Kumtesë në nderim të Dëshmorëve të parë për Liri të tokës së Shqipërisë, Kosovës ! / Nga Rudi Berisha – Kryetar i Klubit Letrar ‘’ Zahir Pajazitit ‘’

Kumtesë në nderim të Dëshmorëve të parë për Liri të tokës së Shqipërisë, Kosovës !     Nga Rudi Berisha. Kryetar i Klubit Letrar ‘’ Zahir Pajazitit ‘’      Përshëndetje !   I përshëndesim Organizatën e Veteranëve të UÇK-së Shoqatën … Continue reading

VËSHTRIME RRETH IMAZHEVE DHE VEÇORIVE POETIKE QË E KARAKTERIZOJNË VËLLIMIN POETIK “PLAGË QERAMIKE” TË POETIT VASIL KLIRONOMI. / Nga Arqile Vasil Gjata

VËSHTRIME RRETH IMAZHEVE DHE VEÇORIVE POETIKE QË E KARAKTERIZOJNË VËLLIMIN POETIK “PLAGË QERAMIKE” TË POETIT VASIL KLIRONOMI.

 

arqile portret 1

Nga Arqile Vasil Gjata

 

Për poezinë, ka një preceptim, një vështrim, apo dhe ide se:
-Rruga e poezisë është jo vetëm e çuditshme, por dhe sepse:
“Plagët e saj piqen më së mirë në qeramikë.”
Kjo e “çuditshmja” është një realitet dhe këtu në mjediset letrare të Athinës.
Jeta poetike në Athinë është një vatër ku poezia ka kohë që është në krye të vatrës. Në këtë vatër të ndezur poetike bënë pjesë dhe poeti dy gjuhësh (greqisht-shqip) Vasil Klironomi.
Vasil Klironomi ka aftësi që, me anë të personifikimit i qaset vazhdimisht gjthësisë për ta njohur dhe për ta trajtuar nga një këndvështrim i ri, me prirje për të përballuar me shumë sukses ndërlikimin e botës së letrave me dëshirën e fisme për ta parë thellë në aspektin estetik, i cili ndryshon shumë në raport me sa e sa të tjerë poezishkruesë!
Poeti Vasil Klironomi, tashmë është i dallueshëm në fizionomi dhe në vlera poetike. Ai, si një “hije e kripur” dhe rrënjëve të poezisë u jep frymëmarrje. Me mjeshtëri di t’i kurdisë që të këndojnë Kukullat e bukura (ashtu vërtetë të gjalla me zë artisti) dhe autori i ngjyros nëpër vargje, si një magjistar deti, vargjet i nxjerrë nga thellësia e kujtesës dhe Erosi qeraste vajzat me ëmbëlsira të lugës”.
Nga një lexim dhe studim i vëmëndshëm veçoj mendimin se:
-Një sintaksë poetike e përkryer e mbulon poezinë e Klironomit,
“Lakuriqësi e vërtetë” e vargut në poezinë e autorit Klironomi, me Sfilida-n(zanë) ka dalë të vesh Diellin me ngjyrat mesdhetare.

Lakuriqësi e Vërtetë

Kundërmonin jod orët e para të ditës
dhe një vajzë
që dielli për herë të parë e shihte lakuriq,
hyri në det
e bardhë dhe e bukur si Suedia.
Lash hijen time të kripur mbi rërë
dhe e kalova disa metra, mos vinin dallgët.
Ndërsa ajo derdhej në det si qumësht.

“Agoi,
pemët kthyen fytyrën drejt lindjes së Diellit
dhe në folenë e ndriçuar,
ra veza e parë e një mëllënje.” (nga poezia “Në pyllin e forcuar”)

“Në detin e hapur,
anijet, i dorëzoheshin palëvizmshmërisë.
Në udhët e tyre kërkoja shenja,
Ishuj artificialë ndërtoja me dallgët
Dhe humbisja në pallatet e thellësisë.” (nga poezia “Autorefuzim”)

-Poeti dhe shkrimtari Michel Houellebecq, në essenë e tij “Të mbetesh gjallë” shkruan:
“Impulsi i parë poetik i përket fillimit të fillimeve, vuajtjes”, domethënë se vetëm dhimbja (çdo lloj dhimbje shpirtërore) mund të jetë materie e poezisë së vërtetë. (marr nga një publikim në rrjetet sociale nga Profesor Vangjush Ziko!)
Këtë sentencë të poetit Houellebecq e gjejmë në vazhdimësi në poezitë e autorit.
“Ishte një kohë (shkruan poeti), që dhe orët i ndiqnim me hijet e busteve”, “lamë nëpër degë puthjet tona”e “thëllëzat arhonde/shoqërojnë të dashuruarit e ndrojtur.”…të gjitha këto ”e shikonin kalimtarët/dhe dielli kalonte sipër tyre duke lexuar kujtimet.”
Dukshëm dhe me shumë art poetik e gjejmë të tretur këtë mendim poetik tek poezia “KUJTIME”:
“Ishte atëhere kur binin gjethet dhe,/ç’kishte mbetur nëpër pemë/i hidhte në tokë një dorë e padukshme…..Pasditeve. ç’priste syri në rrugë,/e vinin në stivë me dimrin….dashuria rrëmihte tokën/…Mbi supe u binin petale dhe mullinjtë viheshin në lëvizje.”
Një tjetër estet, Roman Jakobson nënvizon se përmbatja e kuptimit “poezi” është e
lëkundshme dhe e kushtëzuar nga faktori kohë; ndërsa “poetiken”
e përcakton kështu:
“Poetikja është e pranishme, kur fjala ndihet si fjalë, dhe jo vetëm si paraqitje e objektit të emëruar prej saj ose si hedhje emocionesh, kur fjala me kompozimet, me semantikën e saj, me formën e brendshme dhe të jashtme përfton gjithçka edhe vlerën në vetvete –në vend që t’i qëndrojë në më mënyrë indiferente realitetit”.
Po sjell në vëmëndje të lexuesit disa vargje nga poezit e poetit Klironomi:

EVGJITI

Qëndron më këmbë me duart kryq.
-Ç’të mërzitesh!-Thotë.
I fut në xhepat gjithë vrima
Dhe kruan të poshtmet.
-Ç’të mërzitesh!
-pas pak,
vë llozin pas derës, bie në shtrat
dhe ndërsa përqafon evgjitkën,
një filozofi e shpuar
e sjell vërdallë një ëndrre me vrimë.
***
“Pemë do mbjell në faqen e parë të librit,
rrënjët të kenë vargje nga poezitë e mia.
Të ngjitem, të të përshëndes.
Degët e atdheut të tregoj
që shkonin aq shumë me ngjyrat e tua.
Fole me zogj të rinj,
që shkojnë me ngjyrat e njerëzve.” (nga poezia”Dy poezi për Spiro Llajon”)

Në thelbin e marrëdhënieve mes gjuhës dhe mendimit dhe të dinamikës së fjalës, shtrohet për shqyrtim koncepti “vlerë”, që veç konceptit filozofik, nga ku qëmtojmë vlerat e vërteta estetike në një poezi. Ky fokusim na jep mundësi të njohim dhe dukurit kuptimore-sintaksore në poezinë e çdo krijuesi, në këtë rast të poetit V.Klironomi.
Po e filloj këtë shpjegim, nga vet titulli i vëllimit poetik “Plagë Qeramike” që, nënkuptojmë;
– plagë të pjekura në qeramikë!…Një metaforë e shkëlqyer, ku vlera estetike ka rëndesë të veçantë! Në qeramikë piqen ato gjëra, nga më të mira e u serviren mbretërve, princërve, njerzëve me pushtet, apo zonjave të mëdha! Për anologji, Poezi të tilla(Plagë) piqen në qeramikë! Dhe vërtetë, në këtë vëllim poetik ka poezi shumë të arrira poetikisht që të mrekullojnë dhe preken realisht dukuritë kuptimore-sintaksore si vlera në poezinë e V.Klironomi, si:

Pupël e Bardhë mbi Sup

Nga një pëllumb ose nga një re.
Ajo më ndodhi, ndërsa po ecja,
fshati vinte më afër
dhe bëhej gjithnjë e më i madh përpara syve.

Viti i shtatëmbëdhjetë
dhe çezma ku pija i vogël
më dha thellësi në grushte,
si atëhere kur i jepja ujë gjyshit,
se nuk mund të gjunjëzohej.

NISMË
Mot i mugët!
Vjen herë-herë zhurma nga ana e detit,
dhe përplaset në përfytyrimin tim.
Dikur. Anije që kaluan këtej, heshtja i theu në mes.

Si veçori dallues i autorit është se ai, nuk huazon kopje uniforme të të shkruarit, por përzgjedh apo seleksionon ato që do të thotë e i kalon përmes një filtri të ashtu quajtur –Imazhi bashkëkohor poetik me pikësynim të vërë në lëvizje shpirtin e tij në tër poezit e librit.
Duke qënë se autori e ka formësuar këtë vëllim poetik nga përkëthimi i poezive të tia nga greqishtja në shqip, rrjedh mendimi, ideja se imazhet shfaqen si surealiste dhe ndihet mjaft mirë një shpërthim i tij, ku shumëkush e quan një arritje estetike në poezinë Klironomit.
Po sjell si provë, disa vargje nga poezia “I Rrethuar PREJ Lavdish”, të cilat flasin me gjuhën e tyre bashkë-kohore, moderne!

“Po çfarë bëra? Një nismë.
Sa u duk çdo gjë nëndiellore,
i kopsita bluzën të dashurës sime.
I solla përpara gërshetat
që i arrinin gjer te thithat e gjinjëve.
I ngrita gëzimin në sipërfaqen e syve.

E dukshme e vërteta e një nisme.
Pastaj mora pëllëmbën,
futa gishtat e saj midis gishtave të mi
(dhe kish aq muzikë në rrëmba!)
Me një demostrim tingujsh në buzë, hodha hapin
e parë.
Atë bëra.”

Shpreh mendimin se veçori përbënë dhe ideja që unë kam qëmtuar në poezinë e autorit se:
1- Klironomi ka sjell një mendim e konceptim të ri, duke e emancipuar poezinë e kohës nga rutina poetike dhe notat retorike të vargëzimit, në një strukturë poetike moderne, ndryshe, individuale dhe me vlera estetike që i japin lexuesit ngarkesa emocionale dhe ngadhnjim artistik.
2-Poeti ka kultivuar, na ka dhuruar vargje dhe poezi që të befasojnë me arqitekturën dhe ngjyrimet mjeshtërore që, padyshim e tejkalojnë të bukurën. Poeti është mbështetur tek fryma e poezisë popullore, jo thjesht si dukuri, por ka krijuar një botë fantastike me poezi me ngjyra, me melodi e sintaks poetike që shpesh janë krijesa të papërsëritshme në poezi, duke iu larguar stilit narrativ, pa marr parasysh rregullat e vargëzimit klasik.
Mund të përmënd vargje si ato tek poezia : “Lakuriqësi e vërtetë(poezi me frymë lirike e fantazi poetike që të entusiazmon, kur “Dielli për herë të parë e shihte lakuriq atë vajzë.”, apo tek poezia “Reportazh në Vargje” si dhe poezia me tingëllim të veçantë-“Evgjiti”! Si dhe poezia tjetër “Përsëri” e qëndisur me shumë figura letrare dhe me fjalor të pasur.
Nga shumë miq të autorit që e njohin mësëmirë gjuhën letrare Greke, ata shprehim mendimin se, poezia e V.Klironomit, po ta lexosh në greqisht, kan vlera shumë më të mëdha se të përkthyera prej tij në shqip. Kjo sepse, gjatë përkthimit ndodh fenomeni i rrjedhjes estetike.
Në mirëkuptim dhe me autorin, të cilit shumë miqësisht ia thashë dhe në diskutimin letrarë që iu bë vëllimit poetik “PLAGË QERAMIKE” nga miq të tij, dua të shpreh një shqetësim, i cilin ndihet në disa poezi të këtij vëllimi -“PLAGË QERAMIKE”.
Kam bindjen, se një fenomen i till vjen nga dy shkaqe:
Së pari, autori i ka sjell këto poezi të përkthyera nga greqishtja, ku vetë autori i ka shkruar në greqisht.
Dhe e dyta, sipas mendimit tim, ka mungesë në gjetjen e nuancave të fjalëve në gjuhën shqipe, të cilat në pak raste e shpërfillin vlerën vargut poetik.
Tituj të till si; “Autorefuzim”, “Çast i volitshëm”, “Kam për të thënë dhe le të mos më besojnë”,”Në pyllin që u forcua”.”Kontralta e Korfuzit” lënë një shije jo të pranueshme për lexuesin.
25 janar 2016-Athinë

Poezi nga Syrja Kurti

syrja Kurti

Poezi nga Syrja Kurti

 

 

Vërtetim

 

Nëse djajtë e ferrit tek unë s’mbërrijnë dot
është prania jote që i mban larg nga këtu,
nëse shpirti im është gjithnjë plot për plot
e mbush ëmbëlsia që përhapin sytë e tu.

Ashtu si egërsirat kur prej zjarrit tremben
prania jote të keqen, e degdis diku larg,
dhe kur buzëqeshja në fytyren tënde endet
ngrohtësine e pranverës shpërndan rreth e qark.

Mos qesh se që tani jam gati ta shkruaj vërtetimin
nëse të kam pranë
tek unë banon vetëm gëzimi.

 

21 janar 2016.

 

 

 

Qyteti i ëndërrimtarëve.

 

Ti ankohesh se unë shpesh nuk të dëgjoj kur flet
se me trup jam ,por mendjen e kam kushedi se ku
në fakt s’mund të them që kjo nuk është e vërtetë
por ndonjëherë e çoj larg, shumë larg nga këtu.

Mësoje pra se njëkohësisht jetoj në dy qytete
(po të rrija këtu njëzetëekatër orë do kisha vdekur),
se tek ai tjetri heq maskën dhe jam rehat me veten
larg prej gjithë ligësive të kësaj bote të çmendur.

Ndjehem ndryshe atje lart kur fluturoj përmbi retë
në një dimension tjetër plot me ëndrra pa kufi
(me gjëra dhe me njerëz që këtu poshtë s’mund ti kem)
pastaj kthehem prapë për të vazhduar bisedën me ty.

Sikur të shtoj edhe ty në listën e anëtarëve
si thua,
vjen me mua në qytetin e ëndërrimtarëve?

 

31 janar 2016

 

 

 

Trëndafilët e tu

 

Unë e kam vendosur,
sot dua të dhuroj shtatëdhjetëeshtatë trëndafilë,
edhe pse ti qesh e thua se jam pak i cuditshëm.
Por kur të të puthë dielli ti kesh me vete si prikë
besoj se nuk janë pak dhe do të mjaftojnë si shifër.

Nëse dielli s’i jep asgjë qiellit
dhe trëndafilë në dyqanin e luleve nuk ka më,
ti vazhdo gëzohu, nuk ke arsye të trembesh,
se unë e kam një zgjidhje,s’është që jam pa gjë.
do mbledh në ajër trëndafilët e buzëqeshjes tënde.

Kur lulet e buzëqeshjes të shpërndahen në hapësirë
unë e di që ti prapëseprapë do e mërzitësh diellin,
se do ti duken më të mirë se të vetët këta trëndafilë
dhe do të këmbëngulë që ti shkëmbejë me qiellin.

Le ta zgjidhin të dy bashkë, të bëjnë si të duan
sepse me bollëk i kanë lulet tani atje lart,
le ti ndajnë si te kenë qejf trëndafilët e dhuruar
që askush mos mërzitet dhe le të ndjehen rehat.

Por vetëm një gjë ata kurrë s’kanë për ta kuptuar
se ti je megjithëmend qiellore
por të pëlqen të rrish në tokë me mua.

 

29 janar 2016

 

 

 

Gjendet në treg

 

I masim të gjitha, tokën, lëngjet, atmosferën
s’ka lënë pa shpikur kjo botë njësi matëse lloj-lloj,
për të mësuar ashtu si duhet cmimin dhe vlerën
megjithëse standardet asnjëherë s’janë njësoj.

Ka dynym e jardë, ka kilometra e milje
ka litra e derhemë, por dhe okë e kilogram
me lloje nënfishash dhe shumëfishash të tyre
cdokush sipas sistemit dhe standartit që mban.

Le të jenë si të duan standardet e secilit
është një mall për të gjithë me vetëm një njësi
që mund të blihet vetëm me vlerën e shpirtit
që s’e blen dot me cmim, me poste dhe lavdi.

Nëse dikush e ka humbur njësinë e dashurisë
ta kërkojë në treg,
është pak i rrallë si mall ,por e gjen në qarkullim….

 

21 janar 2016

 

 

 

Kryqëzimi i rrugëve të mia

 

Une e di një vend ku u jepet jetë ëndrrave
ku si pelegrin mund të nisesh në rrugën e yjeve,
ku mund të dëgjosh fjalët dhe pëshpëritjen e erërave
mbështjellë me bukurinë e mistershme të pyjeve.

Unë di ku zogjtë asnjëherë këngën s’e ndalin
ku koha si në pranverë lulet e pemëve shkund,
ku mund te pish vetëm ujin e burimeve të malit
atje ku deti me ninullat e valëve të përkund.

Po të them një sekret se mendoj që është koha tani,
ai vend ku kryqëzohen rrugët e mia
je Ti!

 

20 janar 2016