Shtëpia Botuese “EMAL” fut në shtyp librin e tretë të poeteshës Donika Hamitaj, “UDHËKRYQE MENDIMESH” me redaktim dhe kopertine nga shkrimtari vullnet Mato.

 

12417977_1663085703959747_5195892858853194310_n

Shtëpia Botuese “EMAL”  fut në shtyp librin e tretë të poeteshës Donika Hamitaj, “UDHËKRYQE MENDIMESH” me redaktim dhe kopertine nga shkrimtari vullnet Mato.

 

 

LOGJIKË ARTISTIKE, NË VAZO METRIKE

 

Ashtu siç pritej nga premisat cilësore të librit të dytë “Sfidat e shpirtit”, libri i tretë “Udhëkryqe mendimesh” i poeteshës tashmë të formuar Donika Hamitaj, ka shënuar një rritje të admirueshme të nivelit artistik, në pothuajse shumicën e poezive të këtij botimi voluminoz. Ndonëse një pjesë e mirë e krijimeve, marrin shkas nga subjekte biblike, ato trajtojnë tema shoqërore me probleme aktuale të mprehta, fabula poetike dhe ide të theksuara edukative për të gjitha shtresat dhe moshat e shoqërisë shqiptare.
“Përrallat dhe mitet diçka na mësuan,/përshkruan mbi rreziqet, sfidat gjatë udhëtimit…/ Uliksin kureshtar e lidhën, me litar fort e shtrënguan,/t’i shpëtonte magjepsjes së sirenave, prangave të tundimit, /Oh, sa shumë vlerë kanë mësimet e dhëna nga Ati i Krijimit!”.
Këto janë vetëm pak vargje që zbulojnë pozicionimin e poeteshës në raport me të përgjithshmen e larmishme të tematikës së librit.
Sa i përket strukturës së ndërtimit artistik, mund te themi se të gjitha poezitë janë prej një brumi jetësor të gatuar mjaft mirë nga ana logjike e të derdhura në vazo metrike, me ritme e rima shpesh herë të gjetura mjeshtërisht, që lidhen me një ngjizje të njëhershme të materies dhe të shpirtit, të fjalës dhe idesë, të vargut dhe figurës. Tonet e drejtpërdrejta, fryma polemizuese gjithë nerv, metaforat mbresëlënëse, me një kolorit të pasur ngjyrash jetësore, gjuha e gjallë, e shkathët e me një theks thumbues, e bëjnë poezinë e zonjës Donika Hamitaj të lexohet kënaqësisht dhe të vështrohet si një postulat i mirë për edukimin sidomos të brezit të ri:
“O njeri; kujdesu ti vet për zemrën tënde!/Ajo nuk të është dhënë për të bërë çmendurira…/ dhe as për t’i marrë, apo dhënë ndokujt mëndje…!/Por e rëndësishme për jetën, domosdoshmëria!…”
Nga ana tjetër, autorja tenton të bëjë një autopsi estetike në persona të veçantë të hasur në jetën e saj plot vështirësi e pengesa të sistemit diktatorial.
“Jo, nuk dua kurrë të godasë,/ dhe pse shpirtin ma kanë dhunuar, /
as me mendje s’them: edhe unë do t’vras…/Por veç buzëqeshjen kam për t’ju dhuruar!…”
Autorja operon herë, herë me simbolet fetare, duke i ngritur ato në lartësinë e kohës së sotme, për ngjarje e dukuri të vërteta, nga të cilat nxirren mësime të vlefshme për të sotmen…
“Të falem Zot, përgjithmonë,/ më mësove ç’është mëmësia,/
Kush s’është prind, s’e kupton,/përse e flijon zemrën dashuria… /Të falem ty, o im Zot, /se tani nuk bren më çudia/ pse thërret gjaku në Golgotë?…/ Sepse, nuk njeh limite dashuria…“
Krijimi poetik është një proces i magjishëm që ngjizet njëkohësisht me dy përbërës të ndryshëm: nevoja për të thënë dhe mënyrën si mund të thuhet. Këtu fillon dhe mbaron ndryshimi midis poetit të vërtetë dhe vargëzuesit. Ndonëse procesi i krijimit ka baticat dhe zbaticat e veta tek çdo krijues,
zonja Donika, e formuar tashmë në të gjithë elementët e stilit, e thotë mendimin të mirëmenduar dhe të pjekur plotësisht brenda idesë së caktuar.
“Ç’ pate shpirt që u turbullove?!…/ Mos kish brenda, zemër, deti…?! /Dhe kur valën e shkumove,/Kripa prapë në vend i mbeti…!/Ç’ke, o shpirt që po rënkon…!/Në ç’baticë ke përfunduar?…/Mos mes dallgëve ngule fron?! /Peshkaqenët të kanë kafshuar?…”
E ushqyer me kulturën krishtere, ku ka mbaruar studimet në Institutin Biblik Shqiptar, Donika Hamitaj është bërë një amvisë kuzhine mjaft e mirë, që di të përzgjedhë erëzat që i japin sy dhe shijë poezive. Ato janë të shumta, dhe janë të pasura me krahasime, metafora, dhe enumeracione. Ja njëra prej tyre që mund t’ju duken edhe juve shumë të shijshme:……
“Ju gjarpërinj, pjellë nepërkash, hipokritë,/ mashtrues ordinerë, bastardë…/ shkulët lulet, hapët varre ëndrrash./”Manifestime sublime… krejt fasadë…!”
Familja fillon nga shtëpia jote, nga prindërit e tu, nga farefisi dhe perceptohet si një lidhje me ta, që shkrin kufijtë midis qenies e mosqenies dhe fokusohet tek gjërat më të shtrenjta e më të shenjta në jetë. Prandaj poetesha i rikthehet disa herë me dhimbje prindërve, sidomos nënës dhe me shumë mall e dashuri nipave të saj.
“Veç mundimin tuaj, baba e nënë, /kurrë ndonjëherë nuk kam për ta harruar! /Më dhëmbin gjithë fjalët që s’u pata thënë… /përherë do mbeten mes kujtimesh përmalluar!”
* * *
“S’janë fjalë, vargje, penë poeti,/ nuk shprehem dot ç’je ti për mua…/Se një ditë fjalët i fundos deti, /dhe vargjet gjithkujt i thonë të dua!… /Të kam një, o shpirti im,/ …Dashurin se kam të endur… /Mijëra vite le t’ shkojnë e t’ vinë,/ Vitin tënd e kam të gdhendur!…” “
Kuptohet, poezitë e zonjës Donika Hamitaj, kanë shumë mendim. Ato duhet lexuar e rilexuar dhe kënaqësia e leximit të tyre, të shtohet kur pas çdo leximi, zbulon të tjerë ajsbergë, me shtatë të tetat e mendimit e të arsyetimit poetik nën ujë.

 

 

vullnet

Vullnet Mato -shkrimtar, redaktor i librit.

 

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s