga shpirti ,se mirë mami që mbase dhe kish të drejtë të sillej ashtu ,po Bora me Drinin ma thanë zemrën fare , jam rritur me ta dhe nuk e duroj dot abandonimin e menjëhershëm të tyre. Por ndoshta janë të hidhëruar nga humbja e mamit , shpresoj me kohën të ndryshojnë gjërat, shpresoj…  E tani do të nisem direkt ,për në Greqi,  siç i dëgjove  ato dy katrenat e mia plot mbllef  janë derivivim i kësaj situate që po kaloj , por unë mendoj se do të merrem gjatë me vargun ,se e ndjej që  më pëlqen. A nga e mira , a nga e keqja ?… Por do të merrem.  Më hodhi duart në qafë më përqafoi fortë .  dhe tha:

-Mirupafshim vitin tjetër !… Do kthehem te Beni të marr librin , pastaj direkt  te autobuzi. U përqafuam të dyja të mallëngjyera,  ajo se po kalonte nje shok identiteti ,kurse unë nuk e prisja kurrë këtë histori absurde . Doli nga dera e magazinës ,ma bëri edhe njëherë mirëupafshim me dorë . Sytë e mi u përplasën me dy liqenjtë kaltërosh të syve të saj që vezullonin  kristale  loti, të cilët nuk vonuan e u rrokullisën faqeve . -Ikaaa …më tha! -Jam vetëm , nuk e prisja të më kthenin shpinën Bora me Drinin !… Të paktën me ata kam pak gjak të përbashkët, puthi për mua po i takove… dhe nxitoi këmbët te kthesa, nuk e pash më… . Futem brenda, ulem në karrike , marrë prap në dorë librin e Ana Ahmatovës , dua të lexoj ,por e kotë, në memorjen time fillon një shfaqje e rishfaqje panoramash, veprimesh, situatash në të cilat vendosja jetën e Irenës qysh nga fëmijëria dhe deri tani . Çudia që ndodh me mua është se më vinte keq shumë për Irenën ,por në fund të fundit ajo ishte rritur , shkolluar dhe nisur jetën në një famile normale me motër , vëlla me prindër për t’u admiruar pavarësisht se nuk ishte nëna biologjike ,por për atë deri para një muaji ajo ishte e bindur si “buka që ha” se ishte nëna e saj. Kështu që asaj nuk i ka ngelur gjë mangët , deri në momentin e sëmundjes së teta Teftës. Vetë flisja dhe vet dëgjoja e jepja përgjigje . Nuk kisha njeri te puna , kjo më bëri të futem në mendime të thella  dhe kujtoja Teta Teftën, lodhjet dhe përkushtimin , ashpërsinë e saj  e lidhja me  durimin që kish treguar për të mbajtur  brenda vetes këtë histori . Sa e fortë ka qënë?..Edhe kasafortë hekuri , të kish qënë ,do ishte shqyer nga kjo e fshehtë jetësore .  Instiktivisht nxori krye  pyetja , A ka gra të tilla sot ?…Të bëjnë sakrifica të këtij lloi. Të shkelin mbi veten dhe dinjitetin e tyre me të dyja këmbët për t’i  treguar opinionit një zemër të gëzuar nga jashtë, kur së brëndshmi kullonte gjak?…S’di ku ta rendis teta Teftën , në skllave, apo në heroinë ?…, Më thoni Ju lexues të dashur !…

 

 

 

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s