Apostol Simoni, një ikonë që nuk duhet harruar – Bisedë me shqiptaro-amerikanen Miranda Grabocka-Simoni / Bisedoi: Raimonda Moisiu

Apostol-simoni-225x300

Apostol Simoni, një ikonë që nuk duhet harruar

 

Bisedë me shqiptaro-amerikanen Miranda Grabocka-Simoni

 

 

Apostol Simoni 30 vjet më parë, më 19 Janar 1984, e gjithë bota e artit dhe kulturës shqiptare, Korça, komuniteti i këngëtarëve dhe artistëve korçarë, do të tronditej nga lajmi i kobshëm-ndarjes krejt papritur nga jeta, në moshë relativisht të re, 33 vjeç, – e kompozitorit, dirigjentit, instrumentistit të talentuar Apostol Simoni. Ishte në kulmin e karrierës së tij dhe muzika e kompozuar prej tij pati një ndikim të jashtëzakonshëm oshëtime për brezin e viteve ’80 dhe për brezat që vijnë. Këngët e kompozuara nga Apostol Simoni kanë brenda shumë ndjenjë e melodi harmonike. Ai preferonte të kompozonte në akorde minore të ëmbla e sentimentale, këngë që tërhiqnin publikun dhe melodia e tyre shpejt e kapshme, fërshëllehej rrugicave të Korçës. Muzikën dhe ndjenjën e artistit e dalloje lehtë në çdo notë të kompozuar prej tij, sepse ishte në antitezë me artin e muzikën që kërkohej nga regjimi komunist i kohës. “Apostoli ishte djalë i rrallë, por “u nxitua shumë”, nuk duroi dhe u largua, “Ishte ndryshe nga bota”, -shprehet me lot ndër sy mikja e tij e fëmijërisë, Zhaneta Stefanllari Ballauri, me të cilën ishte shumë e lidhur dhe ndante të fshehtat e shpirtit, veçmas për muzikën. Ndërsa aktori i shquar korçar Petrika Riza përcjell çaste kujtimi me artistin e shquar: “Apostoli ishte muzikant i apasionuar, i talentuar e plot frymëzim, dirigjenti i aftë i orkestrës së Estradës së qytetit, kitarist i shkëlqyer. E ndiqnim me shumë endje prapa kulisave të skenës, ku disa herë luante edhe vetë në kitarë dhe shpesh nga duartrokitjet detyrohej të rikthehej në skenë. Me karrierën e tij virtuoze ishte ndër të paktët antikomformistë me drejtuesit e asaj kohe dhe shpesh herë e nxirrte mërzinë, shpërthente duke kompozuar apo duke i rënë kitarës. Ishte njeri i shqetësuar e me shpirt të trazuar, siç janë përgjithësisht artistët e mirëfilltë.” Skënder Rusi, poeti i shquar korçar i vargjeve lirike shqiptare dhe autor tekstesh i disa këngëve fituese në festivale kombëtare të kompozuara nga Apostol Simoni, shprehet mes të tjerave: “Ai na la atëherë kur na duhej më tepër. Ai ishte dhe mbetet kitarë malli e dashurie”. Miku i tij fëmijërisë, prof. Gjergji Cikopani:- Apostoli la pas një krijimtari cilësore që do të nderohet dhe kujtohet gjithmonë. Këtë “privilegj” e kanë vetëm artistët,-Nektari i inteligjencës”. Apostol Simoni vdiq në moshë shumë të re, në Tiranë –ku ndodhej për të marrë këngëtaren e shquar Anita Take, për koncertin e javës në Korçë, “Buqetë këngësh”. Ai ka lënë pas, plot 300 krijime muzikore. Këngët e kompozuara prej tij këndoheshin nga artistë me emër që nga Lindita Theodhori, Leon Menkshi, Liljana Kondakçi, Fatbardha Hoxha-Disho-Pëllumb Elmazi, Nertila Koka, Afërdita Laci Zonja, etj. Koha ikën, por kontributi dhe kujtimi i kompozitorit, dirigjentit, kitaristit dhe instrumentistit do të mbetet gjithmonë vlerë kulturore, qytetare, kombëtare e historike në botën e artit e kulturës korçare dhe shqiptare në tërësi. Apostol Simoni do të mbetet dhe kujtohet një vlerë njohëse, një nga figurat që i dha Korçës sonë aq shumë nga vetja në fushën e muzikës. Një ikonë që nuk duhet harruar! Në ditën e vdekjes së tij, kompozitori i njohur Simon Gjoni, ka shkruar në gazetat e kohës shkrimin me titull; “Autor i këngëve të realizuara” dhe në shtypin lokal të Korçës shkroi asokohe, i ndjeri Sotiraq Vangjeli, ndërsa Pëllumb Elmazi për këngët e tij; “Gëzimi i njerëzve të ditëve tona”. Në këtë bisedë përkujtimore dhe homazh në 30 vjetorin e ndarjes nga jeta me bashkëshorten e artistit të shquar korçar, Miranda Grabocka-Simoni, e cila aktualisht jeton në Neë York, na rrëfen kush ishin dashuritë e jetës, roli dhe kontributi i tyre në krijimtarinë muzikore të Apostol Simonit, artisti që jetoi pak e krijoi shumë.

 

 

1-raimonda

Bisedoi: Raimonda Moisiu

 

 

Së pari ju falenderoj që pranuat të jepni këtë intervistë, për të risjellë në kujtesë kompozitorin e shquar korçar, Apostol Simoni, i ndarë nga jeta në një moshë relativisht të re, por që la pas një kontribut të çmuar në muzikë. Si ndjeheni për këtë intervistë- e ndjeni homazh apo një përcjellje të vlerave qytetare, kulturore e historike të Korçës sonë?

 

Ju faleminderit Raimonda, për mundësinë që më jepni. Të dyja bashkë edhe homazhin që përkon me 30 vjetorin e ndarjes nga jeta, pikërisht më 19 Janar. Gjithashtu do të dëshiroja të thoja edhe përcjellje të një vlere të çmuar të artit e kulturës korçare në veçanti dhe asaj shqiptare në tërësi, një vlerë njohëse, për një nga figurat që i dha Korçës sonë aq shumë nga vetja në fushën e muzikës. Apostol Simoni lindi në qytetin e Korçës më 16 prill 1950, në një familje autoktone qytetare dhe intelektuale korçare. Ai jetoi shumë pak,ashtu sikundër thotë edhe miku i tij i afërt Klito Fundo, në një moshë me Krishtin, 33 vjeç, por ai dha shumë më shumë se sa mosha e tij e re. Është shumë vështirë të sjellësh kujtime mbas 30 vitesh. Kjo intervistë është respekt për familjen e të ndjerit, kompozitorit Apostol Simonit, tre fëmijët e tij që ka lënë pas, Alda Simoni Ballkameni, Gjergji Simoni dhe Eda Simoni Bandilli, mbesat e nipi i tij, Sara, Xhorxhia, Dionis dhe për veprën e kontributin e tij.

 

Si u gjend bashkëshorti tuaj në rrugën e bukur të artit, veçmas asaj të muzikës? E pati të trashëguar genin muzikor, apo ishte dhunti e tij?

 

Apostoli mbaroi me rezultate të mira shkollën e mesme të muzikës, për violinë. Ai nuk fitoi të drejtën e studimit në Akademinë e Arteve Tiranë dhe pasioni i tij i fshehur ishte gjimnastika. Kështu që ai ndoqi studimet në Institutin “Vojo Kushi” Tiranë, dega gjimnastikë. Talenti i tij spikati edhe në këtë fushë dhe në vitin 1969 ai doli kampion së bashku me 6 gjimnastë të tjerë sipas specialitetit. Mbas mbarimit të Institutit të Fiskulturës, emërohet në Gramsh në fshatrat përreth, si mësues fiskulture. Punoi me pasion e përkushtim pa ju ndarë kurrë edhe muzikës, organizonte aktivitete të ndryshme në rang rrethi e më gjerë. Ndërkohë njohja dhe miqësia me mjeshtrin e kitarës, Alfons Ballicin e jep mundësinë që ta mësojë e të luajë në kitarë. Në ato aktivitete ka marrë gjithmonë vlerësime dhe certifikata për punën e mirë që ka bërë.

 

A mund të na përshkruani momente nga eksperienca e tij? Kur ka filluar të kompozojë? Cila këngë është kompozimi i tij i parë?

 

Që aty në Gramsh fillon aktiviteti i tij artistik, në konkurrime shkollash, kompozime për festivale fëmijësh në rrethe të ndryshme, si Gramsh, Përmet, Vlorë. “Vendlindja na fton” ishte kënga me tekst të Klito Fundos, që e bëri disi të njohur, krahas kompozitorëve të tjerë të rretheve. Kjo i dha forcë e optimizëm që Apostoli të konkurrojë në Institutin e Lartë të Arteve dhe fitoi të drejtën për të vazhduar studimet në degën Kulturë. Mbas mbarimit të studimeve emërohet në Estradën e Qytetit të Korçës, dirigjent, punë të cilën e kreu deri në mbarim të jetës së tij. Apostoli ka kompozuar këngë edhe kur ishte student në Institut, kur ishte mësues në kursin e kitarës, në Shtëpinë e Pionierit, Tiranë. Aktiviteti i tij muzikor fillon i plotë në Estradën e Korçës, ku në çdo shfaqje ai sillte kompozime të reja për këngëtarët e rrethit të Korçës. Estrada kishte aktivitet të përditshëm dhe përkushtimi i tij ishte maksimal, duke nisur nga këngët e festivaleve për fëmijë ku kanë debutuar artistë të vërtetë si Leon Menkshi, Alfred Bode, Majlinda Sherko Tasho, të cilët edhe sot e kësaj ditë kujtojnë me nostalgji e respekt kompozitorin e tyre Apostol Simoni, por kanë mbetur edhe miq të mirë të familjes dhe të mijtë personalisht. Gjej rastin t’i falënderoj nga zemra.

 

Ç’mund të na thoni për influencat e tij muzikore në muzikën e lehtë? Po atë popullore dhe serenatat?

 

Ai kompozoi për Festivalet e Korçës, anketat muzikore, Festivali i RTSH, por edhe për anketat muzikore të Radio Tiranës dhe në prill 1982, kënga fituese ishte kënga: “Lule janë fëmijët” e kënduar nga Nertila Koka. Gjithashtu në repertorin e tij ka pjesë instrumentale dhe ka plot muzikë popullore. Pra, krijimtaria e tij përfshin rreth 300 këngë.

 

Si një njohëse e hershme e muzikës së kompozuar nga Apostol Simoni, kam vënë re muzika e kompozuar prej tij, ka një mirëkuptim mes dinamikës së muzikës, të kënduarit dhe interpretimit emocional, e cila u jep fuqinë e tingujve, melodisë së këngës. A ka pasur ndonjë trajnim apo eksperiencë në muzikë?

 

Instrumenti i tij më i dashur ishte kitara. Ai kompozonte gjithë natën. Vijën melodike e niste me kitarën dhe më pas punonte në piano që e kishte në Teatër. Rrugica ku ne jetonim ishte çdo natë e pagjumë, nga tingujt e kitarës. Apostoli ishte edhe një orkestrues shumë i mirë, ai i orkestronte vetë të gjitha këngët. Kompozitori Apostol Simoni, për kohën që jetoi e kompozoi ka qenë shumë i suksesshëm, i vlerësuar me Çmime Kombëtare dhe Çmime të qytetit të Korçës dhe me marrëveshjen e admirueshme të publikut. Këngët e kompozuara prej tij janë kënduar nga këngëtarë të mirënjohur të muzikës shqiptare, si Lindita Theodhori, Myfarete Laze, Liliana Kondakçi, Fatbardha Disho, Spiro Katundi, Vaso Qirinxhi, Elektra Hasimi, Zhuljeta Demce, Andoneta Shano, Laxarela, etj, dhe akoma këndohen në Korçë. Kryesisht ai kompozonte këngë për vokalin e këngëtares së mirënjohur Lindita Sota Theodhori, e cila ishte këngëtare profesioniste në estradë dhe ato këngët janë fituese në çdo eveniment. Në konkurrimin e trupave të Estradave në Gjirokastër Apostoli u paraqit me këngën –“Përherë të dua”, kënduar nga Lindita. Por momentin më të bukur e tregon shkrimtari z. Petraq Zoto, atëkohë Drejtor i Teatrit A. Z. Çajupi. “Të nesërmen në mëngjes kur po ecja me Apostolin në rrugicat me kalldrëm të Gjirokastrës -tregon Petraqi , ai Apostoli ndaloi për një moment dhe më thotë: “…dëgjo Petraq…dëgjo…!-dikush prapa tyre fishkëllente melodinë e këngës të kënduar një natë më parë. Kënga përcillej aq shpejt dhe bukur tek publiku, sa ishte një kënaqësi e paparë për të. Teksti i asaj kënge fituese ishte nga miku i Apostolit, poeti e publicisti Kostaq Duka, me të cilin ai bashkëpunonte. Këngëtari Pëllumb Elmazi, mik i afërt i tij dhe i familjes sonë aq mik sa ne ndjemë ndihmën e tij sapo shkelëm në token amerikane. Ishte një mirënjohje e tij për mikun e “Fjetur” dhe unë njëkohësisht do të shpreh mirënjohje për familjen e Elmazit. Zoti i bekoftë!, Spiro Katundi, Vaso Qirinxhi, çifti Dhimitraq dhe Fatbardha Disho, miq të cilët i rezistuan kohës deri në ditët e sotme, mirënjohje për të gjithë; Laxarela, Antoneta Shano, Mimoza Shaholli. Mirënjohja e Fatbardhës është e pakufishme, është mikeshë e familjes Simoni. Miq të mirë të Apostolit janë edhe çifti i shquar i skenës e ekranit, Petrika dhe Klaudeta Riza, violinistja Suzana Grabocka Opari është mike e Apostolit dhe e familjes sonë, ruajmë ende miqësinë 30 vjeçare, Behxhet Qyteti, etj. Apostoli jepte mësime në kursin e kitarës në Shtëpinë e Pionierit “Mihal Grameno” Korçë…

 

U nda nga jeta në moshë të re. Si ishin momentet e fundit të jetës së tij? A ka lënë dorëshkrime”

 

Në një aktivitet që ishte kthyer në traditë ishte “Buqeta” me këngë që ai organizonte në muajin Janar të çdo viti me këngët fituese të Festivalit të këngës në Radio Televizion, duke ftuar çdo vit një këngëtar të njohur, si të madhen Vace Zela, Mefarete Laze, Liljana Kondakçi dhe së fundmi ai ishte në Tiranë për të marrë Anita Taken. Por nuk mundi dot sepse vdekja e mbërtheu me kthetrat e saj, duke mos realizuar ëndrrën e tij muzikore. Në momentin e fundit kur Apostoli dha frymën e fundit në Tiranë, pranë tij ishte operatori i Radio-Televizion-it, Agron Spahiu. Ai ka ngelur edhe sot e kësaj dite mik i përjetshëm i Apostolit dhe familjes së tij. Agroni solli orën, unazën, amanetin e fundit dhe këtë poezi të shkurtër shkruar nga Apostoli në orët e fundit të jetës…

 

Pas vdekjes..

Një ditë vdekja do të trokasë,

Duam s’duam derën do të hapim,

Varrin mes stërgjyshërve

Aty do ta kemi,

Mbi shpinën e varreve tona,

Nipër e mbesa një cast do të heshtin,

Dhe kjo zemra do të trokase dhimbshëm,

Mbi supet e tyre dielli do të qeshi….

 

Në ditën e vdekjes së tij, kompozitori i njohur Simon Gjoni shkroi në gazetat e kohës shkrimin; “Autor i këngëve të realizuara”, ndërsa në shtypin lokal të Korçës shkroi asokohe, i ndjeri Sotiraq Vangjeli, ndërsa Pëllumb Elmazi për këngët e tij; “Gëzimi i njerëzve të ditëve tona”. Apostoli Simoni ishte anëtar i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë. Ana humane e Apostolit ishte njeri i apasionuar pas pëllumbave i donte shumë dhe kalonte orë të tëra me to, fitonte qetësinë shpirtërore dhe muzën për këngët e tij.

 

A ka shkruar poezi apo tekste këngësh Apostoli?

 

Zakonisht tekstet e këngëve Apostoli i merrte nga poetët korçarë, miq të tij. Nga poeti e publicisti Kostaq Duka kishte një bashkëpunim konstant e të dukshëm, e ndjera Mira Zaimasi, Petraq Kita, Klito Fundo, Skënder Rusi, etj. Me tekstin e këngës që do ta bënte të njohur ishte kënga në Festivalin e 22-të të Këngës në Radio-Televizion; “Me ty bashkë gjithmonë të rinj”, ndoëse u shkrua për të qenë e fundit në ditët e karrierës së Apostol Simonit, e cila do t’i shënonte emrin e tij në radhën e këngëve fituese. Më lejo të të tregoj një episod që ai nuk e anashkaloi dot. Ishte pengu i tij për këtë muzikë të bukur. Ai kishte zgjedhur një poezi të poetit Vullnet Mato. Ishte një poezi për dashurinë e dy të rinjve, një mrekulli. Si sot e kam në mëndje atë ditë kur ju kthye kënga nga komisioni i festivalit, mbasi ajo muzikë duhej patjetër të kishte një tekst për Partinë e për udhëheqësin. E diskutoi me mikun e tij Skënder Rusi dhe u gjet teksti. Brenda ditës kënga u pranua dhe ishte ajo këngë që ne e njohim sot; “Me ty bashkë gjithmonë të rinj”, kënduar nga Afërdita Laci Zonja dhe Liliana Kondakçi, ishte kënga fituese e Çmimit të dytë.

 

Përpos portretit dhe staturës intelektuale, por edhe talentit e kontributit të tij në muzikë, a do t’i mblidhni në CD-i këngët e kompozuara prej tij? Nëse po, cili do të jetë roli hulumtues i tyre?

 

Siç të thashë këngët e tij janë më shumë të regjistruara në partitura, sepse e tillë ishte koha. Disa i kam edhe në CD-i, por në kushtet e emigracionit nuk është mundësia ta bëjmë tani për tani, por djali shpreson ta bëjë në të ardhmen një CD-i, me këngët më kryesore të tij dhe kjo arritje nuk është e largët. Le të jetë një thesar për fëmijët e tij, për emrin e tij të mirë, për qytetin tonë Korçën, që ai e donte aq shumë. Apostoli ka shkruar dhe kompozuar edhe këngë për Korçën, që i kanë kënduar Lindita Theodhori dhe Pëllumb Elmazi.

 

Cili është mesazhi tuaj në vlerësimin e mos harresën e vlerave të tilla?

 

Për miqtë e tij, që e kujtojnë dhe ruajnë emrin e tij të mirë, le të jetë kjo intervistë, një vlerë për të gjithë korçarët qe e kanë njohur birin e tyre, që jetoi pak dhe krijoi shumë.

 

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s