NË POLIN NORD TË TRISHTIMIT / Shkëputur nga libri ” Një cigan ka humbur udhën ” të autorit Petrit Sulaj

NË POLIN NORD TË TRISHTIMIT

 

 

petrit sulaj

Shkëputur nga libri ” Një cigan ka humbur udhën ”  të autorit Petrit Sulaj

 

 

Më parë se të filllonte lufta, vendi ishte në paqe. Kjo gjë, ishte e thjeshtë për tu spjeguar, dhe se duket ca absurde. Vendi ishte në paqe, thjesht se mungonin të vetmit frymorë që dinë të bëjnë luftë, megjithëmend. Sa kohë mungonin njerzit, nuk kishte kush bënte luftë. Erdhi koha dhe, njeriut iu dha rasti për të patur një fillim, si çdo gjë që ka rast, apo i jepet mundesia, apo ftohet a dhe detyrohet të sillet me forcë, per te bërë në botë, diçka të re që mungonte deri atë kohë.

Me sa duket, njeriu e kishte gjetur botën në paqe, dhe nuk i kishte pëlqyer fare kjo gjë, hiç nuk i kishte pëlqyer. Se pse njerèzit nuk e pëlqyen botën kështu, unë nuk e di. Po nga ana tjetër, di atë që ka thënë një njeri i zgjuar për absurditetin e njeriut. Ky njeri special ka thënë pak a shumë kështu- përkthyer në dialektin tim, që me sa shoh se ka të gjatë-: ” Njeriu është një moçal i pamasë, i cili, kur është në qejf, a entusiast, duket sikur në cep të këtij moçali, njëkohësisht, shohim dhe dëgjojmë të zhytet në ujin e gjelber myshk, një bretkocë.”

Domethënë, vetëm shohim dhe dëgjojmë dhe krejt çeshtja mbyllet këtu, nuk duam të dijmë më shumë, më gjatë e sidomos më thellë; me një fjalë nuk duam të përdorim mendimin tonë. Sepse nuk duam të mendojmë, nuk është hiç vështirë të merret me mend: shkaku është i thjeshtë, sepse që të mendosh duhet guxim i madh. Duhet guxim i madh e po kaq intelekt, sepse në radhë të parë duhet të mësosh që ta shohësh botën me sy tjetër dhe jo si ajo të paraqitet, pastaj duhet të jesh i përkorë e të mos ngutesh me ndërgjegjen, ndërgjegjen duhet ta kanalizosh. Me pak fjalë, pra të jesh i aftë që me mendimin tënd të arrish të bësh dhe gjënë më banale, një vend të privilegjuar. Ndërsa më e veshtira gjë vjen në fund: kur të bëhet zakon të mendosh më shumë se çdo gjë tjetër në jetën tënde, arrin një ditë e duhet të ndash shapin nga sheqeri, sepse një njeriu që mendon i duhet të pranojë ose jo, tezën që mban në ekuliber njerzimin: ” Njeriu per të filluar rrugën e perfeksionimit si specie, punë e parë duhet të justifikojë ose të paktën të përpiqet të justifikojë të keqen që sapo i kanë bërë…”

Pikërisht, ky njeri i zgjuar, mua më ka marrë për dore e më ka bërë vëzhgues, më shtërngon duart e mendjen në atë farë feje, sa nuk mund të shqitem prej tij, sa të jem gjallë. Vetëm në saje të tij, unë tashmë jam bërë më i vyeri vëzhgues i botës. Nuk është se ai ka folur me mua, apo se ka përdorur takt e stil për të më ka bindur, apo se ka marrë një vendim në këtë drejtim, jashtë meje, thjesht kjo ndodh se unë ndjehem tmerrësisht i realizuar, mjafton të mendoj se jam në shoqërinë e tij.

Më vonë nga studimet profesionale që bëja – të tilla u jepeshin me shumicë si leksione vëzhgueseve e aspirant vëzhgueseve – mësova, se paqa i kishte mërzitur shpejt njerzit, sidomos sepse ajo nuk u dukej atyre fare interesante. Jo vetëm kaq, bile paqa kohët e fundit, ishte bërë dhe torturuese për njerzimin. Patjetër, si duket, njerzit kishin arritur në ca konkluzione të rendesisheme, si: ” në paqe prodhohen vetëm gjëra të mira abstrakte, ndërsa në luftë realizohen vetëm të këqia konkrete.” Apo: ” në paqe, nuk mund ta vrasësh tjetrin kot më kot, apo se të është shkrepur kështu. Ne paqë e vret tjetrin vetëm po të detyrojnë të zgjedhësh, të paktën njerin nga këto tre kushte: ta kesh zili tmerrsisht tjetrin, ta urresh apo të kesh interes nga vrasja e tij. Kështu, dalngadalë erdhi një kohë dhe njerzit u bindën se vetëm lufta mund ti shpëtonte nga apatia, mërzia e monotonia.”

Me të thënë e me të bërë, rendi gjërave u permbys dhe tani për tu vrarë, nuk kishte nevojë për plotësim kushtesh, sepse në luftë, veprimi më normal e gjëja më e lejueshëme, është të vrasësh. Në luftë, nëse don të jetosh një minutë më shumë, apo dhe një shekull të tërë, më parë se të vrasin, duhet të vrasësh. Lufta nuk ka moral, ose nëse ka një te tillë është i thjeshtë, madje shumë me i thjeshte se morali matematikor i shprehjes: “dy minus një, bëjnë një.” Njerzit, madje, shpejt u zhgënjyen dhe nga lufta e zakonëshme, shkuan tutje e më tutje dhe shpikën luftën totale. Dhe dihet, se kjo farë lufte e sofistikuar e banale njëkohesisht, pra lufta totale ka në themel të saj, politikën. Dhe ndersa më maskarenjtë e njerzëve, vranë mendjen e shpikën partitë, partitë nga ana e tyre, seleksionuan nga njerzit që mernin pjesë në to, më maskarenjtë e maskarenjeve dhe i shpërblyen duke i bërë liderè. Dhe arritur në këtë pikë, lufta totale filloi. Njerëzit tashmë vriteshin me të njejten pafajsi, siç edhe kishin lindur. Vriteshin njësoj, si ato që kishin marrë armët në dorë, si të tjerët që lufta i kishte gjetur në gjumë.

Lufta e imponuar nga mërzia e apatia dhe e udhehequr nga politika, nuk seleksionon askënd: fajtor e i pafajshëm, kishin të njejtin status: “ mish për top”. Njerzit nuk kishin alternativë tjetër, veçse për tu vrarë mes tyre. Një i vrarë në minutë, gjashtëdhjetë në orë dhe tremijë në ditë. Kështu, arriti ora që të vrarët u bënë shumicë dhe të gjallët, pakicë.

Në kohën kur unë arrita si vëzhgues, në vendin në luftë, ushtria e atyre që ishin vrarë, kishte pushtet pak a shumë të ekulibruar me ushtrinë e të gjallëve. Pushteti i të vrarëve ishte shumë real, aq i prekshëm ishte, sa po të mos kishe përvojè e praktikë shumëvjeçare, qeverisjen e tyre nuk mund ta administroje e toleroje. Unë tashmë, isha bërë mjeshtër në situata lufte, dhe jo rrallë, në situata të jashtëzakonëshme, për të mos u shkrirë, a bërë pluhur e hi, dmth pèr tè mbijetuar, shëndërrohesha në imagjinatë. Transformohesha kështu, sepse ishte mënyra më efikase për për tu përballur me pushtetin e palëve në luftë, në mënyrë të pjesëshme, sepse të përdorje totalisht vehten në vëzhgime, ishte gjë e rrezikëshme, bile fatale, dhe për një vëzhgues të rafinuar e me përvojë shekullore, siç isha unë.

Unë nuk mund të luftoja në atë vend, nuk isha palë, isha thjesht vëzhgues dhe po të mos kisha kulturë e përvojë të madhe në këtë drejtim, nuk do kisha mundur të mbijetoja.

Nga ana tjetër, duhet të pranoj, se ndërgjegja, më ishte gjymtuar jo pak, nga vëzhgimet e luftrave të pafundëme që kisha asistuar, e kèshtu kisha sjellë, andej nga kisha ardhur, një bunker vetëm për vehte. Askush dinte se bunkeri im eksistonte, e aq më pak se në të jetoja e vëzhgoja unë. Bile, për bunkerin nuk mund të flas lirëshëm, e sidomos të jap hollësi, sepse dekonspiroj zanatin tim, ndërsa një përkufizim të thjeshtë mund ta bëj. Bunkeri ishte një gjë hermafrodite, si të spjegohem, as pelë druri e stërmadhe si “Kali i Trojës”, por as dhe një bunker i thjeshtë, beton arme. Ishte si të them, një mjet i përshtatëshëm për vëzhgim, me origjinë nga mitologia e me destinacion po mitologjinë.

Paisja me një bunker të tillë, sigurisht, kishte rëndësi për mua, por më i rëndësishëm ishte fakti, që unë nuk duhej të ndikoja mbi palët në luftë mes tyre. Bunkeri, e zotëronte këtë veti: ishte i padukëshëm për palët në luftë dhe nga ana tjetër më bënte dhe mua kështu, gjithë kohën të padukshëm, jashtë e brenda tij. Me një fjalë ishte gjë e sofistikuar, aq sa palët në luftë, nuk dinin gjë se ishin nën vëzhgim. Me fjalë të tjera, njerëzit në luftë, ndjehshin krejt të lirë e të pavëzhguar dhe nuk kishin nevojë të manifestonin sjellje të shtira, e ndjenja të tilla si turp e ndrojtje, për çfarë i punonin reciprokisht njeri tjetrit. Une, isha shumë i kujdesshëm ne artin e të vëzhguarit, përvoja më kishte bërë mjeshtër dhe pse kesaj radhe, lufta që po vëzhgoja këtu ishte hiperbolike.

Zanati i përjetëshëm i të vëzhguarit të luftrave njerëzore, më kishte bërë mjeshtër në këtë fushë. Psh, kohët e fundit, kur dilja të vëzhgoja, përdorja vetëm një shqisë të caktuar, me të tjerat bëja një marrëveshje, që për sa kohë isha në vëzhgim me njerën nga shoqet e tyre, koleget të mos bëheshin të gjalla. Por duhet të them, se jo përherë funksiononte kjo taktikë imja. Kur unë përballësha me skena të tmerrëshme, shqisat e aletet e mija më të cilat kisha bërë marrveshje që të rrinin urtë, nuk i qëndronin marrveshjes dhe kështu, më duhej të sforcohesha tmerrësisht: nga njera anë të vëzhgoja detaje lufte midis palëve jashtë, e nga ana tjetër të bëja zjarrfiksin, brenda vehtes time.

Vetëm në këtë mënyrë, unë kisha arritur një perfeksionim të tillë, sa mbaja primatin, në rang vëzhguesish. Eprorët më vleresonin, dhe më kishin shpërblyer, sa kishin mundur për këtë specializim e aftësi timen. Por këtë radhë puna ndryshonte. Lufta nuk ishte dosido, siç thashë, nuk ishte lufte mes fisesh primitive, që luftonin për mbijetesë. Nuk ishte një përleshje për një derr të vrarë, nuk dihej – nga shtiza e njërit luftëtar a tjetrit – e që më lehtë se të zgjidhnin mes tyre me dialog autorin e vrasjes së gjahut, ishte të vrisnin njëri tjetrin.

Lufta kësaj radhe siç thamë, ishte hiperbolike në të gjitha aspektet e drejtimet. Lufta ishte e motivuar, e drejtuar dhe e komanduar për bukuri. Gjithëçka e kishte organizuar politika, e sidomos dy liderët kryesorë. Pas shumë e shumë vëzhgimeve, unë kisha bërë konkluzionin e tmerrshëm, se vetëm te rraca e politikanëve, përgjegjësia e tyre nuk zgjat vetëm sa ata janë gjallë a ushtrojnë pushtet, siç ngjet normalisht për gjithë njerzit e zakonshëm. Jo, jo, përgjegjësia e politikanëve, vazhdon dhe pas vdekjes së tyre, e bile dhe pasi tu harrohet emri.

Une, bunkerit i paguaja një qera, kishim rënë dakord për çmimin në parim, ndërsa një gjë të tillë nuk e kishim bërë me detajet. Unë kisha shumë pretendime ndaj bunkerit, ndërsa për detajet, nuk doja të bisedoja fare me të, sepse përvoja më kishte mësuar që detajet janë fëmijë të rastit, aspak të fatit. Detajet nuk kanë rregulla precize, moshë kronologjike e gjëra të tjera të këtij lloji. Detajet janë megjithëmend vagabonde, dhe në një teritor të kufizuar e të pakufizuar njëkohësisht, siç është trishtimi i vëzhguesit në një luftë jo të zakonëshme.

Bunkeri, njëkohësisht do më shërbente si hotel, si studio dhe si burg. Në burg, do të lija peng shqisat që nuk më duheshin në vezhgimet ditore, që do bëja. Në fakt, vendin ku doja të lija peng shqisat, që nuk më duheshin në një vëzhgim të caktuar, unë doja ta quaja kasafortë, por nuk qe aspak i këtij mendimi bunkeri. E duke qenë kështu, i leshova pe, pa insistuar fare. Po të kisha insistuar do më ishte dashur, një shekull për ta bindur, e kuptohet që një kohë kaq e gjatë, aq sa ka kuptim e domethënie ka për një bunker, po kaq, nuk ka për një vëzhgues, i cili duhet të përqëndrohet në linjën e tij kryesore: vëzhgimin.

Unë, në fakt doja që detajet e bujtjes time në bunker, të ja linim në dorë të rastit, por bunkeri nuk lëshoi pe dhe në fund si gjithëmonë, u detyrova të pranoj kushtet e tij.

Sa vështirë është të diskutosh detaje me një bunker, nuk është aspak si diskutimi me një njeri, që vështirësi ke deri sa të konkludosh në parim, pastaj gjërat të shkojnë si në vaj. Kjo vështërsi ka të bëje shumë, sepse te një bunker nuk vendos përvoja a mosha e tij, as dhe inteligjenca nuk vendos te një bunker, siç ndodh me njeriun, që në finale nuk vendos njeriu, por mosha e inteligjenca qe ai ka.

Bunkeri në fakt nuk vendos vetë, për bunkerin vendos konstruktori i tij, edhe pse konstruktori nga ana e tij nuk është se vendos vetë ai, një rol të madh ka projektuesi, i cili dhe ai nuk është se vendos me kokën e tij. Pra te bunkeri vargu i trishtimkomandueseve ishte i pafund dhe të kërkoje të gjeje kryesorin, ishte puna më e vështirë që mund të bëhet.

Parandjeja dhe ndonjë dredhi, nga ana e bunkerit, por në fund të fundit harxhet për dështimet e mija, nuk i paguaja unë, i paguanin ato që më kishin dërguar këtu si vëzhgues dhe kështu, me një gjendje shpirtërore të tillë e me atmosferë lufte, fillova në praktikë misionin.

Ditën e parë do vëzhgoja vetëm me sytë. Gjërat e tjera të mijat i lashë në bunker, i dorëzova me inventar të gjitha: hundë, veshë e bashkë me to, detyrimisht dhe nuhatjen e dëgjimin, dhe kur bunkeri firmosi, u mendua gjatë. I dridhej dora, gjithë atij bunkeri dhe fillova të ndjehesha aq keq për të dhe, tamam kur isha duke i thënë që ti bënte naftën firmës, të mos firmoste fare, ai firmosi. Vuri një firmë të gjatë që se kisha parë kurrë më parë në jetën time, ta bënte një subjekt tjetër. Thashë me vehte pas gjithë kësaj, se patjetër, bunkeri do rriste çmimin, por në fakt çeshtja u mbyll vetëm me një indiferencë totale nga ana e tij, pas asaj firme tërkuzë. Aq shumë përshtypje, më ka bërë firma e bunkerit, sa pjesën tjetër të jetës time, pasi të lirohem nga ky mision, domethënë kohën në pension, do ja kushtoj koleksionimit të firmave nga janë e s’ janë. Dhe kur të arrij në firmën e njëmiliontë, do ti vë të tëra firmat bashkë në vijë lineare, që ti krahasoj me gjatesinë e firmës së bunkerit. Në daltë më e gjatë firma e bunkerit, dijeni nga unë, se njerëzimi do e ketë pisk punën.

Atë ditë nuk munda të bëja gjë tjetër, ashtu i paisur vetëm me shqisën e të parit, arrita të bëja vetëm filmime, në vendin në luftë dhe asgjë më shumë. Shqisat e tjera i kisha lënë në bunker, bile dhe një pjesë të mirë të koshiencës. Vura re se ishte gjë e veçantë, të shihje botën njëanëshmërisht i përqëndruar. Njeriu kështu është aq i vëmëndëshëm e i përqëndruar në shqisën e tij të vetme me të cilën vëzhgon botën, sa e gjen vehten thjesht vështrim dhe sheh e dallon gjëra, që të tjerët dhe me mikroskopin a teleskopin më të sofistikuar, nuk arrijnë ta bejnë.

Njerëzit e vrarë kapërdiseshin rrugëve, shesheve e ferrave me një krenari të tillë, sa që dukej sikur një minutë më parë ishin dekoruar nga presidenti, me urdhrin e “Trimërise”. Shigjetat e diellit përvelues dhe purtekat e shiut fshikullues, nuk u bënin përshtypje, dukej sikur nuk kishin punë me to. Kapërdisja tyre e kishte vrarë vdekjen, ose vdekja e tyre ishte vdekje e posaçme që prodhonte kapërdisje. Une, nuk kisha vdekur asnjëhere akoma, që të mund të kuptoja se si njerëz të vdekur, arrijnë në një gjendje shpirtërore të tillë. Por dija nga ana tjetër nga përvoja me vëzhgimet e luftrave normale, se njeriu kur gjendet aty aty me vdekjen, nuk jeton më për të tjerët, por merret intensivisht vetëm me vehten e tij.

Nuk ekzagjeroj të them, se më dukej vehtja sikur po asistoja një mit të gjallë e real, ku vdekja nuk ishte një qëllim, a destinacion, por thjesht nje etape per te rifilluar nje menyre tjeter te qèni, njè menyre tjeter eksistence, nje jete te re. Bile, bile, më dukej sikur ato njerëz të vdekur, ishin thjesht në karantinë, përkohsisht me botën, nuk donin të ja dinin sa kohë do rrinin kështu të vrarë, problem kishin vetëm imunizimin nga sëmundja e tyre. Njëherë, bile mendova se duke u sjellur kështu, donin të vinin ne provë, të eksperimentonin, solidaritetin e dashurinë e vërtetë, që ndjenin ndaj njeri tjetrit, ashtu në gjendje të vrarë.

Të gjallët, aq sa kishin mbetur, nuk binin në sy. Nuk e di pse rrinin në vendstrehime, prisnin ndoshta të ndalej shiu e të fshihej dielli, që të dilnin në shesh te mejdanit. Atë ditë, vura re se nuk mund të bëja konkluzione. Desha të bëja një të tillë, të paktën vetëm një konkluzion për çfarè po përjetoja, dhe sa u mundova, sa shumë u përpoqa, por asgjë arrita. Vetëm vonë, vonë fare, kuptova pse nuk mund të përtypja konkluzione. Këtë gjë nuk mund ta bëja, thjesht se aletet e të menduarit i kisha lënë peng në bunker. Eh sa mirë kisha bërë që kisha lënë mendimin në bunker, sa mirë. Përndryshe do kisha shkatërruar gjithëçka. Do kisha shkatërruar vehten, misionin tim, karrierën time të shkëlqyer, bile do kisha transformuar dhe ecurinë e luftës, se nga vëzhgues i paanshëm do isha transformuar në palë. Dhe nuk kisha dyshim, do kisha marrë anën e të vdekurëve, do u kisha hequr medaljet varur në qafë dhe në vend të tyre, do u kisha dhënë një ide që të iknin nga sytë këmbët. E di që duke bërë kështu do kisha zhdukur njerëzimin si nocion, si realitet dhe do kisha fituar një ide, thjesht një ide timen. Por më më mirë një ide tmerrësisht e frikëshme se një realitet i tillë i përçudëshem.

Doja tmerrësisht, që ato skena të tmerrëshme të ishin një realitet imi brendëshëm, bota ime private, psiqika ime a makar dhe subkoshienca, doja kështu por nuk munda të sqaroja gjë, thjesht se nuk mund të mendoja, dhe nuk mund të mendoja se aletet e mendimit i kisha lënë peng te bunkeri.

Javën tjetër, dola të vëzhgoja duke marrë marrë me vehte si mjet vëzhgimi, vetëm hundën. Per sytë që lashë peng në bunker, më të cilët kisha filmuar me detaje e hollësi, gjithëçka kisha vëzhguar, bunkerit, i premtova një gjë shtesë dhe në momentin që bunkeri mu duk pak i njerëzishem, i thashë duke iu lutur, që sytë të mi kishte kujdes. Bunkeri nuk e hapi gojën, thjesht se ai dinte ku e kishte pikën e tij të fortë, ai ishte mjeshtër i papërsëritëshëm në indiferencë, ai kishte lindur për të bërë indiferentin. Për sytë, nuk i kërkova të firmoste, vetëm ju luta në mirëbesim për sytë, të mi kishtë kujdes.Pastaj kisha dhe frikë se mos bënte një firmë tjetër tërkuzë, a më keq, nuk firmoste hiç, a akoma më zi, me bente ndonjë proçkë të paparashikuar dhe pastaj, hajde e çlirou mga kthetrat bunkerit.

Nje jave rrjesht, vëzhgova vendin në luftë vetëm duke nuhatur.Të vrarët, më dukej se kishin ndërruar qëndrim, dhe pse nuk mund të shihja e dëgjoja asgjë konkrete.Të lodhur nga kapërdisja e gjatë, sigurisht që flinin gjumë dhe kur ndonjë ëndërr e keqe i bënte të kërcëllonin dhëmbët nga urrejtja e frika, në momentet që ndërronin pozicionin e trupit të vrarë, në hundën time tmerrësisht nuhatese përplasej një erë kërme, që në fakt nuk ishte më e rëndë se era e djersës time nën sqetulla.

Të gjallët, akoma nuk kishin vendosur të dilnin, ndoshta nga që shiu dhe dielli, vazhdonin duelin mes tyre. Sa më shumë u afrohesha vendstrehimeve të njerëzve mbetur gjallë, aq më tepër shtupoja hundët. Ishte e pamundur të jetoje me hundë lirè, në afërsi të tyre.

Shumë çuditesha, se si mund të duronin të njerëzit akoma gjallë, njeri tjetrin në atë stallë ere kërme. Kuptova se kishin kohë pa u larë, pa u ndërruar, pa u krehur e pa u parfumosur dhe më erdhi keq për to. Mund të mos më besoni, por të gjallët lëshonin një erë kaq të rëndë, sa era e të vdekurëve, dukej parfum krahasuar me erëkërmën e tyre. Shpesh herë thoja me vehte se po të mos ishin gjallë, shumë shumë do më neveritnin me një erë, si djersa në sqetullat e mija.

Javën tjetër, ishte në program vëzhgimi vetëm me veshë. Bunkeri, ishte akoma në gjumë kur dola atë ditë, herë e parë që më ndodhte. Une vërtetë, humba një mundësi për tu zgjuar si duhet te zgjohet një vëzhgues para vështrimit të akullt të tij, por nga ana tjetër, bunkeri mund të ishte penalizuar goxha, nga mosvëmendja: me e vogla, kishte humbur nje mundesi qe te shtonte te ardhurat e tij në arkë. Si u thellova pak në këtë pakujdesi të tij, edhe vizita e nje mendimi se ia kisha hedhur, nuk mu duk ngushëllues, thjesht se do ta gjeja zgjuar kur të kthehesha nga misioni i vëzhgimit dhe patjetër mund qe edhe të më jepte një mësim të mirë. Por dhe një shpresë e kisha, se mund ta gjeja kur të kthehesha gjumë, dhe bunkeret lodhen në fund të fundit një herë dhe dremitja mund ti mbajë dhe një javë rrjesht.

Tërë javën ndërsa vëzhgoja, nuk isha gjë tjetër, vetëm se një vesh i madh, i sofistikuar. Isha bërë i tëri vesh, një organ i tillë, ku ishte përqëndruar gjithë aftësia dëgjimore e njerëzimit. Veshët jo vetëm bënin dëgjimin e radhës, por dhe seleksiononin tinguj e detaje tingujsh, që një vesh normal as mund ti imagjinonte.

Momenti kulmor në vëzhgimin me veshë, ishte koha e dëgjimit të himneve të palëve në luftë. Të vdekurit këndonin hymnin e tyre dhe të gjallët po ashtu, të tyrin. Hymni i të vrarëve dominonte. As dallgët e një oqeani në tsunam, nuk ishin më impresionues. Një perfeksion i paarritshëm. Një rezonancë makabre. Fjalët e himnit të vrarëve, i thurnin lavde jetës nga pikpamja e vdekjes, ndërsa muzika që shoqëronte himnin i përkëdhelte fjalët, siç mund teë përkëhelë një nënë fatkeqe fëmijën,vdekur një çast më parë, e për të cilën ajo akoma nuk di gjë prej gjëje.

Kur himni përfundonte, një interval pushimi ftonte heshtjen. E ndërsa të vrarët pushonin, të qetë nën gërmadhat e himnit të tyre, veshët, më kapnin fragmente të hymnit të gjallëve. Në fillim, nuk munda të kuptoj se pse himni i të vdekurve dominonte atmosferën e vendit në luftë. Vetëm më vone, vonë fare, kur po shkruaja relacionin për eprorët e zbulova arësyen. Të vrarët tashmë bënin ligjin në atë vend, ishin shumicë absolute.

Jo pa trishtim, vura re se himni i të gjallëve ishte një gjë e çakorduar në pikpamje muzikore, por dhe teksti nuk po më pëlqente.Më shumë se tekst himni, dukej një llafosje mes zërash të çjerrë, urdhëra e sidomos britma, per ta bere luftën efikase. Si duket, vendstrehimet ishin më të gjërë se duhej dhe gjithëçka brenda tyre, fjalët britmat, mprehja e shpatave dhe instruksionet e komandantëve, vinin e transformoheshin në tinguj pa asnjë domethënie.

Javën e fundit, e kishte radhën vëzhgimi vetëm me mendimin tim. Nuk mund të shikoja, nuk mund të dëgjoja, nuk mund të nuhatja. Thjesht se këto gjëra i mbante peng bunkeri në zbatim të kontratës. Dhe kështu, javën e fundit kisha mundësi të shëtisja e vëzhgoja vendin në luftë, vetëm me mendimin tim. Nuk e di a për koincidencë apo thjesht për rend të gjërave, lufta ishte në të mbaruar. Po po lufta kishte mbaruar dhe gjithëçka tjetër që kishte lidhje me të, domethënë, himnet, kapërdisjet e të vdekurëve dhe fshehja e të gjallëve. Rrugët e sheshet ishin të lira, vendstrehimet bosh.

Ditën e fundit të luftës, skenën e dominonin dy njerëz që vinin verdallë si të çmendur. Ishte e prekëshme fare çmenduria e tyre. Jepnin urdhëra, bërtisnin, çirreshin, thirrnin në emra vartësit e tyre dhe bënin gjeste, që askush tjetër veç meje mund ti kuptonte. Nuk ishte vështirë të kuptoje, se te ato, realiteti ishte reduktuar thjesht, në atë çfarë eksistonte brenda kokës së tyre. Ndërsa gjithçka tjetër jashtë tyre, nuk ishte asgjë më shumë, veçse material per ti vënë flakën e për ta shkatërruar sa më shpejt. Bota ishte për to, thjesht vizioni personal i tyre i deformuar nga dëshira për të shtërnguar e për ta shtrydhur, ashtu siç shtrydh limonin një limonshtrydhëse elektrike.

Këto dy qënie te përbindësheme ishin liderët. Njëri lider, ishte i vetëmi i mbijetuar nga ushtria e të gjallëve, ndërsa tjetri, lideri i ushtrisë të vrarëve, kishte pas vehtes miliarda e miliarda të tëre. Kuptohej qartë gjithëçka nga paraqitja e tyre – lufta për liderin e ushtrisë të gjallëve, sa kishte filluar, ndërsa për liderin e vdekur, ishte në kulmin e saj. Ajo çfarë kishte ndodhur, ishte thjesht marrëzi e të tjerëve, as që kishte të bënte me to. Në mendjen e tyre ishte kallkanosur realitet tjetër, realiteti i luftës së perjetëshme, i luftës që nuk duhet e nuk mund të mbarojë kurrë.

Kur u lodhën, u gjetën ballëpërballë njëri tjetrit. Unë shtanga nga prania e tyre. Ishte here e pare qe shtangja ne rolin e vezhguesit. Shtangja ime kishte të bëntë jo me një dëshirë timen spontane, por me një nje nevoje te tmerreshme për ti njohur ato dy njerez, doja ti shihja pandarë ato dy lider të famshëm, ti vëzhgoja, ti prekja, ti dëgjoja tek flisnin në konferencë shtypi. Por nuk mundja të bëja asnjë nga këto gjëra, dhe kjo thjesht se mua ishte vetëm mendimi. Aletet e tjera mi kishte mbajtur peng bunkeri.

Dëshira për ti parë ato dy lider, u bë e papërballueshme dhe vendosa të braktis çdo etiketë njerzore e profesionale. Vendosa ti bëj naftën detyrës së vëzhguesit, mjeshtrisë time të vëtme, dhe u turra me vrap te bunkeri ku kisha lënë peng, gjithë shqisat e mija të dashura. Arrita frymë e pa frymë dhe kërkova të futem brenda. Por nuk më lanë të hyja.

Para bunkerit, te porta bënin roje. Nuk e di nga, e pse kishin ardhur. Gjëja e fundit që do me kishte kaluar për mendje do të kishte qenë ideja se bunkeri do militarizohej kështu.Nuk mundja ti shihja në fytyrë rojet, thjesht se nuk kisha sy, nuk mund tu merrja erë, se isha pa hunde, nuk mund të dëgjoja urdhërat e tyre se nuk kisha veshë. I kisha lenë peng hundën, sytë dhe veshët. Ose, me sakte, i kisha si formë, por ne permbajtje e brenda ishin bosh.

Më kishin ndalur në hyrje të bunkerit dhe kaq. Nuk më linin të hyja dhe se insistova fort, dhe se ngula kembë, me këmbenguljen e një të shkalluari. Vazhdova kështu me orë e ditë dhe kur kuptova se këmbëngulja ime, ishte tashmë tentativë në fundjetë, kërkova shpjegime.

Për fat, shpjegime me dhane. Me mbajten nje leksion te gjate, nderkohe qe me jepnin serum, për të më mbajtur frymën gjallë, deri sa leksioni të përfundonte. Kur kuptuan se leksioni ishte gjë e komplikuar të më shërbente ne gjendjen në të cilën isha, më spjeguan shkurt thelbin e tij. Thelbi i spjegimit ishte i thjeshtë e makabër. Tash e tutje njerzimit i ishin privuar shqisat, ngaqë nuk kishte ditur ti përdorte. Koncesioni i fundit që i bëhej ishte dhënia e licencës per te ushtruar vetem mendimin.

Ndërsa fërkoja zgavrat e syve bosh, provoja hundën mos nuhatja dhe vura veshin mos dëgjoja, si një herë e në një kohë, në çastet e mija të fundit munda të bëja vetëm një gjë: të sillja ndërmendje, një strofë të himnit të vdekurve:

Kur dëgjoj bubullimën e topave

nuhas shkatërrimin tim

Kur shoh trupa copë copë

mendoj bubullimën e topave…..

 

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s