Rekuiem për Tamara Nikollën! / Nga Raimonda Moisiu

Rekuiem për Tamara Nikollën!

 

 

1-raimonda

Nga Raimonda Moisiu

 

 

 

“Njeriu dhe sportistja e mirë te Tamara Nikolla qenë shkrirë në një…

 

“Njeriu dhe sportistja e mirë te Tamara Nikolla qenë shkrirë në një. Vlerat e larta morale dhe ato sportive të shkrira po në një. Jeta e saj sportive është sa monumentale, aq e artë për Korcën e saj të dashur, për ekipin e “Skënderbeut”, për historinë e sportit shqiptar që ajo idha aq shumë, ajo është simbol isportit, në mënyrë të vecantë, i lojërave me dorë”

Atë ditë të 15 nëntorit të vitit 1993, qyteti i bukur juglindor, mondan, i vlerave kulturore, artdashëse, Korça e diturisë, e serenatave, e sportit shqiptar do të tronditej nga një lajm kobzi që do të përhapej shumë shpejt. Bashkëqytetarët dhe sportdashësit e shumtë korçarë dhe bota e sportit shqiptar, me dhimbje e hidhërim mësuan ndarjen nga jeta në një moshë relativisht të re të volejbollistes së shquar e të talentuar korçare, “Mjeshtre e Merituar“, e sportit, Tamara Nikolla (Tanellari).

 

 

tamara-244x300

Tamara Nikolla (Tanellari)

 
Tamarën e kam njohur dhe takuar për herë të parë kur studioja në Tiranë, gjatë një ndeshje volejbolli në Pallatin e Sportit, për disa kohësh –profesori im i nderuar dhe trajner i ekipit “Dinamo”, Kreshnik Tartari më aktivizonte me të rejat e klubit sportiv, “Dinamo”. Më vonë me të mirën, të sjellshmen dhe të talentuarën, Tamara, ishim kolege, por edhe mike e ngushtë e motrës së saj. Njeriu dhe sportistja e mirë te Tamara Nikolla qenë shkrirë në një. Vlerat e larta morale dhe ato sportive të shkrira po në një. Jeta e saj sportive është sa monumentale, aq e artë për Korçën e saj të dashur, për ekipin e “Skënderbeut”, për historinë e sportit shqiptar që ajo i dha aq shumë, ajo është simbol i sportit, në mënyrë të veçantë, i lojërave me dorë. Tamara Nikolla e urtë, e sjellshme, modeste, shembullore e sakrificës, e shquar për inteligjencën në lojë, shutere shumë e mirë dhe në rol të dyfishtë, e aftë për të ngritur në lartësi, me krahët e saj, që nuk u lodhën kurrë, edhe një skuadër të tërë. Në historinë e sportit shqiptar ajo është një sportiste e volejbollit tejet modern, të cilin ajo e interpretonte falë dhuntive të rralla. E lindur dhe e rritur në qytetin e Korçës, Tamara u aktivizua j në jetën sportive në moshë fare të vogël. Në fillim si fanse e futbollit shqiptar, me babain e saj, i cili ishte një tifoz “i çmendur” i futbollit, ndiqte ndeshjet kombëtare të futbollit në qytetin e saj. Më pas ajo i hyri karrierës sportive që në vitin e parë të shkollës së mesme, në vitin 1968. Mësuesi i klasës sportive, Ilo Miti, e aktivizonte Tamarën në ekipin e shkollës, duke dalluar te ajo shtatlartësinë dhe shkathtësinë. Fillimisht pasioni për volejbollin mbeti dëshirë, se i duhej një punë bindëse e madhe për të sfiduar fanatizmin e kohës, ‘Se sporti nuk është për vajzat, por për djemtë”. Me ndihmesën e padiskutueshme e të çmuar të vëllait të saj, ajo ia arrin qëllimit dhe integrohet në sportin e lojërave me dorë, volejboll. Ajo kaloi drejt e me ekipin e të rriturave, me të nderuarin e të mirënjohurin, trajnerin e ekipit të volejbollit për femra, Prof.Pandi Gëllci. Fillon të luajë në skuadrën e parë që në vitin 1969. Nga ndeshja në ndeshje niveli i saj sportiv njohu vetëm progres, duke prezantuar veten; e thjeshtë, e dashur dhe e respektuar nga shoqet. Me kohë Tamara Nikolla fitoi emrin e një volejbollisteje me talent të mrekullueshëm, shutere e fortë, me sedër dhe e shquar, që spikati midis vajzave të të gjitha ekipeve.

 

 

Ekipi-i-Skenderbeut-me-Tranierin-Pandi-Gellci-300x200

 
Sportdashësit shqiptarë, amatorët dhe fansat e shumtë të lojërave me dorë, ndjenin dhe kuptonin se si Tamara dhe ekipi i “Skënderbeut” forconin përditë e më shumë emrin e ekipit, duke korrur fitore pas fitore, duke i dhënë edhe famë këtij ekipi. Eleganca e teknikës, forca shprehëse loja shpërthyese, aq edhe meditative, e plot përmbajtje në finalet e saj kulminante, dhuruan volejbollin më spektakolar të viteve ’70-të. Këto arritje nuk kishin kuptim pa Tamara Nikollën, sic nuk kishin kuptim pa kontributin energjik, të jashtëzakonshëm, brilant, plot talent dhe profesionalizëm të korifenjve të volejbollit shqiptar, trajnerëve të talentuar e profesionistë që bënë emër në historinë e lojërave me dorë, Prof. Kreshnik Tartarit me ekipin e “Dinamos”, dhe Prof. Pandi Gëllcit me ekipin e “Skënderbeut”, apo Vangjel Kojës, Th.Kule, Asllan Rusit, etj. Këta korifenj, me inteligjencë dhe pasion të veçantë për volejbollin, bashkërenduan dhe shkrinë në një ekipet e tyre të volejbollit, për në ndeshjet ndërkombëtare, jo vetëm që sfiduan Europën e Azinë, dhe dolën kampione dhe nënkampione të Europës dhe botës. Ky volejboll spektakolar i viteve ’70-të, nuk ka kuptim pa Farije Hotin, nuk ka kuptim pa vajzat e ekipit të “Dinamos”, pa “Gocat e Prof. Kreshnikut”, Eva Kavaja, Tase, Turdiu, Ibrahimi, Karagjozi, Bulku, Zace, Dreni, Iftiu, Raco e shumë të tjera që nuk po më kujtohen për momentin, nuk ka kuptim pa ”Çupat e Prof. Pandi Gëllcit”, si: ” Dhorkë Koco”, shuterja më e mirë e vendit, volejbolliste e gjallë, e fuqishme e plot temperament, Myzejen Hoxha, organizatore e shkathët e ekipit, Tamara Nikolla. Po të tilla janë fiksuar shuterja dhe bllokuesja e aftë Bellovoda, Bukli, Aliko, Vila, Valentina Foto, Tatiana Kalemi, mikja ime e fëmijërisë, Kicollari, Tasho, Qirici e shumë vajza të tjera sportiste të ekipeve të tjera, që me lojën e bukur dhe me volejbollin e fortë tërhoqën vëmendjen e mijra sportdashësve, jo vetëm brenda vendit, por edhe jashtë kufijve në Ballkan, Europë e Azinë e Largët. Mendoni, ato bënë historinë në vitet ’70 kur vendi ynë ishte tërësisht i izoluar prej regjimit komunist, nga bota perëndimore, si sfidë, këto vajza sportiste, energjike e plot talent do t’i jepnin emër Shqipërisë në shumë evenimente ndërkombëtare. Si shumë e shumë bashkëqytetarët e mij, sportdashës shqiptarë, jam me fat që kam jetuar si një bashkëkohëse e sportisteve të talentuara e të shquara, të atij sporti spektakolar të viteve ’70- të. Jam me fat që shumë prej tyre i kam njohur dhe janë ndër mikeshat e mija.

Volejbollistja më e mirë e Ballkanit

Duke përfaqësuar ekipin ndërkombëtar shqiptar, si një anëtare e këtij ekipi në kampionatet ballkanike dhe europiane, Tamara Nikolla u vlerësua lart nga një juri prej 60 gazetarësh të akredituar në Kampionatin e 10-të ballkanik. Kjo juri zgjodhi ekipin ideal dhe 6-shen më të mirë të Ballkanit në konkurrencën për femra, midis tyre edhe Tamara. Ja 6-shja më e mirë e Ballkanit në vitin ’80-t, ku Tamara me ekipin e saj kombëtar luante në pozicionin 3: Verka Stojanova (Bullgari), Svetana Bozhurina (Bullgari), Tamara Nikolla (Shqipëri), Irena Potkulet (Rumani), Viktorija Bankiju (Rumani) Dhe Cvijeta Stakiq (Jugosllavi).

 

Largimi nga sporti dhe mesazhi për brezat e ardhshëm të sportit.

 

Në tetor të vitit 1981, pas një karriere të gjatë sportive, ku kishte korrur shumë suksese e kishte marrë shumë tituj, pjesëmarrëse në shumë aktivitete kombëtare dhe ndërkombëtare, midis suksesit e lavdisë, gjithmonë e karakterizonte modestia, “Mjeshtërja e Merituar “ e sportit Tamara Nikolla largohet denjësisht nga sporti. Me një ceremoni të thjeshtë, duke bërë një veprim tejet fisnik, transmetoi mesazhin te brezi i ardhshëm i volejbollit për ekipin e saj se; humbja e fitorja, gëzimi dhe hidhërimi, duhet të konsiderohen bashkudhëtare në jetën sportive, duhet të përballohen me krenari. “Sportisti i mirë – thoshte ajo-gjithmonë duhet të ruajë formën, pasionin, rregullin për të luajtur. Me pasionin për lojën, që të bëhesh një volejbollist i mirë duhet “të shoqërohesh” me të jo vetëm në kohën e stërvitjes, por edhe në kohën e lirë. Ruajeni traditën e formuar të ekipit të “Skënderbeut”, për të vazhduar vetëm me fitore.”Ajo takohet me shoqet e ekipit të saj, gjithmonë e dashur, e respektuar dhe i dorëzon fanellën sportive njërës prej volejbollisteve të dalluara të ekipit, Tashos, dhe mes duartrokitjesh të nxehta përshëndet duke goditur topin për herë të fundit në fushë duke thënë:

“Unë po largohem në një moment shumë të bukur kur po luajnë dy skuadrat më të mira të vendit. Ekipi ynë i “Skënderbeut” nuk do ta ndjejë boshllëkun e largimit tim, sepse ai është mbushur me vajza të talentuara si Tasho dhe Qirici, që kanë një të ardhme dhe uroj të fitojnë.” Tamara largohet nga sporti duke mbajtur në krahët e saj shumë tituj e ndere;

-Në vitet 1971,-’72-’73-’75-’76, fitues të Kupës së republikës, me tranier Prof.Pandi Gëllcin.

-Në vitet ’72-’75-’76, ekipi i “Skënderbeut”shpallet kampion kombëtar

-Në vitet ’72,- ’74,-’75 Tamara Nikolla fiton kupën personale të të rriturave.

-Në vitet ’74,- ’76 shpallet fituese ndër 10 sportistët më tëë mirë të vitit.

-Në vitin 1976 shpallet në 6-shen më të mirë të vëndit me: Nikola, Tase, Raco, Dreni, Iftiu, Zace.

Ishte pjesëmarrëse në shumë aktivitete ndërkombëtare në Europë, Azi, e deri në Kinë, si përfaqësuese e ekipit ndërkombëtar dhe “Dinamo”, ku luante në pozicionin 3. Në vitet 1976 dhe 1980, në Kampionatin e Ballkaniadës, Turqi dhe Greqi, shpallet si volejbollistja më e mirë e Ballkanit në 6-shen më të mirë të kampionatit. Mban titullin “Mjeshtre e Merituar” e sportit , “Nderi e Sportit Shqiptar”, dhe në vitin 1994, Pallatit të Sportit të qytetit të saj të lindjes I jepet emri “TAMARA NIKOLLA”

 

E tërë familja me volejbollin. Vajza e Tamarës volejbolliste e shquar në volejbollin amerikan.

 

Tamara Nikolla jo vetëm ishte një sportiste e shquar, por ajo do të ishte edhe një nënë dhe bashkëshorte ideale, shembullore, e dashur, trajnere profesioniste dhe një mësuese e përkushtuar. Pasioni dhe dashuria për sportin e bukur të volejbollit ishin bërë tashmë për Tamarën, jo vetëm pjesë e jetës së saj, por edhe e familjes. Ajo me një dëshirë dhe përkushtim e plot eksperiencë, do të bënte që volejbolli të trashëgohej dhe te fëmijët e saj të dashur, duke qënë edhe një trajnere e tyre. Vajza e saj, Eftila Tanellari, nisi karrierën e saj sportive që në klasën e dytë fillore e deri në klasën e 8-të, me të njëjtën trajnere nënën e saj, Tamara Nikolla. Pas mbarimit të klasës së 8-të, Eftila u kurorëzua anëtare e ekipit të të rriturave të “Skënderbeut”, Korcë. Duke vazhduar më pas studimet në kolegjin “Preka”, Eftila në të njëjtën kohë luante volejboll, derisa mbaroi shkollën e mesme në këtë kolegj, në vitin 1997. Më pas Eftila vazhdoi studimet në Greqi në kolegjin dyvjeçar “Dimitris Perrotis”. Gjatë qëndrimit në Greqi, ajo luajti në vitin e parë me ekipin grek, “Filathletikos”, ndërsa në vitin e dytë, ajo do të luajë përsëri me ekipin e “Skënderbeut” Në vitin 1999, Eftila mori bursë studimi për volejboll në Universitetin e Arkansasit, USA. Në këtë universitet Eftila luajti në kategorinë e parë. Gjatë kësaj kohe ajo mbaroi edhe studimet për ekonomi. Në vitin 2002, Eftila transferohet për studime pasuniversitare në Universitetin e Virxhinia Tech dhe vazhdoi të luajë volejboll me ekipin e Universitetit në kategorinë e parë, por edhe me grupe të tjera. Ja si shprehet Eftila për suksesin e saj si volejbolliste e talentuar duke bërë emër në volejbollin amerikan: “Kur fillova të luaj volejboll, si çdo e re dhe fillestare, çdo moment vështirësie më bënte të largohesha nga ekipi dhe të mos luaja më. Por nëna ime, Tamara, më ka qëndruar pranë duke më shtyrë, dhe inkurajuar, për të kapërcyer vështirësitë, duke më sjellë si shëmbull eksperiencën e saj si lojtare, për të ilustruar vështirësitë që ekzistojnë gjatë karrierës si volejbolliste. Nëna ime ka qënë dhe është motivi më i bukur për gjithçka që kam arritur deri më sot si sportiste e si njeri. Në njëfarë mënyre çdo moment që luaj volejboll, nëna ime më mungon, por në të njëjtën kohë jam më afër saj.” Kjo është vajza e Tamarës, e cila transmetoi në volejbollin amerikan atë volejboll, me një elegancë në teknikë forcë shprehëse, lojë shpërthyese dhe spektakolare, si dikur nëna e saj “Mjeshtrja e Merituar” e sportit, Tamara Nikolla. Djali i Tamarës edhe ai luajti volejboll, deri në mbarim të shkollës së mesme me ekipin e të rinjve të “Skënderbeut”, por më parë ai i hyri rrugës të artit të bukur të pikturës dhe vazhdoi studimet në Itali. Piktura dhe sporti gjejnë mishërim te njëra tjetra.

 

Epilog

 

Gjithmonë kisha një ndjenjë nostalgjie, malli, mirënjohje, respekti, nderimi, detyrim shpirtëror për të shkruar për ish-kolegen, miken time të vjetër, për këtë figurë të ndritur të sportit shqiptar. Ndjej dëshirën, forcën e saj, t’i bëja homazh emrit dhe figurës së saj dhe të sjell në kujtesën e kombit shqiptar, të historisë së sportit shqiptar, të mijërave sportdashësve, lexuesve, figurën e volejbollistes së shquar e të talentuar korcare,”Mjeshtres së Merituar”, të sportit, ”Nderit të Sportit Shqiptar”, nderit të Korçës sonë, e gjithë Shqipërisë , Tamara Nikolla Tanellari. Është detyrimi i eternitetit që kemi ndaj këtyre figurave të tilla.

U prehtë në PAQE, Shpirti i Tamara Nikollës!

Ju i mungoni shumë Korçës e korçarëve!

 

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s