Vrasja e Sarajevës / Poemë nga Vehbi Skënderi

 

vehbi Skenderi

Poemë nga Vehbi Skënderi

 

 

Vrasja e Sarajevës

Shkëputur nga libri “Mirëmëngjesi Shqipëri”, 2012

 

Nxjerr Sarajeva tym e flakë: 1400 ditë rresht. Ditë e natë! Nuk pran Artileria serbe,
nga Mali Ignan. Nuk pran! “Prisni!” thërret “Diplomacia” e kahershme.
Artileria nuk pran! Po “Elita Evropiane” s’heq dorë nga mirësjellja
e nga “Etika”. Elita. “Pse mërziti?” iu flet të vrarëve e të gjymtuarve. Ju “shpërbleva”!

 

Mbi qafën e Evropës, si një Faltore e vjedhur: Sarajeva.

Aty i ke! Aty ku kanë qenë: Lumi Miljaçka. Zjarret e mbuluar nën hi.
Varret e mbuluar. Qirinjtë e harruar.
Por predikuesit “zemërbardhë”: Mbrojtësit e gjarpërinjve. Kujdestarët e hijenave.
Akrepadashësit. Ujqedashësit. Tigradashësit: Nxihen katran nga “mirësjellja”.
E s’lënë gjë pa thënë: “Barbarë!
Pse i paditni vrasësit? Ata që ju kanë djegur e ju kanë vrarë?
Mbylleni gojën, se ju shqeva!”

 

Mbi ballin e Evropës posi një vulë e zezë: nxin Sarajeva.

“Islamikë!” bërtasin korifejtë. “Fanatikë! Atavikë! Pse i prekni xhelatët tuaj në sedër?
Pse i thërrisni me atë emër që kanë? Terroristë! Binladistë! Barbarë!
Pse i përbuzni vrasësit? Pse i urreni vrasësit!
Ata që jua kanë dhunuar foshnjat e ju kanë vënë zjarre.
Thajeni gjuhën, se jua preva!”

 

Si një Sizif Modern mbi shpinën e Evropës: Rri varur Sarajeva!

Tok me rrënojat e veta. (Nuk po lëvizin as pas kaq vjetëve!) Tok me shtëpitë e shkreta.
Emrat e pronarëve ngelën nëpër listat e të zhdukurve.
Tok me plagët e pashërueshme. Tok me skenat e turpshme
të dhunimeve të grave e të fëmijëve: përpara syve të bashkëshortëve e të prindërve.
Tok me lulishtet e zbrazura.. (Të djegura e të harruara!) Tok me dashuritë e shkulura
me gjithë rrënjë. Fqinjësitë e zhytura e të mbytura në pabesinë e fqinjve.
Tok me faltoret e tempujve të të gjithë besimeve.
Pa kambana. Pa minare. Pa psalltare. Pa myezinë e pa besimtarë! Hej, ju trutharë,
Atje! Qepni kokën se ua theva

Kafkën!” Si Zhan Darkë e braktisur, që kërkon drejtësi nga Xhungla e Qytetëruar:
Sarajeva!

 

Tok me shamitë e bardha të zisë. Tok me dilemat e gangrenat e saj.
Tok me arrogancën e “tolerancën” e helmetkaltërve.
(Helmetzinjve!) Tok me gërshërën tinëzare të yjeve “superdiplomate”
të cilët përmbysin gjithçka, që kurrë të mos ndreqet.
Dhe pas Srebrenicës rrëmbejnë honoraret, duke firmosur çeqet.
Ndërsa “Korifejtë” fërkojnë duart: “Eureka”!
Unë desh i theva duart nga gëzimi, duke duartrokitur.
Desh i verbova sytë e i çapëleva!

 

Mbi qafën e Evropës posi kravatë e zezë: Sarajeva.

Tok me tragjedinë e poezinë e saj Hyjnore. (Të shkruar e të pashkruar!)
Tok me varret e zbuluar e varret e mbuluar.
Tok me këtë shi që po na nxjerr sytë.
Tok me këto ditë gri, që vijnë e ikin papushuar,
me një monotoni rrënqethëse e vrasëse. Indiferente. Tallëse.
Nga ky zeher (poshtërues) farmak të gjitha kristalet e zemrës çikë-çikë i theva.
(Bolla na ka dhembur zemra!)

 

Mbi ballin e Evropës, “Baladë e Trishtuar”, shkruar me pika helmi: Sarajeva!

E dhunuar dhe e vrarë shpesh pas shpine.
E harruar… I ngjan një mine gjigante të përjetshme.
Mbrujtur me Mynihë e Dejtonë të rinj. E tragjedi të reja.
Si një bombë e kurdisur (kamikaz), që pret në heshtje
Çastin: (Princesha Daiana s’pati kohë që ta çmontojë!)
Oqeani i dhembjeve: Sarajeva!

 

Kurse Ignan (Mali vrasës !) si Grataçiele akulli pa kurrfarë mëshire:
tundet e kanoset mbi tërë Qenien e Sarajevës Martire,
si një Kryq i Zi me tërë peshën konstante e të përherëshme.
Dhe askush nuk e vëren. Askush nuk e ndjen peshën e tij të tmerrëshme.
(Veç Sarajevës!) Dhe askush nuk kujtohet që t’ia heqë!

 

Unë desh e theva ballin tim me grushte! E tërë muret e Bizantit desh i shqeva.
Mbi qafën (fytin) e Evropës, si një Xhami pa kokë: Rri varur Sarajeva!
Rri varur Sarajeva! Rri varrur Sarajeva!

 

Ndërsa Lumi Miljaçka rrjedh, si gjithnjë.

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s