Cikël poetik nga Miltiadh Davidhi

Miltiadh davidhi

Cikël poetik nga Miltiadh Davidhi

 

 

DORA E NËNËS

 

Dorën e nënës
Kudo ku shkova,
E mora me vete,
Si diellin,

E më ngrohu
Shpatullat e shpirtin.

U bë krahë ëndrre,
E më ndoqi
Shtegtimeve të mia.

Dhe tani e ndjej
Si më fërkon
Ballin e flokët e thinjura,

E shndrruar
Në një puhizë mëngjesi,
E malli drite.

 

 

 

E KAM DHE UNË NJË ËNDËRR

 

E kam dhe unë një ëndërr të bukur,
Si çdo njeri,bimë,a çati qielli
Që shikon me merakun
E syrit të globit,një ëndërr
Që i ngjason lojës së resë,
E cila merr formën e çdo sendi, a qënie të gjallë,
Që jeton në këtë planet.

Një ëndërr që kumbon me zë të magjishëm,
E më pas tretet e humbet,
Duke u shndrruar
Në zog të padukshëm me krahë shprese,
Që fluturon qiejve të mbijetesës
Si jehona e gjëmimës,
Pa menduar kurrë për gropëzat e varreve.

E kam dhe unë një ëndërr,e cila do mbetet
E pavarrosur dhe e bukur,
E do gjëmojë si kamban’e përjetshme lajmëtare
E gëzimeve dhe e hidhërimeve
Të mia e të globit,
Ku fluturon hapësirave të shpirtit në furtunë,
Së gjalli e së vdekuri,miku im!

 

 

 

GJYSHE GORA

 

Ti ishe nga ato ’’pemë’’ të bukura e të thinjura,
Që lidhin fruta
Në të katër stinët e vitit.
Me degë të blerta malli e lumtur na përqafoje ne,
Bisqet e lindura prej limfës e gjakut tënd,përherë,
E pa u mërzitur kurrë.

E duhet ta dish,gjyshja ime,
Kështu më përqafon dhe tani që s’je
Me duart e ngrohta të shpirtit.

Më shikoje në sy
Si të isha syri yt i gëzimit e i dhimbjes,
Dhe atëherë
Kur shikimi të kishte ikur…
Forcove rrënjë e degë
Gati për një shekull të tërë,
E çlirove oksigjen shprese e mirësie.

Ende ma mban dorën
Ndër duart e tua të mëndafshta,
E ma përkëdhel si në ditën e fundit
Kur erdha e të takova me tim bir.

E unë,ende rrugës së qiellit të dimrit kur vija tek ti
Me krahë ere,
S’ia kam harruar gropëzat e gurat,që m’i vrisnin
Këmbët e vockla të fëmijërisë,
Dhe xhepat e xhaketës ende i ruaj me kujdes,
Se mos pa dashje thyej vezët e yjeve,
Që m’i jepje ti
Në atë kohë varfërie.

E tashmë,je fijez bari e mbirë në shpirtin tim,
E unë, sa herë të duhet ujë e ngrohtësi,
T’i lag buzët e degëzave
Mbetur të pa tretura,atje,
Në varrin me vesëza lotësh e malli,

E përpiqem të ushqej me dhimbjen time,
Që më digjet
Si diell i nxehtë në qiell të kujtesës.

 

 

 

E BUKUR S’ËSHTË
VETËM AJO QË DUKET

 

E bukur s’është vetëm ajo që duket,
Por dhe ajo që s’duket,
E futur thellë
Në një pjesëz limfe fshehur në sy nè retinë
Mbushur plot me ngjyra,

Fshehur në trungje plot me degëza
Që synojnë lartësitë,
Në një grimcëz zoti që fsheh jetën
Brënda qiellit tënd e qiellit tim,

Në një pikëz gjaku që lëviz në damarë
E pëson ndryshime në dhoma zemre,
Në një fletë ajri të gjelbër
Plot me kromozone jete,

Në një dorë të ngrohtë
Që e shtrëngon sinqerisht
Pa ia dalluar urrejtjen në të,
Në një hapësirë universi me planete ëndrrash,
Me pafundësi gjallesash
E që ne si dimë,

Por edhe në një fjalëz,
A bimëz që hesht.

Lum ai që mund ta shikojë
Të bukurën në to!
Unë vetëm sa mundem ta prekè!

Kjo degëz lule e syrit tim,
Që tundet lumturisë
Është vetëm një mundim,
Një përpjekje drite
Që loton pa arritur ta shikojë atë.

Me vjen keq të vdes
Duke u vrarë prej asaj që s’e shikoj,
Se,në fakt,nga e panjohura, pa mundur
Ta shikojmë,ikim nëpër re.

 

 

 

KLONOMANI SHPIRTIN

 

…Në sytë e qiellit e në buzët e zjarrit,
Shpirtin,shpirtin thashë,
Jo trupin,atë kurrë më,
Se për mua,(ashtu,si dhe për ju),
Trupi është i vdekshëm,

Përderisa asnjë prej petaleve të lules,
Fijeve të barit,trupit të fluturës,

I vëllaçkos,i babës,nënës,i gjyshërve,
I shokëve e shoqeve,
I pikës së vesëz dhe erës së ikur,
S’më janë shfaqur as si fantazma,
E jo më të kenë folur me gojë,
Dhe pse kam vite që qaj e i kërkoj.

Ndaj klonomani shpirtin,shpirtin,
E vendosjani sërish emrin
Që më kanë vendosur prindërit,
Emrin e mbiemrin që mbaj,Miltiadh Davidhi,
Të vazhdoj akoma ta dua Planetin,
Njerinë,t’i dua mëngjeset,perëndimet,
Netët e ditët,

E ëndrrën e shiut tretur si ves,’
Dhe të shkruaj sërish
Për njeriun e gjithësinë,
Për ripërtëritjen e jetës,
Atje,ku e kam lënë,
Këngën e prerë në mes!

Klonomani shpirtin,shpirtin,jo trupin,
Atë kurrë më,
Le të qajë në dashtë me zë, a pa zë!

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s